Kerko: a
Frank Shkreli: Gëzim Alpion - Nënë Tereza – Shënjtëresha dhe Kombi i Saj
E marte, 28.07.2020, 08:58 PM
NËNË TEREZA – SHËNJTËRESHA DHE KOMBI I SAJ
E autorit Dr. Gëzim
Alpion
Nga
Frank Shkreli
Më
duhet të them prej fillimit se kam qenë në dijeni se ky libër ishte në
përgatitje e sipër, pasi autori, Profesor Dr. Gëzim Alpion, me besim e mirësi,
më ka nderuar duke më kontaktuar disa herë me ndonjë pyetje ose për informacion
në lidhje me ato që po shkruante– por fatkeqësisht, unë nuk e kam parë ende
librin e botuar të cilin pres ta marr së shpejti. Por, me kënaqësi mësova nga disa burime për
botimin, përfshir edhe njoftimet nga shtëpia botuese britanike Bloomsbury, e
cila ka reklamuar këtë vepër, si pjesë e njoftimeve paraprake të zgjedhura, siç
është zakoni nga shtëpitë botuese kudo, para se të qesin në treg një
libër. Në mungesë të librit, por bazuar
në këto burime të sakta, po shënoj për lexuesin lajmin e botimit të këtij libri
në gjuhën anglisht, me titull “Mother Teresa –The Saint and her Nation”,
ose “Nënë Tereza – Shënjtëresha dhe
Kombi i Saj”, me autor Profesor Dr. Gëzim Alpion.
Profesori
Alpion është arsimuar në Universitetin e Kajros dhe në Universitetin Durham,
ndërsa ka ligjëruar në universitetet britanike, Huddersfield, Sheffield Hallam
dhe Newman para se të emërohej në vitin 2002 në Departamentin e Sociologjisë në
Universitetin Birmingham. Prej aty, në
vitin 2010, ai kaloi në Departamentin e Shkencave Politike dhe Studimeve
Ndërkombëtare dhe në vitin 2016, ai iu bashkua Departamentit të Politikave
Sociale, Sociologjisë dhe Kriminologjisë, po në Universitetin e
Biminghamit. Specializimet e Gëzimit
janë në disa fusha akademike, përfshir sociologjinë e fesë, nacionalizmin,
famën, racën, median, filmin dhe autorësinë.
Mbi të gjitha, Dr. Alpion konsiderohet si autori më i njohur, në gjuhën
anglisht, i jetës dhe i veprimtarisë së Shën Nënë Terezës dhe është,
njëkohësisht, edhe themeluesi i “Studimeve mbi Nënë Terezën”.
Autori
i librit të ri, “Nënë Tereza – Shënjtëresha dhe Kombi i Saj”, Dr. Gëzim Alpion
pretendon se “Tragjeditë personale dhe origjina e saj shqiptare e kanë ndihmuar
Nënë Terezën të bëhet personaliteti fetar më me influencë në botë, i kohërave
moderne. Krishtërimi shqiptar i ka
rrënjët në lashtësinë Ilire dhe qendrimi i Kishës Katolike kundrejt shqiptarëve
dhe sllavëve të jugut, ka shërbyer sim jet në formimin e jetës personale dhe
fetare tël Nënë Terezës”, shkruan Dr. Alpion.
Siç
thashë edhe më lartë, këto shënime po i sjellë për lexuesin, bazuar pothuaj
ekskluzivisht në informacionin që jep shtëpia botuese Bloomsbury mbi librin,
Nënë Tereza –Shënjtëresha dhe kombi saj, përfshirë edhe disa vlerësime e
komente mbi librin nga një numër ekspertësh dhe akademikësh.
“Dalja
në shesh e një personaliteti të kalibrit të Nënë Terezës, që njihet anë e mbanë
botës, nuk ndodh rastësisht”, ka thënë Dr. Alpion, duke shtuar se, “Ne duhet ta
shikojmë dhe ta kuptojmë jetën dhe veprimtarinë e saj në pasqyrën e familjes së
saj, në traditat shpirtërore të Kombit Shqiptar”, por edhe në ndikimet e huaja
në popullin e saj gjatë shekujsh.
Prandaj,
ky libër, sipas botuesit, jep për lexuesin një portret të plotë të kësaj figure
me influencë botërore. Portreti i Nënë
Terezës paraqitet në kontekstin e origjinës së saj familjare, etnike, kulturore
dhe shpirtërore. Jeta dhe veprimtaria e
saj përshkruhen në dritën e informacioneve të reja mbi familjen e saj, të
traditës shpirtërore të Kombit të saj, përpara dhe pas Krishtërimit, si dhe
duke pasur parsysh edhe ndikimin e Vatikanit dhe fuqive të tjera me influencë,
mbi popullin e saj shqiptar, ç’prej mesjetës e këndej.
Libri
mbi Nënë Terezën i autorit Gëzim Alpion, në përmbajtje, përqëndrohet në traumat
e jetës dhe në sukseset e saja, si një individ privat dhe si misionare publike,
përfshir përshpirtëshmërinë e saj të ndërlikuar. Në libër pretendohet se jeta e Nënë Terezës
dhe e historisë së kombit të saj shqiptar, veçanërisht marrëdhëniet e
bashkatdhetarëve të saj me Katolicizmin – janë të ndërlidhura me njëra tjetrën.
Zbulimi i kësaj ndërlidhjeje është jetik për të kuptuar se si Nënë Tereza – kjo
ikonë humanitare dhe shpirtërore e kohëve moderne – identifikon dhe paraqet
para botës DNA-në kulturore dhe shpirtërore të Kombit të saj të lashtë.
Libri
është i ndarë në tre pjesë. Pjesa e parë
i përgjigjet pyetjes: “Kush janë Shqiptarët e Nënë Terezës?” Flitet, ndër të
tjera subjekte, për origjinën ilire të shqiptarëve e deri tek Perandoria
Otomane dhe Turqia; viktimizimi i Shqiptarëve në shekullin e 19 dhe 20, Kalvari
dhe vuajtjet e Krishtërimit shqiptar, e tjera ngjarje. Pjesa e dytë e librit i kushtohet “Rrënjëve
Shqiptare të Nënë Terezës dhe viteve të saja në Shkup”. Tituj dhe nën-tituj të pjesës së dytë të
librit, kanë të bëjnë me marrëdhëniet e Nënë Terezës me prindërit e saj dhe me
jetën familjare në përgjithësi, ndërsa pjesa e tretë e librit përqëndrohet në
“Marrëdhëniet e Nënë Terezës me Vatikanin dhe me Kombin shqiptar”.
Thuhet
se ky libër është i pari i këtij lloji që e trajton Nënë Terezën në kontekstin
e rrënjëve të saja etno-shpirtërore, duke e shikuar misionin dhe thirrjen e saj
prej murgeshe, si një pasqyrim i historisë së trazuar të popullit shqiptar,
gjatë dy mijë vjetëve të kaluar. Në
librin mbi Nënë Terezën, autori përmend edhe ato që ai i konsideron si ndikime
negative në Ballkan, nga Perandoria Otomane, nga Vatikani, nga Kisha Ortodokse
serbe, nga Kisha Ortodokse greke si dhe nga Patriarkati Ekumenik i
Konstandinopojës. Sipas të dhënave nga
botuesi, Dr. Alpion sugjeron në librin e tij se ekziston nevoja për studime
objektive të mëtejshme që të pasqyrojnë rolin vendimtar të fesë në përcaktimin
e identitetit kombëtar, por edhe rolin fetar në justifikimin e aneksimeve
territoriale të rajonit të Ballkanit.
Por
le t’i këthehemi protagonistës kryesore të librit të Dr. Alpion-it, Nënë
Terezës, për të cilën autori thotë se Nënë Tereza nuk fliste kurrë për çështjet
private të familjes së saj, si pasojë e disa përvojave jo të këndëshme më heret
në jetën e saj, përfshir, “Shqetësimet që kishte rreth sigurisë fizike të nënës
dhe motrës në Shqipërinë komuniste të pas vitit 1945.” Dr. Alpion për një kohë të gjatë tani mbron
tezën se vdekja e babait të saj, i cili është helmuar nga nacionalistët serbë
në vitin 1919, kur ajo ishte vetëm 9-vjeçe, ka shkaktuar atë që ai cilëson si
“një natë të errët në shpirtin e saj”.
Ky studim ofron prova të tjera, sipas botuesit, se humbja e 8
familjarëve të saj gjatë pandemisë spanjolle, në atë kohë, ka luajtur një rol
të rëndësishëm në vendimin e saj për tu bërë murgeshë, por edhe në themelimin
më vonë të urdhërit të saj “Missionaries of Charity” në vitin 1950.
Por
Dr. Gëzim Alpion këmbëngul se, “Përkushtimi i Nënë Terezës ndaj të varfërve
ishte i sinqert dhe i patundur deri në fund të jetës së saj”, por, ama, sipas
tij, “Prania e përherëshme e vdekjeve në familjen e saj kur ajo ishte fëmij, ka
qenë një përvojë e rëndë shpirtërore, e cila ka patur një ndikim të thellë në
jetën e saj shpirtërore, në marrëdhëniet e saja me Kombin dhe familjen, gjithë
jetën e saj.” Por për “Nënë Terezën”, sipas autorit, “dinjiteti i çdo qenjeje
njerëzore ishte i shenjtë.”
Nënë
Tereza, e njohur gjithashtu në Kishën Katolike si Shën Tereza e Kalkutës, ka
lindur në vitin 1910 në Shkup -- atëherë pjesë e Vilajetit të Kosovës së
pushtuar nga Perandoria Otomane.