Mendime
Florim Zeqa: Mbrojeni shkollën me vlera historike!
E diele, 09.01.2022, 03:16 PM
Kërkesë publike institucioneve komunale dhe rajonale:
Kryetarit të Komunës së
Klinës
Asamblesë Komunale në
Klinë
Drejtorisë së Arsimit në
Klinë
Drejtorisë së Urbanizmit
dhe Mbrojtjes së Mjedisit në Klinë
Drejtorisë së Kadastrës,
Gjeodezisë dhe Pronësisë në Klinë
Drejtorisë së Urbanizmit
dhe Kadastrës për Rajonin e Pejës
Prokurorisë Themelore në
Pejë
Mbrojeni
shkollën me vlera historike!
Shkruan:
Florim Zeqa
Fillimi i panevojshëm i ndërtimit të objektit të ri
shkollor në lokacionin e Shkollës Fillore “Azem Bejta” në Grabanicë, ku objekti
ekzistues i plotëson të gjitha kushtet për zhvillim super normal të procesit
edukativo-arsimor për ata pak nxënës që kanë mbetur në atë lokalitet, ka nxitur
reagime të shumta në mesin e popullatës së BL të Grabanicës dhe jo vetëm.
Për më tepër se kaq, zërat për rrënimin e shkollës
së renovuar me vlera historike kanë shkaktuar pakënaqësi të mëdha dhe revoltë
qytetare.
Cilat janë kapacitetet e shkollës “Azem Bejta” në
Grabanicë
Objekti i shkollës fillore “Azem Bejta” në
Grabanicë i ndërtuar në vitin 1974, ishte ndër objektet më të përsosura në
Kosovë, investim ky i bërë me këmbëngulësinë e faktorit politik dhe arsimor
shqiptar të asaj kohe në nivelin komunal dhe atij të lartë të kohës.
Ky ishte gëzim i madh dhe i papërshkruar më fjalë
për rreth 1000 nxënësit e gjashtë fshatrave përreth dhe prindërve të tyre.
Punëtorët arsimor (atëherë) ishin më krenarët dhe
më të privilegjuarit, se punonin në objektin modern, me të gjitha kushtet dhe paisjet
e nevojshme për punë edukativo-arsimore.
Shkolla në brendinë e saj i kishte 11 dhoma (klasa)
mësimi, kabinetet: të Histori-Gjeografisë, të Fizikës, të Kimisë, të
Matematikës, të Mbrojtjes, të Edukatës fizike, madje edhe të Artit figurativ.
Shkolla e kishte Bibliotekën e pasur me libra dhe
literaturë profesionale,
e kishte edhe Sallën solemne me dy dhoma tjera
përcjellse, kishte Toalete në të dy katet, për nxënës dhe punëtorë.
Objekti kishte ujësjellës të instaluar.
Po ashtu kishte edhe hapësira tjera të cilat
shfrytëzoheshin: Salla e arsimtarëve, Zyra për drejtor, Zyra për sekretar dhe
Lokali për punëtorë ndihmës (domarë).
Poashtu, ishte edhe punëtoria e mjeshtrit
(mirëmbajtësit) të shkollës, bashkë me veglat e punës, lokal ky që shpesh përdorej
e shfrytëzohej edhe për lëndën e BAT-it.
Koridorët e kësaj shkolle i plotësonin kushtet e
një Amfiteatri të vërtet për shfaqje të ndryshme.
Objekti kishte hymje te veçanta për nxënës dhe
personel arsimor.
Mirëmbajtja permanente i ka zgjatur jetën objektit
shkollor
Sikurse çdo ndërtesë, objekt i vogël apo i madh,
edhe shkolla me kalimin e viteve ishte amortizuar dhe ka pasur nevojë për
mirëmbajtje dhe riparime periodike. Ato kanë ndodhur në vazhdimësi, e madje
edhe gjatë viteve të ’90-ta, të periudhës së sistemit paralel, ku me ndihma nga
prindërit e nxënësve dhe jo vetëm ishte investuar në mirëmbajtje dhe sigurimin
e lëndëve djegëse gjatë stinës së dimrit.
Pas përfundimit të luftës, me ndihmat e banorëve të
fshatrave përreth ishte riparuar komplet çatia e shkolles dhe disa anekseve
përcjellëse.
Mirëpo, investimi më serioz kishte ndodhur këtyre
viteve të fundit, kur u bë një renovim i përgjithshëm, me ç’rast u ndërruan të
gjitha dyert dhe dritaret e shkollës sipas standardeve të kohës dhe cilësisë
PVC, rregullimi i tualeteve dhe inventari tjetër përcjellës i shkollës,
përfshirë edhe instalimin e sistemit të ngrohjes qendrore.
I tërë ky projekt renovues në shkollën “Azem Bejta”
në Grabanicë u financua nga Komuna e Klinës.
Në vitin 2019 nga buxheti i Komunës së
Klinës në shkollën “Azem Bejta” në Grabanicë për renovime u investuan 6484,81
euro, kurse për ngrohje qendrore 18.333,66 euro, apo gjithsejt 24.818,47
euro. Ndërsa për renovime tjera në këtë shkollë, në vitin 2020 Komuna e Klinës
ka investuar edhe 13.883,88 euro të tjera, me të cilat totali i
investimeve për dy vite arrinë shumën prej 38.702.35
eurove!
Investime këto që ndikuan në
përmirësimin e infrastrukturës shkollore e cila nxënësve iu krijojë kushte
shumë më të përshtatshme për mbarëvajtjen e procesit mësimor.
Pas këtij investimi vlerëmadh dhe të konsiderueshëm
financiar nga Kuvendi Komunal i Klinës, vitin e kaluar kjo shkollë e përfitoj
edhe një donacion prej shoqatës "Entr-Aides", nga
Zvicëra: banka, karrike, kompjuter, një piano, paisje sportive, disa tabela të
zeza, dhe mjete tjera mësimore.
Vlenë për të theksuar se, nga shoqata humanitare
"Entr-Aides" pritej ardhja e kontigjentit të dytë të ndihmave për
shkollën “Azem Bejta” në Grabanicë, por më gjasë fillimi i ndërtimit të
objektit të ri shkollor, është bërë pengesë e finalizimit të këtij projekti
humanitar.
Kur jemi tek donacionet, duhet përmendur edhe
ndërtimin e fushës moderne të sportit nga KFOR-i italian, ndihmë kjo e
mirëseardhur dhe në kohën e duhur, kostoja e së cilës nuk është aspak
simbolike, por jashtëzakonisht e madhe.
Do t’u hyja në hak lexuesve pa e përmendur
bibliotekën moderne (ndër më të mirat në vend) dhe klasën e bukur për
parafillorët që ndodhen në brendi të objektit shkollor, të cilat e plotësojnë
mozaikun e një shkolle model në Republikën e Kosovës.
Ndërtimi i objektit të ri, paradoksal dhe i
panevojshëm
Secili njeri i gëzohet ndërtimit të një objekti të
ri, qoftë ajo shtëpi familjare apo kolektive e banimit, shtëpi shëndeti apo
objekti tjetër me interes të përbashkët qytetarë, e aq më tepër i ndërtimit të
një shkolle të re. Por, secili lloj ndërtimi duhet të bëhet në përputhje me
nevojat dhe kërkesat e qytetarëve, në veçanti shkollat duhet ndërtohen në
përputhje me numrin e nxënësve që frekuentojnë mësimet në lokalitetin përkatës.
Paraprakisht fillimit të ndërtimit të objektit të
ri shkollor, ekspert të Kuvendit Komunal të Klinës dhe organizateve tjera që
mirren me fushën e ndërtimit, e kanë konstatuar se thëmelet dhe baza skeletore
e shkollës është shumë e fortë dhe e qëndrueshme të paktën edhe për 50 vitet e
ardhshme dhe e rezistueshme qoftë edhe ndaj tërmeteve me të fuqishme!
Shtrohet pyetja, si ka mundësi që një objekt kaq i
rezistueshëm të vendoset në radhën e objekteve për rrënim?!
Arsyeja e thjeshtë e mendimit logjikë e shtron
nevojën e rinovimit total të shkollës me një kosto dhjetë herë më të ulët sesa
ndërtimi i objektit të ri prej rreth 1 milion eurove të planifikuara nga
“arkitektët” e këtij ndërtimi, mjete këto të ndara nga buxheti i shtetit të
Kosovës, përkatësisht nga MASHT-i!
Nuk dua të dyshoj në qëllimet e mira dhe
përcaktimet atdhetare të ideatorëve të ndërtimit të shkollës së re, por nuk e
kam të qartë se cilat janë motivet e vërteta të ndërtimit të një objekti të ri
shkollor përballë një objekti që i plotëson të gjitha kushtet dhe kriteret për
zhvillimin e procesit edukativo-arsimor me kapacitete të plota (për 1000
nxënës)!
Vallë pse ideatorëve të ndërtimit të shkollës së re
nuk ju ra ndërmend më herët, por vetëm pas investimit të 38.702.35
eurove në shkollën e “vjetër” dhe pse u dashka të ndërtohet një shkollë e re
për më pak se 250 nxënës që potencialisht janë duke i ndjekur mësimet në këtë
vit shkollor, e ndoshta do të jenë shumë më pak së kaq kur shkolla e re të jetë
gati për shfrytëzim!
Kur janë në pyetje shpenzimet si kosto e
përgjithshme, duhet të llogaritet edhe vlera reale e objektit aktual të
shkollës (e paraparë të rrënohet pas përfundimit të objektit të ri), atëherë
kemi të bëjmë me shuma marramendëse!
Kur këtyre ju shtohet vlera e inventarit brenda
shkollës, investimi në fushën sportive dhe donacione tjera pas rrënimit dhe
rindërtimit, kostoja e përgjithshme e ndërtimit të objektit të ri dhe e
rrënimit të objektit ekzistues do t’i kalojë shumat milionëshe!
Vallë, cilat kritere (korruptive) i ka përfillur
MASHT-i dhe Drejtoria Komunale e Arsimit në Klinë për ndërtimin e panevojshëm
të një objekti të ri shkollor, kur ai aktual i plotëson të gjitha kushtet për
zhvillim super normal të mësimit për ata pak nxënës që kanë mbetur në atë
lokalitet!?
Historia e lavdishme e një shkolle në prag të
rrënimit
Objekti i shkollës fillore “Azem Bejta” në
Grabanicë e ka një histori në vete, sa të pasur e të lavdishme, po aq edhe
krenare. Nga kjo shkollë kanë dalur kuadra që fillet e diturisë i muarën po nga
kjo shkollë, me të cilët sot mburret kombi me ta, emra të mëdhenjë që i bëjnë
nderë Klinës dhe mbarë Kosovës, figura madhore të pendës dhe të pushkës, të
letërisë dhe politikës.
Rezistenca e shkollës fillore "Azem
Bejta" në Grabanicë kundrejt pushtuesit serb ishte shëmbull në mbarë
Kosovën, për këtë flet shumë edhe pllakata në hyrje të shkollës me emrin
"Azem Bejta", e cila u mbijetoi të gjitha sulmeve dhe përpjekjeve
antishqiptare për ndërrimin e emrit të kësaj shkolle.
Për mbrojtjen e emrit të shkollës, më meritorët
janë personeli arsimor dhe banorët e fshatrave përreth; Grabanicë, Bokshiq,
Dollovë, Qeskovë, Këpuz dhe Zajm, të cilët më trupat e tyre u vunë në mbrojtje
të emrit të shkollës që nga fundi i viteve të 80-ta, ku pushteti komunal serb
me disa shqipfolës, ish zyrtarë të lartë komunal të asaj kohe, me të gjitha
mjetet propaganduese e joshëse ishin munduar për t'i bindur banorët e
Bashkësisë Lokale të Grabanicës që t'i pranojnë ofertat e tyre në këmbim të
emrit të Azem Bejtës.
