E shtune, 27.04.2024, 03:04 PM (GMT+1)

Mendime

Ruzhdi Ushaku: Digresione me shumësi të dhënash kryesisht të njohura

E diele, 09.11.2008, 08:01 PM


DIGRESIONE ME SHUMESI TE DHENASH KRYESISHT TE NJOHURA

 

Nga Prof. Dr. Ruzhdi USHAKU

-Në lidhje me shkrimin « Vazhdimësia iliro-shqiptare në dritën e disa toponimeve » të Abdullah Konushevcit, Zëri, 28 tetor 2006.

Kah fundi i viteve të gjashtëdhjeta të shekullit XX, gjatë studimeve pasdiplomike, formohesha , veç tjerash, edhe për gramatikën krahasuese të gjuhëve indoevropiane. Atëbotë, pata lexuar dhe dëgjuar nga indoevropeistë të mirënjohur se studimet indoevropeistike nuk mund të jenë të plota pa gjuhën shqipe, përkatësisht pa njohjen e mirë edhe të kësaj gjuhe.
Ky konstatim i kahmotshëm sa vjen e përforcohet dhe gjenë mbështetje teorike e praktike edhe sot e kësaj dite.
Këtë e dëshmon edhe kyçja dhe prania e A.Konushevcit, dhe jo vetëm e tij, në faqet e internetit ku komunikon me indoevropeistë të ndryshëm. Ky fakt,për mendimin tim, është i pritur dhe i mirëpritur dhe nuk e konsideroj diç sensacionale dhe të jashtzakonshme, por rrjedhojë normale dhe e domosdoshme e një pranie të tillë për t’u plotësuar ndonjë zbrazëti institucionale apo individuale në qarqet ku njohja e shqipes mund të jetë e mangët apo e kufizuar. Rrjedhimisht as prania e një intelektuali shqiptar si Abdullah Konushevci në Wikipedia të Harvardit nuk duhet të pritet si diç e jashtëzakonshme.

Mbështetjen që A.Konushevci e kërkon dhe e gjenë tek autoritetet e indoevropeistikës me pikëreferencat e cekura (ku mungon, bie fjala, emri i Cabejt, Hamp-it, Huld-it), e shoh si një atu e cila nuk mund të nënçmohet por as të mbiçmohet. Kjo vlenë edhe për mendimin e tij të mbrojtur në forumin indo-evropian Cybalist i cili nuk mund të shërbejë vizë apo e drejtë e pacënueshme për mbrojtjen e çështjeve të tjera po në atë forum apo diku tjetër.
Unë nuk e shoh të arsyeshme të thirrem në diç të ngjashme, por e ndiej obligim ndaj lexuesit dhe të të interesuarve të tjerë eventualë,të jap disa burime nga veprimtaria ime shkencore siç janë : CV-ia brenda librit tim më të ri, pastaj Veprimtaria shkencore e Prof. Dr. Ruzhdi Ushakut, botuar nga Fondacioni LIKA Foundation (Ulqin 2003), përfshirë këtu edhe praninë time edhe në internet (Google, Forumi shqiptar, Alb-shkenca e sidomos ,në formë më të plotë, në ueb-sajtin www. shqipëriaetnike .bravehost. com) .

Digresion i dobishëm por irelevant për tezat boshtore.


Prapashtesa ilire –ona, me të gjitha shpjegimet e shembujt që jep artikullshkruesi, nuk ka qenë objekt i shqyrtimit tim të veçantë, edhe pse e kam pasur parasysh dhe nuk e kam mohuar askund praninë e saj në toponimi. Të gjitha ato që i cek dhe shpjegon Konushevci janë kryesisht të studiuara dhe të njohura , të pranuara apo të pranueshme nga pararendësit tanë, në punime, vepra a fjalorë të ndryshëm etimologjikë, dhe si të tilla as që janë përemendur apo vënë në dyshim në punimin tim përkatës,
Edhe pse nuk është relevante për tezën time për shpjegimin e ri të emërlumit Valbona, po cek se përkitazi me toponimin Girona, për të cilin bën fjalë A.Konushevci, kam folur në një Simpozium nga viti 1977 ( botimi përkatës nga v. 1979), ku i jam referuar edhe studimit të cekur të V. Putanec-it dhe kam shprehur edhe mendimin tim ashtu siç e thotë përafërsisht edhe Konushevci. I njëjti punim imi është botuar edhe në gjuhën frënge me titull « Ulqin et ses environs à la lumière de certains toponymes » in Studia albanica 2/1988, f. 99-117.

« Shkenca nuk është çiflik i askujt »


