Kulturë » Vataj
Albert Vataj: Pavlina Mani – aktorja që i dha ngjyra artit shqiptar
E enjte, 13.11.2025, 06:58 PM

NE DITELINDJEN E AKTORES
Pavlina Mani, aktorja që
solli një larmi rolesh dhe karakteresh që i dhanë ngjyra të dritshem panoramës
së artit shqiptar
Nga Albert Vataj
Në ditëlindjen e saj, kujtimi i Pavlina Manit është më shumë
se një përkujtim artistik, është një nderim për një brez që i dha skenës më
shumë se lojë, i dha shpirt, nder dhe dritë, i dha traditës një vlerë pasurore,
gjeneratave i solli shembullin më unik se si me pasion dhe përkushtim mund të
bëhet një art i madh, madje edhe në role të vogla, siç ishin një pjesë e roleve
që Pavlina Mani shpërfaqi përmes thellësisë shpirtërore, finesës dhe fuqisë
depërtuese të meditimit dhe shikimit të saj.
Ajo mund të jetojë larg, në një tjetër kontinent, por arti i
saj mbetet këtu, në kujtesën tonë, në ekranet që e rikthejnë, në zërin që ende
flet, në ndjesinë e njerëzores që vetëm aktorët e mëdhenj dinë ta përcjellin.
Sepse Pavlina Mani nuk ishte thjesht një aktore, ajo ishte,
dhe mbetet, një mënyrë e hijshme për të qenë njeri në art, një grua e bukur,
një zemër e ndjeshme, një zë i ngrohtë dhe një vështrim shpues.
Ka prej atyre që vijnë në art për ta bërë jetën një skenë
dhe ikin duke e lënë pas një dritë që nuk shuhet kurrë. Pavlina Mani është një
nga këta emra të rrallë, që nuk shuhen me siparin që bie. Zëri, gjesti, fryma
dhe sytë e saj mbeten në kujtesën e artit shqiptar si një rrahje zemre që nuk
ndalet, si një dritë që ushqehet nga përjetësia e talentit.
Ajo është nga ata aktorë që nuk jetuan për duartrokitjen,
por e merituan atë si shpërblim të natyrshëm të ndershmërisë artistike. Pavlina
Mani i dha teatrit dhe kinemasë shqiptare një bukuri të mençur, një emocion të
matur dhe një dinjitet që nuk blihet e as shitet me duartrokitje, por mbetet
pjesë e adhurimit.
E lindur më 13 nëntor 1948 në Lushnjë, Pavlina Mani i përket
brezit të artë që e pa artin si përkushtim dhe jo si trampolinë ngjitjeje. Që
në vitet e amatorizmit, ajo kuptoi se aktrimi nuk është thjesht interpretim,
por një mënyrë për t’i dhënë shpirt fjalës, jetë heshtjes dhe kuptim emocioneve
njerëzore.
Pas studimeve në Institutin e Lartë të Arteve dhe emërimit
në Teatrin Popullor, ajo u bë një ndër zërat më të dallueshëm të skenës
shqiptare. Eleganca e saj e brendshme, qetësia e qëndrimit, kontrolli i
ndjenjës dhe natyrshmëria e shprehjes e bënë Pavlinën një figurë të veçantë që
e zotëronte skenën pa imponim, me dinjitet dhe përmbajtje.
Në teatër, Pavlina luajti heroinat e mëdha, nga Olivia e
Shekspirit te Ledi Milford e Shilerit, duke sjellë një grua që mendon dhe
kundërshton, që dashuron pa u nënshtruar, që lëndohet por nuk thyhet. Në lojën
e saj kishte një përmasë mendimi, një fisnikëri që e tejkalonte rolin dhe e
kthente atë në përvojë njerëzore. Pavlina kishte atë rrallësi që vetëm aktorët
e mëdhenj e kanë: aftësinë për të bërë të padukshmen të ndjehet.
Në ekran, ajo u bë e dashur për publikun me filmat Pas
vdekjes, Bolero, apo në komedinë ikonike Pallati 176, ku roli i Lirisë u kthye
në simbol të gruas urbane shqiptare, inteligjente, ironike, me humor të hollë
dhe shprehje karakteriale. Ishte një rol që dukej sikur e kishte gjetur vetë
Pavlinën, sepse ajo vetë ishte një Liri e tillë, e qeshur me mençuri, e brishtë
me forcë, dhe me një trishtim që e fisnikëronte buzëqeshjen.
Rrugëtimi i Pavlina Mqanit në vlerat me të cilat ajo e
pasuroi artin të skenik, kinematografinë, kmedinë, është një udhë e gjatë që
nisi me rolin e Shpresës në filmin Oshëtimë në bregdet-(1966), për të vijuar me
mami Mimozes, Mimoza llastica - (1973), Qyteti më i ri në botë - (1974). Spikat
fuqishëm me Rolin e Betit në një nga produksionet gjigande të kinematofgrafisë
shqiptare Gjenerali i ushtrisë së vdekur - (1975), sipas romanit me të njëjtin
titull të Ismail Kadare. Një rol që mbetet i pashklyer është ai i mësueses së
muzikës në Lulekuqet mbi mure - (1976). Miriam gjithashtu është një veçanti e
jellë me shumë finesë në Radiostacioni - (1979), Lulushja në Pas vdekjes -
(1980). Fuqizohet forca shprehës e komunikimit përmes përfaqësimit të thellë të
personazhit në filmat e tjerë të po të njëjtes periudhë, ku filmi në një farë
kuptimi ishte një shkruese e figurshme e historisë.
Spikat Pavlina Mani, si gjithnjë në rolet episodike, Nafia
Rruga e lirisë - (1982), Ermiona Në prag të jetës - (1985). Për të zënë një
vend të konsideruesëhm në kujtesën dhe adhurimin e publikut me riolin e
pavdekshëm të Lirijes, në teatër-komedinë e Mevlan Shanaj, Pallati 176 - (1985).
Dhe do të vijonte Pavlina mani me rolet dhe kontributin e saj në
kinematografinë shqiptare me rolin e gruaja së Ilo Pinci, specialist i peshkut
dhe i midhjeve, në Dy herë mat - (1986), gjithashtu një film komedi i
pavdekshem i Bujar Kapexhiut. Jo me një pesh specifike por me një rol që ka
mbetur në kujtesë, atë të gruaa së Muços, Tela për violinë - (1987), Antigona,
Stolat në park - (1988), gjithashtu në teatër-drama, rol episodik, një nga
vejushat, Kush e solli Doruntinën (1989), Kristina në filmin televiziv i
prodhuar në vitin 1990, Fletë të bardha.
Dhe vijon rrugëtimi i Pavlina Manit në artin skenik me
komedi-teatër, Nata e dymbëdhjetë, 8 persona plus, Vera në Bolero - (1997), Po
vjen ai (1999), Drita në Njerez dhe Fate - (2001-2003), Ishte koha për dashuri
- (2004). Një galeri e pasur në role dhe karaktere, e shënjojnë Pavlina Manin
në kolanën e personaliteteve të artit skenik dhe filmit. Vendi i saj në
traditën e artit skenik është i konsiderueshëm dhe i vlerësuar. Larmia e roleve
dhe personazheve që ajo jetësoi përme aktrimit, e bëjnë atë një faktor dinamik
në pasurimin që ajo solli.
Kjo galeri e pasur rolesh dhe karakteresh e shënjon Pavlina
Manin si një prej figurave më të ndritura të artit skenik dhe filmit shqiptar.
Ajo është pjesë e pandashme e traditës sonë teatrore, një aktore që solli
finesë, natyrshmëri dhe thellësi, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar
shpirtërore dhe estetike.
Nuk mund të përmendet Pavlina Mani pa kujtuar lidhjen e saj
me Pirro Manin, partnerin e jetës dhe të artit. Bashkë ata përbënin një binom
të rrallë, ku dashuria dhe teatri ishin një frymëmarrje e përbashkët. Emigrimi
në SHBA i largoi nga publiku, por jo nga kujtesa e tij.
Në kujtesën e artit shqiptar, ata mbeten si dy figura që e
shenjtëruan skenën, që i dhanë asaj dritën e vërtetë të përkushtimit.









