Kerko: a
Haxhi Mehmetaj: Kështjella e antikitetit Kekola
E diele, 26.07.2020, 03:40 PM
Kështjella
e antikitetit në Keqekollë, shek. VI.
Kështjella e antikitetit
Kekola
Nga
Haxhi MEHMETAJ
Sipas
përngjasimit të emrit të sotëm me emrin antik, jam i mendimit që kështjella e
Keqekollës mund të identifikohet me kështjellën Kekola, të cilën e përmend Prokopi i Cezaresë, historiani i oborrit
mbretëror të mbretit më origjinë dardane Justinianit, në listën e kështjellave
të Dardanisë, në veprën Mbi ndërtimet,
në shek.VI pas Krishtit.
Kështjella
ndodhet në fshatin Këqekollë të komunës së Prishtinës, mbi një kodër më pozitë
të jashtëzakonshme strategjike, 864 m mbi nivelin e detit. Në popull njihet me
fjalën e vjetër shqipe Gjytet. Kërkimet
arkeologjike të Institutit Arkeologjik
të Kosovës, të financuara nga Ministria e Kulturës dhe kryesuar nga autori i
këtij shkrimi janë duke u kryer që nga vitit 2007. Nga kërkimet është
konstatuar që kështjella në të gjitha anët ishte fortifikuar me mure të ngritura me gurë mesatar dhe të vegjël të
lidhur më llaç të bardhë gëlqereje, në teknikën opus incertum. Muret rrethuese të trasha rreth 1.80 – 2.00 m
ruhen mirë në të gjitha anët. Ato ndjekin linjën më të lartë të izohipsës së
kodrës duke i dhënë kështjellës trajtën
e drejtkëndëshit të çrregullt. Kështjella në anën jugore mbrohej më një kullë
drejtkëndore, të ngritur në dy faza, Kulla e faza së parë është më përmasa 9.45 x 7 m. Ajo lidhej në mënyrë organike me
muret rrethuese. Kurse në fazën e dytë kulla për t’i përballuar më mirë sulmeve,
nga ana e brendshme përforcohet dhe vishet më një shtesë gurësh në formë
drejtkëndëshi, ndërsa nga ana e jashtme më dy mure, të cilat ndërlidhen më
murin ballor të kullës dhe formojnë një konstruksion trekëndor. Këto fenomene
fortifikimi deri me tani nuk janë pa në kështjellat e Dardanisë. Muret e kullës
ruhen deri në lartësinë 4.70m.
Në
anën veriore të kullës është zbuluar hyrja dhe shkallarja e gurit e përbëra
prej 8 shkallesh. Brenda kështjellës janë zbuluar disa objekte banimi, sikurse
edhe bazilika më një anijatë, përmasash 12 x 6m. Bazilika ndodhej afërsisht në
qendër. Ajo ka qenë e orientuar lindje – perëndim. Ishte ndërtuar më gurë të
lidhur më llaç sikurse muret e kështjellës në teknikën opsus incertum, ndërsa
muret e saja nga ana e brendshme kanë qenë zbukuruara më afreske. Sipas
monedhës së bronzit të perandorit Justinian, të gjetur në pragun e portës
datohet saktësisht në shek.VI pas Krishtit.
Në
anën perëndimore të kështjellës, përafrisht në mesin e murit perëndimor është
zbuluar hyrja kryesore,hyrja për karroca dhe në skajin verilindor, hyrja
anësore, hyrja për këmbësorë.
Gjetjet
arkeologjike, enët e qeramikës, monedhat e Justinianit, veglat e punës nga
hekuri, dëshmojnë që kështjella është ngritur në shek. VI pas Krishtit, duke
mos përjashtuar mundësinë e përfaqësimit të fazave dardane te epokës
parahistorike të bronzit dhe të hekurit, sikurse edhe fazat mesjetare të shek.
IX – XI pas Krishtit.
Sipas
përngjasimit të emrit të sotëm me emrin antik, jam i mendimit që kështjella e
Keqekollës mund të identifikohet me kështjellën Kekola, të cilën e përmend Prokopi i Cezaresë, historiani i oborrit
mbretëror të mbretit më origjinë dardane Justinianit, në veprën Mbi ndërtimet, në listën e kështjellave të
Dardanisë, në shek. VI pas Krishtit. Kështjella brenda bedenave përfshinë
sipërfaqe prej afro 0.60 hektar. Ne anën jugore, aty kodra ka një pozitë më pak
të favorshme për mbrojtje, kundruall anëve të tjera janë hapur në një largësi 7
– 10 m, tri hendeqe, gjatësia e të cilave është afro 50 m. Ka të ngjarë që këto
hendeqe të jen hapur në periudhën dardane të hekurit.