E hene, 27.05.2024, 08:32 AM (GMT+1)

Kulturë

Shefqet Xh. Hysa: Legjenda e thesarit të Gradishtës në Dumre

E hene, 26.06.2023, 09:28 PM


LEGJENDA E THESARIT TË GRADISHTËS NË DUMRE

Nga Shefqet Xh. Hysa

Çdo udhëtar që udhëton drejt Belshit ndalon i mahnitur para Gradishtës (Qytezë) një kodër e lartë, e cila ngjason si një kurrizi i përthyer, për së gjati Lindje-Perëndim. Gradishta lidh të sotshmen me të kaluarën mitike; një histori e mbetur legjendë.

Në perëndim të Gradishtës duket shenja e një të çarë shpelle. Dera e Sinanit njihet edhe sot nga banorët. Legjenda tregon se kjo derë hynte thellë si një tunel dhe kishte dalje në anën tjetër; në lindje të kësaj kodre. Një bujk i varfër nga fisi Cili, thotë legjenda, po punonte në arën e tij diku afër për të mbjellë misër. Mund të ketë qenë muaji maj. Qetë i ngacmon Zangali (disa e quajnë zekth, një lloj insekti që pickon kafshët në verë, sidomos qetë e lopët). Ky insekt i vogël fluturues, me thumbin e tij shkakton dhimbje të forta dhe kafsha vrapon nga të mundet për t’iu larguar rrezikut. Bujkut i ikin qetë me vrap me gjithë parmendë, për më afër e të sigurtë gjejnë“Derën e Sinanit”. Bujku i ndjek nga pas dhe shkon për t’i marrë. Kur futet në derë, ç`të shikonte?! Qetë qëndronin mbi një masë flori. Ai futet brenda për t’i nxjerrë nga aty, por nga brenda tunelit një zë plaku i thotë:

Lëri qetë aty e merr flori sa të dëshirosh dhe largohu por bujku nuk pranon. Ai i thotë se do të marr qetë të mbillte misër si gjithë bashkëfshatarët. Kur del afër derës, plaku i thotë bujkut të shkundë opingat, se kanë flori brenda. I shkund opingat nga floriri i mbetur nëpër to dhe largohet me qetë e vet për të mbjellë misër.

Kjo legjendë duke kaluar gojë më gojë e brez pas brezi, ka tërhequr vëmendjen e shumë kureshtarëve; deri në kërkime të vazhdueshme (me mënyrat e tyre) për të gjetur thesarin edhe pse ishte i ndaluar çdo lloj punimi në të, (i mbrojtur nga shteti si monument kulture i kategorisë së Parë).

Para disa viteve thonë, se e kanë kërkuar edhe italianët këtë kodër, me gjasa për të marrë gipsin që gjendet sheshit këtu. Qeveria e asaj kohe nuk e ka pranuar kërkesën, pasi mbrohej si Monument i Lashtësisë. Më vonë ushtria jonë, me leje a pa leje, bëri punime për ngritjen e një qendre kundraajrore për Dumrenë (ndoshta edhe ideja e floririt, pasi punime të tilla për mbrojtjen u bënë edhe në kodra të tjera me histori kishash e vendbanime të hershme). Hapën këtu dy-tri gropa të mëdha e të thella mbi katër metra për ndërtimin e kapanoneve e depove, por edhe këta nuk arritën te tuneli, ndoshta gjendej më thellë, por mundet edhe të jetë shembur nga erozioni e fenomeni karstit që ka qenë gjithmonë aktiv në Dumre; sidomos Kodra e Gradishtës, që është e tëra gips dhe plot guva. Gjatë punimeve ushtarake që u kryen nga ushtarë e rezevistët u gjendën objekte e fragmente arkeologjike, nga të cilat një pjesë u dorëzuan, por pati edhe shumë dëmtime e shpërdorime. Gjithsesi Dera e Sinanit, deri sot ka mbetur vetëm legjendë, së bashku me misterin përreth.

Gërmimet arkeologjike të bëra në 1969, 1973-1974 në Gradishtë, nga Instituti  i Historisë dhe ai i Monumenteve të Kulturës, në bashkëpunim me Muzeun e Elbasanit e dëshmojne si vendbanim Ilir të Periudhës së Mesme të Bronxit, që u zhvillua pa ndërprerje në fazat e hershme të Epokes së Hekurit.

Arkeologu Neritan Ceka në librin e tij “Iliria” thekson: ”... në Gradishtë të Belshit, jeta qytetare ka nisur rreth shekullit VI Para Krishtit dhe ishte qendër protourbane, ndërsa në shekullin IV-I Para Krishtit, u kthye në një qytezë të fortifikuar të krahinës së Parthinëve. Vazhdoi si qendër banimi edhe gjatë shekullit I-VI Pas Krishtit, duke pasur zhvillim, për arsye se ndodhej pranë degës së rrugës Egnatia, që vinte Apolonia.”

Në rrafshin perëndimor të Gradishtës (me hapjen e një grope të madhe me sipërfaqe 150 metra katrorë dhe thellësi 3, 5 m) u zbuluan shtresa e nënshtresa banimi prehistorike dhe paraqytetare, që përkojnë ndërmjet shekujve XI-X para lindjes së Krishtit. Po aty afër ka pasur rrënoja banimi të hershme, (“kamare”gurësh) copa tjegullash të madhësive të mëdha që sot njihet nga banorët si: ‘’Ara e Kamares”. Jo vetëm kaq, por pikërisht këtu u gjetëm, sopata e çekan guri, heshta të vogla, etj, të cilat dëshmojnë se ishte vendbanim i madh.

Nga punimet në nekropolin e Gradishtës (në hapjen e disa varreve të lashta) u zbulua edhe varri i një princi të gjysmës së shekullit IV (mbreti ilir Belsius rreth 350-vjet para Krishtit) ku u gjetën mjaft objekte të përdorimit vetiak. Jo vetëm kaq, por pikërisht këtu janë gjetur enë, stoli bronxi e argjendi (vathë, karfica, unaza, byzylyqe, gjerdanë ), etj, që i përkasin periudhave të hershme. Ato si gjetje të rastit është vështirë për të përcaktuar moshën e tyre, por që tregojnë zhvillimin e qendrave të tilla, të cilat kanë humbur shkëlqimin më vonë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora