Mendime
Florim Zeqa: Fillim i mbrapsht i Legjislaturës së IX
E merkure, 16.04.2025, 06:54 PM
Fillim i mbrapsht i Legjislaturës së IX
Shkruan:
Florim Zeqa
Fillimi me një orë vonesë dhe mosaprovimi i
mandateve të deputetëve e nxori në shesh paradoksin e shkeljes së Kushtetutës
nga ana e Kabinetit Qeveritar, me prezencën e dyfisht në Kuvend: si qeveritarë
dhe deputet njëkohësisht. Paradoksi tjetër është se koalicioni fitues i
zgjedhjeve (LVV+G+A), i cili e pretendonte se i ka numrat për formimin e
Qeverisë doli t'i ketë vetëm 52 deputet!
Dorëheqje
e kontestuar e Qeverisë!
Letra
e dorëheqjes së Albin Kurtit dhe e kabinetit qeveritar e 23 Marsit 2025, e
protokoluar ditën e Seancës së Kuvendit, pra në ditën e sotme, më 15.04.2025,
përveqse paradoks në vete, paraqet shkelje të rëndë kushtetuese!
Pas këtij veprimi, vazhdimi i Seancës
varet nga vendimi i radhës i Presidentes Osmani, e cila mund ta caktoj një
seancë të re ose ta dërgojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese, e cila do të
merrë kohë të gjatë dhe ne do të përballemi me aventura të reja politike deri
në konstituimin e Legjislaturës së IX të Parlamentit të Kosovës.
Deri atëherë do të vazhdojnë pazaret
politike për formimin e Qeverisë së Re.
Kjo situatë e re dhe e pazakont e
bllokimit të punës së Kuvendit në një pikë fillestare kërkon interpretim ligjor
nga ana e Gjykatës Kushtetuese.
Një fillim kaq të keq dhe të mbrapsht të
Legjislatures së Re nuk e kanë pritur as pesimistët më të mëdhenj.
Sadoqë partia fituese fajin po e hedhë
tek opozita, përgjegjësia për këtë dështim skandaloz është e Albin Kurtit, i
cili nuk do duhej të shkonte në seancë i papërgatitur dhe pa dorëheqje
paraprake të kabinetit qeveritar!
Si do që të jetë, kjo ishte një fitore e
vogël e opozitës dhe një humbje e madhe për Kosovën, për të cilën çdo ditë e
humbur pa institucione legjitime do t'i kushtoj vendit me regres ekonomik dhe
stagnim politik në arenën ndërkombëtare.
Jo rastësisht në fillim të ditës së sotme
i parashtrova tri pyetje dhe e dhashë në përgjigje hipotetike:
1) Si do të zhvillohet sot loja në
Kuvend?!
2) A do të kemi Qeveri apo do të shkojmë
në zgjedhje?!
3) A do të ndodhë mrekullia?!
Zgjedhja
e Qeverisë do te ishte mrekullia e dekadës së tretë të mileniumit të tretë për
shqiptarët e Kosovës!
Megjithatë, nuk ndodhi mrekullia!
Florim Zeqa, 15 Prill
2025