Mendime
Albert Zholi: Gëzim Tushi - Përgjegjëse për emigracionin masiv është politika e mbrapshtë
E marte, 20.06.2023, 07:55 PM
Flet “Mjeshtri i Madh” Gëzim Tushi: Përgjegjëse për emigracionin masiv është politika e mbrapshtë, indiferente 33-vjeçare
- Të mos harrojmë që tre dekada më
parë kemi qënë vendi me popullsisnë më të re në moshë 27 vjeç dhe tani 38.2
vjeç,
-
30 vjet më parë kemi patur rreth 1 milion fëmijë të moshës shkollore e sot kemi
450 mijë, që kishim 2.3 fëmijë për grua dhe tani vetëm 1.3 fëmijë për grua.
-Nuk
mund të jesh i qetë kur statistikat flasin se vetëm në vitin 2022 kanë kërkuar
vetëm azil politik në vendet e BE gati 32 mijë vetë.
- Pesha kryesore e përgjegjësisë për
emigarcionin bie mbi klasën politike, menaxhuese e administruese e punëve në
këtë vend
-Emigracioni
nuk është bërë proces i “diagnostikuar” me përgjegjësi politike, sociale,
ekonomike, kulturore e patriotike.
-
Debati për emigracionin në parlament ka degjeneruar në “betejë ulërimash”, ku
asnjëra palë nuk ka dëgjuar argumentet e tjetrës.
-
Emigracioni, është kthyer në një “plagë sociale” komplekse shumë dimensionale,
me pasoja për të sotmen dhe të nesërmen e vendit.
-
Shqipëria po plaket dhe në këtë proces demografik emigracioni ka pjesën e vet
në shfaqjen e “defiçitit demografik”.
-Kohët
e fundit janë shtuar rastet e korrupsionit dhe kjo tregon se disa politikanë
qëndrorë dhe vendorë janë drejt degradimit.
-Nuk
janë qytetarët cinikë dhe xhelozë me politikanët, por janë politikanët cinikë,
mosmirënjohës dhe indiferentë ndaj problemeve të qytetarëve
-
Përkundrazi ata i respektojnë politikanët me dinjitet, integritet moral dhe
personalitet public.
-
Shumë politikanë nuk janë në gjëndje të kuptojnë pasojat sociale të sjelljes së
tyre, pengesat që i krijojnë zhvillimit të demokracisë, ekonomisë, rendit
social.
Intervistoi:
Albert Z. ZHOLI
Problemet
e shoqërisë shqiptare janë të shumta. Por sipas specialistit Tushi shumë
probleme shqiptare vijnë nga politika e mbrapshtë shqiptare. Si një ndër
socialogët më në zë shqiptar të viteve të fundit Tushi gjithmonë me guxim dhe
me fakte sjell përpara publikut ato çka e shqetësojnë më shumë shoqërinë
shqiptare dhe madje jep dhe rrugët e shërimit ndaj këtyre problemeve. Sigurisht
një ndër problemet më të shumta është emigracioni, niveli i ulët i përfaqëimit
të deputetëve, mangësia e formimit të tyre por dhe vendosje apo afrimi në
politikë e “të fortëve” në shoqëri kur bota e qytetëruar preferon dhe
propogandon intelektualët më të mirë. Pra këto do jenë disa nga problemet që do
lexoni në këtë intervistë…
Pyetje:
Emigracioni masiv i shqiptarëve ndaj vendeve perëndimore nuk ka të ndalur. A ka
kush përgjegjësi për këtë situatë që nuk ndodh në asnjë vend tjetër të
Ballkanit?
Patjetër
që dikush apo shumëkush kanë përgjegjësi politike, morale apo pse jo edhe të
personalizuar. Besoj se pesha kryesore e kësaj përgjegjësie bie mbi klasën
politike, menaxhuese e administruese të punëve në këtë vend. Të dy palët:
pozita dhe opozita. Me vjen keq ta them, por debati për emigracionin asnjëherë
nuk është bërë proces i “diagnostikuar” me përgjegjësi politike, sociale,
ekonomike, kulturore e patriotike, duke “skanuar” ontologjikisht shkaqet
objektive dhe subjektive të këtij fenomeni. Ka munguar një strategji “prej
vërteti” që të jetë politikisht e arsyeshme dhe konsensuale. Shpesh në
Parlament edhe kur është bërë ndonjë diskutim, ai ka qënë periferik. Më së
shumti debati ka degjeneruar në “betejë ulërimash”, ku asnjëra palë nuk ka
dëgjuar argumentet e tjetrës. Koha kërkon ndërhyrje të shpejta, strategji
integruese, afatshkurtra, afatmesme e afatgjata. Ndryshe situata mund të bëhet
akoma më problematike. Padyshim emigracioni, të paktën në përmasat, që
zhvillohet dhe dimensionin social dhe demografik që ka marrë është kthyer në
një “plagë sociale” komplekse shumë dimensionale, me pasoja për të sotmen dhe
të nesërmen e vendit, ekonomisë, zhvillimit kulturor dhe popullsisë në vendin
tonë. Nuk jemi objektivë nëse nuk pranojmë që largimet e njerëzve nga vendi ka
arsyet e veta. Duhen bërë sa më shpejt të jetë e mundur diagnostikime të
diferencuara të këtyre shkaqeve dhe jo thjesht slogane politike, që vetëm e
justifikojnë këtë realitet. Largimi i njerëzve, sidomos i të rinjve nga vendi
është një “lajm i keq”. Padyshim duket se papunësia dhe emigracioni janë dukuri
sociale të lidhura me mirëqenien dhe plotësimin e nevojave bazike e humane. Ai
më së shumti ka qenë një histori e dhimbshme individuale, sociale dhe tani edhe
demografike, të cilën politika shqiptare nuk ka mundur ta “diagnostikojë” dhe
pastaj edhe të mund ta shërojë. Dështimi i politikave për demotivimin e
emigracionit, është një nga shkaqet e “thyerjes së besimit” midis elektoratit
dhe politikës. Kanë kaluar tre dekada dhe akoma politika e pozitës dhe opozitës
për emigracionin ose ka mbetur në “ajër”, ose është kthyer në një lloj
përgjegjësie “pluskuese” ose e shpërndarë dhe thjesht për efekte politike dhe
përllogaritje elektorale të rradhës. Nivele të tilla emigracioni mund të jenë
të “justifikuara” kur ka situatë lufte apo fatkeqësi të rënda natyrore e
mjedisore. Për fat ne nuk kemi asnjërën prej tyre.
Nuk
janë të mjaftueshme sloganet justifikuese apo deklaratat e njëanshme, që duan
thjesht ta barazojnë këtë dukuri me pasoja vetëm me sintagmën demokratike të të
drejtave të njeriut. Po kjo është e vërtetë që jetojmë në një botë me treg të
globalizuar dhe njeriu ka të drejtë të jetojë dhe punojë kudo. Por nga ana
tjetër po përballemi me shqetësime serioze sikurse janë plakja e popullsisë,
largimi i të rinjve, tkurrja e tregut të punës apo mungesa e profesionistëve të
caktuar. Nuk mund të jesh i qetë kur statistikat flasin se vetëm në vitin 2022
kanë kërkuar vetëm azil politik në vendet e BE gati 32 mijë vetë, apo që jemi
vendi që kemi rritmet më të larta të plakjes së popullsisë. Dhe të mos harrojmë
që tre dekada më parë kemi qënë vendi me popullsinë më të re në moshë 27 vjeç
dhe tani 38.2 vjeç, që kemi patur rreth 1 milion fëmijë të moshës shkollore e
sot kemi 450 mijë, që kishim 2.3 fëmijë për grua dhe tani vetëm 1.3 fëmijë për
grua.
Shqipëria
po plaket dhe në këtë proces demografik emigracioni ka pjesën e vet në shfaqjen
e “defiçitit demografik”.
Nga
ana tjetër, nëse do vazhdojme këto ritme rënia e lindshmërisë dhe vazhdimi i
pandalshëm i emigracionit, atëherë jo vetëm shoqëria shqiptare do plaket dhe do
bëhet shoqëri me “flokë të bardha”, por do detyrohemi të mendojmë për të
importuar nga jashtë brezin e ri. Gjithashtu do agravohen problemet, që kanë të
bëjnë me nevojat e tregut të punës si dhe sistemet kryesore të mbrojtjes dhe
kujdesit social. Kjo besoj është arsyeja pse duket qartë pse preferencat e
njerëzve që duan të ikin dhe të emigrojnë, janë të ndryshme nga preferencat dhe
deklaratat qeveritare. Nëse ato nuk përputhen ekuacioni nuk ka zgjidhje. Zgjidhja
kërkon që shoqëria dhe ekonomia shqiptare të ketë ritme më të larta zhvillimi
përmes një lëvizjeje më të shpejtë dhe cilësore në të gjitha fushat e jetës.
Nuk
mund të ndalet emigrimi pa vendosur në shina të sigurta “trenin” e shtetit
ligjor, pa garantuar reformën në drejtësi dhe besimin në sistemin gjyqësor.
Është ultimative rritja tek njerëzit tanë i kuotës së besimit se në këtë vend
do ketë drejtësi sociale, system meritokratik vlerash dhe jo deformacione
nepotike. Duhet medoemos një përqëndrim më i fortë në goditjen e korrupsionit.
Sidomos në politikë dhe administratën publike. Nuk mban më koha pa realizuar
rregullimin e raporteve të tregut të punës me reformën universitare, në mënyrë
që të zbutet fenomeni i zgjeruar i “proletariatit të të diplomuarve”, që
mbarojnë shkolla duke mbetur jashtë tregut të punës. Doemos edhe media duhet të
zbutë tonet nihiliste e denigruese ndaj realitetit tonë, duke krijuar dhe
ushqyer sintagmën se “ky vend nuk bëhet” apo se “duhet ikur nga ky vend”.
Përmirësimi i cilësisë së shërbimeve mjekësore, urbane, sociale e mjedisore,
është konditë ‘sine qua non’ për të ndryshuar imazhin dhe realitetin e vendit
tonë. Vendi ynë dhe të rinjtë tanë nuk kanë nevojë për “ilaçe mediatike”, që
ushqejnë mosbesim dhe pesimizëm.
Cilët
janë faktorët kryesorë të këtij emigrimi edhe pas 33 vitesh?
Në
mënyrë sintetike besoj se faktorët e këtij emigracioni me përmasa paradoksale
janë dy. Në një optikë filozofike, mund të themi se njëri është faktori
subjektiv individual, që lidhet me pakënaqësinë, mungesën e shpresës, padurimin
dhe iluzionet e krijuara nga situata. Dhe faktori i dytë lidhet me situatën
ekonomike e sociale brenda vendit. Më saktë ndër dy faktorët, njëri është i
brendshëm dhe ka lidhje me varfërinë ende të lartë, papunësinë e padominuar,
tranzicionin e zgjatur, nivelin akoma jo të kënaqshëm të shërbimeve sociale,
shëndetësore e arsimore. Shqiptarët janë europianë dhe besojnë se Europa është
edhe “shtëpia e tyre”, prandaj po shfaqin një ndjenjë të natyrshme padurimi për
të ecur akoma me shpejtësinë e “trenit të ngadaltë” të tranzicionit 30 vjeçar.
Padyshim
në këtë tendencë eruptive të emigrimit kanë ndikimin e tyre edhe situatat
sociale që zhvillohen në vendin tonë, sikurse janë niveli i lartë i krimit,
neurotizmi social, dhuna e zgjeruar në familje dhe jetën publike, nivelet
shqetësuese të korrupsionit zyrtar, avashllëku dhe burokracia e zgjeruar e
administratës publike dhe plot faktorë të tjerë strukturorë e infrastrukturorë.
Faktori
i dytë është diferenca e dukshme e standarteve dhe nivelit të jetës në vendet e
perëndimit. “Magneti” i Perëndimit është tejet atraktiv me praninë e shtetit të
mirëqenies sociale, standartin e jetës dhe cilësinë e lartë të shërbimeve
shëndetësore, arsimore si dhe statusin përgjithësisht të shoqërisë paqësore e
mikpritëse.
Nga
ana tjetër duhet parë realiteti matanë atdheut, sepse sigurisht jo të gjithë
shqiptarët që emigrojnë kanë fat në procesin e ndërlikuar të adoptimit me
realitetet në emigracion apo me sfidat e vështira të nacionalizimit dhe fitimit
të statusit të qytetarit të barabartë në vendet ku emigrojnë. Një pjesë prej
emigrantëve tanë bëjnë kompromise të detyruara dhe “adoptohen” me ndryshime
drastike të statusit, që kanë patur në vendin e tyre. Kjo do të thotë se shpesh
edhe intelektualë me status të përcaktuar si inxhinier, mjek, mësues, pedagog,
aktor apo regjisor jo gjithmonë kanë shansin të ushtrojnë profesionin e tyre.
Studimet tregojnë se kur emigrojnë përgjithësisht njerëzit bien dy ose tre
gradë në shkallën sociale. Ndërkaq është e njohur trajektorja apo kurba
zhgënjyese dhe dezilonuese e emigrantit: Ikën nga Shqipëria i mërzitur nga
vështirësistë e jetës dhe shpesh i zhgënjyer edhe nga realitetet e vështira të
emigracionit me dëshirë rikthehen në atdhe, me shpresën se gjërat do jenë
përmirësuar, se sistemi i vlerës dhe meritës do jetë efektiv, se cilësia e
shërbimeve sociale, shëndetësore e arsimore do jetë përmirësuar. Por kur
shikojnë se gjërat nuk janë aty ku ata besojnë se duhet të jenë, bëjnë përsëri
gati “valixhen e emigrantit” dhe largohen përsëdyti. Ndoshta këtë herë dhe
përfundimisht.
Është
me rëndësi të dorës së parë që politika dhe ata që janë në “bordin e shoqërisë”
të shtojnë përpjekjet dhe të ndërtojnë strategji më të akseleruara për të
rritur “kapacitetin riadoptues” të vendit për të pritur emigrantët e
riatdhesuar. Emigracioni në Europë po kalon krizat e veta, të cilën po e
përjetojnë edhe njerëzit tanë. Në këto kushte është e pritshme të kemi edhe
procese irreversibile të rikthimeve dhe riatdhesimit të njerëzve tanë në atdhe.
Por kjo kërkon politika për krijimin e kushteve të procesit të “vetabsorbimit”
të tyre në tregun e punës dhe shërbimeve.
Nga
politikanët shqiptarë por edhe nga drejtuesit vendor shohim herë pas here skandale,
si korrupsion masiv, paaftësi por edhe skena rozë. Cilat janë arsyet që
politikanët tanë kanë gjithmonë tendenca të tilla ndryshe nga të gjitha vendet
e botës?
Padyshim,
kohët e fundit janë shtuar faktet që tregojnë se është agravuar situata e raporteve
që kanë politikanët tanë me pasurinë dhe paranë. Këto që po dalin në evidencë
apo që po dëgjojmë për raportet e tyre korruptive, mesiguri që janë vetëm maja
e ajsbergut të asaj që fshihet apo që akoma nuk duket. Kjo është arsyeja pse ka
një “rënie në pikiatë” të besueshmërisë dhe kredditeve të politikanëve tanë në
jetën e sotme politike dhe publike.
Kohët
e fundit janë shtuar rastet e korrupsionit (të atyre që janë kapur apo
evidentuar) dhe kjo tregon se disa politikanë qëndrorë dhe vendorë janë drejt
degradimit. Nuk janë qytetarët cinikë dhe xhelozë me politikanët. Përkundrazi
ata i respektojnë politikanët me dinjitet, integritet moral dhe personalitet
publik. Ata që kanë kulturën e duhur, që dinë të kombinojnë dijen dhe
profesionalizmin me forcën e debatit dhe sjelljen e matur qytetare. Për fat të
keq po shtohen gjithashtu politiksanët të cilët kur korruptohen apo “humbasin”
sjelljen morale, doemos që bëhen dhe duhet të bëhet të “pa mbrojtur” përballë
ligjit dhe gjykimit të opinionit publik.
Unë
jam i bindur që shumë politikanë nuk janë në gjëndje të kuptojnë pasojat
sociale të sjelljes së tyre, pengesat që i krijojnë zhvillimit të demokracisë,
ekonomisë, rendit social në vendit tonë. Ka një të vërtetë universale të
“diagnostikur” me kohë. Kur në demokraci tronditet rendi social, si rregull
shkaku është se “politikanët kanë filluar të mendojnë vetëm për vete”. Kjo do
të thotë se është e nevojshme që si qytetarë dhe popull europian, duhet të jemi
më kritikë, kërkues dhe përzgjedhës, për të përcaktuar më mirë “statusin e
duhur” të njerëzve për të cilët politika shqiptare ka nevojë.
Padyshim
kohët e fundit kanë ndodhur disa ngjarje të rënda e skandaloze, moralisht të
papranueshme që kanë vënë në diskutim raportet e politikës dhe politikanëve
tanë me normat e moralit shoqëror dhe qëndrimi që duhet mbajtur ndaj atyre që
abuzojnë me pushtetin dhe shpërdorojnë postin, detyrën dhe vlerat morale të
shoqërisë. Besoj se partitë politike dhe liderët e tyre (ka një proces të
liderizimit të partive politike,) duhet ta mbajnë sa më larg partinë dhe
pushtetin nga miqtë, mikeshat dhe shokët personal. Ndryshe degradimi politik
dhe cilësia e ulur e politikanëve dhe nëpunësve të shtetit do vazhdojë të jetë
kreshendo. Dikush do të duhet të mbajë përgjegjësi fjala vjen, për faktin që
shumë shpesh në nivelet e larta, të mesme e të ulta të administratës publike
kemi të përkrahur dhe ndeshemi rëndom me dy kategori njerëzish që i sjell klasa
politike: Nganjëherë përmallemi me aparatçikë mediokër dhe nëpunës të nivelit
të ulët dhe në raste të tjera, me ndonjë nëpuëns të ditur por të korruptuar.
Kjo është arsyeja pse në administratë për shkak të “garancive ekstra” që vijnë
nga politika dhe politikanët, po shtohen nëpunësit e papërgjegjëshëm apo të
korruptuar, që shkelin ligjet dhe legalizojnë “sjelljen e paligjshme”. Kjo
është arsyeja që si kurrë më parë në opinionin publik janë shtuar pikëpyetjet
për kompetencat, vlerat dhe integritetin e klasës politike dhe administratës
aktuale.
Si
në zgjedhjet vendore po ashtu edhe në zgjedhjet parlamentare vihet re që
partitë politike promovojnë njerëz të fortë, të pasur por aspak të ditur.
Arsyeja?
Unë
gjithnjë e kam evidentuar në librat që kam shkruar për politikën dhe
politikanët siç janë “Arsyetime politike”, “Kur flasim për politikën”, “Politika
dhe qytetari” apo “Politika Fatalitet i Kohës”, se në mënyrë të determinuar
zgjidhja e duhur e problemeve politike është e lidhur pa asnjë diskutim, më së
pari me cilësinë e përzgjedhjes së politikanëve. Personalisht më duket
shqetësues fakti, që ne përzgjedhim vetëm ata njerëz që shfaqin ambicje
politike, por që nuk i kanë cilësitë adekuate, aftësitë kulturore e
profesionale për të realizuar cilësisht misionin e politikanit. Në jo pak raste
për arsye ekstrapolitike, nepotike, krahinore, nepotike apo thjesht
militanteske, ndodh që partitë zgjedhin disa njerëz që janë prototipa të
deformuar apo të dalë nga koha. Kjo është një nga arsyet shtesë që ndihmon dhe
zgjeron një lloj “krize legjitimiteti” të klasës politike, një patologji
sociale që ka filluar të shfaqet dhe të evidentohet në jetën tonë politike e
shoqërore. Kjo është arsyeja pse tek qytetarët shqiptarë, është në rënie
respekti për politikën dhe politikanët, e cila të paktën në zgjedhjet e 14
majit u shfaq dukshëm në rënien e pjesëmarrjes elektorale në votime.
Është
koha që elitat politike të këtij vendi të bëhen më të përgjgjegjshme, të
kuptojnë përgjegjësinë e tyre. Duke plotësuar sot politikën me njerëz të
paaftë, të paditur apo të “fortë”, jo vetëm po dëmtojmë të sotmen, por po
krijojmë një kulturë të deformuar për politikën dhe statusin e politikanit, të
cilat mund të ndikojnë në boshllëqet që do të shfaqen edhe në të ardhmen e
vendit tonë. Nuk kemi nevojë për politikanë të fortë apo të pasur, nëse atyre
ju mungon pushteti i dijes personale apo shfaqen moralisht me integritet të
lëkundur, që janë megalomanë dhe nuk e njohin armën e qëndrimit kritik ndaj
vetes dhe sjelljes së tyre. Nuk besoj se e tepëroj po qe se them se nga mënyra
si zgjidhen dhe përzgjidhen politikanët, jemi absolutisht para rrezikut eminent
të shfaqjes së tendencës së “oligarkizmit”, si prirje që po prish natyrën
biofilike të politikës, duke e larguar atë nga misioni i vërtetë.
Është
anomali e madhe fakti që kemi akoma politikanë, që ushqejnë mentalitetin se ata
involvohen në politikë për vete, interesat e tyre dhe klanit të tyre dhe jo për
të mirën e përbashkët. Apo që mendojnë se për t’u marrë me politikë, për të
qënë politikan karriere janë të mjaftueshme një tog me slogane politike boshe.
Mjafton të dëgjoni politikanët tanë në Parlament apo në debate politike
televizive, për të kuptuar atë thelb të vërtetë që fshihet pas dukjes dhe
aparancës së “kostumit politik”, për të dalluar neverinë që i sjellin qytetarit
dialogët “pa bukë”, të neveritshëm, pa kulturë, koncepte të qarta e
përgjegjësi politike personale.
Pyetje:
Shumë deputetë gjatë viteve në Parlament nuk diskutojnë kurrë apo e
harrojnë elektoratin. A nuk duhet të ketë kritere bazë për hyrjen në politikë?
A nuk duhet të jetë kryesore niveli intelektual dhe jo forca dhe brutaliteti?
Në
jetën tonë shoqërore shfaqet një konfondim herë i hapur dhe herë i heshtur, i
cili edhe pse kuptohet, në shumicën e rasteve anashkalohet nga politikanët
tanë: Politika është mision apo biznes i pastër? Koha po tregon se disa
politikanë e kanë përdorur pozitën politike për të bërë korrupsion. Madje kam
frikë se korrupsioni politik po bëhet “biznesi” më i madh në këtë vend. Ai
duhet frenuar me çdo kusht. Për fat të keq të vendit dhe shqiptarëve, në këto
tre dekada duket qartë se politika është bërë “biznesi” më fitimprurës dhe që
realizohet pa sfidat, kokëçarrjen dhe sfidat e konkurencës që ka mbi vete
biznesi i vërtetë dhe i ndershëm. Kjo është arsyeja pse politika është kthyer
në një “atraksion masiv”, që e synojnë një masë e madhe njerëzish që në mënyrë
sempliste, me logjikë të deformuar pragmatiste mendojnë se duke siguruar një
pozicion komod në skakierën e politikës lokale apo kombëtare, kanë të siguruar
në mënyrë automatike famë, para, pasuri, autoritet, dukje sociale dhe shumë
privilegje të tjera të natyrës “feudale”, që në Shqipëri i sjell kjo tipologji
e vjetër e bërjes së politikës dhe e pozicionit preferencial që politikanët i
sigurojnë vetes, pikërisht nëpërmjet involvimit në politikë.
