Kerko: Resmi Osmani
Resmi Osmani: Hakmarrje!
E hene, 07.06.2021, 06:16 PM
Hakmarrje!
Nga
Resmi Osmani
Pasi
dëgjoi rrëfimin e Roksanës[1]
për vdekjen e të birit në Babiloni, Olimpia[2]
u bind se të birin e kishin helmuar. Vrundujt e rrëfimeve thënëse e kunderthënëse
i shtilleshin rrëmujshëm e pa rend, plekseshin e përplaseshin në labirintet e mëndjes
së saj që punonte ethshëm. Mundohej të vinte rregull, por në çdo rast, midis
tyre zvarritej gjarpri i zi helmues, Jolau, që me porosinë vdekësore të atit
dhe në përbetimin e pabesë me disa gjeneralë të urryer, kishte hedhur helmin me
veprim të ngadaltë në kupën e Lekës.Tashmë, pas rrëfimit të Roksanës, ajo nuk
kishte pikë mëdyshje. Lekën e kishin helmuar.Dora vrastare ishte Jolau[3],
truri i komplotit Antipatri[4].
Shkaku: zilia, smira, etja grryese për pushtet, sundim e pasuri dhe gjith ato
ligësi e dobësi të natyrës njerëzore, që gëlojnë si barërat helmuese në
kopshtin e jetës të shpirtvegjëlve dhe mosmirënjohësve. Në atë çast të dhimbshëm,
të ngjallur nga rrëfimi i Roksanës, nga thellësia e qënies së saj ngriti krye
etja për hakmarrje.
Hakmarrje
kërkonte shpirti i nënës, që ia kishin tharë e përvëluar me vdekjen e birit, të
ngjizur nga një mrekulli dhe të ushqyer nga gjaku dhe qumshti i gjirit të saj.
Hakmarrje kërkonin sytë, që ishin verbuar pa mundur të shihnin më atë pamje të
bukur, fisnike, të hijshme, gati të perëndishme. Hakmarrje kërkonte dëgjimi, që
ishte mpakur pa ndjerë sërish tingëllimin dhe muzikalitetin e atij zëri të ëmbël
e të dashur.Hakmarrje kërkonin duart, parzma dhe krahët e saj, që kurrë më nuk
do të mundnin ta ledhatonin dhe shtrëngonin në gjoks birin e dashur.
Hakmarrje
kërkonte dielli i përflakur, që i kishte ndritur ditët dhe fushat fitimtare të
luftës, hëna dhe yjet që i kishin derdhur neteve të prehjes shiun e artë të
dritës së tyre të mugët, hakmarrje kërkonte toka mëmë, që hapat e tij e kishin
trandur në një rrugëtim të gjatë sa bota dhe ajo i kishte dhënë forcë si
Anteut,s’ia kishte kursyer gostitë e të mirave të saj. E kërkonte deti tallaz
shumë që ai e kishte çarë trimërisht tejembanë në Helespont[5].
Hakmarrje kërkonte era, që i kishte pertharë dhe flladitur djersët e mundimeve
të luftës, burimet që i kishin shuar etjen zhuritëse.
Hakmarje
kërkonin drurët, nën hijen e të cilëve ishte çlodhur dhe gurët e pragut të
pallatit mbretëror, që nuk do t’I shkelte më kurrë këmba e tij.
Medet,
medet, o bir!
Shpirtin,
mendjen dhe zemrën e saj e kishin pushtuar Erinitë, perënditë e zeza gjakderdhëse e të skëterrshme të
hakmarrjes.
Teksa
dhembja dhe vuajtjet janë njerëzore, mendonte ajo, hakmarrja është një veprim jo vetëm i ligjshëm, që
rrjedh nga e drejta, por edhe e perëndishme. Edhe Zotat hakmerreshin: Zeusi i tërfuqishëm
gjauante dhe përvëlonte me rrufe armiqtë e vet. Perënditë e Olimpit grindeshin
dhe hakmerreshin egërsisht. Le t’u thahej shpirti dhe t’u verboheshin sytë nga
të qarët edhe nënave të vrasësve të të birit, t’u mbeteshin të veja gratë dhe fëmijët
bonjakë. Le të derdhej gjaku i tyre për të larë helmin e shpirtit të saj. Le të
mbeteshin pa varre, t’i hanin korbat dhe eshtrat t’ua zbardhte dielli. Shpirtrat
e tyre në Had[6],
të mos gjenin prehje gjer në amshim!
Ishte
një lutje që ajo ua kishte bërë zotave.
Hakmarrje,
hakmarrje, hakmarrje!
Jo
çdo gjë kishte humbur. Ajo, Nëna Mbretëreshë, ishte ende gjallë ,që me
vullnetin e të epërmve, jetonte për të përmbushur amanetin e Tij. Ja ku ishte
edhe nipi, filiz mbretëror.Në rrembat e tij rridhte po ai gjak.Në të ishte trupëzuar
shpirti dhe pamja e Lekës, me hirin e zotave, mbase dhe mençuria, guximi dhe
trimëria për të përtërirë lavdinë atërore.
E
pa me dhembsuri të nipin.
-Madhëri,-
i foli të voglit.-Afrohu!
I
zgjati të dy duart. Ai iu qas me droje: e trembi shkëlqimi i egër i syve të
saj.Olpmpia që e kuptoi, i buzëqeshi trishtueshëm dhe ia mori duart në të
sajat.
-Ti
je mbreti Aleksandër IV. Trashëgimtari. Gjyshja do të verë në fronin e
Maqedonisë! Fronin e atit tënd.
-Puthja
dorën gjyshes!- I tha butësisht Roksana.
Dhe
mbreti me droje puthi duart e nënsës Mbretëreshë.
Ngrohtësia
e buzëve të nipit, i kaloi në trup Olimpisë si një impuls jetësor gjallërues.
Vendimi
ishte marrë.Lufta për fronin ishte shpallur.
Fragment nga romani
”Mbretëresha olimpia”, botuar nga “Kristalina.KH”,Tiranë 2011
[1] Roksana,gruaja afgane e Aleksandrit të Mdh, që i lindi djalin Aleksandër IV.
[2] Olimpia, princeshë epirote, gruaja e Filipit II, nëna e Aleksandrit të Madh.
[3] Jolau, djali I Antipatrit, qilartari(Kupembajtësi)i Aleksandrit.
[4] Antipatri,gjeneral, i caktuar regjent i Maqedonise pasi Aleksandri u nis për luftën në Azi.
[5] Ngushtica e Bosforit.
[6] Hadi, bota e skëterrshme e nëndheut.