E merkure, 30.04.2025, 05:37 AM (GMT+1)

Kulturë

Hamza Halabaku: Kur vinin Esad Mekuli e Rexhai Surroi

E merkure, 16.04.2025, 06:58 PM


KUR VININ ESAD MEKULI E REXHAI SURROI

NGA HAMZA HALABAKU

Si nxënës i shkollës fillore, pesëdhjetë e sa vjet më parë, po edhe më vonë, kur vijoja shkollën e mesme, kisha mësuar përmendsh vargje të Esad Mekulit.

Vjershën “Gjykimi” e kisha recituar edhe në programet festive në Shtëpinë e Kulturës, kur i orga­nizonin mësuesit e shkollës në fshatin tim të lindjes.

Romanin “Besniku” të Rexhai Surroit, arsimtari i gjuhës shqipe na kishte porositur që ta lexonim patjetër. E kisha lexuar dy herë e mirë. Arsimtari i gjuhës, po edhe të tjerët, na porositnin që edhe një letër, po ta gjenim në rrugë, është mirë ta lexonim. Atëherë kishim pak letërsi të autorëve nga Kosova. Për çdo gjë që botohej e re, arsimtarët na informonin dhe na motivonin që të lexonim. Për lexuesin e sotëm, ndoshta është e pabesueshme, por e di se në tri fshatra rreth fshatit tim të lindjes e kam kërkuar prozën e Haki Stërmillit “Sikur t’isha djalë”! Nuk gjendeshin lehtë librat e botuar në Shqipëri. Madje, shumë prej tyre edhe ishin të ndaluar!

O Zot, sa kisha dëshirë ta takoja, atëherë, autorin e përmbledhjes së vjershave “Për ty”, Esad Mekulin, emancipuesin e letërsisë shqiptare, poetin - shkrimtarin dhe përkthyesin e devotshëm të letërsisë artistike nga gjuha shqipe në atë serbokroate dhe ana­sjelltas, Themeluesin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Të njëjtën dëshirë e kisha edhe për autorin e romanit “Besniku”, Rexhai Surroin.

Më kishin bërë përshtypje shumë vargjet:

“Do të vijnë mbas nesh fëmijët tanë e fëmijët

e fëmijëve tanë

dhe ata do të flasin për ne, ata do të g j y k o j n ë

për ne –

(Breznitë veprat i gjykojnë... - ka thënë një Njeri

i madh!)

dhe nuk do t’na d ë n o j n ë, e di, për belbëzimet

tona, shtërzimet, ...”

Esad Mekuli “Për ty”, (Botimi III i Plotsuem), Rilindja (1967) Prishtinë

Dhe erdhi dita.

Pas majit të vitit 1973, kur u bëra bashkë­pu­nëtor i Pleqësisë së Arsimit të KSA të Kosovës, Esad Mekuli vinte jo rrallë në zyrën ku unë punoja.

Natyrisht, nuk vinte për mua!

Takohej me Stathi Kostarin, me cilin bisedo­nin për letërsinë, në përgjithësi, e për poezinë, në veçanti!

Esadi përkthente, kryesisht nga serbokroa­tishtja, vargje të autorëve të njohur botërorë. Ishte krye­redaktor i revistës letrare “Jeta e re”. E Stathi, herë-herë i redaktonte gjuhësisht përkthimet dhe materialet letrare që botoheshin në revistën letrare “Jeta e re”.

Ka ndodhur që edhe Rexhai Surroi të vinte në zyrën tonë.

Edhe ai, sikurse Esadi, njihej me Stathin.

Kur Rexhai Surroi kishte qenë drejtor i Radio Prishtinës, Stathi kishte ushtruar punën e gazetarit e të lektorit të emisioneve në Radio. Stathi e njihte shkël­qyeshëm gjuhën shqipe! Kishte qenë nxënës i Nor­males së Elbasanit, brezi i dytë, siç thoshte ai. Shpesh­herë evokonte kujtime për mësimet e nxëna në Normalen e Elbasanit dhe ndihej krenar e me fat për mësimet që kishte marrë atë shkollë nga profe­sorët, në veçanti nga profesor Aleksandër Xhuvani.

Në zyrën tonë, vinin Mehmet Gjevori, Lorenc Antoni, Tajar Hatipi, Shevqet Veliu, Ali Rexha, Rexhep Hoxha, Abdullah Zajmi, prof. dr. Fazli Syla, prof. dr. Ismet Dehiri etj. Vinin njerëzit e sofrës së parë të kulturës shqiptare të Kosovës. Vinin njerëzit më eminentë të letërsisë dhe të kulturës kombëtare shqiptare të kohës! Vinin ata për të cilët kisha mësuar në klasat e para të shkollës fillore, ata që kishin har­tuar Abetaren, librat e leximit dhe tekstet e tjera shko­llore për ne.

Unë strukesha në karrigen time dhe dëgjoja bisedat e tyre. E konsideroja veten të privilegjuar që mund të rrija aty ku Stathi bisedonte me emrat më mëdhenj të letërsisë dhe të kulturës shqiptare në Kosovë atë kohë. Kënaqesha shumë kur vinte Esad Mekuli, i cili vinte më shpesh, por kënaqesha edhe më shumë kur vinte Rexhai Surroi, sepse ai vinte më rrallë!

Në kohën kur kam pasur rastin që unë të takohesha me Rexhai Surroin, ai ishte ambasador i Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, më duket, në Bolivi. Në kohën për të cilën po shkruaj isha 23-24 vjeç. Kjo ishte kënaqësia ime më e madhe, kur isha në mesin e këtyre njerëzve të ditur të gjuhës dhe të kulturës shqiptare, në mesin e atyre që ua kisha mësuar edhe përmendsh vargjet e poezive të tyre dhe i kisha lexuar romanet e tyre!

Kisha dëgjuar për Rexhain si student, si gaze­tar, si shkrimtar, si intelektual, që ka dhënë kontribut të madh për popullin e vet. E si mund të mos kënaqej një i ri kur ishte afër një njeriu aq të madh?

O Zot, lutesha Rexhai të rrinte më gjatë në zyrën tonë, sepse kënaqesha duke i dëgjuar dy njohës të shkëlqyeshëm të gjuhës, të kulturës dhe të letërsisë shqipe!

Rexhai Surroi ishte njeri që rrezatonte mirësi, dije, urtësi, humanizëm! Shikimi dhe qëndrimi i tij ishte një mesazh urtësie, dijeje, e të mira të tjera, natyrisht për ata që e kuptonin!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx