Editorial
Gjon Keka: Dardan (Arbëror), ngrihu dhe ndiq rrugën e Gjergj Kastriotit
E hene, 22.12.2025, 04:58 PM
Dardan (Arbëror), ngrihu dhe ndiq rrugën e Gjergj Kastriotit
Nga
Gjon Keka
Pas
shpalljes së pavarësisë dhe ngritjes së flamurit në Krujë më 28 nëntor 1443,
akti më patriotik i Gjergj Kastriotit dhe arbërorëve të tij ishte Kuvendi i
Lezhës më 2 mars 1444, në të cilin u vulos Beslidhja e Shenjtë që do t'i korrte
fitoret e njëpasnjëshme kundër pushtuesit otoman. Kuvendi i Lezhës ishte një
ide e projekt i bekuar që doli vetëm nga një njeri i bekuar, i urtë, vizionar
dhe përbashkues, sikur ishte kryeheroi ynë arbëror Gjergj Kastrioti.
Gjergj
Kastrioti para arbërorëve të tij thoshte kështu: "Ëndërrova se isha në një
grykë të errët e të pakalueshme, e cila gjarpëronte midis mureve të dhëmbëzuara
e të thepisura shkëmborë. Kudo, nga lartësitë, nga të çarat dhe grykat,
përbindësha të tmerrshëm më buzëqeshnin, duke kërcënuar të më shkatërronin. Çdo
hap që guxoja të bëja lindte një përbindësh të ri, kështu që u dekurajova dhe u
tremba, dhe më pushtoi neveria. Banorët e shëmtuar të kësaj gryke tundnin kokat
e tyre të ashpra dhe zvarriteshin gjithnjë e më shumë drejt meje. Ndjeva gjakun
tim të ftohej dhe një të ftohtë më kapte drejt e në zemër. Pastaj, papritmas,
pashë një yll që shkëlqente fort lart mbi mua. Ai shkëlqente me mirësi në natën
time dhe dukej se më premtonte fitoren. E ndoqa dritën e tij, e shikova lart në
fatkeqësinë time dhe guximi m'u kthye. Me guxim eca përgjatë rrugës sime, duke
kaluar përbindëshat që dridheshin nga frika nga afrimi im. Shpejt qëllimi u
arrit; ylli u afrua gjithnjë e më shumë, duke u bërë gjithnjë e më i ndritshëm,
derisa drita e kthjellët e ditës më rrethoi përreth. Atje qëndrova në hyrje të
kështjellës së Krujës dhe njerëzit ishin mbledhur për të më përshëndetur dhe
për të më udhëhequr triumfalisht në shtëpinë e prindërve të mi, në atdheun
tim."
Ai
e portretizoi me saktësi rrezikun e përbashkët për gjithë Europën dhe princat e
mbretërit e saj, e mbi të gjitha për arbërorët e tij ilirë. Këshilli i Krujës
në atë kohë u kënaq me këtë propozim; por vizioni ushtarak i Gjergjit tonë të
Madh ishte më i gjerë dhe duke besuar te vetja dhe te arbërorët e tij të
guximshëm, ai i dërgoi në vitin 1444 të dërguarit e sulltanit përsëri në
Adrianopojë duarbosh, me një letër mirësjelljeje drejtuar Sulltan Muratit.
Gjergj
Kastrioti ynë i madh e dinte dhe ishte i sigurt se hordhitë otomane do ta
pushtonin Arbërinë sapo të shihnin se fuqia e Arbërisë po dobësohej, dhe se i
vetëm një ditë do të shtereshin të gjitha mundësitë. Ai e dinte se sa ishte
gjallë do të mbronte Arbërinë, por jo përgjithmonë, dhe kështu ai e dinte
çelësin me të cilin Arbëria do të mund t'i bënte ballë një Perandorie
armiqësore sikur ishte ajo otomane, dhe ky çelës i fitoreve dhe i mbrojtjes
ishte bashkimi i të gjitha forcave trup e shpirt i arbërorëve. Ishte thelbësore
të shfrytëzohej momenti dhe ai e hodhi këtë ide-projekt të bekuar të Beslidhjes
së bashkimit me anë të ftesave që i bëri kryefisnorëve në të gjitha trojet e
Iliro-Arbërisë. Britma e gëzimit, si ajo e ditës së rikthimit të tij në Krujë
dhe ngritjes së flamurit arbëror, ashtu edhe ajo e ditës së Beslidhjes në
Kuvendin e Lezhës që përshëndeti çlirimtarin e shumëpritur, u përhap në të
gjithë vendin. Në të gjitha trojet e Iliro-Arbërisë, malet e fushat, në të
gjitha luginat dhe buzë detit, britma e lirisë jehoi dhe arbërorët u dyndën për
t'i bërë homazhe princit të tyre dhe shpëtimtarit të tyre.
