Kulturë
Gëzim Bullaku: Historiku i arsimit në Luginën e Preshevës
E diele, 11.05.2025, 06:55 PM
SHËNIME NGA HISTORIKU I ARSIMIT NË LUGINËN E PRESHEVËS
Përgatiti: Gëzim
Bullaku
Të
dëshirosh që dikujt t'ia mësosh gjuhën e huaj para se ai ta mësojë gjuhën e vet
amtare, është njësoj sikur të dëshirosh që atë më parë ta mësosh të kalërojë se
sa të mësojë të ecë." ~ Jan Amos Komenski
Hyrje
Historia e arsimit në Luginën e
Preshevës është historia e një përpjekjeje të palodhur për të ruajtur gjuhën,
identitetin dhe kulturën kombëtare në një hapësirë ku politika shtetërore
shpesh ka qenë në kundërshtim me nevojat arsimore të shqiptarëve. Në këtë
trevë, e cila përfshin komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, arsimi nuk ka
qenë vetëm një mjet zhvillimi individual e shoqëror, por edhe një formë
rezistence ndaj politikave të asimilimit dhe diskriminimit. Që nga periudha
osmane, ku mësimi në gjuhën shqipe ishte i ndaluar dhe arsimi mbahej gjallë
nëpër mejtepe e medrese, e deri tek periudha pas Luftës së Dytë Botërore kur
hapen shkollat e para shqipe, shqiptarët e Luginës janë përballur me sfida të
vazhdueshme që nuk kanë qenë vetëm arsimore, por edhe kombëtare.
Në çdo etapë historike, duke
nisur me Perandorinë Osmane, gjatë Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene dhe më vonë
nën Jugosllavinë komuniste, zhvillimi arsimor në këtë rajon ka pasur një
karakter të dyfishtë: nga njëra anë është ndikuar nga politika shtetërore
diskriminuese, ndërsa nga ana tjetër ka reflektuar përpjekjen e brendshme të
komunitetit shqiptar për arsim dhe emancipim. Mësimi në gjuhën shqipe, edhe kur
ishte i kufizuar apo i ndaluar, ka vijuar në forma alternative: përmes formave
alternative të mësimdhënies, emigrimit për studime ose përpjekjeve të
organizuara nga individë dhe komunitete të tëra. Kështu, arsimi në Luginën e
Preshevës deri në fund të shekullit XX nuk mund të kuptohet pa e parë si pjesë
të një procesi të gjerë të rezistencës kulturore dhe identitare, ku shkolla nuk
ishte vetëm institucion, por edhe simbol.
Arsimi
në Luginën e Preshevës
Arsimi në Luginën
e Preshevës përbën një kapitull të rëndësishëm në historinë e rezistencës
kulturore dhe identitare të shqiptarëve në jug të Serbisë. E ndodhur në një
pozicion gjeografik dhe politik shpeshherë të ndërlikuar, kjo trevë, që
përfshin komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, ka qenë gjithmonë skenë
e ndërthurjes së aspiratave arsimore të popullsisë shqiptare me sfidat e
pushteteve qendrore që kanë ndryshuar ndër shekuj. Historia e arsimit këtu nuk
është thjesht një histori institucionale, por edhe një histori e përpjekjes për
mbijetesë kulturore, për ruajtjen e gjuhës, identitetit dhe dijes, shpeshherë
në rrethana të vështira politike.
Arsimi në Luginën
e Preshevës gjatë periudhës osmane ishte i kufizuar dhe kryesisht me karakter
fetar. Mësimi zhvillohej në mejtepe dhe medrese, ku përveç mësimeve të fesë
islame, nxënësit mësonin shkrim dhe lexim në gjuhën osmane. Gjuha shqipe nuk
ishte pjesë e programeve zyrtare, dhe për rrjedhojë shqiptarët nuk kishin
mundësi të mësonin në gjuhën amtare.
