Mendime
Enver Bytyçi: Për Shqipërinë dhe Kosovën Trump nuk është gogoli! Përkundrazi, Sorosi është rrënuesi ynë!
E merkure, 06.11.2024, 06:57 PM
Për Shqipërinë dhe Kosovën Trump nuk është gogoli! Përkundrazi, Sorosi është rrënuesi ynë!
Nga
Enver Bytyçi
Miku
im, Milaim Nela, ka shkruar se zgjedhja e Donald Trump është katastrofë për
Kosovën, ndërsa zgjedhja e Kamelas është katastrofë për Shqipërinë. Ndërkaq
sondazhet e Gallup tregojnë se Harris është e preferuara e evropianëve
perëndimore, përfshirë edhe shqiptarët e Kosovës, 59 përqind prej të cilëve
thonë se do të donin Harris dhe 27 përqind Trump në Shtëpinë e Bardhë. Në Serbi
ndodh e kundërta. Ata do të donin Trump si president të SHBA-ve. Por
presidentin amerikan nuk e zgjedhin europianët. As rusët e kinezët. Amerika nuk
është si Shqipëria, një narco-shtet, vullnetin e së cilës e dikton mafia.
Shpesh
herë besoj edhe unë të njëjtën gjë si Mlilaim Nela. Por më duhet që të jap dhe
interpretim tjetër. Se fitorja e demokratëve sjell katastrofë për Shqipërinë,
kjo është e provuar tashmë në 11 vite të qeverisjes së kreut të narco-shtetit
shqiptar dhe rilindjes së tij. Këtu ka plotësisht të drejtë miku im, Nela.
Mbështetja që Shtëpia e Bardhë e sidomos DASH i Sorosit në SHBA i ka dhënë Edi
Ramës është vërtetë shkatërrimtare jo vetëm për lirinë e demokracinë, por edhe
për ekzistencën e shqiptarëve. Shpopullimi është pasoja e shuarjes së kombit
shqiptar në kohën e Ripjerdhjes socialiste dhe kjo vazhdon të ndodh me
mbështetjen e demokratëve amerikanë. Kamala Harris e përsëriti këtë mbështetje
për narco-shtetin e Edi Ramës edhe dje përmes një thirrje drejtuar shqiptarëve
në Amerikë për ta votuar atë.
Megjithatë
nuk është se Edi Rama u vu në sëkëlldi gjatë katër viteve të Donald Trump. Edhe
atë periudhë 2016-2020, Rama vegjetoi si pasha. Asnjë gjemb nuk i hyri në
këmbë. Pikërisht në atë kohë ndodhën sulme të egra kundër opozitës, bashkë me
rastin e McGonigal, sigurisht me ndihmën e Lulzim Bashës. Edhe pse Edi Rama
foli në CNN-in amerikan dhe e quajti zotin Trump “turpi i civilizimit”,
sërishmi u mbështet nga SHBA-të. Donald Lu dhe Juri Kim ishin produkti
anti-shqiptar i Sorosit në atë kohë. Në vitin 2019 ishte Trump në pushtet,
ndërkohe Palmer mbrojti me ngulm regjimin e mafies në Shqipëri. Pra, nuk ka
lidhje shumë se kush zgjidhet president në SHBA. Politikat amerikane i dikton
tjetërkush! Megjithatë ekziston një lloj pritshmërie nga ana e opozitës në
Shqipëri nga zgjedhja e Donald Trump si president i SHBA-ve. Të shohim sa do të
ketë efekt për opozitën shqiptare ardhja e tij në Shtëpinë e Bardhë! Ndërkohë
Rama e ka josh dhëndërrin e Trump me copa Shqipërie (Sazanin e Zvërnecin)!
Po
në Kosovë? Ka një kakofoni dhe Donald Trump na paraqitet si gogol për
shtetësinë e saj. Sikur ai me një lëvizje të gishtit do të vendosë që Kosova
t’i japë territore Serbisë. Dhe kësisoj brenda natës do ta mbyllë konfliktin
shqiptaro-serb. Ndërkohë që projekteve serbe në Ballkan i shërben më shumë
Soros, Edi Rama dhe shumë politikanë të tjerë, të cilët kanë mbështetjen e
pakufishme të demokratëve amerikanë. Eshtë e vërtetë se në qershor 2020 Hashim
Thaçi u nis për të nënshkruar marrëveshjen e ndryshimit të kufijve dhe ndarjes
së Kosovës në favor të Serbisë. Në zyrën ovale e priste Donald Trump.
Presidenti i Kosovës u ndalua në rrugë, sepse prokurori i Gjykatës Speciale për
Kosovën në Hagë shpalli akt-akuzë kundër tij.
Por
nuk duhet të harrojmë se ajo marrëveshje ishte vullneti i presidentit të
Kosovës. Të dy liderët, ai i Serbisë dhe ky i Kosovës, ishin të gatshëm të
nënshkruanin një marrëveshje të tillë. Nëse ata nuk do ishin në një mendje për
ta ricopëtuar Kosovën, këtë nuk do ta impononte Donald Trump. Por ka dhe
aksesorë të tjerë, të cilët na bëjnë të reflektojmë pak më ndryshe për sjelljen
e presidentit Trump me Ballkanin. Së pari, as Trump dhe as Harris nuk do të
kenë kohë e mundësi të merren aq shumë me Ballkanin. Bota është në luftë dhe
Ballkani është aq periferik në këtë kaos, sa vështirë të merret drejtpërdrejt
presidenti amerikan.
Së
dyti, nëse e marrim të mirëqenë angazhimin e presidentit amerikan, në rastin
konkret Trump, ne e dimë se ai përdor diplomacinë ekonomike për të shuar
konfliktet. Marrëveshja e 4 shtatorit 2020, të cilën e nënshkroi Abdulla Hoti,
pikërisht këtë na e dëshmon. Presidenti Trump detyroi Benjamin Netanjahun që ta
njohë shtetin e Kosovës. Nuk e bëri këtë për tetë vite para tij Barak Obama, i
cili kishte gjithashtu kuota shumë të larta preference në Europë e madje edhe
te shqiptarët.
Trump
nuk është gogoli i Evropës, i Ballkanit dhe as i Kosovës. Është gabim i madh
nëse e trajtojmë si të tillë. Në fund të fundit nuk është më “i keq” sesa
Soros. Jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Kosovën. Sorosi synon dhe punon me
narco-shtetin shqiptar për ta zhbërë Shqipërinë. Unë nuk e besoj këtë formulë
në politikën e Donald Trump, sido që që kam rezervat e mia, pasi që ai në
fushatë elektorale e në opozitë e godet ideologjinë e Soros e kur vjen në
pushtet nuk merret më me të.