| E merkure, 16.04.2025, 06:58 PM |
KUR VININ ESAD MEKULI E REXHAI SURROI
NGA
HAMZA HALABAKU
Si nxënës i shkollës fillore, pesëdhjetë e sa vjet më parë, po edhe
më vonë, kur vijoja shkollën e mesme,
kisha mësuar përmendsh vargje të Esad Mekulit.
Vjershën “Gjykimi” e
kisha recituar edhe në programet festive në Shtëpinë e Kulturës, kur i organizonin
mësuesit e shkollës në fshatin tim të lindjes.
Romanin “Besniku” të Rexhai Surroit, arsimtari i gjuhës shqipe na kishte porositur që ta lexonim patjetër. E kisha lexuar dy herë e mirë.
Arsimtari i gjuhës, po edhe të tjerët, na porositnin që edhe një letër, po ta gjenim në rrugë, është mirë ta lexonim. Atëherë kishim pak letërsi të
autorëve nga Kosova. Për çdo gjë që botohej e re, arsimtarët na informonin dhe na
motivonin që të lexonim. Për lexuesin e sotëm, ndoshta është e pabesueshme, por e di se në tri fshatra rreth fshatit tim të lindjes e kam kërkuar
prozën e Haki Stërmillit “Sikur t’isha djalë”! Nuk gjendeshin lehtë librat e
botuar në Shqipëri. Madje, shumë prej tyre edhe ishin të ndaluar!
O Zot, sa kisha
dëshirë ta takoja, atëherë, autorin e përmbledhjes së vjershave “Për ty”, Esad Mekulin, emancipuesin e letërsisë shqiptare, poetin -
shkrimtarin dhe përkthyesin e devotshëm të letërsisë artistike nga gjuha shqipe
në atë serbokroate dhe anasjelltas, Themeluesin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Të njëjtën dëshirë e
kisha edhe për autorin e romanit “Besniku”, Rexhai Surroin.
Më kishin bërë
përshtypje shumë vargjet:
“Do
të vijnë mbas nesh fëmijët tanë e fëmijët
e fëmijëve tanë
dhe
ata do të flasin për ne, ata do të g j y k o j n ë
për
ne –
(Breznitë
veprat i gjykojnë... - ka thënë një Njeri
i
madh!)
dhe
nuk do t’na d ë n o j n ë, e di, për belbëzimet
tona,
shtërzimet, ...”
Esad Mekuli “Për ty”, (Botimi III i Plotsuem), Rilindja (1967) Prishtinë
Dhe erdhi dita.
Pas majit të vitit
1973, kur u bëra bashkëpunëtor i Pleqësisë së Arsimit të KSA të Kosovës, Esad Mekuli vinte jo rrallë në zyrën ku unë punoja.
Natyrisht, nuk vinte
për mua!
Takohej me Stathi Kostarin, me të cilin bisedonin për letërsinë, në përgjithësi, e për
poezinë, në veçanti!
Esadi përkthente, kryesisht nga serbokroatishtja, vargje të
autorëve të njohur botërorë. Ishte kryeredaktor i revistës letrare “Jeta e re”. E Stathi, herë-herë i redaktonte gjuhësisht përkthimet dhe materialet letrare
që botoheshin në revistën letrare “Jeta e re”.
Ka ndodhur që edhe Rexhai Surroi të vinte në zyrën tonë.
Edhe ai, sikurse Esadi, njihej me Stathin.
Kur Rexhai Surroi kishte qenë drejtor i Radio Prishtinës, Stathi kishte ushtruar
punën e gazetarit e të lektorit të
emisioneve në Radio. Stathi e njihte shkëlqyeshëm gjuhën shqipe! Kishte qenë nxënës i Normales së Elbasanit, brezi i dytë, siç thoshte ai.
Shpeshherë evokonte kujtime për mësimet e nxëna në Normalen e Elbasanit dhe
ndihej krenar e me fat për mësimet që kishte marrë në atë shkollë nga profesorët, në veçanti nga profesor Aleksandër Xhuvani.
Në zyrën tonë, vinin Mehmet Gjevori, Lorenc Antoni, Tajar Hatipi, Shevqet Veliu, Ali Rexha, Rexhep Hoxha, Abdullah Zajmi, prof. dr. Fazli Syla, prof. dr. Ismet Dehiri etj. Vinin njerëzit
e sofrës së parë të kulturës shqiptare të Kosovës. Vinin njerëzit më
eminentë të letërsisë dhe të kulturës kombëtare shqiptare të kohës! Vinin ata
për të cilët kisha mësuar në klasat e para të shkollës fillore, ata që kishin
hartuar Abetaren, librat e leximit dhe
tekstet e tjera shkollore për ne.
Unë strukesha në
karrigen time dhe dëgjoja bisedat e tyre. E konsideroja veten të privilegjuar që mund të rrija aty ku Stathi bisedonte me emrat më të mëdhenj të letërsisë dhe të kulturës shqiptare në Kosovë në atë kohë. Kënaqesha
shumë kur vinte Esad Mekuli, i cili vinte më shpesh, por
kënaqesha edhe më shumë kur vinte Rexhai Surroi, sepse ai vinte më rrallë!
Në kohën kur kam
pasur rastin që unë të takohesha me Rexhai Surroin, ai ishte ambasador i Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, më
duket, në Bolivi. Në kohën për të cilën po
shkruaj isha 23-24 vjeç. Kjo ishte kënaqësia ime më e madhe, kur isha në mesin
e këtyre njerëzve të ditur të gjuhës dhe të kulturës shqiptare, në mesin e atyre që ua kisha mësuar edhe përmendsh vargjet e
poezive të tyre dhe i kisha lexuar romanet e tyre!
Kisha dëgjuar për Rexhain
si student, si gazetar, si shkrimtar, si intelektual, që ka dhënë kontribut të
madh për popullin e vet. E si mund të mos kënaqej një i ri kur ishte afër një
njeriu aq të madh?
O Zot, lutesha që Rexhai të rrinte më gjatë
në zyrën tonë, sepse kënaqesha duke i dëgjuar dy njohës të shkëlqyeshëm
të gjuhës, të kulturës dhe të letërsisë shqipe!
Rexhai Surroi ishte
njeri që rrezatonte mirësi, dije, urtësi, humanizëm! Shikimi dhe qëndrimi i tij
ishte një mesazh urtësie, dijeje, e të mira të tjera, natyrisht për ata që e
kuptonin!