E premte, 01.11.2024, 12:30 AM (GMT)

Mendime

Enver Robelli: Zjarrvënës në emër të Allahut

E shtune, 13.12.2008, 03:29 PM


Enver Robelli
Zjarrvënës në emër të Allahut

Nga Enver Robelli

Shkëlqimi në mesjetë dhe zbehja në kohët moderne: Mbi gjendjen e fesë islame sot dhe 72 vajzat virgjëresha, të cilat (nuk) i presin “martirët” vetëvrasës në parajsë

Një shikim në të kaluarën, për shembull në mesjetë: Derisa në Evropën e krishterë digjeshin shtrigat, kryesisht gra që akuzoheshin se merreshin me magji, dhe “inkuizicioni i shenjtë“ ndëshkonte të gjithë të ashtuquajturit heretikë, shkencëtarët arabë ishin prijatarë në shkencat ekzakte dhe shoqërore, në matematikë dhe filozofi. Gjurmët e kësaj kulture (veçanërisht në arkitekturë) gjenden edhe në Spanjën e sotme, e cila për 800 vjet ishte nën sundimin e maurëve (fise të islamizuara të Afrikës Veriore). Në veprat e dijetarëve si Pierre Bayle, Charles de Montesquieu, Voltaire treva e Al-Andaluzit, siç quheshin territoret islame të Siujdhesës Iberike, përshkruhet si vend utopik, ku myslimanët fisnikë jetojnë në paqe, mirëbesim dhe mirëqenie me të krishterët dhe hebrenjtë. Kjo ëndërr mori fund në vitin 1492, kur mbreti Ferdinand i Aragonisë pushtoi Granadën, duke përndjekur maurët dhe hebrenjtë nga ky qytet dhe nga Kastilja, ku sundonte bashkëshortja e tij, Izabela. Një numër i madh i hebrenjve të Spanjës gjetën strehim në Ballkan, në qytete si Sarajeva, Selaniku etj. Perandoria Osmane, e cila atëbotë sundonte Ballkanin, i kishte mirëpritur hebrenjtë.

Mendimtari gjerman Johann Gottfried Herder i quante arabët e Spanjës “mësues të Evropës”, të cilët me “gjenialitetin e tyre oriental”, me “dritën” e kulturës së tyre i kishin dhënë fund “territ” perëndimor. Entuziazmi për Al-Andaluzin ishte i pranishëm edhe në shekullin XX. Në një letër nga Spanja, të shkruar në vitin 1912, poeti gjerman Rainer Maria Rilke nënvizonte: “Ju duhet ta dini se unë që nga vizita në Córdoba jam në një gjendje shpërthyese të antikrishterimit, jam duke e lexuar Kuranin, aty-këtu ai përvetëson një zë, brenda të cilit jam me gjithë fuqinë, sikur era në organo”.

Ndonëse tingëllon si utopi, kujtimi dhe gjallërimi i kulturës mendore islame ndoshta do të ishte një rrugëdalje nga skëterra për shumë nxitës islamikë të sotëm, të cilët sillen e veprojnë si zjarrvënës me mandat të Allahut. Problemi nuk është te “vlera më e ulët” e kulturës dhe fesë islame, siç mund të propagandojë ndonjë ekstremist i krishterë, por te mungesa e gatishmërisë së fundamentalistëve islamikë për t’i dhënë fund mendjengushtësisë. Mohammed Arkoun, autor i librit “Islami” (botoi Palymra, Heidelberg), shkruan se islami, për fat të keq, prej shekujsh ka mbetur i paralizuar brenda një “korpusi të mbyllur zyrtar”.

Rrjedhimisht edhe mundësitë për keqinterpretim të Kuranit nga ana e dashakëqijve janë të mëdha. Për shembull, surja ku i bëhet thirrje Allahut që njerëzit t’i përcjellë në “rrugë të drejtë” dhe jo në rrugën e atyre që janë gabim, shpeshherë nga fundamentalistët keqlexohet si arsyetim për dhunë. Kur një sure e Kuranit bëhet mjet politik, atëherë hidhet baltë mbi fenë dhe mbi të gjithë besimtarët e devotshëm. “Ky është një veprim i rrezikshëm”, thotë Dalil Boubakeur, rektor i Xhamisë së Madhe në Paris. Në një emision të kanalit të përbashkët televiziv gjerman, zviceran dhe austriak “3sat” Boubakeur ka shpjeguar se fundamentalistët i ngatërrojnë religjionin dhe politikën: “Prijësit e terrorit, si Bin Laden dhe të tjerë, thonë përherë se gjithçka po bëjnë në emër të islamit. Kjo është gabim. Terrori i tyre nuk ka të bëjë asgjë me fenë. Asnjë mysliman nuk i ka lutur ata kurrë që të kryejnë krime të tilla në emër të islamit”.

Boubakeur thotë se tashmë 800 vjet ka pushuar së ekzistuari mendimi për islamin: “Myslimanët duhet t’i rikthehen islamit autentik me vlerat e tij burimore, siç janë toleranca dhe hapja. Ata duhet ta braktisin kullën e fildishtë, të cilën disa përherë duan ta mbajnë të mbyllur. Ata duhet të vërejnë se jetojnë këtu dhe sot”. Të jetosh sot dhe këtu domethënë të kuptosh se ekzistojnë vlera universale, të cilat janë etabluar në Perëndim pasi edhe kjo pjesë e botës, përfshirë Kishën Katolike, ka kaluar nëpër përvoja të përgjakshme dhe ka nxjerrë mësimet e duhura. Një nga këto mësime është iluminizmi, një epokë e zhvillimit mendor të shoqërisë perëndimore në shekujt XVII dhe XVIII, gjatë së cilës me mjete të arsyes mendimi u çlirua nga përfytyrimet, paragjykimet dhe ideologjitë e vjetra dhe të tejkaluara.

Një përfytyrim i rrejshëm është premtimi që u bëhet atentatorëve vetëvrasës islamikë se pas “asgjësimit të të pafeve” në parajsë ata i presin 72 vajza virgjëresha. Por, në Kuran, në suren 55, virgjëreshat nuk përshkruhen si të etura për seks, por vetëm si vajza që martirët i presin me shikim të turpshëm për toke. Një ndër shakatë më goditëse për këtë temë ndërlidhet me terroristin Mohamed Ata, i cili supozohet se e kishte drejtuar avionin e parë që ishte përplasur kundër kullave binjake në New York më 11 shtator 2001. Pasi mbërrin në parajsë, Mohamed Ata e pyet një engjëll: “Ku janë 72 vajzat virgjëresha?”. Përgjigjja: “E ke kuptuar gabim. Nuk janë 72 vajza virgjëresha, por një virgjëreshë 72-vjeçare”.

robelli@bluewin.ch



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora