Kerko: Resmi Osmani
Resmi Osmani: Fjalë lamtumire për Prof. Dr. Andrea Shundin
E premte, 03.05.2024, 07:58 PM
Fjalë lamtumire për Prof. Dr. Andrea Shundin
Nga
Prof. Dr. Resmi Osmani
Më
30 prill në Amerikë, Washington Dc. Në moshën nëntëdhjet vjeçare u nda nga jeta
Prof. dr. Andrea Shundi. Personalitet i shquar i shkencës bujqësore shqiptare.
Lajmin tronditës e dha familja në fb. Lajm i hidhur,për gjithë ne të njohurit,
shokët, miqtë dhe bashkpuntorët e tij të shumtë në trojet ku jetojnë shqiptarët.
Kam
qënë i nderuar të gëzoja miqësinë e tij, që zinte fill në kohë të hershme, por
që u bë më e afërt pas viteve dymijë. Edhe pse i emigruar në Amerikë, këmbenim
mesazhe. I fundit ka qënë ai për urimet e vitit të ri 2024.
Unë:
I dashur Andrea, gëzuar e përshumëvjet
Vitin e Ri 2024. Urimet e mia më të mira për ju dhe Familjen.Shëndet, jetë të
gjatë, mirësi dhe krijimtari të begatë. Miqësisht Resmiu.Tiranë më 31.12.2023.
Andrea: Resmi i dashur.
Falënderime nga zemra, duke u bashkuar për çka më uron, që të takojnë edhe ty.
Në fund të marsit do të vij në Tiranë dhe uroj të takohemi si përherë. Me mall,
Andrea.31.12.2023.
Edhe
pse i emigruar në Amerikë, ai kthehej në Tiranë çdo pranverë, tok me dallëndyshet,
në shtëpinë errugës Myslim Shyri, që e kishte ruajtur. Mes shumë angazhimeve që
i mbushnin kohën, ai gjente kohë edhe për mua dhe më telefononte për të më thënë
që kishte ardhur dhe mund të takoheshim. Për mua ishte një rast i shumëpritur për
tu shmallur biseduar dhe shkëmbyer mendime. I saktë në orën që kishim lënë , ai
shfaqej në këmbësoren e rrugës Myslym Shyri, nën hijen e rrapeve, shtatlartë,sportiv
i hijshëm, i qeshur. Përqafoheshim dhe pastaj uleshim ne një nga lokalet e
shumtë të asaj rruge. Shkëmbenim librat e fundit dhe biseda rridhte e shtruar,me
zërin e qetë e të rrjedhshëm, e këndshme,
elokuente, me mendimin e tij të mënçur për projektet dhe planet krijuese, për
udhëtimet, takimet e shumta me shokë e kolegë. Për mbresat e udhëtimeve te Arbëreshët
e Italisë, Arvanitët e Greqisë, për vreshtarinë dhe verëtarinë e Rahovecit të
Kosovës, në Tuz të Malit të Zi, për kantinat, vreshtat dhe verëtarinë
shqiptare, vendet që ai kishte shkelur,brenda dhe jashtw vendit, ku ashtu si
bleta punëtore mblidhte nektarin e traditës vreshtare nga thesari i praktikës
dhe përvojës në gjithë trojet ku jetojnë shqiptarët, për ti përfshirë në librat
e tij enciklopedikë. Nga prof. Andrea kisha gjithmonë çfarë të mësoja.
Ndaheshim me premtimin për tu ritakuar.Me gjithë afrinë në moshë, e konsideroja
si një nga mësuesit e mi.
E
prita edhe këtë fundmarsi, por s’qe e thënë. Ishte nisur për tjetër rrugë, atë
të amshimit. Na iku Andrea, por si Andrea s’ka të tjerë!
Për
të njohurit, dhe ata që dëshirojnë të dinë më shumë për këtë personalitet dhe
veprimtar të shquar të shkencës bujqësore shqiptare dhe jetës e veprimtarisë
akademike, po bëj një parashtresë të shkurtër të jetës dhe veprës së Tij.
Prof.Andrea
Shundi u lind në Tiranë më 15 nëntor 1934. Pas përfundimit të gjimnazit në
qytetin e lindjes, kreu studimet për agronomi në Institutin e Lartë Bujqësor që
sapo ishte hapur ato vite.U diplomua agronom në vitin 1956. Ishte brezi i dytë i
të diplomuarve të atij instituti. U emërua kërkues shkencor në Institutin e Kërkimeve
Bujqësore në Lushnje, në vitet 1956-1960. Në vitet 1960-1962, kryeagronom në
kooperativën bujqësore të Krutjes dhe më pas, për dy vjet përgjegjës i seksionit
të bujqësisë në Lushnje. Në vitet 1964-1975 drejtor i prodhimit bujqësor dhe kërkimit
shkencor në Ministrinë e Bujqësisë,1975-1976 përgjegjës i seksionit të bujqësisë
Kukës, 1976-1980, drejtor I drejtorisë së farërave,Tiranë; 1980-1992 profesor
dhe dekan i fakultetit të agronomisë në Universitetin Bujqësor të Tiranës;
1994-1998,sekretar shkencor i seksionit të shkencave natyrore dhe teknike të
Akademisë së Shkencave dhe kryeredaktor i revistës”AJNTS” në anglisht. Më 1998
emigroi në Amerikë deri sa u nda nga jeta.
Siç
shihet, gjysmën e jetës aktive, prof.Shundi e kishte të ndërlidhur me
veprimtarinë në institucione shkencore dhe pjesën tjetër me detyra administrative
dhe drejtuese. Kësaj periudhe i takojnë studimet kryesisht për bimët foragjere,
bashkrendimit të kulturave bujqësore, bashkëshoqërimit të kulturave bujqësore,
koefiçentit të përdorimit të tokës bujqësore dhe sistemimit,bimët foragjere të
klimës së ftohtë , etj.Në gjithë këto studime, jepen zgjidhje shkencore dhe
tekniko-praktike të zbatueshme për sigurimin e bazës ushqimore , konvejerin e
gjelbër të ushqimit të blegtorisë në kushtet e bujqësisë shqiptare, të atyre
viteve, që kanë vlerë edhe sot.
Pas
viteve 2000, prof Andrea iu përkushtua veprave madhore. Librave: “Bujqësia dhe
veprimi agronomik në trojet shqiptare”2001, “Historia e bujqësisë dhe
agroindustrisë shqiptare” 2003;”Jetë agronomike”2004 ku paraqitet historia e
bujqësisë shqiptare në gjysmën e dytë të shekullit të 20-të. Në vitet
2001-2010, ju përkushtua një pasioni të hershëm: studimeve dhe hulumtimeve për
vreshtarinë dhe verëtarinë në trojet ku jetojnë shqiptarët. Fryt i kësaj pune
janë gjashtë vepra madhore që i japin atij vendin e një figure qëndrore në fushën
e vreshtarisë dhe verëtarisë.
Veprimtarisë
së Prof. Shundit i takojnë organizimi dhe drejtimi i konferencave shkencore, ndër
to duhen përmendur ”Konferenca kombëtare e shkencave bujqësore” së toku me
Prof.Mentor Përmetin,”Bujqësia në zhvillimet e reja ekonomike”1991. Organizator
i njëmbëdhjetë konferencave shkencore për vitikulturën dhe verëtarinë në Shqipëri
dhe Kosovë(Rahovec ) dhe më 2022 simpoziumin ”Dhjetë verërat lokale të shqipërisë
dhe kosovës”
Prof,
Shundi ka qënë pjestar i delegacioneve dhe përfaqësues i Shqipërisë në kongrese
dhe konferenca ndërkombëtare, me një shtrirje të gjerë gjeografike ku ka
referuar dhe paraqitur arritjet shkencore të bujqësisë së vendit tonë. Në pesë
konferenca të FAO(1983-1987), dhe nga viti 1992-199 në konferenca shkencore në
Itali,Sllovaki, Francë, Zelandën e Re,Greqi,SHBA, Australi, Portugali etj.
Ka
mbajtur ligjërata në universitetet e Viterbos dhe Potencës në Itali dhe
Selanikut në Greqi. Është kumtues në 34 kuvende shkencore nga të cilat 18 ndërkombëtare,
pjesëmarrës në 17 studime dhe projekte kombëtare. Vlerësim i dijeve dhe
erudicionit të tij, ishte antarësimi në bordet shkencore dhe botuese të
universiteteve dhe institutive kërkimore shkencore dhe antarësia në bordin e
“Komitetit të shkencës dhe teknikës” 1990-1992.
Prof
Shundi, gjithë pervojën,arritjet shkencore, studimet dhe hulumtimet i ka
publikuar dhe botuar në 45 libra dhe tekste, që po t’i përmendja këtu do të bëhesh
një listë e gjatë, me vëllim mbi 10 mijë faqe, 27 artikuj shkencorë,128 artikuj
teknikë. Opusi I veprave të tij përbën një bibliotekë të plotë. Ajo që bie në
sy kur lexohen librat e tij është kujdesi për gjuhën, pastërtinë e fjalëve,
termave dhe fjalëformimi nga trupi i shqipes. Janë me dhjetra e qindra fjalë
burimore që i japin kuptim dhe bukuri leksikore librave të tij, një puritanizëm
dhe pastërti gjuhësore për tu patur si shembull nga gjithë shkruesit. Ai na ka
lënë pas një vepër nga e cila mund të mësohet dhe që për vlerat e saj do t’i qëndrojë
gjatë kohës
Prof.
Andrea do t’i mungojë familjes dhe gjithë
neve që e kemi njohur dhe bashkpunuar, por Ai me veprën dhe jetën e tij, do të
mbetet një nga emrat më të nderuar të agronomisë shqiptare dhe shëmbull për të
rinjtë që do ti përkushtohen prodhimit dhe shkencës bujqësore.
Tiranë, më 3.5.2024