Kerko: a
Entela Binjaku: Daniela Stoica, një profesioniste për drejtimin e Departamentit të Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Korçës
E marte, 28.07.2020, 09:04 PM
Daniela Stoica, një profesioniste për drejtimin e Departamentit të Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Korçës
Nga Entela
Binjaku
Të
enjten e datës 30 korrik 2020 do të mbahen në vendin tonë zgjedhjet në
institucionet publike të arsimit të lartë. Në këtë garë ka mjaft kandidatë që
spikasin me aktivitetin e tyre didaktik, punën si kërkues dhe jetëshkrimin
profesional. Por, nëse në shumë raste vëmendja përqëndrohet tek universitetet në
kryeqytet, kjo vëmendje duhet të përqëndrohet edhe në zhvillimet në
institucionet e larta rajonale. Në Universitetin “Fan S. Noli’’ në Korçë në garën për
drejtuese të departamentit të gjuhëve të huaja ndodhet Daniela-Carmen Stoica. E
lindur në Rumani, Daniela ndodhet në vendin tonë prej18 vjetësh. Ajo ka nisur të
punojë për Universitetin në vitin 2004. Në
këto zgjedhje Daniela garon për herë të dytë. Njëlloj si herën e parë edhe në
zgjedhjet e këtij viti, ajo është kandidatja e vetme në garë.
Daniela-Carmen
Stoica është
lektore e parë dhe kërkuese me kohë të plotë në Departamentin e gjuhëve të
huaja, Fakulteti i Edukimit dhe Filologjisë, të Universitetit ‘’Fan S. Noli’’.
Ndërkohë
është edhe Pedagoge e jashtme në Departamentin e gjuhëve sllave dhe ballkanike, Departamentin e gjuhëve të huaja,
Universiteti i Tiranës. Si
pjesë e Fakultetit të Edukimit dhe
Filologjisë Znj. Stoica mbulon lëndët e gjuhës dhe kulturës rumune, gjuhës dhe
qytetërimit latin, letërsisë amerikane si dhe didaktikën e letërsisë
jo-artistike në gjuhën angleze. Lidhur
me formimin e saj të lartë, Daniela
Stoica ka kryer studimet e larta në Filologji, në Fakultetin e Gjuhëve të
Huaja, në Universitetin e Bukureshtit. Më tej ajo vijoi studimet mastershkencor
në Letërsi dhe Kulturë Europiane, në
Universitetin “Aristotel” të Selanikut në Greqi.
Prej
vitit 2015 ajo mban titullin doktor në filologji, marrë në Fakultetin e
Letrave, të Universitetit të Bukureshtit, Rumani. Ndërkohë dy vjet më pas kreu
edhe studimet postdoktorale, në Universitetin e Vigos, Spanjë. Daniela Stoica
është folëse e disa gjuhëve si anglisht, frëngjisht, greqisht, spanjisht dhe
natyrisht rumanisht që është gjuha e saj amëtare. Me gjuhën shqipe ajo është
njohur pasi është takuar shpirtërisht me të. Aktiviteti i saj i pasur didaktik
është shtrirë edhe me pjesëmarrjet në shkollat
verore në Shqipëri dhe Rumani falë bashkëpunimeve me Institutin Kulturor Rumun.
Ndiqni në vijim edhe bashkëbisedimin tonë:
Daniela si erdhët në këtë
vendim për të kandiduar? Cila ishte nxitja kryesore?
D. STOICA: “Për 16 vjet kam dhënë kontributin tim për
rritjen e Departamentit të gjuhëve të huaja, duke ndikuar drejtpërsëdrejti në
rritjen e cilësisë të programeve të studimit, ashtu edhe në rritjen e cilësore
dhe sasiore të botimeve kolegëve te mij në departament dhe në fakultet. Tani
mendoj se mund të sjell kontributin dhe vizionin tim në proçesin e
vendimmarrjes.
Nxitja
kryesore është ardhja e momentit kur Departamenti i gjuhëve të huaja dhe
Universiteti i Korçës duhet të marrin një drejtim plotësisht europian, ku
projektet europiane, qoftë në fushën e kërkimit shkencor, qoftë në fushën e
mobiliteteve të studentëve dhe të pedagogëve, të zhvillohen në mënyrë të
vazhdueshme dhe të natyrshme, duke afruar këtë Universitet me universitetet e
Europës Juglindore dhe Perëndimore”.
Çfarë mendoni se mund të sillni për Fakultetin nëse
zgjidheni?
D. STOICA: “Atë që mund të sjell për
Universitetin, por në veçanti për Fakultetin, unë e kam sjell prej shumë kohësh
tashmë: kontaktet dhe lidhjet e mia akademike me
universitete dhe institucione kërkimore dhe kulturore
nga Rumania, Spanja, Greqia, Italia dhe SHBA, ashtu edhe përvojen time
akademike dhe kërkimore të fituar gjatë formimit tim si filolog në Rumani,
gjatë kualifikimit tim në universitete nga Rumania, Greqia, SHBA, Sllovenia,
Spanja.
Dua të përmend këtu një program
Erasmus+ të fituar vitin e kaluar me Universitetin Teknik të Kluzhit, në
veçanti me Fakultetin Filologjik të Qendrës Universitare Nord Baia Mare. Si
pasoje e aplikimit të muajit janar 2019 në lidhje me mobilitetet me shtete që
nuk janë anëtare të BE-së, të financuar nga Programi Eramus, aksioni (key
action) KA107, Universiteti Teknik i
Kluzhit ka marrë financim për të zhvilluar mobilitete me dy universitete nga
Shqipëria, njëra prej tyre është
Universiteti i Korçës.
Dëshiroj të shtoj edhe përvojen
time në
drejtim të vendosjes të marrëveshjeve dypalëshe me universitete/fakultete nga
Europa Perëndimore dhe Juglindore duke përdorur përvojen time të fituar me
vendosjen e marrëveshjeve midis Unieversitetit tonë dhe Universitetit Valahia
te Targovishtes (2009), midis Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë dhe
Fakultetit Filologjik të Qendrës Universitare Nord Baia Mare, pjesë e Universitetit
Teknik të Kluzhit (2019). Dua të përmend këtu Projektin kombëtar SHKOLLA VERORE
PËR STUDENTË DHE PUNONJËS BIBLIOTEKE NGA SHQIPËRIA, shkollë e cila u zvillua
nga data 15 deri më 24 korrik 2019 pranë Fakultetit Filologjik të QUN Baia
Mare. Projekti, i cili ka ndërthurur më shume komponente, ka qënë një sukses i
vërtetë, me jehon të madh në Rumani dhe në Shqipëri. Synimi im dhe i partnereve
tanë është që shkolla verore të bëhet nje traditë.
Gjithashtu, në cilësine e
përfaqesueses kombëtare në Komitetin Europian ERA (Standing Working Group on
Human Resources and Mobility-ERA), në bashkëpunim me AKKSH-in dhe Ambasadën
Rumune në Tiranë, jam duke punuar për vendosjen e bashkëpunimit midis AKKSH-it
dhe Agjencisë kërkimore homologe rumune, e cila menaxhon të gjitha projektet
kombëtare dhe ndërkombëtare në Rumani. Duke arritur këtë bashkëpunim, mund të
synojmë më pas për vendosjen e marrëveshjes së baskëpunimit midis Shqipërisë
dhe Rumanisë në nivelin e ministrive të arsimit përkatëse”.
Cila mendoni se është pika
juaj më e fortë për këtë detyrë?
D. STOICA: “Pika ime më e fortë për
këtë detyrë mendoj se është pozitiviteti, tendenca për të parë gjithmonë anën e
mirë të gjërave edhe në momente vështirësije, dëshira për të bashkëpunuar me të
gjithë, kolegë dhe studentë, në interesin e përbashkët. Këtu mund të shtoj edhe
aftsitë e mia komunikuese, faktin se flas rrjedhshëm në një nivel të avancuar
ose mesatar 5 gjuhë me të cilat punon Bashkimi Europian (anglisht, frengjisht,
spanjisht, greqisht dhe rumanisht)”.
Nëse një student apo koleg
do të donte të merrte pjesë në votim, pse do të duhej të votonte për ju?
D. STOICA: “Studentët, ashtu edhe
kolegët që mbështetin kandidaturën time, janë shprehur tashme në rrjetet
sociale, duke nxjerrë në pah shansin që Departamenti im ka me kandidaturën time
të marrë një profil europian, ashtu siç i nevojitet nje departamenti të gjuhëve
të huaja”.
Keni ndonjë mesazh sidomos
për studentët tuaj?
D. STOICA: “Pavarsisht se vota e
studentëve nuk llogaritet për pozicionin e përgjegjesit të departamentit,
mesazhi im për ata është që të shkojnë në vot dhe të votojnë për të patur një
përvojë akademike europiane. Ju faleminderit!”