Kështu pat thënë më herët F. Ribezzo.E përkrah dhe e çmoj këtë mendim edhe pse në rrethanat e sodit mund të plotësohet edhe me ndonjë përkufizim ose restriksion. Unë nuk e di t’ia kem privuar apo mohuar të drejtën qytetare, madje as shkencore të A. Konushevcit, që fjalëformimin Valbona ta segmentojë në Valb-ona, madje indirekt ,me vetëdie e kam cekur se rrënja i.e *wel ka dhënë edhe reflekset morfofonetike dhe semantike të afrueshme me ato që i cek Konushevci i cili ,gjithashtu, me vetëdije dhe arsye, nuk e përjashton mundësinë e segmentimit ,përkatësisht shpjegimit më të hershëm por edhe timit si Val-bona bitematike.
Megjithatë, mendoj se segmentimi i tij Valb-ona me shpjegimet e rrënjës valb- të supozuar *wolb-, *wel, me reflekset morfofonetike dhe semantizmat e pranueshme, nuk ka bazë të duhur të dëshmisë së shkruar para shekullit XVII, kur, për herë të parë, më sa jam i informuar, ndeshet i shënuar emërlumi Valbona në hapësirën iliro-shqiptare.
Përndryshe, mëtimi i tij për ta vendosur Valbona-n në kategorinë e një emri të prejardhur has edhe në vështirësi serioze karshi pranisë së dendur të leksemës a gjymtyrës Val në strukturat kompozitore të një sërë toponimesh në hapësirën gjeografike të Shqipërisë, Malit të Zi, Dalmacisë e deri në Itali e Francë të dëshmuara si Bona vallis, përkatësisht si Bonneval apo Valbonne që nga shekulli IX e këtej, për çka kam ofruar aq shembuj në punimin tim për Valbonën dhe Valdanosin. Do të ishte shumë vështirë dhe guxim i madh të anashkaloheshin të gjitha këto dëshmi historike-gjeografike dhe diakronike për hir të inkuadrimit të Valb-ona –s së mëtuar si toponim apo hidronim me strukturë të prejardhur, dhe kështu të barazohej me numrin vërtet të madh të toponimeve të kësaj kategorie me prapashtesën ilire –ona. Me këtë do të mohohej, aty këtu, elementi latino-roman, apo në simbiozë edhe me gjuhë të tjera, ed! he pse në instancën e fundit kjo val ,siç kam thënë paraprakisht, shpie te rrënja i.e. wel- dhe si e tillë mbulon si kriterin e reflekseve morfofonetike ashtu edhe të atyre motivuese semantike apo edhe referenciale.

Digresione edhe për emërlumin Shkumbin


Trajta antike emërlumit Genus-us apo Genesis flumen për Shkumbinin nuk ka qenë objekt i zbërthimit tim etimologjik dhe kjo nuk është relevante për të arsyetuar paradigmën eventuale të Shkumbinit me Ulqinin. Pëkundrazi, kjo trajtë bashkë me ato Scampa, Scampeis, Hiscampis bien ndesh me këtë paradigmë, siç e kam cekur qartë në shkrimin tim paraprak. Shembujt e reflekseve morfofonetike e semantike dhe ndërfutja e mëvonë e trajës Scampini, e mundshme si një rimotivim, nuk i plotësojnë kriteret e kronologjisë dhe, rrjedhimisht, toponimet Batini, Delmini, Risini e të ngjashmit me to mund merren si paradigma me toponimin Ulqini, por jo Genusi, Scampa ,Scampeis, Hiscampis të cekura më lart.
Ka gjasa që etimologjia e rrënjës *(s)kemb të jet e drejtë, por nuk përjashtohet mundësia e rimotivimit ku takohen një *(s)kemb+bini apo pini, me aferezën e njërës b për shkak të kakofonisë.

Për Valdanosin edhe diç shkurt


Prania e një konkordance toponimike e një Valdanusi tjetër te Dubrovniku, ku disa gjurmë apo dëshmi të shqipes janë të konfirmuara që nga viti 1284 (rikujtoj Audivi unam vocem clamantem in monte in lingua albanesca), shërben si mbështetje që edhe fjala nusi e shqipes të jetë njëra nga ato gjurmë. Në këtë konkordancë toponimike, megjithatë nuk dimë të ketë edhe ndonjë toponim a mikrotoponim « Lugu i Nokës », Vudinoç, apo të ngjashëm me të. Kësodore , përjashtohet mundësia që Valdanusi të jetë kalk apo përkthim nga « Lugu i Nokës » siç mëton apo propozon A. Konushevci.

Në vend të përfundimit

Vazhdimësinë iliro-shqiptare më duket se e kam mbrojtur sa e sa herë me punimet e veprat e mia që nga vitet e shtatëdhjeta e këtej, aty ku ka pasur bazë për t’u mbrojtur, Kam mbrojtur edhe autoktoninë bregdetare shqiptare si dhe kulturën e traditën përkatëse në gjirin e kulturave mesdhetare dhe më gjerë me prezantime në gjuhën shqipe, serbokroate .frënge, angleze, kryesisht në nivele ndërkombëtare. U jam kundërvënë, në disa raste, edhe studiuesve Lloma ,Popoviq, Hrabak, Selishçev, Risop, Hilka, më herët edhe Skok, Vajgand e të tjerë, ndonjëherë edhe në mbrojtje të Cabejt, atëbotë të ndjerë, dhe për këtë jam krenar. Jam krenar që pas meje janë mobilizuar edhe disa më të rinj, në mesin e të cilëve edhe vetë Konushevci i cili është marrë me Llomën, Skokun e ndonjë tjetër. Kjo është e pëlqyeshme dhe uroj atij dhe të tjerëve që të vazhdojnë punën në këtë drejtim, pa komplekse e paragjykime, por as pa vetëb! esime të tepërta, me kokë të ftohtë, pa mbështetje të tepruara në autoritete dhe përsëritje e përtypje të panevojshme.
Në fund, e përkrah propozimin e Konushevcit që në rastin konkret por edhe përgjithësisht të shprehen mendimet në mediat e shkruara dhe elektronike, që lexuesit dhe të interesuarit të gjykojnë, vlerësojnë, krahasojnë punën e secilit , sot e nesër, këtu apo gjetiu, në të mirë të të vërtetës, përfshirë këtu metodologjinë e punës shkencore, citimet e stërcitimet, referimet dhe vetëreferimet, të domosdoshme ose jo, me vend a pa vend, vlerat dhe antivlerat, kopjimet a plagjiatet por edhe origjinalitetet dhe punën e ndershme, të gjitha këto të pranishme në klimën tonë të përgjithshme krijuese e shkencore.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora