Kerko: a
Nikë Gashaj: Kosova në kohë të Rankoviqit
E enjte, 06.08.2020, 10:03 PM
KOSOVA NË KOHË TË RANKOVIQIT
Nga
Nikë Gashaj
Politika
nacionaliste dhe shoviniste e Rankoviqit në udhëheqjen e sigurimit shtetëror
jugosllave ndaj shqiptarëve në Kosovë u shprehë dhe zbatua, në veçanti në
periudhën e viteve 1951-1957.
Në
fillim të vitit 1951 në vijën e nacionalizmit dhe shovinizmit të Aleksadar
Rankoviqit u ndërmuar aksioni për deklarimin e shqiptarëve për kombësinë turke.
Në realizimin e këtij aksioni pati qëndrime tendencioze dhe nxitëse, madje edhe
stimulime materiale që qytetarët të deklaroheshin turq, edhe pse nuk e ndienin
veten të tillë. Për më tepër pati edhe presione brutale fizike që qytetarët të
deklaroheshin pjestarë të kombësisë turke. Pas këtij aksioni, prej 97.954
qytetarëve që më 1953 u evidentuan si turq në Jugosllavi, numri i turqve më
1961 u shtua në 259.536 ose afro 260 për qind.
Duhet
vënë re koicidencën ndërmjet aksionit për deklarimin e shqiptarëve e të
myslimanëve si pjestarë të kombësisë turke dhe aksionit për shpërnguljen në
Turqi. Në të vërtetë, në kushtet jashtëzakonisht të vështira të presionit
agresiv të Stalinit ndaj Jugosllavisë, më 1953 u arrit nënshkrimi i
marrëveshjes mbi Paktin ballkanik ndërmjet Jugosllavisë, Greqisë dhe Turqisë.
Qeveria turke e shfrytëzoi këtë moment që nga Jugosllavia të kërkojë zbatimin e
traktatit shtetëror të nënshkruar ndërmjet Turqisë e Jugosllavisë më 1938 për
shpërnguljen e qytetarëve nga Jugosllavia në Turqi. Lidhur me këtë u arrit
“marrëveshje xhentlemene” mbi zbatimin e atij traktati.
Qeveria
Jugosllave u përcaktua për shpërnguljen individuale të qytetarëve në Turqi në
bazë të vetë deklarimit të atyre qytetarëve dhe të sigurimit të “visikës”,
domethënë të fletëgarancionit të qytetarëve nga Turqia se garantojnë mbajtjen e
të shpërngulurve në atë vend.
Mirëpo,
grupi fraksionist i Aleksandar Rankoviqit dhe organet e sigurimit shtetëror
shfrytëzuan dhe keqëpërdorën këtë “marrëveshje xhentlemene” me qëllim të
nxitjes e edhe të ndërmarrjes së presionit ndaj qytetarëve, posaçërisht
pjestarëve të kombësisë shqiptare që të deklaoheshin turq me qëllim të
shpërnguljes në Turqi. Në këtë drejtim u stimuluan qytetarët dhe u bënë lehtësi
e u thjeshtësua procedura për ndërrimin e kombësisë dhe përgatitjen e
dokumentave për shkuarjen në Turqi, deri te lirimi nga obligimi ushtarak i
atyre që shpërnguleshin. Në këtë bazë u shtua numri i qytetarëve që edhe kështu
shkonin në Turqi për shkaqe ekonomike, familjare, ideologjike e të tjera. Në periudhën prej vitit 1953 deri më 1966 në
Turqi u shpërngulën 230.716 persona, prej të cilëve më se 80.000 pjesëtarë të kombësisë
shqiptare.
Se
shpërngulja në Turqi nuk ishte e natyrshme, por u stimulua politikisht dhe me
zbatimin e metodave të presionit shihet nga fakti se pas Plenumit të Brioneve
të KQ të LKJ( 1966) jo vetëm u pakësua në mënyrë drastike, por faktikisht u
ndërpre. Përkundrazi, në periudhën pasbrionase kemi madje edhe kthim të
qytetarëve nga Turqia në Jugosllavi.
Deformimi
më drastik i forcave nacionaliste dhe shoviniste në marrëdhëniet ndërnacionale
në Kosovë dhe forma më brutale e presionit ndaj masave shqiptare është i
ashtuquajturi aksion i mbledhjes së pushkëve në dimrin e vitit 1955/1956. Mbasi
që organet e sigurimit shtetëror në Kosovë inscenuan gjoja përgatitjen e
kryengritjes nga shqiptarët për t’iu bashkuar Shqipërisë. E gjoja të sigurohej
tubimi i armëve, u ndërmuar aksion masiv
tremujor i presionit dhe rrahjes së qytetarëve, kryesisht të pjesëtarëve të
kombësisë shqqiptare për gjoja dorëzimin e armëve. Përkah masiviteti dhe
metodat brutale të presiont ndaj shqiptarëve, ky aksion ishte i ngjajshëm me
ato që i ndërmerrte borgjezia serbomadhe gjatë kohës së Jugosllavisë së vjetër.
Gjatë
këtij aksioni u rrahën jo vetëm ata që faktikisht posedonin armë, por edhe
shumë banorë të pafajshëm dhe aktivistë politikë. Kështu, pas Plenumit të
Brioneve u konstatua se gjatë këtij aksioni u rrahën më se 30.000 perona, prej
të cilëve afro njëqind qytetarë vdiqën prej rrahjeve.
Se
nuk ishte fjala për tubim të vërtetë të armëve nga popullsia, por për një
manipulm politik, shihet nga fakti sa ky aksion nuk u ndërmuar në mbarë
Jugosllavinë dhe nga ajo se prej afro 30.000 pushkëve, që me atë rast u tubuan
nga popullsia, menjëherë pas përfundimit të aksiont afro 15.000 sosh dhe
revolesh iu kthyen përsëri shqiptarëve, atyre që me rastin e terrorit të
përmendur dhe në mënyrëa të tjera u përfituen si bashkëpuntorë të sigurimit
shtetëror.
Duke
e kualifikuar këtë aksion si keqpërdorim të rëndë të sigurimit shtetëror, në
dokumentin e KK të LK të Kosovës të vitit 1966 thuhet: “Deformimet më të rënda
dhe pasojat më të rënda politike i solli aksioni i mbledhjes së armëve në
dimrin e vitit 1956... Metodat me të cilat u zbatua aksioni kaluan të gjithë
kufijtë e të drejtave kushtetuese e ligjore të qytetarëve dhe të drejtave të
organeve. U bënë maltretime prej shpullave e deri te masat drastike të
mundimeve, madje deri te linkuidimi fizik, paaftësimi i përhershëm, vrasjet
etj.”
Formë
tjetër e deformimit drastik të organeve të sigurimit shtetëror, lidhur me
pjesëtarët e kombësisë shqiptare, ishte inscenimi i proceseve të rrëjshme
gjyqësore dhe formimi i organizatave artificiale armiqësore, me qëllim të
kopromitimit të popullit shqiptar në Jugosllavi. Kështu, në vitin 1956, mu në
kohën e aksionit për mbledhjen e armëve dhe të shpërnguljeve intensive në
Turqi, u inscenua “Procesi gjyqësor i Prizrenit”, me të cilin u desht të diskualifikoheshin dhe të likuidoheshin
politikisht shumë funksionarë të lartë të Kosovës, pjesëmarrës të merituar të
LNÇ dhe intelektualë eminentë shqiptarë. Procesi gjyqësor duhej të
“argumentonte” se këto kuadro ishin në pozitat e irredentizmit dhe të lidhura
me shërbime të huaja informative. Ali Shukriu konstatoi me të drejtë në
Plenumin e KQ të LK të Serbisë më 1966 se këtu qe fjala për “prerjen e
knjazëve”, përkatësisht për likuidimin e kuadrove të kombësisë shqiptare. Pas
Plenumit të Brioneve të KQ të LKJ, Komisioni zyrtar i Këshillit Ekzekutiv të
Kosovës informoi në mënyrë të dokumentuar opinionin se ishte fjala për
konstruktimin, përkatësisht inscenim të të ashtuquajturit “Proces të
Prizrenit”.
Gjithashtu,
pati raste që organet e sigurimit shtetëror në Kosovë të formojnë organizata
artificiale armiqësore dhe në bazë të akuzave të rrejshme të burgosin e
maltretonin pjesëtarët e kombësisë shqiptare. Kështu, në mbledhjen plenare të
KK të LK të Kosovës më 1966 u përmend rasti i krijimit të organizatës artificiale
irredentiste prej 30 anëtarësh në rrethin e Lipjanit. Mirëpo, mbasi nuk qe e
mundshme të inscenoheshin akuza të rrejshme, këta qytetarë u liruan nga burgu
si të pafajshëm.