Bazuar në trendin e largimit të familjeve shqiptare
nga ky lokalitet për në shtetet perëndimore, objekti i ri në ndërtim e sipër,
më tepër së një shkolle, do t’i shkonte për shtati një Shtëpie të Pleqëve, një
Shtëpie të Kultures, një Palestre Sportive apo një Qendre të Mjekësisë
familjare, një Zyre Ofiçarie apo të Regjistrimit Civil për nevojat e pak
banorëve të mbetur në Bashkësinë Lokale të Grabanicës, kësaj pjese të harruar
nga pushtetarët komunalë.
Nëse keni para për të hudhur, mos e rrënoni
objektin e shkollës ekzistuese
Të respektuara institucione të sipërpermendura
komunale, nëse keni para për t’i hudhur, hudhni ku të doni; në asfalt, në gypa
për kanalizim dhe ujësjellës që nuk sjellin ujë për qytetarët, mbi tokë dhe nën
të, por assesi nuk guxoni ta rrënoni objektin e shkollës ekzistuese me vlerë
shumëdimensionale historike, arsimore dhe kulturore në Republikën e Kosovës.
Përderisa në të gjitha shtetet dhe vendet më të
zhvilluara të botës së qytetëruar, tregohet kujdes në ruajtjen e objekteve të
vjetra shkollore me tradita qindra e madje mijëra vjeçare, pse u dashka që të
rrënohet objekti i qëndrushëm dhe funksional i shkollës fillore “Azem Bejta” në
Grabanicë, shkollës me vlera historike, jo më i vjetër se 48 vjet?!
Të respektuara institucione të sipërpermendura
komunale, me dyfishin e mjeteve të investuara përgjatë viteve 2019-2020 në
SHFMU “Azem Bejta” në Grabanicë, pra me 80 mijë euro e jo më shumë se
kaq, mund të riparohet komplet çatia e shkollës dhe të bëhet izolimi i mureve
të jashtme sipas standardeve bashkohore, dhe kësisoji shkolla e “vjetër” edhe
për 50 vitet e ardhshme nuk do të ketë nevojë për asnjë lloj investimi.
Kësisoji, shkolla simbol i dijes dhe diturisë,
simbol i organizimit dhe rezistencës popullore gjatë pushtimit serb, jo që do
të jetë funksionale për rreth 250 nxënës të mbetur aktualisht, do të jetë
funksionale në të ardhmen edhe për 1200 nxënës që i kishte përgjatë viteve të
’90-ta!
Andaj, të respektuara institucione komunale dhe
rajonale të sipërcekura në fillim të shkrimit, ju bëjë apel në emrin tim
personal dhe të qindra qytetarëve të BL të Grabanicës që ta merrni në
konsideratë kërkesën tonë për mosrrënimin e shkollës me vlera historike dhe
kombëtare.
Kërkojmë që shkolla “Azem Bejta” në Grabanicë të
futet në mesin e objekteve të mbrojtura si trashëgimi edukativo-arsimore,
kulturore dhe aset i vlershëm kombëtar i komunës sonë.
Injorimi i kërkesës për mbrojtjen e objektit
shkollor, do t’i detyrojë banorët e fshatrave përreth që të mobilizohen edhe
një herë sikurse në fund të viteve të ’80-ta dhe në fillim të viteve të ’90-ta,
që më trupat e tyre ta mbrojnë objektin siq e mbrojtën emrin e shkollës “Azem
Bejta” nga pushtuesit serb!
Faleminderit asambleist i komunës së Klinës që e
lexove kërkesën publike të banorëve të Bashkësisë Lokale të Grabanicës për
mbrojtjen e objektit të shkollës “Azem Bejta”, të shkollës simbol të qëndresës
dhe rezistencës së viteve të krenarisë kombëtare.
Zoti i bekoftë asambleistët e komunës së Klinës, të
cilët me votën e tyre i dalin zot dhe parandalojnë rrënimin e shkollës model në
Republikën e Kosovës. Zoti i bekoftë institucionet që e mbrojnë shkollën me
vlera historike nga rrënimi i planifikuar!
Në emër të banorëve të BL të
Grabanicës
Me respekt dhe konsideratë:
Florim Zeqa, 03.01.2022