Kerko: a
Enver Bytyçi: Mesazhi i triumfuesit me emrin Donald Trump!
E enjte, 07.11.2024, 07:59 PM
Mesazhi
i triumfuesit me emrin Donald Trump!
Nga
Enver Bytyçi
Çdo
fillim e ka një fund. Çdo kohë errësire përfundon me dritë. Janë të lumtur dhe
të bekuar ata që luftojnë deri në fund për të marrë dritën e së vërtetës. Me 34
akuza, me përplasje dhe thirrje pa fund në prokuroritë e disa shteteve, me
luftë të paprinciptë kundër tij, Donald Trump doli fitimtari i madh i këtyre
betejave. Amerikanët i besuan në mënyrë të pakontestueshme Shtëpinë e Bardhë.
Është 77 vjeç. Energjik dhe dinamik si karakter. I kthjellët në mendim dhe në
idetë e tij për Amerikën dhe paqen në botë. I përkushtuar për ta bërë Amerikën
sërishmi të madhe. I angazhuar për interesin e amerikanëve.
Kaq
ka mjaftuar dhe ai të ngjisë shkallët për në Shtëpinë e Bardhë. Të bëhet zot i
Zyrës Ovalë të presidentit amerikan. Ishte presidenti i 45-të, u bë edhe
presidenti I 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Luftoi kundër një
perandorie të së keqes amerikane e globale, kundër ideologjisë së George Soros,
tashmë të përfaqësuar nga djali i tij Aleksi. Donald Trump pati kundër gjithë
ata prokurorë, por jo me tre mbiemra! Pati kundër sa e sa Dumanë, por jo kaq të
pacipë e të paprinciptë sa ky Dumani ynë, që për lavdinë e vet vendosi të
izolojë kreun e opozitës shqiptare pa asnjë provë dhe pa asnjë akuzë të bazuar
në prova.
Donald
Trump pati kundër, sipas sondazheve, të thuajse të gjitha qeveritë evropiane.
Por amerikanët i shpërfillën ato. Sali Berisha i ka gjithashtu kundër shumë
ambasadorë evropianë në Shqipëri të korruptuar prej Edi Ramës dhe disa qeveri
evropiane, ato qeveri, të cilat janë të lidhura me Sorosin dhe Edi Ramën. Është
një analogji reale. Është e njëjta skemë si në rastin e presidentit të sapo
zgjedhur amerikan. Ndaj dhe shqiptarët
duhet të inspirohen nga amerikanët. Sllogani i Trump “Mbi të gjitha Amerika”,
ka shansin të shndërrohet për shqiptarët, “mbi gjithçka Shqipëria”!
Donald
Trump na mësoi se kur dikush përpiqet të ta bëjë varrin ty, ai bie vetë në atë
gropë pa kthim! Donald Trump na provoi se nuk është mosha përcaktuese e suksesit
politik, social dhe kulturor. Janë idetë, qëllimet e pastra dhe modelet e
suksesit në shërbim të vendit e të qytetarëve, ato që të bëjnë fitues.
Presidenti tashmë i 47-të I SHBA-ve na dëshmoi se konservatorizmi është rruga e
shpëtimit të shteteve, kombeve, popujve dhe kusht për lirinë e tyre. Donald
Trump shënoi rekordin e rikthimit, sepse ky rikthim është në të mirë të
shoqërisë!
Ai
triumfoi, sepse amerikanët panë një luftë të pistë kundër tij! McGonigalët
ishin me shumicë kundër tij. Po ashtu Lu-të e Kim-rat e krimbura të diplomacisë
amerikane! Triumfoi, sepse amerikanët panë se Trump është i përkushtuar për
interesat e Amerikës dhe qytetarëve të saj! Fitoi, sepse kundërshtarët e tij
demokratë u zhytën në marrinë e perversitetit dhe të intrigës, të propagandës
dhe të mashtrimit! Mesazhi që Donald Trump na përcjell është i thjeshtë dhe u
dukshëm, gjithashtu i qartë: - Mos u mashtroni nga propaganda. Të qenit i
sinqertë dhe i vërtetë, logjik dhe racional me popullin tënd të shpërblen me
besim dhe votë plebishitare!