Kerko: a
Frank Shkreli: Kështu duhej të rrëzoheshin diktaturat!
E enjte, 20.08.2020, 08:58 PM
KËSHTU DUHEJ TË RRËZOHESHIN DIKTATURAT!
Nga
Frank Shkreli
Në
Bjellorusi vazhdojnë protestat dhe demonstratat kundër Presidentit Aleksandër
Lukashenko dhe pretendimeve të tija se ai ka fituar zgjedhjet që u mbajtën në
atë vend më 9 gusht. Protestuesit dhe vërejtësit e huaj thonë se zgjedhjet u
mbajtën në një atmosferë manipulimesh dhe frikësimesh, ndërkohë që shtojnë se
forcat e sigurimit dhe të policisë përdorën forcën dhe dhunën kundër
demonstruesve paqësorë. Shtetet e
Bashkuara (të cilat nuk kanë ambasador në Minsk ç’prej vititi 2008) dhe
Bashkimi Evropian, i cilësuan zgjedhjet e 9 gushtit si jo të lira dhe aspak të
drejta – zgjedhje të cilat, Lukashenko pretendon se i fitoi me mbi 80% të
votave.
Ndërkohë,
mediat ndërkombëtare thonë se regjimi i Lukashenkos ka arrestuar mijëra
protetsues ndërsa po shtohen gjithnjë protestat kundër regjimit të tij. Siç e kanë zakon gjithmonë diktatorët kur u
ngushtohen punët -- edhe Lukashenko, me këtë rast, ngarkoi me faj për protestat
kundër tij, influencat e jashtme, provokues nga Evropa dhe nga opozita
ruse. Kështu raportojnë burime që
citojnë diktatorin bjellorus, Lukashenko, i cili për 26 vjet rresht e mban atë
karrigë -- jo me votën e lirë të popullit bjellorus -- por me manipulime të
zgjedhjeve dhe i mbështetur nga regjimi i tij diktatorial, i cili konsiderohet
si i fundit i tillë në Evropë.
Por
kësaj radhe, diktatori Lukashenko u përball me një kundërshtare, në të vërtetë
me një mësuese e pa përvojë në politike, e quajtur Svetlana Tikhanovska, e cila
u fut në garë për president, pothuaj në minutën e fundit, por që siç duket
megjithë fushatën e shkurtër, ajo siguroi mbështetje të gjërë në popull. Zyrtarisht, thuhet se Tikhanovska fitoi vetëm
rreth 10% të votës, gjë që bindi mbështetësit e saj, brenda vendit si edhe
ndërkombëtarët, se diçka nuk ishte në rregull me zgjedhjet e 9 gushtit në
Bjellorusi. Se, sipas tyre ato ishin
manipuluar tmerësisht, në favor të diktatorit Lukashenko, i cili për më shumë
se një çerek shekulli qeverisë Bjellorusinë me një dorë të fortë. Kandidatja e opozitës, Zonja Tikhanovska, për
arsye sigurimi dhe për arsye të kërcënimeve që iu benë, u largua nga Atdheu dhe
kërkoi strehim në Lituaninë fqinje. Ajo
kërkon dialog dhe që autoritetet t’i japin fund dhunës kundër protestuesve
paqësorë, të cilët nuk kërkojnë asgjë tjetër, veçse këmbëngulin në zgjedhje të
lira dhe të drejta, të mbikqyrura nga ndërkombëtarët.
Ndërkaq,
në këtë atmosferë tensionesh, Lukashenko, ka dhënë urdhër që tu jepet fund
protestave kundër tij në kryeqytetin e vendit, Minsk, duke akuzuar opozitën se
po përpiqet të marrë pushtetin me forcë.
Në këtë ndërkohë, Bashkimi Evropian ka vendosur të imponojë sanksione
ekonomike kundër regjimit brutal të Lukashenkos. Mediat citojnë Presidentin e Këshillit të
Evropës, Charles Michel të ketë thënë se Bashkimi Evropian nuk e njeh
rezultatin e zgjedhjeve të 9 gushtit në Bjellorusi.
Populli
i Bjellorusisë me këto protesta masive duket se ka shijuar frymën e lirisë dhe
si përfundim, i janë shtuar edhe shpresat për mundësinë e ndryshimeve politike
në vend. Kandidatja opozitare për
president, mësuesja 37-vjeçare Svetlana Tikhanovska në një video mesazh nga
Lituania, “për çfarë po ndodhë mu në mes të Evropës”, citohet të ketë thenë se
Presidenti Lukashenko, ka “humbur gjithë legjitimitetin e tij në sytë e
popullit e të botës”, dhe i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të mbështesë,
“zgjimin e Bjellorusisë”.
Jam
i sigurt se komuniteti ndërkombëtar do të ofrojë të ndërtmjetësojë midis
regjimit të Lukashenkos dhe opozitës së udhëhequr nga Svetlana Tikhanosvka,
ndërkohë që Lukashenko është shprehur se Presidenti i Rusisë Putin i ka
premtuar ndihmë për regjimin e tij, në rast të një ndërhyrjeje nga jashtë,
sipas tij.
Nuk
jam i bindur se me ndërmjetësimin e tyre, ndërkombëtarët mund të sjellin ndonjë
zgjidhje pozitive të pranueshme nga palët, të gjëndjes së tensionuar në
Bjellorusi, si përfundim i zgjedhjeve jo të lira dhe të manipuluara nga regjimi
i Lukashenkos, me 9 gusht në atë vend.
Ironia që duket si tallje e rastit është se njëri prej këtyre
“ndërkombëtarëve” është Kryeministri i Shqipërisë -- vendi kryesues aktual i
OSBE-së për vitin 2020 -- Edi Rama i cili ofroi ndërmjetësim, ndërkohë që pak
më parë ishte shprehur kundër “ndërhyrjes së ndërkombëtarëve në punët tona”,
jemi vend sovran, ka thenë Z. Rama, me 22 vjet në pushtet. Referencë kjo ndaj
diplomatëve ndërkombëtarë në Tiranë, siç duket në radhë të parë ndaj ndonjë
deklarate të ambasadores amerikane në Shqipëri.
Ka mundësi që edhe Lukashenko, me 26 vjet në pushtet, të përgjigjet me
të njëjtën shprehje ndaj çdo propozimi për ndërmjetësim ndërkombëtar – përfshir
Kryeministrin Rama -- midis tij dhe opozitës bjelloruse. Nuk mund të thuhet se Shqipëria dhe
Kryeministri Rama janë një shembull i
mirë për ndërmjetsim për zgjedhje të lira (shiko zgjedhjet vendore 2019 në
Shqipëri)—as për ndërmjetsim midis palëve politike në konflikt, si përfundim i manipulimit
të zgjedhjeve në Bjellorusi (kur merr parasysh konfliktet midis partive
politike në Tiranë). Që të jesh
ndërmjetës duhet të kesh kredibilitet!
Analisti
Veton Surroi, në një analizë botuar sot në Koha.net shkruan se “Shqipëria e
mori kryesimin e OSBE-së dhe po e kalon lojën duke ikur nga topi”, dhe
përfundon anlizën e tij duke thenë se, “Ndoshta, çuditërisht, ky shans që po
humbet shtyn që Shqipëria të kuptojë se ka nevojë për pikën e vet të
kthesës.” Ekzaktërisht, një vit më parë,
në një shkrim timin paralajmërues në lidhje me kryesinë e Shqipërisë të
OSBE-së, kam shprehur dyshimet – duke marrë parasysh vet situatën e brendëshme
politike në vend – nëse, vërtetë, Shqipëria ka, sidomos, besueshmërinë e
nevojshme në nivel ndërkombëtar dhe aftësitë diplomatike, si kryetare e
OSBE-së, për të ndërmjetësuar situata krizash si kjo aktuale në
Bjellorusi.https://telegraf.al/opinion/frank-shkreli-shqiperia-ne-nje-pozite-te-veshtire-diplomatike-a-eshte-ne-rrezik-kryesia-e-shqiperise-ne-osbe-per-vitin-2020/
Është
e qartë se bjellorusët, të zhgënyjer nga manipulimi i votave në favor të
diktatorit Lukashenko dhe të shokuar prej dhunës së përdorur nga regjimi i tij
brutal kundër protestuesve paqësorë bjellorusë, njerëzit në atë vend -- ndoshta
për herë të parë—e kanë humbur frikën nga regjimi diktatorial. Nuk kanë më frikë as nga regjimi brutal i një
diktatori, i llojit Lukashenko. Kjo mund
të jetë gjëja më e mirë afatgjatë për zgjedhje të lira dhe për të ardhmen e
lirisë dhe demokracisë në Bjellorusi.
Humbja e frikës nga diktatura, nga një popull i shtypur për dekada,
është mënyra më efikase për t’i dhënë fund njëherë e mirë një diktature kudo
qoftë, dhe një regjimi autoritar si ai i Lukashenkos dhe për të vendosur,
përfundimisht, vullnetin e lirë të popullit.
Duket
se shumica e bjellorusëve, më në fund, e duan lirinë dhe janë gati të
sakrifikojnë për ‘të dhe kanë si objektiv të përbashkët rrëzimin e regjimit
diktatorial të Lukashenkos. Janë këta dy
element të nevojshëm për të luftuar diktaturat e cilës do rrymë qofshin. Vetëm kështu rrëzohen diktaturat: gatishmëria
për të sakrifikuar për lirinë dhe të drejtat e njeriut dhe duke dashur
seriozisht lirinë dhe të drejtat bazë të njeriut, pa dallim. Por, nga shumica edhe duhet pasur një vizion
të përbashkët për të ardhmen e vendit, ndryshe nga regjimi aktual. Asnjë diktator nuk mund të vazhdojë të
qëndrojë në fuqi, nëqoftse shumica e njerëzve vërtetë besojnë, e çmojnë dhe e
duan lirinë dhe janë të gatsëshëm të sakrifikojnë duke e mbrojtur atë përballë
kërcënimeve të diktatorit. Madje as me
ndihmën e fuqive të jashtme ndërkombëtare mbështetse të diktatorit nuk mund të
fitohet përballë vullnetit të masës së popullit.
Protestat
e qindëra mijëra bjellorusëve që filluan para një jave në Minsk më kujtuan
protestat anti-komuniste në fund të 1980-ave në Evropën Lindore, veçanërisht
protestat masive në Pragë dhe në Bukuresht.
Megjithëse
është një kohë tjetër, edhe Bjellorusia sot me këto protesta masive, mund të
krahasohet deri diku me ngjarjet në Evropën komuniste të vitit 1989, sidomos
për nga dinamikat shoqërore dhe politike
që vihen në lëvizje kundër regjimeve autoritare, në raste të tilla dhe nga
protesta të tilla masive, si ajo në Minsk javën që kaloi. Mjafton një proces, i cili ve në veprim një
lëvizje që përfshinë masa të gjëra të shoqërisë, të mjaftueshme për të rrëzuar
një tiran nga pushteti, një autoritar shpeshherë brutal – si Lukashenko. Nëqoftse ka një krahasim midis suksesit të
protestave anti-komuniste të Evropës lindore të 1989-ës dhe protestave sot në Bjellorusi,
ai është se duket që-- njerëzit vërtetë e kanë humbur frikën dhe mendojnë se --
ia vlen të protestohet kundër diktaturës,
megjith rreziqet që një një situatë e tillë mund të sjellë – por edhe të
shtyrë nga besimi se një protestë e tillë mund të sjellë ndryshimin e nevojshëm
për vendin e tyre. Filozofi, autori dhe gazetari francez, Albert Camus në
Librin e tij “Kryengritsi” (The Rebel) ka pyetur: “Kush është kryengritës”?
Duke iu përgjigjur pyetjes së vet ai ka thenë se, “kryengritës është ai i cili
thotë Jo”. Është pra kjo pika, kur
zhduket frika tek njerëzit dhe kur i mbarë vendi i thotë Jo diktaturës. Është
atëherë kur bien tiranët. Kështu, pra
rrëzohen diktaturat. Shumica e popullit
të Bjellorusisë i ka thënë Jo, Lukashenkos por mbetet për tu parë nëse, si
përfundim, ai do të heq dorë nga pushteti pa gjakderdhje.