Kerko: a
Xhemal Ahmeti: Xhamia Osmane - simboli i ri i Republikës së Kosovës!
E merkure, 22.07.2020, 09:45 PM
XHAMIA OSMANE - SIMBOLI I RI I REPUBLIKËS SË KOSOVËS
E
drejtë e shumicës që jeton aty. Ata vendosin për udhën dhe fatin e tyre. Ne
duhet t'ua respektojmë vullnetin, pa shtypur mendimin tonë për gjendjen.
Nga
Xhemal Ahmeti
Liria
e ushtrimit të fésë nuk duhet të gërvishtet. Kjo përmban edhe të drejtën e
komuniteteve për të ndërtuar tempujt e tyre. Protesta e ateistit kundër
ndërtimit të tempujve fetarë është poashtu e drejtë e garantuar me kushtetutë.
Brenda kësaj polemike s'ka ç'kërkon shteti. Sekulari me përvojë dhe i shkolluar
e konsideron debatin ndërmjet këtyre dy poleve si pjesë të emancipimit të tyre
me dinamikën e koekzistencës.
Sipas
kësaj që shkruam më lartë atëherë polemikat dhe protestat kundër apo pro
ndërtimit të xhamisë në Prishtinë s'duhet trajtuar si dramë, por si kacafytje
sezonale ndërmjet religjiozëve dhe ateistëve, të cilët mbrojnë arealet e tyre
që besojnë t'i sundojnë. Apo konflikti ka portret tjetër e ne eufemizojmë
situatën nga indiferenca e thellë ose interesi material personal, partiak,
familjar?
1 ÇKA NDODHI DERI TASH
Pasi
u shpërbë Jugosllavia, sapo rra sistemi i Enver Hoxhës dhe pasi iku serbi gjatë
dy festave të bajrameve as sheshet nuk i zënë faltarët myslimanë e lere më
xhamitë. Duke u nisur nga ky mobilizim dy-herë një-orësh në vit, persona të
njohur për nga qëndrimet e tyre radikale plasuan kërkesën e ndërtimit të një
xhamie të madhe në Prishtinë. Mundësisht në qendër të Prishtinës. Me dëshirë
diku afër katedrales katolike dhe me minare më të gjata se kodrinat përreth.
Kërkesa u bë nga shoqata përfaqësuese e xhamive të Kosovës BIK. Nuk vonoi shumë
dhe doli në shesh edhe sponsori: Diyaneti turk me asistencën e TIKA - s,
respektivisht Erdogani siguroi financimin e xhamisë. Ashtu siç bëri në Tiranë.
Fillimisht komuna e Prishtinës kërkonte një arkitekturë ndryshe, të
përshtatshme me "kohën" dhe "ambientin" ekzistues. Dikur u
dorëzua dhe lejoi vënin e themelit. Gjersa BIK dhe një pjesë e madhe e
myslimanëve praktikues gëzohet e feston për këtë punë, një pjesë e vogël e
shoqërisë proteston kundër. Ata thonë se s'kanë gjë kundër xhamive, por kundër
tiranit të Bosforit që ka shtrirë kthetrat mbi sovranitetin dhe lirinë e tyre,
ndërkaq apologjetët e Erdoganit në Kosovë [të etiketuar edhe si agjent të
shërbimeve turke] nuk thonë se Erdogani nuk është tiran, porse protestuesit
janë islamofobë? Cila palë ka të drejtë?
2 PËRFAQËSIMI BRENDA
DISKURSIT
Legalizuesit
e kërkesës dhe miratuesit e saj nuk marrin qëndrim publik. Debateve thirren
mullahë të njohur të neosmanizmit erdoganesk dhe kundërshtarë të flaktë të të
parëve. Neoosmanët sillen më arrogancë dhe snoberi [më shumë nga injoranca]
debateve ngase për momentin e dinë që kanë fituar luftën. Nervoza dhe
argumentet e palës tjetër përjetohen nga recipienti si vaj histerik humbësish.
Kur
analizojmë postimet e fraksionit të Erdoganit zbulojmë strukturat përkrahëse të
vijës: prinë aktualisht anëtarësia e re e PDK-së, pastaj ajo e VV - së; nuk
mungon as LDK e Gjilanit dhe Kaçanikut. Të AAK - së dhe tjerave parti bëjnë
spektatorin por opinioni e di se edhe ato kanë futur TIKA-n shkollave fillore
ku sundojnë komunat. Nga ana e personelit të medias pro projektit shquhen ata
të grupit KOHA dhe TV Dukagjinit. As persona nga stafet e portalerisë së RTK -
së nuk mungojnë. Me përjashtime të veteranëve të caktuar të shoqërisë civile,
shumica e stafeve të OJQ -ve janë pro ndërtimit të xhamisë osmane të financuar
nga Erdogani.
3 GJENDJA
Nëse
bëhemi të sinqertë dhe analizojmë këto indikatorë siç janë, atëherë duhet të
pranojmë se Fraksioni [për nga intensiteti dhe prezenca brenda diskursit
mediave "serioze" dhe institucioneve civile e shtetërore, partive] që
përkrah ndërtimin e xhamisë të tipit osman me financimin e Erdoganit përbën
shumicën absolute brenda shoqërisë kosovare. Asgjë për tu habitur: të gjitha
qeveritë që nga Hashim Thaçi e deri tek kjo e Hotit në praktikë kanë përkrahur
këtë variant të ecjes së Kosovës drejt Turqisë [në vepër duke ia dhënë
infrastrukturën, transportin, telekomunikacionin, shkollat, kultet fetare
myslimane ...]. Kohëve të fundit shumica e partive të veçanta kanë hequr maskat
dhe edhe retorikën ia kanë përshtatur asaj të Erdoganit: sulmojnë BE-në,
SHBA-të dhe vendet e ashtuquajtura "oksidentale". Nga kjo del se
partitë, mediat, shoqëria civile dhe shteti nuk përkrahin gjithaq xhaminë si
hapësirë komode biznesi e faljeje të besimtarëve të tyre myslimanë, por më
shumë e konsiderojnë atë si simbol demonstrativ konkurrence ashtu siç bëri
"paraardhësi" i tyre Justiniani kur ia tregonte dhëmbët Romës, ashtu
siç bëri Sulltani me Hagia Sofian, pra kështu siç bën Erdogani sot në Stamboll
dhe në Prishtinë.
4 KONKLUZIONI
Kur
një pakicë e humbë luftën ajo nuk donë të thotë se u shua fare. Asaj mund t'i
dëshirojmë fuqi e energji për ndonjë kohë tjetër. Për këtë kohë Kosova ka
vendosur të zgjedh vijën neoosmane. Ky vullnet shumice duhet respektuar edhe kur
s' na pëlqen fare. Natyrisht duke mos heshtur kurrë duke recituar mendimin se:
xhamia është projekt politik sipas strategjisë së shpaluar nga Davotoglu me
shkrim për rikthimin e tokave ish osmane; se shqiptarët dalin të pamoralshëm
kur përkrahin tiranë të formatit të Millosheviqit [fizikisht ndaj kurdëve dhe
pakicave tjera në Turqi dhe kulturalisht e ekonomikisht ndaj kulturës shqiptare
në sferat e tyre autoktone], pavarësisht leverdisë politike e materiale me të
cilat i josh Ankara. Kësaj radhe fitoi Erdogani tek shumica. Si Tito që fitonte
dikur.
Si
duket Kosova ende nuk është e gatshme të jetë e pavarur. Me këtë as shqiptare.
Europiane (politikisht) si ashtu jo.