Kerko: Resmi Osmani
Resmi Osmani: Zarfi sekret
E premte, 31.05.2024, 07:56 PM
ZARFI
SEKRET
Tregim nga Resmi Osmani
Korrieri
dhe Pirrua, pas nje ngarendjeje të gjatë ,që e bënte edhe më të lodhshme e të
mundimshme shtresa e borës, duke iu ngjitur të përpjetës së sikletshme, së
mbrami kundruan se si u shfaq si një mirazh fshati për ku ishin nisur. Të dy
udhëtarët frymuan të lehtësuar dhe u ndalën një grimëkohë për tu prajtur.
Me
shtëpitë e gurta,të ulta, mbuluar me rrasa të përhinjta, i strukur në shpatin
jugor të majëmalit, mbuluar nga bora dhe mjegulla, i parë nga poshtë, ngjasonte si i pezullt midis
tokës dhe qiellit, që dridhej nga të mardhurit. Mbi të maja e malit, me kësulën
e reve mbi krye, që dukej se papra vinin nga askund dhe shkonin në askund,
rrokte qiellin. Dukej që dimërit bora dhe erërat e akullta, aty kishin limerin
e tyre. Po të mos ishin shtjellat e përhinjta të tymit që dilnin nga tymtarët,
do të ngjante i ngrirë e i pajetë. I largët dhe , i veçuar,në atë humbëtirë, si
i harruar,midis qiellit dhe tokës, kishte dy rrugë këmbësore që e lidhnin me
botën. Njera që rrokullisej tatëpjetë si në theqafje midis shkurreve për në luginë
në xbaden e shtruar, e që mbante nj’a tri orë të mira më këmbë gjer në të
sosur dhe tjetra, kacavirrej në qafë të
malit, nga ku , pasi arrije, në verilindje hapej sa të zinte syri, lugina madhështore me lumin në mes dhe fshatrat e largët e më
tej vargmalet. Rruga, varej teposht, gjarpëronte mes pyllit dhe e lidhte me
katundet e tjerë, strukur rrëzë malit, të qarkuar nga pyjet e ahut e të
pishave, për të mbritur te Burojat përfund malit dhe fshati Lajthizës kundruall.
Po
bëhej kohë, që fshati bjerri atë
qetësinë e plogët, shkaktuar nga dimri, bora e të ftohtat, ku pushtimi i vendit
dhe lufta vinin si një jehonë nga larg, pasi kur se pandehnin, çatisi befas për
tu strehuar, çeta partizane e krahinës. Atëhere e ndërmëndën se lufta kishte
çatisur edhe në fshatin e tyre të largët. Fshati sido i varfër e në
skamje, pas një ngurrimi e stepje të
nemitur, pranoi të ndante me ‘ta strehën, vatrën e zjarrit dhe kafshatën e pakët të bukës. Pa menduar për telashet që mund t’u
hapeshin. Sido qoftë, ishin djemtë e tij dhe luftonin kundër pushtuesit.Kështu
tha pleqësia. Kaq mjaftonte. Nuk mënuan
dhe ngritën Këshillin Antifashist.
Çeta
partizane , në ato muaj dimri egërshan, vend më të volitshëm e të mbrojtur
s’kishte ku të gjente. Komanda italiane anipse ishte në dijeni nga spiunët e
vet, nuk trimërohej të dërgonte në atë majëmali njësite ndëshkimore të
bersalierëve, nga droja e të papriturave se do të pësonin humbje, ngaqë
ushtarët do të fironin në pritat e zëna rrugës nga partizanët, pa mbërritur në
fshat. Teksa çeta partizane, pas përgatitjeve, mund të sulmonte tinëz, tu
shfaqej papritur si fanmtazmë, atje ku s’pritej, në befasi, postkomandave të
armikut në qendrat e thella të lolkaliteteve. Të kapte armë dhe plaçkë tjetër
lufte, aq të kërkuara për armatosjen e partizanëve të rinj, që i shtoheshin
përditë dhe të ngjallte shpresën e lirisë te banorët, pa
psuar humbje në të sajtë.
***
Pirro,
i ardhuri i fundit në atë zemërdimri, u bë pjesë e çetës partizane. E
dërgonte njësiti gueril i qytetit dhe
sillte për komisarin një letër nga qarkori. Atij i mbeti në mëndje ajo ditë kur
u paraqit. Komandanti dhe komisari, ngroheshin rreth vatrës së zjarrit. Ai
qëndroi gatitu,si i kishte hije një partizani, nderoi me grusht dhe tha me zë
të plotë tingëllues: “Vdekje fashizmit”. Komandanti, pas përgjigjes ”Liri
popullit”, drejtoi shtatin, i dha fytyrës ngurtësi për t’u dukur hijerëndë dhe me atë synë e sprovuar e hetues, të
ftohtë e depërtues, e vërejti një grimëherë, ngultazi, nga poshtë-lart siç
kundron xhambazi një kalë para se ta blejë, aq sa ai u duk se u ndje në zor. U
pa që s’ia mbushi synë. Ju duk i pa rrahur nga jeta. Si thuhet në kësi rastesh,
buzëqumësht. Nga ata që në qytet i quajnë çun mamaje. Do të ishte një numër i shtuar për çetën apo një luftëtar? Ku ta
dish,këtë duhet ta kishin menduar ata që e dërgonin. Duhet kohë, dhe prova e
zjarrit- mendoi komandanti. I veshur si student, kapele me strehë, sapo
vënë brisk në faqe. Duhej të ishte te të njëzetat mbase dhe më shumë. Kapota
ushtarake i rrinte e madhe dhe bënte të
dukej si i futur në thes, më imcak e i
hajthëm. Mbeti duke pritur më këmbë.
-Mirëse
erdhe.
-Mirëse
ju gjeta
-Qytetar?
-Po.
Nga Tirana.
-Student?
-Në
vit të dytë, në univeritetin e Napolit. I lashë në mes studimet e mjekësisë.Si
edhe disa shokë të tjerë.Erdha që të jem i dobishëm për vendin tim në këto kohë
të vështira.
-Je
pagëzuar në zjarr?
-Jo.
Nuk kam patur rast. Por kam shpërndarë trakte dhe shkruar parrulla mureve. Kam
bërë edhe ndërlidhësin dhe informatorin. Pjesëtar në grupet e edukimit. Më diktuan. Rrezik të më arrestonin, prandaj
më dërguan tek ju.
-E
po bukur: intelektual, shkollar, gjysëm doktor, besoj edhe i gishtit. Një i
tillë na duhej në çetë.-Pastaj bënë pyetjen që duhet ta kishin bërë të parën-
Si e ke emërin?
-Pirro.
Pirro Qirko.
-Ke
të bësh me doktor Qirkon?
-Është
im atë.
-Kemi
dëgjuar këto kohë se doktori është bashkuar me nacinalistët. E vërtetë?
-Jo.
Ai ka shoqëri e miqësi me disa nga krerët, por ka qëndruar mënjanë nga
politika. Ka zgjedhur tu shërbejë të sëmurëve. Babë e bir në shumë gjëra kemi qëndrime
të ndryshme. Na bashkon gjaku, por na ndajnë bindjet.
-Unë
jam komandant Lisi. Të gjithë në çetë kemi nga një nofkë si emër të
dytë.-Pseudonim - qartësoi komisari. - Që sot e më pas, ti do quhesh Studenti.
Do të jetë emëri yt i luftës. Ke sjellë armë?
-Një
revolver Berreta.
-Ndonjë
porosi?
-Nuk
më dhanë. Besoj do t’i keni te letra.
-Mirë.
Dorëzoje revolverin te intendenti. Aty merr pushkën edhe ca veshje për të qënë
dhe zerë vend në skuadrën e të rinjve, të mitralierëve. Te Petriti. Është te
shtëpia e Lytos, në krye të fshatit.Pyet se do ta tregojnë. Do të jesh ndihmësi
i tij për mitralozin Breda.
Studenti
doli.
Komisari,
që kishte ndjekur bisedën, pa bëzajtur një fjalë, çeli zarfin. Ndërkohë që po e
lexonte, fytyrën ja pllakosi habija, shtangia, si t’i ishte fanitur nga ajo
letër një fantazmë. S’po u zinte besë
syve. Dora që mbante letrën u drodh dhe iu var poshtë e pafuqishme si t’i
rëndonte një peshë e rëndë. E lexoi sërish nga e para. Jo. Si bënin sytë. Ngriti
supet, fërkoi sytë, shkundi kokën, vështroi me habi komandantin dhe duke thën:
”Pa shih ç’na qënka” i zgjati letrën.
Edhe
komandanti, duke e lexuar, u duk se u zu befas, ju zgurdulluan sytë dhe goja i
mbeti hapur, habitshëm, paksa shtrembër, si t’i ishte hapur para vetes një
greminë apo fanitur një fantazmë. E përsolli letrën mbarë e prapë si të donte
të çbënte atë që shihte. Por jo. Fare e rregullt. E shkruar me makinë shkrimi,
e zeza mbi të bardhë, që fillonte me VFLP dhe mbyllej me datën , emërin dhe
firmën e dërguesit politik të qarkorit . Nuk linte asfare për të dyshuar. Gjëja
thuhej qartë dhe shkoqur, në pak rreshta, pa lënë vend për hamëndësime apo
dyshime. Çudia ishte se si i ishte besuar sjellësit të saj.
-
Si thua, pse të na kenë zgjedhur pikërisht neve?
-Nuk
e di. Njeriu nganjëherë si spjegon dot të gjitha. Mbase ngaqë ne jemi larg e të
veçuar.
Përmbajtja
e letrës i çarti dhe i vuri në zor. Një telash më shumë. E lehtë letra, i rëndë
kumti. U humbi qetësinë. Bëri të mendohen
e vramendjen gjatë. Porosia, edhe pse e çuditshme dhe e veçantë në
llojin e saj, ishte urdhër dhe urdhëri
duhej zbatuar dhe porosia ishte: sa më shpejt, në fshehtësi, pa zhurmë e
pa bujë.
Por
si dhe kur? Kjo ishte çështja. U takonte atyre ta vendosnin.
***
Sapo
i zëvëndësuan në shërbimin e rojes, Studenti dhe Petriti morën rrugën e kthimit
për në bazë. Muzgu erdhi i mjegullt dhe i acartë ,me plafet e borës së
parreshtur, që pas rrugës qiellore vinin duke u spërdredhur për të pushuar dhe
trashur shtresën e qilimit të bardhë mbi tokë. Petriti dhe Studenti, i
ngjiteshin të përpjetës së kithët duke
çarë shtresën e borës. Petriti ecte
përpara, që të çelte rrugën, ndërsa Studenti shkelte pas tij në gjurmët e
hapura. U desh të ecnin thuajse një orë. Dy njolla të zeza lëvizëse mes asaj
shkretëtire të bardhë , shurdhërisë së muzgut dhe errsirës që po zbriste.
Kur
mbrritën, te pragu i shtëpisë, shkundën nga supet dhe këmbët borën. Në dhomën
përdhese, ku bujtnin, të zotët e shtëpisë ishin kujdesur dhe kishin ndezur zjarrin.Sapo
hynë, ndjenë afshin e ngrohtë të zjarrit. Të mardhur, u liruan nga armët dhe
veshjet e sipërme dhe u afruan për t’u ngrohur rreth vatrës. Nga veshjet e
lagur nisi tu dilte avull.
Pa
kaluar as gjysmë ore që ishin kthyer, dhe po merrnin veten nga të ftohtit, në
dhomë hyri një partizan. Sillte një porosi . Petritin dhe Studentin i kërkonin
komandanti dhe komisari.
-
Tani-tha ai-pa vonesë, menjëherë.
-Di
gjë përse na kërkojnë?
-Jo.
S’më thanë përse. Vetëm kaq.
Petriti
dhe Studenti, vështruan habitshëm njeri-tjetrin. Ç’të ishte kjo thirrje në atë
orë? Sido, shkuan pas lajmësit. Trokitën dhe
hynë në dhomën që ishte vendkomanda. Komisari dhe komandanti qëndronin
në këmbë, m’u pranë qoshes së pandriçuar mirë dhe zëulët diçka po fjalosnin. Qarkori
priste një përgjigje për zbatimin e porosisë së ngarkuar.Vonesa ishte e
pafalshme.
Petriti
dhe Studenti, nga pamjet e fytyrave të tyre në hije, nuk mundën të kuptonin
gjësendi. Qëndruan edhe ata në këmbë në mesdhomë përballë tyre, në pritje.
Ata
të dy e ndërprenë bisedën. Heshtje e sikletshme. Dëgjohej vetëm brambullima e
flakëve dhe kërcitja e druve të zjarrit që digjeshin në vatër.Prej tyre,
hera-herës, shpërthenin shkëndija si ca fishekzarë të vegjël. Heshtjen e theu
komandanti:
-Si
shkoi turni i rojes, pati ndonjë gjë të veçantë për t’i kushtuar kujdes?
-Jo.
Asgjë e veçantë, përveç ca fshatarëve me mushka që ktheheshin nga pazari dhe borës e të ftohtit të acartë.
-
Mirë, por nuk ju kemi thirrur për këtë.-tha dhe një grimëherë bëri kinse sikur
mendohej - E dini pse ju kemi thirrur? Jo, nuk mund ta dini. E thashë se më
është bërë zakon. As mund ta merrni me mënt. Ndaj, vini vesh me vëmendje në këto që do t’u thotë komisari.
Përsëri
heshtje. Dukej që komisari nuk po ngutej, mbase po zgjidhte fjalët që të ishin bindëse dhe të shprehnin
thelbin e çështjes.
-Nga
gjithë partizanët e çetës sonë, u zgjodhëm ju të dyve, duke besuar në moshën,
guximin, trimërinë, vendosmërinë dhe mençurinë tuaj. Vlera këto që kërkohen për
të kryer një mision të veçantë, me shumë
rëndësi, përgjegjësi dhe rreziqe. Vini re: nesër që në vëngjillë, kur të këndojnë
gjelat e parë, do të niseni për të shkuar në Lajthizë, për të dorëzuar në çetën
partizane të atjeshme një zarf sekret.
Nga dorëzimi i tij, varet një aksion i përbashkët i të dy çetave tona kundër
postkomandës italiane. E dimë, rruga është e gjatë e lodhshme dhe e vështirë,
mba nja katër orë. Më të vështirë e bën edhe moti i këtij dimri të ashpër me
llohë, borë e cingërimë. Pa harruar që në fshatrat e Anamalit, ku ju do të
kaloni, ka gjetur strehë çeta balliste.
Por s’kemi çtë bëjmë, koha nuk prêt.
Detyra është detyrë dhe urdhëri urdhër. I parë në këtë mision, do të
jesh ti Petrit. Jeni gati për këtë
detyrë?
Po.
Ata ishin gati.
-Ndonjë
porosi?-Pyeti Petriti.
-Jo.
Janë të shkruara në letër. E vetmja porosi, të jeni të kujdesshëm gjat rrugës
dhe të arrini në Lajthizë patjetër, si i thonë fjalës gjall a vdekur dhe t’i
dorëzoni zarfin sekret komandantit të
çetës së atjeshme. Merrni armatimin dhe një vakt bukë me vete. Student, ti mund të dalësh. Petrit ti qëndro
se kemi edhe diçka të veçantë për ty.
Studenti
doli, por pasi bëri disa hapa në oborr, qëndroi në errësirë të priste Petritin.
Shoku u vonua dhe ai filloi të mërdhinte. Kaq shumë gjëra kishin për t’i thënë?
Kur Petriti doli, studenti i hodhi një vështrim pyetës, por pamja e fytyrës së
shokut ishte e ngurtë, pa shprehje, me një maskë fshehtësie dhe dukej e
padëshirë për të folur. Studenti nuk e pyeti. Ishte e kotë. E dinte që nuk do
të kishte përgjigje. Po të qe se ai
duhet t’a dinte, nuk i kishin thënë që
të dilte e të priste jashtë. Dyshoj se diçka i fshihnin, por çfarë?
***
Kur
u nisën, sapo kishte rënë drita, një dritë e mugët, e zbërdhylët nga mjegulla që s’linte të shihje veç ca çape
më tej. Kur arritën në Qafëmal, mjegullën e davariti shkulmi i erës së veriut
dhe para tyre u shfaqën lugina dhe vargu i kodrave gjithë zbardhur nga bora. Në
zbritje, rruga ishte e ngushtë dhe ata ecën njeri pas tjetrit. Dy njolla të
zeza vogëlane, me pushkë në krahë, në shkretëtirën e bardhë, qarkuar nga
hapësira pa anë e të katër horizonteve. U dukej vetja si të robëruar nga
humbëtira e të braktisur në rrugëtimin që do të ishte fati i tyre i paditur ,
mbuluar me velin e mistershëm të së
pathënës, e të paditurës, shkruar në një
letër në zarfin sekret, që i kishte
nisur në atë mot të acartë në rrugën e gjatë e me rreziqe të panjohura për ta.
Petriti
përpara e Studenti pas, me sytë mbi shpinën e shokut. Çapisnin me kujdes, se
bora kishte ngrirë dhe ishte rreziku të rrëshqisnin dhe rrokulliseshin në
greminë. Zbritën tatëpjetën. Qëndruan. Frymuan thellë dhe fryma e avullt sapo
delte nga goja kthehej në një fjollë mjegulle. Për më tej, rruga e ngushtë
këmbësore, ishte e drejtë, çante në pyllin e rralluar, lakohej sipas reliefit,
por e mbuluar nga shtresa e borës. Ndën të rrëpira, me shkorreta të atykëtushme, stolisur si me
filigrane argjendi nga bora e kallkanosur, zbriste tatëpjetë deri ku niste
lugina dhe rridhte lumi.
Petriti,nxori
kuletën dhe nisi të dridhte një cigare, por letra u gris dhe duhani u derdh mbi
borë. “Dreq, shfryu ai- m’u paskan mpirë duart” dhe nisi të dridhte një cigare
tjetër. Ia doli. I dha flakë shkrepses dhe e thithi me ashk , duke shfryrë një
fjollë tymi nga goja dhe hundët.”Ikim,që
të arrijmë në kohë, se rruga që kemi për të bërë është goxha e gjatë për në
Lajthizën e largët.” E flaku duqin e cigars mbi borë dhe u nis me hapa të
gjatë duke çarë borën. Studenti e pasoi duke shkelur mbi gjurmët e shokut.
Ecnin në heshtje, duke dihatur. Hijet e gjata të trupave pas tyre, të
shformuara që dridheshin e lëkundeshin mbi sipërfaqen e borës ,bënin që ata të
dukeshin si ca të përhënur, të ardhur
nga një tjetër botë.
-Thuana
një fjalë-ishte Petriti që foli.
-E
ç’të them?Ne i kemi biseduar gjerë e gjat këto net.
-Ti
ke qënë jashtë vendi, ke parë botë me sy, rrëfena gjëkafsh se kjo rrugë nuk
soset gojëkyçur.
-Eh,
të shkuara të harruara.
-Ishin
të bukura italjankat?
-Si
tërë graria, gjithkund. Kishte dhe të bukura. E shumë të bukura, por edhe të
pabukura. Popull hesapi. Paçka se të ndryshëm në shumë gjëra nga ne.
-Ti
zure ndonjë të dashur?
-Pata
shoqëri të ngushtë me një vajzë të klasës.
-Ndonjë
vajzë fashisti?
-Jo.
I kishte prindërit punëtorë.
Petriti,
i shtyrë nga kërshëria deshi të dinte më shumë, por Studenti nuk ia ushqeu
biedën. Heshti dhe për vete të tij, me mëndje u kthye vite të shkuar. Se mëndja
i ruan kujtimet,të largëta apo të afërta qofshin, në ca skuta të fshehta dhe i
shfaq kur i kërkohen. Befas, u kaplua nga ca
ndodhi që në kujtesë kishin mbetur të pashlyera. Edhe pse tha të shkuara
të harruara, në të vërtetë për të ishin të shkuara, por të paharruara.
“ Ishim Bashkëstudentë,
në të njëjtën klasë. Ajo më tha se e
quanin Marija Xanoni. U pëlqyem që në shikim të parë. E qeshur, lozonjare,
bënte hoka me italishten time të pasaktë dhe me theksat e fortë. E bukur? E ç’rëndësi
ka bukuria,diku kam lexuar se një vajzë, nuk e duam se ështyë e bukur, por ajo është
e bukur se e duam ne, ashtu si e shohin sytë tanë. Por Marija ishte edhe e
bukur, edhe e dashur, e afruar, pa sqimë e paragjykime. Të dy uleshim në të njëjtyën
bangë, i përgatisnim mësimet tok, u bëm të afërt dhe ndjenim dëshirën për të qënë
e për të dalë bashkë. Nuk ,më harrohet ajo e diel. Dita e bukur,qielli
napolitan i kaltër dhe drita lbyrëse. U takuam në sheshin e Plebishitit, pastaj
morëm rrugën për në Kastel Nuovo, pranë portit e më tej në kopshtin botanik. U ulëm nën tendën e
jaseminëve dhe postateve të trëndafilave.Vështrimet tona ishin të ngazëllyera
plot dritë dhe të përmalluara. Bashkuam duart dhe u puthëm, ëmbël, gjatë.
Ndjeva sesi Marija fërgëllonte dhe pastaj e uli kokën mbi supin tim dhe më tha
: -Pirro,amore mio, ti Voglio bene.[1]-
Kjo ishte dashuria.Ishim të dashuruar, por ç’ishte dashuria në të vërtetë? A
ishte për ne burim lumturie?Thonë e ç’nuk thonë për dashurinë:dashuria është të
dëgjosh zërin e zemrës,është të zihesh dorëpërdorë në stolin e parkut,se
dashuria është të shihesh sy më sy me ëngjëllin, se është malli për të gjetur
një shpirt binjak si strehë për shpirtin tënd, që është dehje, se është
verbëri. Isha i pushtuar nga magjia e kësaj ndjenje hyjnore që më bënte të
lumtur dhe fillova ta shoh botën si më pëlqen të jetë dhe jo siç ishte në të
vërtetë. Por ja që s‘ishte ashtu. Ishte lufta e mynxyrshme, pushtimi, që përmbysën
gjithëçka. Erdhi ndarja, dashuria e bënte të dhimbshme. Marija më përcolli deri
në port. U ndamë duke u përqafuar, asaj nga sytë i rrodhën lot. Ishte një
lamtumirë. A do të shihemi më vallë?”
E
ndërmëndi nga ato përsiatje një shuk bore që i ra mbi krye nga dega e një
pishe. Disa hapa më përpara çante udhën Petriti. Çanta e shpinës e bënte të
ngjante si gungaç, ndërsa pushka në sup, të dukej më i gjatë sesa ishte. Kapuçi
i leshtë ishte veshur me pah bore. Ecnin
si të përhënur.
Se
nga u poftis një korb që nisi t’u fluturonte herë lart mbi krye herë përpara e
herë pas, sikur t’i ndiqte. Në sfondin e bardhë të borës dukej më i zi sesa
ishte. Krrokama e tij e kobshme e çjerrë mbushte ajrin: krra, krra, krra, si të
donte të pyeste: “ku po shkoni o të
mjerë?”
-Po
ky ogurzi, nga na u bë sebep! Thonë që ndjell ters.
-Je
bestyt?
-Jo,
por kështu thonë. Kur shfaqej në fshat dhe krrokonte, njerëzia i thoshin
“Ngrënç kokën tënde”
-
Petrit, rrëfena edhe ti gjësendi.
-
E ç’të rrëfej? Jeta ime në fshat. Sa mbarova shkollën fillore, shkova në stan, me dhën e me dhi. Bota ime
ishte fshati ,stani , ngrysu e gdhihu, dimër-behar,me shi e me diell, kullotat
në mal dhe një ngastër qiell mbi krye. Sido më vete e i veçuar, kishte edhe ajo
jetë bukuritë e saj të çdo stine. Pjelljet e deleve, lodrimi i qingjave,
qumështi që grafullonte në vedra. Sa mbusha tetëmbëdhjetë vjeç, më morën
ushtar. Kur u ktheva Çeçua më martoi.
-
E njihje vajzën me të cilën të martuan?
-
Jo. As unë atë, e as ajo mua. Ishte nga rrethi miqësor i familjes. E kishin
parë dhe pëlqyer emtat e mia. Ashtu është zakoni. Ne nuk martohemi, na
martojnë. Qëlloi njeri i mirë, e dashur dhe punëtore. Nga martesa kemi dy
fëmijë, djalë e vajzë. Tok me të ëmën,
që se kam ardhur në çetë, nuk e di
ç’bëhen, si ngrysen e si gdhihen. Ashtu erdhi radha e gjërave. Familja
jonë u lidh me luftën. E tillë ka qënë denbabaden. Dikush spiunoi dhe italianët
deshën të arrestonin Çeçon, por ai u shpëtoi. Fashistët i kallën flakën
shtëpisë. Që atëhere u bashkova me çetën
partizane dhe u pranova në partinë komuniste dhe ja ku jemi. Kjo është e gjitha
ajo që mund të them.
-Po
ti, cila është familja jote?
-Babai,
që është doktor, me shkollë të mbaruar në Vjenë, nëna , mësuese nga Normalja e
Elbasanit dhe motra gjimnaziste. Nuk u ndam mirë. Babait nuk i pëlqeu që ndërpreva
studimet. U shamatova me babanë dhe nënën, nuk donin që të dilja partizan. Më kanë djalë të vetëm.
Epo lufta si lufta,mendonin se mund të më ndodhte edhe më e keqja.Motra u gjend
krah meje. Më duan dhe i dua shumë. Kjo është e gjitha.
U
duk se fjalët u shterrën dhe rruga anamalit e zbardhur nga mbulesa e borës
s’kish të sosur.
-
Pa shihe orën, sa kohë ka që po rrugëtojmë?
-
U nisëm në pesë,tani është shtatë. Po bëhen dy orë.
-
Paskemi ecur pak. Duhet ta kishim përgjysmuar rrugën, s’kemi bërë as çerekun. O
burra, t’u japim këmbëve.-tha dhe bëri përpara.
Në
ato e sipër, nga lindja llapsi një vetëtimë e zjarrtë, gjarpërushe, vertikale
që i dha dritë gjithë hapësirës e pas saj sakaq krisma e thatë e rrufesë që
bubulloi dhe jehona e përsëdyti.
Suferina mori turravrapin dhe pylli rënkoi frikshëm. Nga retë e ulta, lloha e
borës mbushi hapësirën me pllazet e saj fluturake. Të dy udhëtarët u zunë në
befasi. Thuajse u errësua. Ata nuk mund të shihnmin pesë hapa më tej. Era ua
përplaste flokët e akullta të borës në fytyrë, aq sa po u mpiheshin buzët,
ngrinin qerpikët dhe errej shikimi. Rrotull asnjë strehë ku mund të mbroheshin.
Një grimë herë, Studentit i humbi nga sytë Petriti, veçse iu bë se dëgjoi një
britmë dhe zhurmën e mbytur e me rënkime
si e një rrokullisure tatëpjetë. Mandej në vesh i erdhi thirrja si piskamë e
mbytur e emrit të tij. Petriti, që
kishte rrëshkitur e rrokullisur tatëpjetë, kërkonte ndihmë. Studenti u afrua në
zgrip të monopatit dhe sytë i zunë turbull
si nja dhjetë metro më poshtë mbi humnerë, turbull kurmin e shokut të ngecur mbi një shkurre.Ishte
me fat që rastisi ajo shkurre, se përndryshe do të kishte përfunduar në
humnerën e thellë e do të qe copëtuar në shkëmbinjtë.
-Petrit,
o Petrit, më dëgjon?
-Pooo.
-Je
lënduar?
-Nuk
e kuptoj, më ther gjithë trupi.
-
Ngrihesh dot?
-Jo,
jam në pozicion të vështirë, po të lëviz kam frikë se mund të shkas tatëpjetë
rrëzomës.Zëri vinte i zvargur, ankues, si nga një botë e largët, grykor e i
mezidëgjueshëm.
-
Atëherë mos lëviz. Prit se do zbres unë. Më dëgjon?
Studenti
bëri përpara deri te një prroskë, ngaku, eci ngadalë I tendosur, në drejtim të
kithët, duke hapur gjurmë për këmbët me bajonetën e pushkës e duke u
stërmunduar të mbante drejtpeshimin. Ajo që pa kur hodhi sytë tatëpjetë i kalli
datën, pjerrësia e zhveshur zbriste në një hon të thellë me shkëmbenj të
thepisur. Bëri përpara. Çdo hap një stërmundim.Ndjeu që trupin po ia mbulonte
djersa. U afrua dhe e arriti. Petriti ishte i shtrirë horizontalisht mbi
shkurren dhe rënkonte.
-Mbahu
se erdha. Je mirë?
-Jo.
Më duket se më janë laberguar gjithë eshtrat.
-Ngrihesh
dot?
-Nuk
mundem.Trupi nuk më bindet, më ngjan si të jetë i drunjtë. --Prit pak.Stdenti
zbërtheu rripin e mesit.
-Kapu
me të dy duart pas rripit. Unë do të tërheq. Nguli thembrat në truall. Ashtu,
ngadalë. Hiqe pushkën nga krahu. Hape bajonetën ngule në tokë dhe përdore për
tu mbështetur. Shkel në gjurmët e mia dhe mos e lësho rripin. Dhe ata me një
stërmundim siperan, duke ecur herë ngritur herë këmbadoras, pas një kohe që u
duk se zgjati sa një jetë, ujë në djersë, ia dolën. Të dy u shtrinë me shpinë
mbi borë duke gulçuar dhe dihatur që të
mbusheshin me frymë. Posht dorës së majtë të petritit, bora u skuq nga gjaku.
-Ç’është
ajo pllangë gjaku?
-Më
është xhvokshur lëkura e pëllëmbës së dorës. Gjë pa zarar.
-Të
kishim një çikë jod apo alkol.
-Do
ta pshurr dhe do ta pllakos me duhan. Ilaç barinjsh,është dorë me një. Ashtu
edhe bëri.
Bora
që u binte mbi fytyrë u kujtoi se duhej të ngriheshin. Petritit,që i dhimbte
tërë trupi, hodhi krahun mbi supin e studentit dhe bënë përpara.Nuk e dinin sa
kohë kishin që po ecnin, për shkak të
mugëtirës së përhinjtë, borës dhe mjegullës u përngjasonte si të ishin duke
pluskuar brënda një sfere të stërmadhe pa horizonte. Koha humbi kuptimin, edhe
pse s’ishte e tillë, u bë ujem e paqënë dhe e pa përcaktuar, si një trazim i
ditë-natës. Papritur, si të vinin nga
hapësira qiellore, prapa tyre, u dëgjuan kumbimet e një zileje që tringëllinin
me tinguj të argjendtë dhe nuk mënoi të fanepsej kalorësi, mbuluar me gunë si
një fantazmë,hipur mbi mushkë. Ata u stepën në vend dhe Petriti mori në duar
pushkën:
-Ndalu
dhe mos u afro, hidhe armën, ndryshe do të qëlloj!-E kërcënoi Petriti.
-Dale
mor djalë, e ç’armë zeza të hedh kur nuk e kam. Unë shkoj në punë time.- Tha
kalorësi, i mbuluar me gunë e që ishte mesoburrë. Ai e hoqi gunën, zbriti nga
mushka, e mori për kapistre dhe u afrua me kujdes.
-Për
ku udha e mbarë në këtë kiamet?-pyeti kalorësi.
-Kjo
s’ka ç’të duhet ty.
-Si të doni. Nga mua s’u
vjen e keqe. E shoh që qënkeni partizanë. Bëni kujdes se në fshatin që keni përpara
ka zënë vend çeta nacionaliste e
Profesorit dhe ata janë të hurit dhe litarit. Epo u shkoftë mbarë-Tha këto, i
hipi mushkës me hovin e një të riu dhe shkoi në punë të tij. Ata e ndoqën me sy
derisa njollën e zezë e gëlltiti mjegulla dhe tingujt e ziles u shuan. Kishin
kohë që po ecnin kur në anën e sipërme të udhës u duk një kasolle e
braktisur barinjsh mbuluar nga bora. Mbajtën
këmbët. Uria i kujtoi se duhet të hanin. Brënda kasolles mugëtira dhe drita e
pakët që hynte nga dera pa derë, memzi linte të dukeshin gjërat. Ditë të
shkuara,të tjerë aty kishin ndezur zjarr,kishte edhe shkarpa dhe degë drush të
thata.Trualli ishte i terur.Petriti u ul. Studenti grumbulloi shkarpat mbi thëngjijtë
e vatrës së mëparshme dhe u dha flakë me shkrepse. E ushqeu flakën me frymë
deri sa gjyhëza e saj drithëruese pushtoi dhe ndezi drutë e i dha dritë
kasolles. Afshi i ngrohtë i zjarrit nisi t’u gjallërojë trupat e mardhur dhe nën
llapsjen e flakëve, ata panë fytyrat e handakosura të shoshoqit, si ca maska të
ngurta që flaka i ngjyente në bronz. Pritën sa u bë prushi dhe thekën bukën e
misërt që ishte bërë gur nga të ftohtit. Në një kupace u kishin vënë gjizë dhe gjalpë
brumë, ullinj dhe një qepë. E shijuan ushqimin duke e mbllaçitur ngadalë
kafshatë pas kafshate. E shuan etjen nga pagurja e alumintë. Petriti drodhi dhe
ndezi cigaren dhe e thithi me ashk. Të ngrohtët dhe ushqimi u përtëriu fuqinë. Me
padëshirë u ngritën dhe morën udhën. Porosia duhej çuar në vend. Në të ecur e
sipër,Petriti preku xhepin. Zarfi sekret, shtysa e këtij rrugëtimi, ishte aty.
Nisi të mendojë dhe pyesë veten: ”Përse komisari, pa më parë në sy, por larg në
humbëtirën e mureve, me zë si pëshpërimë, të rrafshët e të pangjyrë e të ftohtë,
si të donte të mos më thoshte ato që më tha, se ky mision më ishte besuar si
komonist që isha, dhe se për të çuar në vend porosinë përgjigjesha me jetë? Se
po të binim në përpjekje zarfin duhet ta gëlltisja që të mos binte në dorë të
armiqve? Përse komandanti më tha që veç pushkës të merrja edhe një revolver, me
plumb në gojë, se do të më duhej kur të vinte çasti? Ajo që më bën të dyshoj e
më çudit më shumë, që fshihet e mjegullohet prapa këtij misioni, ishte porosia që kur të arrijmë te çezma e
Lajthizës, të ndalemi dhe unë ta hap zarfin. Në të janë dy letra, e hapura është
për mua,me një urdhër porosi, tjetra, e mbyllura, për komandantin e çetës partizane
të atjeshme. Përse duhet ta bëj, kur zarfi sekret duhet t’ i dorëzohet çetës
Partizane? Ai pyeste veten por nuk merrte përgjigje.
***
Petriti
i dëgjoi njëhershe krismën e armës dhe pasthirrmën e dhimbshme të Studentit
“oohhh, më goditën” që u plandos përdhe. “Barkas, shtrihu barkas”- urdhëroi dhe
vetë rrufeshëm bëri të njëjtën: u shtri
rrafsh me tokën, me pushkë në dorë. I kishin goditur pas krahëve, nga perëndimi.Një
krismë e vetme. S’pati të tjera. Ai pa sesi dy hije po kaptonin të përkulur të përpjetën, por sapo tërhoqi shulin dhe mbushi pushkën
e mori shenjë të qëllonte, nuk arriti ta
bënte, se hijet u bënë fir pas të përpjetës si t’i kishte përpirë dheu. U
kthyue ballas nga shoku. Studenti po rënkonte. Petriti ja uli pantallonat. Pa që
plumbi kishte hyrë e dalë në kofshën e djathtë dhe e kishte shqyer mishin. Gjaku
po skuqte borën, pluskonte me gulçe. ”Më
kanë goditur venën femurale. -Tha me zë të shuar-S’kam shpëtim. Gjakrrjedhja
mund të ndërpritet vetëm me operacion.Kaqë gjë e di nga ato dy vjet shkollë të
mjekësisë”-tha ai duke murmuruar. ” Mos e thuaj atë fjalë. S’vdes njeriu nga një
plagë plumbi në këmbë. Mbahu dhe bëhu i fortë.” Pa humbur kohë, grisi
fundin e këmishës, e palosi disa herë sa sajoi një si jastëk , pllakosi plagën
me ‘të, pastaj nxori rripin e pantallonave dhe e shtrëngoj fort kofshën mbi
vendin e goditur. Gjakrrjedhja u pakësua por nuk u meh.
-
E pe dot, kush na gjuajti?
-Dikush
duhet të na ketë spiunuar. Mbase burri me mushkë. Gabuam që e lam të ikte para
nesh. Ishin dy. U zhdukën sa hap e mbyll
sytë, aq sa nuk arrita tu përgjigjesha. E kush tjetër veç larove të ballit. Si
tinzarë e frikacakë që janë, zenë prita e fshihen prapa ferrave dhe kafshojnë
tinëz si qen të pabesë prapa krahëve. Si ta ha syri, ngrihesh dot që të
vazhdojmë rrugën? Nuk na ka mbetur dhe shumë për të ecur.
-
Ndihmomë.
Petriti
e rroku nga shpatullat dhe gjoksi dhe e ngriti në këmbë.
-Kapu
me dorë mbi supin tim, mbahu si të mundesh, dhe bëj përpjekje të ecim. E hedh
dot këmbën e plagosur?”Zot o zot! Ç’qe
kjo hata që na gjeti. Kësaj i thonë e gjetsh nga mos e pandehsh” Iu ankua
vetes Petriti.
-Me
zor…. Më…. Dhemb….. shumë….. -Zëri vinte i shuar nga dhembja e shpirtit, lëngata
e pafuqia, fjalët të zvargura e me shkëputje nga njera-tjetra si të vinin nga
humbëtira.
-Bëj
durim.
Pas
tyre, si një njollë e zezë fluturuese, u faneps sërish korbi që qëndroi mbi degën
e zhveshur të një ahu dhe krra-krraja e tij e paprerë mbushi ajrin. Krra, krra,
ku shkoni o të mjerë?
-Ngrënç
kokën tënde, o zog i sterrosur-tha me zë Petriti, por zogu kobzi nuk e preu
krrokamën.
Bënë
përpara,të kapur me njeri –tjetrin. Ngadalë, të rënduar, duke dihatur, më së
shumti duke u zvarrisur sesa duke ecur. Prapa mbi borë skuqnin pllangat e
gjakut që s’kish të rreshtur së rrjedhuri.
Sa
kohë kishin që ecnin? Nuk e dinin. Ata ishin të zhytur në atë gjithkohësinë që
nuk ka as fillim as fund. Mugëtira mjegulla, bora, dita pa dritë e diell,
lodhja dhe dhimbja e bënin kohën të pamatshme,
që dihej një fillim, por jo një fund, sado i dëshiruar.Një ditë sa një
vit, një orë sa një muaj e një minut sa një orë. Ky ishte qerthulli i qënies ku
po vërtitej e tashmja e vuajtjes së tyre.
U
dëgjua një ulurimë e thekshme që ngjasonte me një angullimë rrënqethëse qeni e
që ushonte frikshëm, pastaj një e dytë, e më pas të dyja.Nuk duhet të ishin
larg. Ata shtangën. Kur kthyen kokën pas ajgëtuan si ndoca njëzet hapa larg dy
ujqër,që po i ndiqnin.Kur ata të dy qëndruan, të njëjtën bënë dhe egërsirat.Pa
rreshtur ulërimat.
-Qen
apo ujqër?
-Janë
ujqër, si duket të uritur, kanë ndjerë erën e gjakut mbi borë dhe na janë vënë
pas.
-Si
thua, do të na turren?
-
Nuk jam i sigurtë, por nuk e besoj, ata janë dinakë dhe e dinë frikën. E di këtë
nga koha kur më vinin rrotull stanit. Po na ndjekin pas, presin që ne të bëhemi
pre e tyre, të gremisemi dhe pastaj të vinë të na shqyejnë. Po mbase uria ua
mposht frikën dhe i trimëron. Do t’i vras.
Të
dy ujqërit e përhinjtë, ishin atje, në pritje, hakërrues,të uritur, u
dalloheshin sytë si thëngjij të ndezur.
Petriti
e uli me kujdes Studentin që të mos lëndohej dhe vetë ra në gjunjë. I vuri pushkës fishekun në fole dhe mori
shenjë. Mbajti frymën dhe ngadalë tërhoqi këmbzën. Jehoi krisma dhe u ndje
amza e pikërt e barutit. E kishte
goditur. Njeri nga ujqërit u plandos në borë. Tjetra, që duhet të ishte
ulkonja, u ul në bisht pranë trupit të mashkullit, ngriti kokën drejt qiellit
dhe ia dha një ulërime të thekshme vajtimtare. Petriti mori shenjë përsëdyti
dhe ulkonja ra e ngordhur mbi trupin e ujkut.
Frymuan
të lehtësuar. Ekishin shmangur atë rrezik të papritur. Petriti u ndërmend dhe
preku xhepin ku ishte ndryrë zarfi. Ishte aty, ai zarf që ishte shkaku dhe
pasoja e gjithë kësaj që po ju ndodhte e që për të, po t’a donte rasti, mund të
jepnin edhe jetën. Studentit, nuk i rreshtëte gjakrrjedhja, këmba e pantallonës
i ishte bërë ujë nga gjaku që kullonte. Sytë i kishin humbur shkëlqimin dhe
gjallërinë, zëri i ishte mekur teksa zbehja ia kishte shndrruar fytyrën e
hijshme në maskë dyllë të verdhë , si e atyre që japin shpirt. Atij i shterrën
fuqitë dhe nuk mbahej më dot në këmbë.
-Petrit….unë
nuk mund të eci më….më janë shterrur fuqitë. Është e kotë….. më ler mua këtu,
mbi udhë nën trungun e asaj pishe….. ja që ky është fundi im. Ti vazhdo rrugën
për ku jemi nisur.
-
Mos u ligështo. Gjë që s’bëhet. Jemi nisur bashkë dhe bashkë do të sosim.
Petriti
e ngriti para duarve dhe e zateti në mezhdën e rrugës. Ia hoqi pushkën nga
krahu dhe e hodhi në sup të tij. Me kujdes, që të mos e lëndonte e ngriti hopa dhe
e hodhi mbi supe. Këmbët dhe krahët ia nxori para vetes që ti mbante më lehtë
me duar, ndërsa gjoksin dhe barkun ia mbështeti mbi shpinë e të dy supet. U ngrit
disi me zor, në hapat e parë iu morën këmbët, por mblodhi forcat dhe ngau përpara.
I rëndë trupi, por ai ishte shoku i tij, gjithsesi mund dhe duhej ta mbante. E
si mund të braktiset shoku bashkëudhëtar dhe bashkëluftëtar?! Nëse duhej vdekur
le të vdisnin bashkë. Studenti merrte frymë duke gulçuar dhe rënkonte paprerë. Petritit
dora e djathtë iu lag nga gjaku veshtullor që po mpiksej dhe i bënte gishtërinjtë
të ngjiteshin me njeri-tjetrin. Edhe pse në të ftohtin e acartë , atë e theu
djersa, nga balli i rridhte mbi sy dhe i shkaktonte cuksje që i mjegullonte
shikimin. Ecte pa u ndalur, druhej se po të ndalej për tu shplodhur, nuk do të
ngrihej dot më. Duhej ecur. Studenti rënkonte, herë-herë diçka donte të
thoshte, por në vënd të fjalëve, dëgjohej një murmurimë e mbytur, si të jehonte
nga thellësitë e një honi. Petriti ndjente në qafë ngrohtësinë e frymëmarrjes,
shenjë që ai ishte i gjallë dhe frymonte. Por ah, rrjedhja e gjakut s’kish të
sosur dhe pikat e tij linin pas gjurmën e përgjakur në borë.
Furtuna
u meh. Bora rreshti. Nga jugu retë u çanë dhe nga e plasura një vrundull
drite u derdh mbi borë dhe
argjendoj gjithë luginën. Reflektimi i
dritës nga bora i lbyri sytë. Dielli nuk dukej, por duhet të ishte afruar
mesdita.
Nga
lindja, aty ku duhej të përfundonte rruga, u dukën shtëpitë e Lajthizës,me
çatitë e zbardhura nga bora dhje shjtjellat e tymit që dilnin nga tymtarët, të
davaritura rrëzë kodrës që zbriste për në luginë. Petriti s’u zuri besë syve, i
shkrapuliti disa herë, u bind se ajo që ajgëtonte, ishte fshati dhe jo asesi
ndonjë vegim që ja truanin sytë si shkak i lodhjes. Më në fund, ja kishte dalë.
Ja edhe çesma, edhe fshati kundruall. Fundi i rrugës së mundimshme, por jo i
mundimeve.
Nga
dy sylynat që dilnin nga muri i gurtë, rridhte vrundulli i bollshëm i ujit që
derdhej në hauzin e mbushur me guriçka zalli të bardhë dhe duke murmuruar
rridhte tatëpjetë. Në të dy anët e hauzit ishin dy sofate gjithë të gurta. Petriti
e uli Studentin dhe ja zateti shpatullat pas murit, por ai fuqifikur, nuk
mbahej dot dhe u brinjas e kryet iu vais. Petriti e mbajti që të mos rrëzohej.
-Erdhëm.Ja
dolëm. Hapi sytë!-Asnjë lëvizje, kurrfarë përgjigje. Petriti u tromaks, dukej që
shokut si kishte mbetur më pikë gjaku në trup. Fytyra dhe duart shafran të
verdha.Frymëmarrja e rënduar nga grahmat e fundit , fytra e hijshme e mbërthyer
nga ngërçi. U ul krah tij dhe e hodhi në gjoks siç kishte parë që bënin me ata
që ndaheshin nga kjo jetë.
-Të
lutem, mos ma bëj këtë, mos më ler, hapi sytë!
Studenti
pati një grimëkohë kthjellim, hapi sytë që ishin të shuar e pa dritë dhe
murmuriti zëshuar: “më premto se do të shkosh të takosh të mitë, nënën
….babain…motrën…tu thuash sesi vdiqa….e ku e kam varrin, që i kam dashur shumë… Tha dhe dha shpirt mbështetur në gjoksin dhe krahët e shokut. Petriti i mbylli
sytë.Teksa gulçi i zuri frymën, trupi iu shkreh e pavetëdishëm lotët i rrodhën
çurk . E shtriu, nën kokë I vuri çantën e shpinës dhe e mbuloi me kapotë.
U
ndërmend që duhet të hapte zarfin. Ashtu bëri. Për të ishte letra e hapur. Pak
rreshta. I lexoi. Të ishin të vërteta, të besueshme, ato që shkruheshin, apo një
lajthitje e syve të lodhur? Përsëdyti leximin. Nuk kishte gabuar. Ato katër
rreshta ishin si një shkrepëtimë rrufeje. Çdo shkronjë një plumb, çdo fjalë një
e shkrehur flakëruese revolveri, çdo fjali vdekje e pabesë e mynxyrshme, e tëra një varr i hapur që priste
kufomën. Një urdhër i vrazhdë shkruar me mllef si të mos ishte fjala për një
njeri, për vrasjen e shokut pabesisht, ashtu siç vritet një qen I tërbuar. “Person i
rrezikshëm, pjesëtar i Grupit të të Rinjve, spiun i italianëve,e kemi dënuar me
vdekje. E dërgojmë tek ju që sa më shpejt të mundni, këputini një plumb pas qafe. Pa
zhurmë, pa bujë. Askush të mos e dijë”
I
gjendur i vetëm, përballë me trupin jetëshuar të shokut, shtrirë mbi borë,
mbuluar me kapotë, Petriti nisi të përsjellë ndër mend si një përçartje: ”E padëgjuar. Studenti kishte ardhur në çetë,
duke sjellë me vete në një zarf sekret dënimin e tij me vdekje. O zot! Dhe për vdekjen
e tij (me një plumb pas qafe) më zgjodhën mua. Pse pikërisht mua? Mos vallë kam
pamje vrasësi, e njeriut të pashpirt e kriminel, të hurit e litarit. Ah jo,
s’duhet të ma bënin këtë rreng mua që jam shok i tij. Sido në më pak se një
muaj, nën të njëjtën çati, u lidhëm shoqërisht, si i thonë: na u hëngër
muhabeti, kemi ndarë bashkë kafshatën e bukës, ditët dhe netët e shërbimeve,
mallin për njerëzit tanë, brengën që nuk ishte ndarë mirë me të atin, lotët e nënës
dhe motrës kur e kishin përcjellë, mendimet dhe dëshirat për të nesërmen e
pasluftës. Dhe pas gjithë kësaj, pikërisht nga mua,me dorën time, një plumb pas
qafe! Më dhanë revolverin. Më thanë se ishte detyrë partie e më besohej si
komunist. Për mos plotësimin e porosisë,( që s’ma thanë se cila ishte), përgjigjesha
me jetë! E cilë pa? Këtë urdhëresë mizore, vendimin gjakatar, që pa e ditur, e mbajta
si gjarprin në gji, gjithë kësaj rruge.”
U
lehtësua nga armët dhe lau nga duart gjakun e mpiksur që kishte rrjedhur nga
plaga e shokut. Goja i ishte bërë shkrumb, pështyma lak e hidhësirë. Gropëzoi duart dhe shoi etjen si i limaksur e
më pas i hodhi fytyrës disa grushte uji
që ishte akull i ftohtë. Shikimi iu kthjellua, por jo mendja. Pyeti veten: e si mund të vritet njeriu kësisoj,
në lule të moshës, pa hetuar, pa dëshmitarë, pa gjyq, mbase nga një shpifje
keqdashëse ,thashethem, një paragjykim nga cmira apo zilia, apo gabim i
papërgjegjshëm që pranon të pavërtetat si të vërteta? E pse i kemi rrëmbyer armët
dhe kemi marrë malet,që të luftojmë armikun që na ka zaptuar vendin dhe idealet
e lirisë, apo për të vrarë shoshoqin mbase për një dyshim? Ah jo, kjo është
mizore, e pa pranueshme.Nga sa u njohëm kam bindje se ai nuk ishte i tillë. Po
a mundet që unë ta vrisja shokun me atë “Plumb pas qafe”? Urdhëri urdhër,
detyra detyrë, disiplina-disipline, pa asnjë hezitim, zbatimi i detyruar.Bindje
e verbër.Të tilla qënkan ligjet e pashkruara të luftës. Nëse do ta bëja, në
fund të kësaj udhe, në sofatin e kësaj çesme do të kishte dy të vdekur, njeri
me plumb pas qafe dhe tjetri me plumb në gojë! Eh,ç’mjerim. Kam dëgjuar të thonë
: jo çdo e keqe vjen për keq. Ai plumb që
u shkreh nga një dorë e huaj tradhëtare, që i mori jetën shokut tim, më shpëtoi
nga ajo detyrë e mynxyrshme vdektare. Gjithsesi, shokut i mori jetën, mua më
vrau zemër e shpirt.
E
teksa Petriti mëndje mjegulluar, i tronditur, përsillte mendime dhe arsyetime kësisoj,
në çesmë erdhën dy gra me bucela për të mbushur ujë. Nga ajo që panë u shtangën
dhe bënë të friguara hapa prapa, por pa ia shqitur sytë trupit të pajetë dhe
atij tjetrit të armatosur por që dukej si i çakërdisur dhe humbameno.
-Ejani,
mos u trembni. Nuk u bëj keq. Jam partizan.
Ato
nganë përpara dhe u afruan. Më e vjetra, në mesmoshe, veshur me të zeza, pyeti:
-Është
shoku yt,ka vdekur, bën ta shoh? Petriti pohoi pa fjalë duke ulur kryet.
Gruaja
e veshur me të zeza, ngriti kapotën dhe zbuloi kryet e të pajetit.E tronditi
ajo që pa.
-I
bukuri i nënës, si nuse e shkruar, duket sikur fle. Ku u gjend ai plumb i zi
pwr ty o bir?! Mjerë ajo se ç’mandatë do të marrë, do t’i përvëlohet shpirti,
do të vajtojë me ligje pa të parë me sy. - tha dhe hoqi nga koka shaminë e i
lidhi buzën, se goja i kishte mbetur paksa e hapur nga heqja kur kishte dhënë
shpirt. -Do t’a ngremë e marrim në
fshat, ta qajmë me vaje e gjëmë do ta varrosim si të ishte djali ynë, djali i gjithë
nënave.
-Lajmëroni
komandantin e çetës partizane përsa patë dhe thojini që e pres këtu.
Të
dyja grate, mbushën bucelat dhe u larguan duke marrë me vete edhe rëndesën e
lajmit të kobshëm.
***
Petriti,
dorzoi zarfin sekret komandantit të çetës së Lajthizës dhe rrëfeu gjithçka
kishte ndodhur, por pa dënimin me vdekje të shokut.
Trupin
e pajetë të Studentit e varrosën me nderim në varrezat e fshatit. Kur e zbritën
në varr, skuadra pushkatare zbrazi një batare.
Toka
u trand. Një re klimtare derdhi mbi varr lote shiu. Atë për ta dalluar nga të
tjerët, e quajtën Varri i Partizanit.
Petriti
nuk u kthye më në çetën e tij, qëndroi në atë të Lajthizës dhe luftoi deri në
çlirimin e vëndit edhe si hakmarrje dhe peng për jetën e shokut. Për amanetin,
që thonë se tret as dheu, ai shkoi dhe takoi prindërit e Studentit. U tha fjalët
e tij të fundit dhe sesi kishte dhënë
shpirt në krahët e tij dhe ku gjendej varri.
Tiranë, janar-maj 2024.