Mosbesimi
ndaj inteligjencës shqiptare dhe dyshimi në punëtorët kultro-arsimorë e
artistikë, pjestarë të kombësisë shqiptare, ishin karakteristikë e forcave
nacionaliste dhe shoviniste në krye me Rankoviqin. U krijua psikoza e dyshimit
dhe të mosbesimit ndaj çdo aktiviteti të karakterit krijues në gjuhën shqipe.
Për më tepër, nga organet e sigurimit evidentoheshin personat që blenin
rregullisht “Rilindjen”, të cilën e botonte Lidhja Socialiste e Kosovës.
Deformimet
e permendura, respektivisht politika nacionaliste dhe shoviniste lidhur me
Kosovën dhe pjesëtarët e kombësisë shqiptare u manifestuan edhe në politikën
investive ndaj Kosovës. Deri në vitin 1961 Kosova nuk bënte pjesë në “klubin” e
republikave dhe të viseve jo mjaftë të zhvilluara, kurse deri më 1958,kur
shkalla e shtimit të të ardhurave shoqërore në Jugosllavi ishte 8 për qind, në
Kosovë ajo qe 1,7 për qind, gjë që solli shtimin e mëtejshëm të shpërpjestimeve
në zhvillimin e Kosovës në krahasim me republikat dhe viset e tjera.
Është
e vërtetë historike se forcat nacionaliste e shoviniste serbomadhe rankoviqase
manipuluan me organet e sigurimit dhe i keqpërdorën ato në Kosovë, për presione
dhe deformime lidhur me pjestarët e kombësisë shqiptare. Në të vërtetë ajo
ishte një politikë antishqiptare me pasoja të rënda për pozitën popullit
shqiptarë në Kosovë.
Duhet
të themi, se forcat e lartpërmendura, nacionaliste dhe shoviniste në krye me
Rankoviqin që vepruan për njëkohë të gjatë u dënuan dhe u hodhën poshtë në
Plenumin e Brioneve të KQ të LKJ më 1966. Andaj, pas atij Plenumi, pozita e
shqiptarëve në Kosovë filloi të përmirësohej, respektivisht shqiptarët filluan
me marr frymë më lehtë.
Duke
folur për deformimet lidhur me Kosovën dhe kombësinë shqiptare në Jugosllavi,
J. B. Tito në Kongresin XI të LKJ mbajtur më 1979, ndër të tjerat, tha: “Qysh
nga koha e Jugosllavisë së paraluftës kemi trashiguar një gjendje shumë të
rëndë në Kosovë:prapambeturinë e përgjithdhme ekonomike e shoqërore dhe
antagonizma të mëdha kombëtare... Jugosllavia e re mori masa të rëndësishme për
eliminimin e trashigimit të rëndë dhe në këtë drejtim arriti rezultate të
rëndësishme në Kosovë, të cilat assesi nuk duhet kurrë t’ i nënçmojmë, por, në
të njëjtën kohë, duhet të bëjmë një vështrim kritik dhe të pyesim : A kemi
gabuar në të kaluarën? Kuptohet, pati gabime, sidomos deri në mbledhjen plenare të KQ të LKJ. Atëherë KQ i
LKJ dënoi vendosmerisht elementat dogmatikë, të cilët njëfarë kuptimi patën
monopol mbi Kosovën e Metohinë. Pati lënie pas dore të interesave të kombësisë
shqiptare, arbitrarizëm dhe veprime të palejueshme. Ne edhe sot i ndiejmë
pasojat e kësaj, por përpiqemi t’i eliminojmë sa më parë”.
Mirëpo,
mbetet çështje e hapur për shqyrtime të mëtejshme politike: Pse, Presidenti i
Jugosllavisë J.B. Tito, nuk ka vepruar më parë, dmth. para Plenumit të
Brioneve(1966), për ti ndalë forcat
nacionaliste dhe shoviniste në krye me Rankoviqin të cilat kanë vepruar për një
kohë të gjatë nga pozita antishqiptare dhe kundra Kosovës. A mund të supozohet
se nuk ka qenë mirë i informuar për një gjëndje të tillë në organet e sigurimit
shtetëror, apo do të ketë patur arsyera të tjera.