Ndërkohë, në
gjysmën e dytë të shekullit XIX, autoritetet osmane dhe më pas ato serbe
filluan të hapnin shkolla shtetërore në gjuhën serbe në territorin e Luginës së
Preshevës, duke i prezantuar si shkolla për të gjithë fëmijët, përfshirë edhe
shqiptarët. Këto shkolla, megjithëse formalisht ishin publike, në thelb kishin
një qëllim të qartë asimilues. Në Bujanoc, që në vitin 1867 ishte themeluar një
shkollë serbe, ndërsa një tjetër u hap në Banjë të Siarinës në vitin 1877. Në
këto shkolla mësimi zhvillohej vetëm në gjuhën serbe, pa përfshirë asnjë
element të identitetit kulturor apo gjuhësor shqiptar.
Sipas të dhënave
të vitit 1892, në Preshevë ishin aktivë 51 nxënës në shkollën e mesme
“Ruzhdie”, 103 në shkollën fillestare “Iptidaie” (prej tyre 32 vajza), dhe 41
nxënës në shkollën fillore të ulët “Sibiane”. Megjithëse këto shkolla
funksiononin në kuadër të sistemit arsimor osman dhe mësimi zhvillohej në
gjuhën osmane, shqiptarët gjithsesi ishin të privuar nga të drejtat arsimore në
gjuhën amtare.
Aty kah fundi i
shekullit XIX, nën ndikimin e Lëvizjes së Rilindjes Kombëtare Shqiptare,
filluan të ndihen përpjekje për t’i dhënë një dimension kombëtar arsimit edhe
në këtë trevë. Përhapja e abetareve shqipe me alfabetin e Stambollit,
veprimtaria e klubeve patriotike dhe përpjekjet e mësuesve shqiptarë për të
futur mësimin e shqipes, edhe në mënyrë të fshehtë, përfaqësonin një fillim të
heshtur por të vendosur të rezistencës gjuhësore, arsimore dhe kulturore.
Pas shpërbërjes së
Perandorisë Osmane dhe pushtimit të këtyre trevave nga ushtria serbe më
1912–1913, situata për shqiptarët ndryshoi rrënjësisht. Të gjitha shkollat
turke u mbyllën dhe u zëvendësuan me shkolla serbe, në të cilat gjuha shqipe
ishte rreptësishtë e ndaluar. Politikat e qeverive serbe dhe më pas atyre
jugosllave ishin të orientuara drejt asimilimit të pakicave kombëtare përmes
arsimit të centralizuar në gjuhën shtetërore. Mësimi për fëmijët shqiptarë
zhvillohej në mënyrë të improvizuar, shpesh në shtëpi private, në xhami ose në
ambiente të vakëfeve.
Në periudhën mes
dy luftërave botërore, në Preshevë me rrethinë vepronin gjashtë shkolla fillore
katër klasëshe në gjuhën serbe, me vetëm 7 punonjës arsimorë dhe rreth 150
nxënës. Ky numër i vogël dëshmon për përjashtimin sistematik të shqiptarëve nga
arsimi zyrtar. Megjithatë, në shumë raste, shqiptarët organizonin mësimin e
shqipes në mënyrë të fshehtë dhe me shumë sakrifica, si një formë e rezistencës
kulturore dhe një mënyrë për kultivimin e identitetit kombëtar. Po ashtu, një
pjesë e të rinjve nga Lugina e Preshevës kërkonin mundësi shkollimi në Kosovë,
në Shkup apo në Shqipëri, ku ekzistonte sistemi arsimor në gjuhën shqipe dhe
mundësia për formim profesional ishte më e madhe.
Pas përfundimit të
Luftës së Dytë Botërore dhe themelimit të Federatës Popullore Socialiste të
Jugosllavisë më 1945, situata e arsimit ndryshoi në mënyrë të moderuar.
Pushteti i ri, i ndikuar nga politika e barazisë së kombeve dhe kombësive,
filloi të lejojë hapjen e shkollave në gjuhën e pakicave kombëtare, përfshirë
edhe në gjuhën shqipe. Në këtë kontekst, më 7 shkurt të vitit 1945, u hap
shkolla e parë shqipe në Preshevë, e cila shënoi një hap të rëndësishëm në
historinë e arsimit në këtë rajon. Kjo shkollë u hap nga Abdullah Krashnica në
objektin e quajtur "Vila Letafet", pronë e Abdulla Haxhi Veliut. Po
në këtë vit u hapën shkollat e para shqipe edhe në disa fshatra përreth si Raincë,
Miratoc dhe Rahovicë.
Në shtator të atij
viti, rrjeti i shkollave u zgjerua me hapjen e shkollave edhe në fshatra të
tjerë si Corroticë, Tërnavë, Norçë, Zhunicë, Bukuroc dhe Geraj. Këto ishin
shkolla fillore katërvjeçare që me kalimin e viteve u shndërruan në shkolla të
plota tetëvjeçare, me hapjen graduale të klasave të larta.
Në Preshevë, klasa
e pestë u hap për herë të parë në vitin shkollor 1948/49, ndërsa në vitin
1953/54 shkolla e Preshevës mori statusin e një shkolle të plotë fillore
tetëvjeçare. Në vitet në vijim, shkolla të ngjashme u ngritën në Miratoc,
Raincë, Caravajkë, Rahovicë (1961/62), Strezoc (1965/66) dhe Leran (1968/69),
duke zgjeruar rrjetin e arsimit fillor në gjuhën shqipe.
Në komunën e
Bujanocit, procesi i arsimimit në shqip filloi paralelisht në vitin 1945 me
hapjen e shkollave katërvjeçare në Tërnoc, Nesalcë dhe Lluçan. Shkolla fillore
e Tërnocit, më 1950/51, filloi të ofrojë edhe klasën e pestë dhe më pas vazhdoi
si shkollë e plotë fillore tetëvjeçare. Në këtë komunë funksionuan gjithashtu
paralele në gjuhën shqipe në Bujanoc si dhe në fshatrat, Turi, Konçul, Dobrosin
dhe Tërnoc i Vogël.
Arsimi shqip në
komunën e Medvegjës u zhvillua më ngadalë. Mësimi në shqip nisi në vitin
shkollor 1951/52 në fshatin Tupallë, si paralele e shkollës serbe të Medvegjës.
Vetëm pas një periudhe të gjatë, në vitin 1969/70 kjo paralele u pavarësua si
shkollë tetëvjeçare më vete. Gjatë kësaj periudhe, mësimi në shqip u përhap
edhe në fshatrat Gjylekreshte, Kapit dhe Banjë të Siarinës (1967/68), ndonëse
me kufizime të mëdha.
Sa i përket
arsimit të mesëm, përpjekjet për ta zhvilluar atë në Luginën e Preshevës nisën
herët. Në vitin 1947 u hap shkolla e nxënësve në ekonomi në Preshevë, një
institucion profesional i cili funksionoi për disa kohë. Në vitin 1961 u
ndërmor një hap i rëndësishëm me hapjen e paraleleve të gjimnazit të Vranjës në
Preshevë, duke i mundësuar nxënësve shqiptarë të ndjekin arsimin e mesëm në
gjuhën amtare. Në fillim, këto paralele funksionuan në kushte të vështira për
shkak të mungesës së kuadrove të kualifikuara dhe infrastrukturës së duhur, por
me kohë u stabilizuan dhe më pas u transferuan në Bujanoc.
Ky vit, 1961, sot
merret edhe si viti i themelimit të Gjimnazit të Preshevës, i cili do të bëhej
një qendër e rëndësishme e arsimit në gjuhën shqipe për gjithë rajonin. Ai u
kthye në një vatër formimi të brezave të rinj të arsimuar, shumë prej të cilëve
më vonë u bënë mësues, intelektualë, veprimtarë kulturorë e politikë.
Arsimi i mesëm në
komunën e Bujanocit është i strukturuar në dy institucione kryesore: Shkolla e
Mesme "Sezai Surroi", e cila ofron mësim në gjuhën shqipe, dhe
Shkolla e Mesme "Sveti Sava", ku mësimi zhvillohet në gjuhën serbe.
"Sezai Surroi" është institucioni i vetëm i arsimit të mesëm në gjuhën
shqipe në këtë komunë dhe ka një histori të gjatë që nga themelimi i saj e deri
më sot. Në vitin 2012/13, kjo shkollë kishte të regjistruar 1,368 nxënës
shqiptarë, por ky numër ka pësuar rënie në vitet e fundit . Shkolla ofron
drejtime të ndryshme, përfshirë gjimnazin e përgjithshëm, drejtimin teknik,
mjekësinë, makinerinë dhe ekonominë . Megjithatë, sfida të tilla si mungesa e
teksteve të përshtatshme në gjuhën shqipe dhe ndarja etnike e nxënësve në
institucione të ndryshme mbeten çështje të rëndësishme për komunitetin shqiptar
në Bujanoc.
Në Medvegjë,
përpjekjet për të zgjeruar arsimin e mesëm në gjuhën shqipe u bënë më vonë, në
vitin shkollor 1978/79, me hapjen e dy paraleleve në shkollën e mesme, por ato
u mbyllën përfundimisht në vitin 1987/88 si pasojë e presioneve politike dhe
kufizimeve institucionale. Ndërkohë herë pas here ka funksionuar nga një
paralele me mësim në gjuhën shqipe në kuadër të Shkollës së Mesme Teknike
“Nikolla Teslla”, në drejtimin, teknik i ekonomisë.
Deri në fund të shekullit
XX, arsimi në gjuhën shqipe në Luginën e Preshevës vazhdoi të jetë i pranishëm,
por gjithnjë i rrezikuar nga ndryshimet politike, mungesa e përkrahjes
institucionale dhe përpjekjet e vazhdueshme për asimilim. Pavarësisht këtyre
sfidave, shqiptarët e këtij rajoni arritën të krijojnë një traditë të
qëndrueshme arsimore që i dha formë jo vetëm mbijetesës së tyre kulturore, por
edhe zhvillimit të vetëdijes kombëtare.
Nuk duhet harruar
pa përmendur edhe një plejadë e tërë e mësimdhënësve të palodhur që kanë dhënë
kontributin e tyre në zhvillimin dhe përparimin e arsimit në këto anë. Edhe pse
është e pamundur që në një artikull si ky të përmendim të gjithë por mes tyre
duhet përmendur, Bafti Krasniqi e Hamdi Ferati nga Medvegja, Abdullah Ukshini,
Adem Ahmeti, Ali Ahmeti, Ali Bektashi, Ali Idrizi, Alije Qerimi, Bejtullah
Osmani, Demirali Ramadan Hoxha, Emin Ramadani, Fazli Ajvazi, Fehmi Salihu,
Hafëz Lutfi Ahmeti, Hamdi Durguti, Hasan Rexhepi, Hava Qerimi, Hilmi Qerimi,
Hysen Misimi, Ibrahim Kelmendi, Kadrije Qerimi, Kadri Rexhepi, Mehmet Kadriu,
Muharrem Kadriu, Mustafë Selimi, Nazmi Mustafa, Nexhat Ramadani, Qamil
Ramadani, Selami Hallaçi, Shaip Asani, Tajar Zylfiu, Vehbi Aliu, Xhemajl
Bektashi, Zejnullah Zulfiu, dhe shumë të tjerë.
Përfundim
Kur i kthehemi pas historisë së arsimit në Luginën e Preshevës, ajo shfaqet si
një rrugëtim i gjatë dhe shpeshherë i vështirë, i mbushur me pengesa të
natyrave të ndryshme por edhe me përpjekje të vazhdueshme për të mbijetuar si
identitet kolektiv. Nga periudhat e errëta kur shkolla në gjuhën amtare nuk
ishte vetëm e ndaluar, por edhe e ndëshkuar, e deri te përpjekjet e pasluftës
për krijimin e institucioneve të organizuara në gjuhën shqipe, ajo çfarë bie në
sy është këmbëngulja e një komuniteti për ta ruajtur gjuhën dhe ndërgjegjen e
vet nëpërmjet dijes. Çdo hap përpara në fushën e arsimit është fituar me shumë
mund dhe angazhim të mësuesve, prindërve dhe nxënësve që shpesh kanë
funksionuar si mburojë kulturore përballë trysnisë së asimilimit.
Kjo histori na
mëson se arsimi nuk është thjesht një proces i të mësuarit akademik, por një
përpjekje kolektive për vetë mbijetesë edukative, arsimore, kulturore dhe
sociale. Në këtë kuptim, sot nevojitet një qasje më gjithëpërfshirëse dhe më e qëndrueshme
në zhvillimin e infrastrukturës arsimore për shqiptarët e Luginës. Kjo nuk
nënkupton vetëm mbështetje materiale, por edhe kulturore e profesionale, për
një sistem arsimor që reflekton nevojat dhe identitetin e këtij komuniteti.
Shkollat shqipe nuk kanë nevojë vetëm për libra dhe ndërtesa, por për status të
garantuar, për mësimdhënës të trajnuar në gjuhën dhe kulturën gjuhësore e
profesionale, dhe për një lidhje më të ngushtë me zhvillimet arsimore në
Kosovë, Shqipëri dhe rajon.
Nëse duam që
brezat e ardhshëm në këtë rajon të rriten me vetëdije kombëtare dhe me mundësi
të barabarta për arsim cilësor, atëherë duhet të tejkalojmë trajtimin e arsimit
si çështje dytësore, sepse aty ku arsimi në gjuhën amtare mungon ose dobësohet,
aty rrezikohet vetë trashëgimia kulturore e një populli.
Dhe pikërisht për këtë arsye, e ardhmja e arsimit në Luginë është një çështje
që kërkon ndërgjegjësim, përkushtim afatgjatë dhe një strategji që tejkalon
kufijtë por që mbron atë që është përtej çdo kufiri, të drejtën për arsim në
gjuhën e nënës.
"Gjuha e popullit është 10 herë
më e lehtë se gjuha latine dhe 100 herë më e vërtetë se ajo.” ~ Jan Amos
Komenski
"Nëse flet me një njeri në
gjuhën që ai e kupton, ajo shkon në mendjen e tij. Por nëse i flet në gjuhën e
tij amtare, ajo shkon në zemrën e tij." ~ Nelson
Mandela
Literatura:
·
Aakademia e Shkencave e Shqipërisë, Fjalor
Enciklopedik Shqiptar , Tiranë, 2008-2009
·
Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, Fjalori
Enciklopedik i Kosovës, Prishtinë, 2018.
·
Emini, Ardian. Presheva në rrjedhat e historisë (Shekulli
XX). Disertacion doktorature, Universiteti i Tiranës, 2014.
·
Këshilli
Kombëtar Shqiptar. Raport vjetor për gjendjen e arsimit në Luginë, 2023.
·
Koliqi,
Hajrullah. Fjalor enciklopedik i edukimit. Universiteti i Prishtinës,
Prishtinë, 2022
·
OSCE
Mission to Serbia. Report on the Rights of National Minorities in Southern
Serbia, 2022.
·
Qosja,
Rexhep. Populli i ndaluar. Prishtinë: Rilindja, 1990.
·
Raporti për të drejtat e njeriut dhe minoritetet në
Serbi, Këshilli i Evropës, 1995.
·
Salihu,
Xhemaludin. Kultura shqiptare në Preshevë 1945-1995, Preshevë, 1999
·
Selimi,
Ferid. Arsimi fillor, i mesëm, dhe i lartë, në Preshevë e Bujanoc, 19 mars 2015
·
Statistikat
e Entit për Arsim të Republikës Federative të Jugosllavisë, 1970–1985.
·
Sulejmani,
H. Murati, S. Selimi, R. Arsimi fillor shqip në komunën e Preshevës (1945 –
1995), Preshevë, 2001
·
UNESCO.
Education and Minority Rights in the Western Balkans, Paris, 2020.
·
Zylfiu, Ilir. Shqiptarësia e Luginës së Preshevës ndër
shekuj. Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve. Shkup, 2019
(Autori është mësimdhënës dhe wikipedian)