Mendime
Fahri Dahri: Njerëzimi i djeshëm e boshtatisë vendin e të sotmit
E hene, 30.08.2021, 03:03 PM
NJERËZIMI I DJESHËM E BOSHATIS VENDIN E TË SOTMIT, E PLOTËSON ME NDRYSHIME SASIORE DHE CILËSORE
Nga
Fahri Dahri
Lexoj
shkrime të shumë autorëve, qofshin me tituj shkencorë, gazetarë, intelektualë,
profesionistëve të specialiteteve të ndryshëm, që shkruajnë për ndodhitë e
dëgjuara, të jetuara në jetën dhe nga jeta e tyre. Mendoj se çdo shkrues gjatë
leximit, por dhe kur shkruan, i krijohet një gjendje mendore ndryshe. Kjo më
shpie të gjykoj se në çdo fjalë, rrjesht, lexuesi gjen vetveten, megjithëse tek
shkrimet flitet për një vend, kohë dhe njeri tjetër.
Po
e lexoja një shkrim të autorit të mirënjohur, profesor Fatmir Terziut, tek
"Fjala e lire" dhe mendja më "fluturoi", jo tek manat (ne
çamët i quajmë skamine), por tek binaja e ullirit mbi 500 vjeçar, në voruan e
shtëpisë së gjyshit tim Nuhut, mësues historie e gjeografie (Në Kuç të Vlorës
në vitet 1886-1888 dhe në Dhragumi, fshat në Paramëthi, në atë kohë me 250
shtëpi, në vitet e shkuara 1889-1895).
Isha
3-4 vjeç në vitet 1941-1942, kur dy motrat më të mëdha dhe vëllai rreth 3 vjeç
më i madh, loznin në vorua, afër trungut të ullirit. Kur u afrova unë, ato
morën një kosh që përdorej për ullinj dhe më futën brenda koshit. Më këshilluan
që të mbaja fort duar tek thuprat (purtekat e konopicës, nga brenda koshit) dhe
fillonin të rrotullonin koshin. Unë trembesha, por edhe më dukej vetja si trim
që isha i zoti që rrotullohesha. Më gënjente mendja se vetëm unë isha i zoti
për tu rrotulluar, të tjerët jo. Eh, mendje e foshnjërisë! E kështu kalonim
orët duke lozur. Shtëpia e gjyshit ishte ndërrtuar në pjesën fundore të malit
të Dulgës. Kopshtet tona ishin me taraca, për ruajtjen e dherave që të mos
hqisnin (rrëshqisnin) poshtë. Këtë kujtim ma pruri në mendje shkrimi i
profesorit. Veç këtij kujtimi, ajo poezi më çoi në ato vite të largëta (80 vjet
më parë), plot me mall si për vitet e pakta që kalova atje si fëmijë, por dhe
për njerëzit e familjes, të cilët janë ndarë nga jeta.
Çdo
shkrim i lexuar me vëmëndje, përfshinë shumë gjëra që duhen zbuluar. Atje ka
ndjenja, mall, dashuri, dhimbje, respekt, fakte, mirësi, marrezi, pra gjithçka
që na rrethon. Është një ndjenjë e veçantë, të cilën e gjejmë tek çdo shkrim që
na ka ndodhur dhe ndodhet tek mua, tek të ti, tek të gjithë, jo vetëm sot por
kathehera (gjithmonë).
a)-
Vendlindja nuk u harroka. Ajo ka zënë një vend në mendjen dhe qënien tonë ashtu
si vetë ekzistenca. Jam larg, shumë larg vendlindjes, por ajo nuk harrohet, as
nuk ndërron jetë. Ajo ekziston, na shoqëron dhe na ndjek këmba-këmbës. Ajo rri
atje e na pret!.
Jemi
të vetdijshëm se çdo vendlindje për çdo njeri është e patjetërsueshme, e
shtrenjtë. E rëndësishme, mbi çdo të rëndësishme. Secili flet për të tijën!
b)-
Prindërit nuk u harrokan. Edhe ata na janë ngjitur në mendje dhe qënien tonë.
Por prindët dhe pjesëtarët e familjes ndërrojnë jetë. Ata nuk ekzistojnë, janë
pranë nesh, por nuk na presin, siç na pret vendlindja. Ky është ndryshimi.
Ndryshim që natyrshëm Atdheun, vendlindjen e rendit të parin, më të
pashkëputur, që me mendje, shpirt e
zemër kujtohet dhe dëshirohet pa kushte për t'u takuar e bashkëjetuar. Dëshira
dhe shpresa për të qenë në vendlindjen time, është theksuar në të gjitha
shkrimet e mia. Kjo dëshirë është e lidhur me faktin që "megjithëse është
e jotja, ta kanë vjedhur, të ndalojnë ta shikosh". Jemi dëbuar dhunshëm pa
asnjë faj, asnjë vendim gjyqi, forca numerike, e mjeteve, ndryshimi etnik,
epërsia numerike fetare dhe përkrahja e të tjerëve, siguruan vendimmarrjet
ç'njerëzore të shtetit ortodoks grek, ndaj banorëve të vendlindjes, përfshi
edhe ndalimin e shkuarjes për vizitë apo të kthimit për të jetuar atje.
Ngjarje
historike që çvleftëson çdo konventë, ligj dhe parim, gjoja demokratik, lidhur
me të drejtat universale të njeriut, pa lënë mënjanë dhe zbulimin e
"epërsive" false të anëtarëve të Bashkimit Europian e më gjërë.
Kujtimet
e fëmijërisë, janë si rrënjët e ullirit, manave, pemëve prej të cilave nuk
shkëputemi dot, por na mbajnë të lidhur derisa largohemi nga mbidheu. Është
dialektike, "rrënjët" e pemëve veç shtrirjes nënëdhe, nuk mbeten
statu-quo, por çdo vit, pavarësisht se i largohen kohës së mbjelljes dhe
mbirjes, shtohen, zgjerohen dhe forcohen. Ligj biologjik natyror, që natyra e
dhuron si shëmbëlltirë.
Fenomenet
natyrore që nuk arrijnë të kuptohen nga "megallomanët" dhe
"mendjevdekurit".
Falënderimet
u takojnë gjithë intelektualëve, që me vullnetin, dijet dhe mundësitë e tyre,
hedhin në tregun mediatik edhe fenomenet qofshin dhe të fshehta, që jo të gjitë
arrijnë ti shohin dhe ti kuptojnë, të cilët i a "dhurojnë" shoqërisë
njerëzore. Ata në vazhdimësi me shkrimet e tyre, na jepin mundësira të
rikthehemi në rrugëtimet e jetës, për të na shërbyer si udhëzues në
rrugëndjekjen e të sotmes dhe të së nesërmes.