Kerko: a
Gjekë Gjonaj: Vlerë e padiskutueshme historike e dokumentare për njohjen dhe ndriçimin e kusarisë dhe piraterisë së Ulqinit
E diele, 10.11.2024, 07:53 PM
Vlerë e padiskutueshme historike e dokumentare për njohjen dhe ndriçimin e kusarisë dhe piraterisë së Ulqinit
Nga
Gjekë Gjonaj
Libri
më i ri i gazetarit dhe studiuesit të
njohur Mustafë Cankës “ Republika kusare
e Ulqinit- një epope 200-vjeçare” nuk është vepra e parë me vlerë historike dhe
kulturore e tij, i cili herëpashershëm befason
me punë të tilla vetëmohuese, hulumtuese, shkencore , që tregon një
dashuri të madhe për qytetin e tij të lindjes – Ulqinin ( qytetin më të
vjetër në Adriatik) , por edhe një vullnet
të jashtëzakonshëm , cilësi që nuk i mungon studiuesit.
Në
këtë vepër tregimtare në prozë trajtohen ( përshkruhen) bëma
legjendare e ngjarje të rëndësishme historike të jetës së ulqinakëve të lundrimit në det, i cili përgjatë historisë ka qenë
një nga profesionet kryesore të tyre, ku , siç thotë autori, gjithmonë këtu vlente rregulli i ashtuquajtur
detar: “ Është e nevojshme të lundrosh,
s’është e nevojshme të jetosh”.
Ky
konstatim lë të kuptojmë se sa të forta
dhe të pa ndara ishin lidhjet e gjata
shekullore të ulqinakëve me detin dhe detarinë , si burim i ekzistencës së
tyre jetësore, e cila ngritjen e vet më
të madhe e arriti në shekullin XVII, XVIII dhe gjatë shekullit XIX, por edhe me
kusarinë që përmendet që në shekullin XIV, kurse Ulqini, në shekullin XVII e XVIII, u
shndërrua në çerdhe të rrezikshme të kusarëve.
Libri
“ Republika kusare e Ulqinit” është i
strukturuar në 22 njësi tematike,
për të cilat autori bën kërkime e hulumtime serioze me qëllim të
zbulojë dhe të zbardhë fakte e të
dhëna të panjohura ose pak të njohura për shumëllojshmërinë e aktiviteteve (
ngjarjeve) në det dhe epopenë 200-vjeçare kusare ulqinake e cila përfundon në mesin e shekullit XVIII. Vepra për lexuesin është sa interesante, aq e këndshme, aq tërheqëse, aq edhe e ndërtuar bukur si
strukturë dhe si paraqitje ( shtjellim ).
Kur
njihesh me përmbajtjen e këtij libri me vlera të padiskutueshme historike e dokumentare bindesh për qasjen e
tij serioze të bazuar në literaturën
shkencore dhe për barrën e rëndë të
punës që ka mbajtur mbi supe ai, jo
vetëm në grumbullimin dhe prurjen
dokumentare të lëndës nga autorë shqiptarë dhe të huaj, por edhe në realizimin ( hartimin) me sukses të kësaj vepre me interes jo vetëm për ulqinakët, por edhe për shqiptarët dhe popujt e tjerë.
Ky
libër do t’u përafrojë botën emocionuese
të kusarëve dhe piratëve dhe do t’ju
zbulojë të gjitha të fshehtat
e tyre: zakonet dhe mënyrën e tyre të jetesës, rolin e tyre në histori,
kusarët që fituan famë ( emër), të
gjitha informacionet më të rëndësishme, së bashku me fotot dhe shumë
gjëra të tjera interesante.
Pasi
e lexova librin “ Republika kusare e Ulqinit” u binda se
kolegu Mustafë Canka ka dhënë më
të mirën e vetes dhe nuk është kursyer për të dhënë kontributin e tij të çmuar me saktësi argumentuese , bujari çiltërsi
dhe dinjitet, për të hedhur dritë mbi
kusarinë e Ulqinit, e cila për
banorët e këtij qyteti të jashtëzakonisht të bukur mesdhetar për rreth 200 vjet , përveçse ishte një nga burimet e jetesës , ishte edhe një
biznes mizor i përgjakshëm.
Vlerën e këtij libri ia shton edhe gjuha ( ligjërimi) që ka përdorë autori.
Vepra është shkruar me një stil të
arritshëm drejt paraqitjes së qartë
të asaj epoke të shkuar që ndërlidhet me
historinë dhe traditën e lashtë të
ulqinakëve në viset bregdetare të
Mesdheut, të cilët historikisht , që nga Iliria janë të njohur si detarë të
shkathtë, lundrues të mirë, ndërtimtarë dhe kapedanë të zotë të anijeve, por
edhe si kusarë , apo piratë.
Mustafë
Canka në këtë libër studimor është treguar
një individualitet me një formim të personalitetit të respektuar, pse jo
edhe të mahnitshëm, si studiues i
mirëfilltë dhe njohës i mirë i historisë së Ulqinit, sepse ka fituar diçka të madhe, lirinë
vetjake që nuk ndërvaret nga askush, nga asnjë lloj klani apo grupimi politik.
Kjo është një vlerë e madhe e cila i
dallon krijuesit dhe studiuesit e
vërtetë ( tamam) nga të tjerët , të ndikuar nga politika e kohës.