Por
Gjergji ynë i Madh e dinte më mirë dhe thoshte se tani nuk ishte koha për
festime; ai e dinte detyrën e tij dhe veproi në përputhje me të, prandaj i
ruajti dhe i mbrojti arbërorët e tij, as nuk i dha shpresa të mëdha, as nuk i
premtonte asgjë, por punonte, vepronte dhe e udhëhiqte shtetin e tij në mënyrë shembullore
duke u bërë një model i qeverisjes mbretërore për shumë vende të Europës dhe
princat e mbretërve të asaj kohe. Me dorën e tij të bekuar e të aftë, plagët u
shëruan dhe e gjithë Arbëria e tij u ngrit në një forcë të re dhe frymëzim
homerik e heroik.
Kudo
që shfaqej, vetë prania e tij madhështore i tmerronte otomanët. Britma,
"Skënderbeu është këtu, Skënderbeu është atje, Skënderbeu po vjen" i
detyroi nga frika tmerruese të iknin pa asnjë goditje shpate ushtarët armiq
otomanë të sulltanit. Ai edhe sot është tmerri i renegatëve, mbetjeve otomane
dhe injorantëve e radikalëve të errësirës së ideologjisë islamike që
vazhdimisht e njollosin dhe sulmojnë figurën e shpëtimtarit dhe kryeheroit tonë
Gjergj Kastriotit (Skënderbeut).
Pas
themelimit të Kuvendit të Lezhës, fitoret ishin frytet e kësaj ideje gjeniale
të bashkimit të arbërorëve të tij, sepse vetëm të bashkuar mund të arrinte
qëllimin e madh: ruajtjen e lirisë, pavarësisë dhe identitetit iliro-arbëror
europian. Kështu, pas njërës nga betejat fitimtare të tij, ai hyri në
kryeqytetin e tij dhe u prit me një procesion vërtet triumfal. Njerëzit
vërshuan në masa të dendura, të shpërndara me gjelbërim përgjatë rrugës,
entuziazmi i tyre i shprehur nga një mijë brohoritje. Bubullima e topave,
tingulli i të gjitha kambanave kishtare me gëzim lajmëronte hyrjen e tij pas
fitores dhe bubullima e borive u përzien me gëzimin e arbërorëve: gra, fëmijë,
pleq, të rinj e të reja, të cilët i mbuluan me një shi lulesh ushtarët arbërorë
të Gjergj Kastriotit që po vinin fitimtarë nga beteja.
Në
portën e qytetit, princi i dashur dhe besnik i Gjergj Kastriotit, Vrana Konti,
ishte i pari që e priti në krye të të gjithë garnizonit. Me ta parë, Gjergj
Kastrioti kërceu nga kali, u hodh në krahët e njeriut të tij besnik dhe e përqafoi
ngrohtësisht. Një britmë duartrokitjesh përshkoi të gjithë ushtrinë arbërore,
sepse të gjithë ndiheshin të nderuar nga komandanti i tyre. Pastaj Gjergj
Kastrioti vazhdoi rrugën e tij nëpër rrugët e dekoruara festë drejt
kështjellës, në të cilën hyri si një mbret i vërtetë.
Aty
brenda e prisnin të dërguarit e Papa Nikollës V, të mbretit të Hungarisë, të
Republikës së Venedikut, të Filipit, Dukës së Burgundisë, dhe Alfonsit V,
mbretit të Aragonës dhe Napolit, duke i ofruar urimet e princave të tyre dhe duke
i dhuruar dhurata të çmuara. E gjithë Europa e krishterë i bëri homazhe. Të
huajt u dyndën nga të gjitha anët për të parë heroin e famshëm dhe spektaklin e
veprave të tilla heroike. Por mes të gjitha këtyre homazheve, Kastrioti nuk e
harroi mirënjohjen. Ai i dha titullin e Dukës Vrana Kontit si mbrojtësit të
guximshëm të Krujës, dhe e gjithë ushtria arbërore, e cila e kishte shpërblyer
veten kaq mirë, u shpërblye me bollëk.
Vetëm
mbreti Alfonsi V i kishte dërguar Gjergj Kastriotit ndihma me grurë dhe një
pjesë ari. Gjergji i Madh refuzoi hapur ta pranonte këtë dhuratë më shumë se
mbretërore, dhe vetëm me ndërmjetësimin e të dërguarve dhe me insistimin e tyre
u pranua një dhuratë e tillë: "Të paktën pranoje këtë dhuratë,
Skënderbe!" i tha i dërguari atij. "Në duart e tua, dhuratat do të
shndërrohen në hekur, për të mbrojtur të krishterët e Europës."
Ndërsa
Republika e Venedikut e gdhendi emrin e tij në Librin e saj të Artë dhe e
mbuloi me nderime të çdo lloji. Kështu që në atë kohë Arbëria ishte fortesa e
të gjithë Europës së krishterë. Ëndrra që kishte parë Vojsava, nëna e Gjergj
Kastriotit, tregon një lidhshmëri me ëndrrën e një paraardhësi të tij të madh
sikur ishte Aleksandri i Madh, ku Olimpia, nëna e tij, dikur ëndërroi të
njëjtën gjë. Një pjesë e ëndrrës së nënës së Aleksandrit të Madh u bë realitet,
dhe jo rastësisht ai mbante emrin e tij, pra Skënderbe (Aleksandër). Kështu me
Gjergj Kastriotin u bë realitet edhe pjesa e dytë e historisë së ëndrrës së
nënës së Aleksandrit të Madh dhe nënës së Gjergj Kastriotit të Madh. Kjo
dëshmon se prindërit e tij, Vojsava dhe Gjoni, i kishin bekuar arbërorët dhe
Arbërinë me lindjen e një Aleksandri të dytë të Madh në Gjergj Kastriotin
(Skënderbeun).
Duke
e ditur se vetëm nëpërmjet bashkimit në Kuvendin e Lezhës dhe aleancave me
aleatët e tij europianë e rajonalë, jo vetëm Arbëria e tij por si rajoni, ashtu
edhe Europa në përgjithësi, mund të ishte në gjendje t'i kundërvihej
Perandorisë Otomane dhe sulltanëve të saj. Ndërkaq, ajo që e rriti shumë fuqinë
e otomanëve ishte mbi të gjitha përçarja e botës perëndimore. Ata pak burra që
e kuptuan rrezikun e afërt dhe u përpoqën me të gjitha forcat ta shmangnin atë,
ishin të vetëdijshëm për domosdoshmërinë e unitetit midis të krishterëve
europianë dhe e vajtuan thellësisht mungesën e tij. Kështu, mbreti hungarez dhe
ai napolitan e shumë të tjerë, pas bëmave të shkëlqyera ushtarake të kryeheroit
tonë arbëror Gjergj Kastrioti (Skënderbeu) kundër otomanëve, e ftuan atë në një
aleancë më të ngushtë.
Gjergj
Kastrioti jo vetëm që e mbrojti Arbërinë e tij, e cila ishte më e rrezikuara
nga të gjitha vendet në atë kohë, por ai i ndihmoi dhe e mbështeti edhe mbretin
e Napolit, si dhe mbështeti fuqimisht Kalorësit e Urdhrit të Gjonit të Rodosit.
Po
e përfundoj këtë shkrim me fjalët e një kronisti europian (L.T.E. B., 1855) që
shkruante si vijon: "Tani është koha të heqim dorë nga pena, meqenëse
vdekja ia ka hequr shpatën nga dora Gjergj Kastriotit (Skënderbeut): ai ishte
si një yll, epoka e tij hapësira e saj rrethore, të cilën heqja e yllit lë një
boshllëk para nesh."
Sikur
u pa më lart, Gjergj Kastrioti ishte shpresa e atdheut, mendja dhe krahu i të
cilit shkatërruan zinxhirët e skllavërisë që otomanët i kishin vënë arbërorëve
të tij. Gjergj Kastrioti thoshte me të drejtë: "Çfarë dobie ka një orë
lirie nëse e ndjek skllavëria e përjetshme Arbërinë time?" Ai është ende
gjallë, nëse jo fizikisht, është shpirtërisht në zemrat dhe mendjet e
arbërorëve të tij të vërtetë.
Sot,
si kurrë më parë, populli i Kosovës dhe tërë kombi ynë ka nevojë për frymën e
Gjergj Kastriotit (Skënderbeut), ashtu që ne si popull të jetojmë frymërisht
dhe trupërisht si dardano-arbërorë të vërtetë europianë dhe jo si të huaj në
djepin tonë, në atëdheun tonë, atdheun e bekuar nga engjëlli ynë mbrojtës e
shpëtimtari Gjergj Kastrioti (Skënderbeu).
Dardan
(Arbëror), ngrihu dhe ndiq rrugën e Gjergj Kastriotit (Skënderbeut); ajo është
e vetmja rrugë që të çon në mënyrë të pashmangshme drejt fitores dhe bashkimit
me familjen e natyrshme europiane.