Sepse
për fat të keq politika është bërë “lojë pa përgjegjësi” dhe politikanët edhe
kur bëjnë mëkate, vjedhin, korruptohen, abuzojnë me detyrën asnjëherë nuk u ka
hyrë “gjëmb në këmbë”. Sepse jeta dhe skakiera sociale në këtë shoqëri është
ndërtuar në “dy nivle” paralele. Njëra lidhet me qytetarin e thjeshtë që
lufton, ka dhe mban përgjegjësi për jetën, respekton ligjin dhe tjetra është e
diferencuar për politikanët. Të cilët jo vetëm janë të “imunizuar”, të mbrojtur
nga ligji, të garantuar nga shumë lehtësira sociale e privilegje materiale për
veten e tyre. Madje edhe me status të diferencuar për familjarët, miqtë, shokët
apo edhe militantët e “partisë së tyre”.
Kjo
është arsyeja që e ka bërë politikën shqiptare të jetë paradoksalisht shumë
atraktive dhe në të njëjtën kohë edhe shumë amatoreske. E cila në vend që të
jetë “elitare” dhe “aristokratike” në kuptimin e vlerave dhe njerëzve të denjë
e adekuatë për të luajtur rolin dhe mbajtur përgjegjësinë e politikanit
moralisht dhe profesionalisht perfekt, të njeriut që ka “armën” e kulturës dhe
pushtetin e dijes personale, përfundon në disa personazhe anonimë, pa
identitet, pa soliditetin e kulturës dhe dijes, të cilët përpiqen që mungesat e
tyre t’i kompensojnë me “besnikëri politike”, militantizëm banal, frazeologji
boshe, dembelizëm, karshillëk e mburrje primitive. Kjo situatë e klasës
politike shqiptare, tashmë është bërë një “njollë sociale” e përhapur
gjërësisht. Madje nganjëherë kur përpiqem të analizoj shkaqet e këtij statusi
të deformuar të “ofiqit të politikanit” shqiptar të tre dekadave të fundit, nuk
e kam të lehtë ta ndajë nëse kjo është tashmë një e “metë gjenetike” e
politikës shqiptare apo është për faj të rrethanave në të cilat “lundron”
shoqëria jonë?
Problemi
është se kënaqësitë e politikanëve vazhdojnë të ecin në sens të kundërt me
pakënaqësitë e shfaqura të qytetarëve për punën dhe sjelljen e tyre. Kjo është
njëra nga arsyet pse politika dhe politikanët që kemi nuk janë tamam ata për të
cilët ka nevojë vendi dhe zhvillimet në shoqërinë tonë. Për të shmangur
mungesën e mosbesimit për efiçencën e politikës, është e domosdoshme dhe është
koha kur ata jo vetëm duhen zgjedhur por më së shumti ata duhen “përzgjedhur”.
Na duhen njerëz që kanë aftësi dhe jo ata që “luajnë” dhe realizojnë qëllime të
personalizuara në politikë duke mbetur brenda kufijve të ngushtë të
“mediokritetit partiak” apo që vlerësohen kur shfaqen si të fortë dhe gojën e
përdorin si “krater vullkani” për sharje dhe ofendime pa bukë. Boll më. Skena
politike shqiptare është e inonduar nga politikanë empirikë, që këtë profesion
e kanë reduktuar thjesht nga mision në “politikë partixzane”, zanat ordiner dhe
fitimprurës për vete. Dinamikat e jetës dhe madhësia e sfidave kombëtare
kërkojnë tjetër lloj politikani. Vetëm duke i vlerësuar kështu mund të bëjmë
dallimin midis politikanëve dhe deputetëve që kemi në dallim nga ata që ka
nevojë politika sot. Politika nuk është spektakël. Pa dije, kulturë, përvojë,
njohuri dhe mbi të gjitha pa integritet moral nuk mund të përballohen sfidat e
angazhimit, kërkesat urgjente të vendit dhe shoqërisë tonë për politikë
racionale dhe politikanë të besueshëm në publik...