Kerko: a
Arif Elezi: Qyteza e ëndrrave të mia
E diele, 26.07.2020, 12:25 PM
QYTEZA
E ËNDRRAVE TË MIA
Nga
Arif Elezi
1. QYTEZA E SHPRESËS SË
RINISË SIME
Me
këpucët e pastra ndër sqetull, posi Lina e William FAULKNER-it ! I mësuar në
jetën e diskrete të një katundi të vogël shtatë shtëpish, ballafaqimi me dritat
elektrike, mbeti njëri nga momentet që do të shënojnë, por edhe do të joshin
kureshtjen time, për të shkuar më tej nga ajo që shihja...
Në
moshën katërmbëdhjetëvjeçare, i sprovuari adoleshent, mund të hetojë shumë
gjëra që e rrethojnë, por në pamundësi krahasimi, ato përvoja të
paeksploatueshme, do t'i vejë në ndonjë sirtar, gjer në momentin kur do t'i
"hyjnë në punë", apo ndoshta edhe kurrë...
Në
fakt, gjithmonë kam pasur një admirim ndaj vendbanimeve pak më të mëdha, por jo
edhe në atë masë, ku nuk do të ishte i mundur menaxhimi i zhurmës, i ambientit,
respektivisht, i jetës në tërësi.
Rasti
kur po e shihja një automjet tek po e lante rrugën e Preshevës, përgjatë një
buzëmbrëmjeje, për mua ishte shenjë e mirëfilltë civilizimi, anipse atë kurrë
më nuk e pashë, meqë rruga kryesore e këtij qyteti, preferoj të mos fshihej më,
duke e parapëlqyer ngulfatjen dhe pushtimin nga papastërtia, gjersa njeriu i
qytezës po përqafonte përshtatjen me papastërtinë-këtë plagë pesëdhjetëvjeçare
?!
Me
të mbaruar studimet, krahas letërsisë, lexoja edhe libra nga fushë të ndryshme.
Degradimi i ambientit, më ishte bërë brengë, sepse në të shihja rrezikimin e
jetës. Tash e tutje, për zhgënjimin tim, qyteza, do të shndërrohej në një
"llomopolis"...
Sipas
konceptit tim (të atëhershëm dhe të sotëm) qyteza apo qyteti, në parim do të
duheshin të përmbushin një mori kriteresh, të domosdoshme, për të mundur të
quhet "Hapësirë URBANE". Me hapësirën urbane, njeriu nënkupton një
polifoni zërash, që do të jenë ide të ndryshme dhe plotësuese, të domosdoshme
për një prodhim kulture të mirëfilltë. Kjo hapësirë urbane, e destinuar dikur
për të krijuar qytetarë të qytetëruar (lexo: emancipuar gjithanëshmërisht), do
të siguronte një "prodhim qytetarie", qytetari e domosdoshme për një
funksionim qytetërues të një lokaliteti urban.
Në
origjinë,që nga mesjeta, borgjezia (banorët e qytetit), menaxhonte kujdesin
ndaj polisit (qytetit) të vet...
Kurrë
nuk e kam menduar se hapësira urbane, për ne shqiptarët, nënkupton: Vendosje
dhe zhvendosje njerëzish apo objektesh, duke shkaktuar kaos, ndër më të
shëmtuarit ! Sot, sa herë shkoj atje, shoh se bërlloku, shkon duke u
shtresuar... ngjitet e ngjitet lart, në nivele katesh të këtyre ngrehinave
frikësuese të betonit të përhirtë !
Qytetërimi,
kjo çështje superkomplekse, mbanë sy, edhe mbi çështje dhe gjëra, që njeriu ynë
i konsideron të vogla !, por që janë elementi dominues i "çështjeve"
të mëdha.
Qyteza
ime, unë bëra atë që munda për shëndetin tënd. Përgjatë katër vitesh gjimnazi,
në çantën time, mbaja, edhe basketet (patikat e stofit, që i quanin
"Shangajka"), vetëm e vetëm për të mos e sjellë baltën në ty,
shkaktuar nga udha e largët që bëja për të ardhur tek ti, vendi i dritave
elektrike dhe i grumbullit njerëzor. Ato, i ndërroja tek vendi i quajtur
"Te Kurbalitë", rreth një km larg
qytezës
së qytetërimit...
Ndoshta
thënia "Romak, është ai që jeton romakçe", do të ketë vend për...
2. PRESHEVËS SIME
Burokracia,
vret e godet, shpesh, pashërueshëm!
Nga
nxënësi model, një anonim dhe kryengritës memec... Ulur mbi një shkëmb buzë
rruge, në hyrje të qytezës, mendohem... dhe i them, pa zë e krejt memecërisht,
vendit ku do të kaloja katër vite gjimnazi, por edhe ku do të kthehesha prapë
në cilësinë e mësimdhënësit, për ta braktisur disa vite më vonë, duke
"marrë botën në sy", apo thënë ndryshe, për të vajtur "atje ku,
ulkonjës i thuhet nënë", sipas të madhit, Gj. Fishta, vend ky që do të më
përcjellë, po si hija, përgjatë tërë jetës, si në gëzime, po ashtu edhe në
hidhërime të nostalgjisë. E shikoj së larti nga "Guri i Mishës", dhe
i them: "Preshevë, po vi nga katundi L. i malësisë së Karadakut tënd. Një
copë udhë të gjatë bëra në këmbë, për të ardhur gjer tek Ti "...
Dita
e parë e gjimnazit, ishte njëra nga ato ditët që vështirë mund të definohen,
por që, në fakt, te shumëkush, mund të lënë gjurmë të thella, jo vetëm për një
jetë ! Ishte ditë sistemimi, caktimi mësojtoresh, caktimi i karriges dhe bankës
shkollore, të cilën do ta ndanim me ndonjërin nga bashkënxënësit. Pra, një ditë
zhurme, lëvizjesh, tollovie... Java e parë po mbaronte, pa e vërejtur, as edhe
më të voglën buzëqeshje tek ndonjëri nga profesorët, me të cilët do të kisha të
bëja, tash e tutje!
Në
fund të javës, kthehesha në familje. Prindërit, vëllezër e motra, më pritën me
plot hare. Në pyetjen e babait tim, nëse ishte çdo gjë në rregull, unë iu
përgjigja me "mirë", term që do ta përdorja përgjatë katër viteve të
gjimnazit tim, edhe pse "mirë", ishte larg të qenit mirë.
Duke
qenë i një natyre gazmore dhe duke e dashur punën, mbase përjetova një thyerje
të vrazhdë, që nga ditët e para, mu për faktin që nuk vëreja askund ndonjë
buzëqeshje, e leje më ndonjë ledhatim, ndonjë ndalesë të mësimdhënësve, sa për
të vu ndonjë kontakt njerëzor, akt ky mase i domosdoshëm për ndonjë ecje para,
në rrugën që ishim nisur. Kisha më pak se katërmbëdhjetë vjet ! Në këtë
atmosferë të ftohtë, seç mu krijua një mekanizëm psikologjik, i cili më
servonte një "indiferencë" ndaj mësimit, por edhe një lloj pasigurie.
Tash e tutje, do të lexoja vetëm librat që m'i kishte ënda, pa i zbatuar
kërkesat dhe preferencat e mësimdhënësve për autorë të caktuar: Një lloj
kryeneçësie, shoqëruar me një revoltë, por skajshmërisht të kamufluara në
brendinë e shpirtit, pa e dëmtuar kurrë askënd, madje edhe me masa sigurie që
ajo revoltë e imja të mos ishte e dukshme !
Vitin
e tretë dhe të katërt, pat edhe mësimdhënës të tillë që më ofroheshin me
kënaqësi, por, si duket, gjërat kishin eskaluar thellë në botën shpirtërore,
gjë që e bënte të vështirë vendosjen e ndonjë bashkëpunimi të çiltër dhe të
besueshëm. Ndër ta që ishin sinqerisht të afërt, mbase edhe kam postuar ndonjë
fjali falënderimi, por edhe më këtë rast, i falënderoj përjetësisht. Fjalën e
dhënë prindërve të mi, si çdo herë dhe në çdo mision e mbajta. edhe në ketë
gjimnaz: kurrë nuk mungova, por edhe kurrë, nuk u vonova !
Gjimnaz
memecërie, gjimnaz i heshtjes... E adhuroja javën, ku nuk duhej ngritur gishtin
për të furnizuar ndonjë përgjigje. Së pari shikoja majtas-djathtas, dhe nëse
dikush nuk kishte ngritur gishtin, nuk e bëja as unë. Mimetizëm, mbyllje në
vetvete... Nuk i përkisja botës së ekspozimit, ndërsa sa për grindje e
pakënaqësi, unë kurrë nuk isha i "kampit" tyre.
Po
vija nga larg, dhe në këmbë... ishte mësim jete. Në kohën kur u jepja mësim
nxënësve serb, kishte që vinin në këmbë nga Cakanoca. të lagur, të mërdhirë, u
afrohesha dhe i inkurajoja. E çmoja atë mundin plus ! Nxënësit e paraleleve të
mia të rregullta, i njihja aq mirë, sikur të kisha dosje të tërë për ta;
mjaftonte të kisha edhe një sekondë të vetme për t'i lëshuar sytë në ta, për
t'u kuptuar ku ishte halli, dhe cila ishte zgjidhja.
Përse
ky shkrim ? Ky postim nuk ka për qëllim auto-portretizimin apo
auto-psikanalizën. Synimi i tij, është të ofrojë një përvojë individuale, që
mund të inkorporohet në ato kolektive, orientuar drejt qëllimit
fisnik-suksesit.
Meqë
fati më ra të vija këtej ku jam, zbulova aq gjëra të mira që mund t'ia kemi huq
vetvetiu, duke dëmtuar atmosferën e duhur të mësimdhënies, ku, edhe më i vogli
gjest i dashamirësisë, mund të japë rezultate marramendëse.
Megjithatë,
Preshevë të mbeta besnik, edhe nga distanca gjeografike, ashtu siç më mbete
edhe ti mua, gjë për të cilën, të falënderoj nga zemra !