Kerko: a
Eshref Ymeri: Enciklopedia e mërisë evropiane dhe e përçarjes ndërshqiptare
E hene, 22.06.2020, 07:14 AM
Enciklopedia e mërisë evropiane dhe e përçarjes ndërshqiptare
Nga Prof. dr. Eshref
Ymeri
Në portalin “Agjencioni Floripress” të datës 20
qershor, lexova Esenë politike të akademikut prof.dr. Hakif Bajrami, me titull“Re të zeza iu kanë mveshë Kosovës sërish
për t’u siguruar fron për dekadat që vijnë”.
Akademiku Hakif
Bajrami është një personalitet i njohur i kombit tonë dhe zë një vend nderi në
historiografinë shqiptare. Në këtë Ese ai ka bërë skanerin e politikës
tradicionale evropiane në qëndrimin armiqësor që ajo ka mbajtur ndaj kombit
shqiptar, si edhe, tërthorazi, ka nxjerrë në pah tragjedinë e përçarjes
ndërshqiptare, e cila është burimi i të gjitha fatkeqësive të rënda që kemi
pësuar që nga lashtësia pellazgoiliriane.
Kur lexuesi i
vëmendshëm njihet me përmbajtjen e Esesë së akademikut Hakif Bajrami, vetvetiu
rri e shtron pyetjen:
Ku e ka pasur burimin
qëndrimi armiqësor i politikës evropiane ndaj etnisë shqiptare?
Të dyja Akademitë e
Shkencave në Tiranë dhe në Prishtinë, duhej t’i kishin dhënë përgjigje me kohë
kësaj pyetjeje mjaft të nxehtë.Po pse kanë heshtur? Kanë heshtur, sepse
gjithmonë janë zvarritur pas politikanëve mercenarë, tradhtarë të interesave
kombëtare, të cilët mbijetesën e tyre politike e kanë kërkuar dhe vazhdojnë ta
kërkojnë jo në radhët e popullit të vet, por te mbështetja e të huajve.
Por pavarësisht se të
dyja akademitë nuk i janë përgjigjur pyetjes së lartpërmendur, përgjigjen e saj
shqiptarët e kanë gjetur në penën e mjaft personaliteteve të kulturës
evropiane.Për këto personalitete të nderuara faktet janë themeli i të vërtetave
historike, në kundërshtim me politikën evropiane, e cila mbështetjen e
pamoralshme që i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë grekosllavizmit, e ka bazuar në
gënjeshtra, mashtrime dhe mitologji të gjithfarëllojshme, të sajuara në Athinë
dhe në Beograd. Këto personalitete janë të shumta, por këtu do të mjaftohem me
citimin më poshtë vetëm të njërit prej tyre.
Dihet që historia e
etnisë shqiptare është në themel të historisë evropiane dhe gjuha shqipe është
pararendësja e gjuhëve evropiane dhe prej saj e kanë origjinën greqishtja e
vjetër dhe latinishtja.Këto fakte kanë ngjallur smirën dhe xhelozinë e
politikës evropiane ndaj etnisë shqiptare. Dhe, për të errësuar të vërtetën,
grekët, me mbështetjen e gjithanshme të politikës antishqiptare evropiane, e
shndërruan veten në ofiçina të fuqishme për sajimin e gënjeshtrave, të
mashtrimeve dhe të mitologjive për “lashtësinë” e tyre, në kundërshtim me të
vërtetat historike. Për këtë qëllim, ata, duke shfrytëzuar përçarjen tragjike
të etnisë shqiptare dhe, për pasojë, pazotësinë e saj, na grabitën historinë
dhe na shpikën përrallën për grekët “e lashtë”, Homerin e shndërruan në “pronë”
të “Greqisë së lashtë”, të gjitha perënditë, emrat e të cilave shpjegimin e
gjejnë vetëm në gjuhën shqipe, i reklamuan si Hyjni “greke”, si edhe shpikën
Luftën e Trojës, si luftë midis “grekëve” dhe trojanëve.
Përballë mashtruesve
dhe mitologëve grekë, si edhe në kundërshtim me politikën armiqësore evropiane
ndaj etnisë shqiptare, shkrimtari francez Moris
Dryon (Maurice Druon - 1918-2009), anëtar
i Akademisë franceze prej vitit 1967 dhe sekretar i saj në periudhën mes viteve
1985-1999, ka shkruar:
“Albanians
belong to people older than its history, and the grandparents of Albanians took
part in the war of Troy, led by Achilles (… on one side) and Hector (on the
other)” - “Shqiptarët u përkasin popujve më të vjetër se
vetë historia dhe gjyshërit e shqiptarëve merrnin pjesë në luftën e Trojës, të
udhëhequr nga Akili (…në njërën anë) dhe Hektori (në anën tjetër)” (Citohet sipas: “What
others say about the Albanians? Maurico Druon”. Facebook.20 shtator 2016).
Ky personalitet i
kulturës franceze i jep një leksion të mirë shpifografisë dhe mitologjisë greke
për ata të ashtuquajturit grekë të lashtë.
Serbët, gjithashtu,
nën shembullin e grekëve, për pazotësinë e paraardhësve tanë, na grabitën
historinë. Të gjitha kishat dhe manastiret katolike të Kosovës i rrëmbyen dhe u
vendosën simbole serbe.Ky ka qenë një poshtërim shumë i madh që sebët u kanë
bërë iliroshqiptarëve, të cilët, të përçarë nëpër principata, luftonin vetëm
kundër njëri-tjetrit. Në një material të ditëve të fundit, të cilin studiuesi i
njohur Saimir Lolja e ka botuar në internet, laxuesit informohen për një
dokument mjaft interesant. Në atë dokument bëhen të njohura “Kerkesat
e Papa Benediktit XI dhe Papa Klementit V, dërguar mbretit Millutin dhe Stefan
Dushanit më 1346, duke urdhëruar që të lirojnë Kishat Katolike, te uzurpuara në
Graçanicë, Artanë (Novo Brdo), Janjevë, Pejë, Deçan dhe Prizren”.
Jo vetëm kaq.
Iliroshqiptarët, për shkak të përçarjes së tyre famëkeqe, jo vetëm që nuk ishin
të zotë të mbronin objektet e tyre fetare, por edhe i lejuan vetes të robëroheshin
nga ardhacakët serbosllavë dhe puna të arrinte deri aty, saqë në trojet e tyre
amtare këta të fundit të ngrinin edhe perandorinë e Stefan Dushanit.
Akademiku Hakif
Bajrami, si një historian mjaft objektiv, ka renditur një mori të tërë faktesh tronditëse
për qëndrimin plot urrejtje të politikës evropiane ndaj etnisë shqiptare.
Prandaj edhe Esenë e tij e vlerësoj si një enciklopedi të mërisë evropiane dhe
të përçarjes ndërshqiptare. Duke i gjykuar me gjakftohtësi këto fakte, mund të
thuhet pa mëdyshjen më të vogël se ato përbëjnë një faqe turpi në historinë e
Perëndimit evropian, i cili vazhdimisht ka pasur bashkëpunim të ngushtë me
shovinizmin rusomadh kundër etnisë shqiptare.
Duke u ndalur në
fatkeqësinë brendashqiptare, akademik Hakif Bajrami nxjerr në shesh edhe ca
fakte të dhimbshme, të panjohura deri më sot, që të trishtojnë dhe të mbushin
plot maraz. Ai shkruan:
“E
vërteta është se askush deri më sot nuk e ka zbuluar se Elhami Nimani e
ka dorëzuar Procesverbalin e Themelimit të PKSH-ësë në Beograd e jo në
Tiranë!Atëbotë, kur ishin paraparë si kandidatë për drejtimin e PKSH-ësë: Zef
Mala, i propozuar nga PK e Italisë, Koço Tashko, i propozuar nga Kominterni,
dhe Sejfulla Maleshova (Lame Kodra), i propozuar nga PK e Francës”.
Vajmedet,
o shqiptarë! Vetëm të huajt mendonin se kush do të vihej në krye të së ashtuquajturës
Partia Komuniste e Shqipërisë! Shqiptarët - jo. Dhe, në fund, ishte Beogradi ai që, në krye të asaj partie,vendosi
askushin me emrin Enver Hoxha, pjellën e ligësisë, njeriun pa shtyllë
kurrizore, i cili shqiptarët e atdheut amë i shtypi egërsisht, i përçau
mizorisht me luftën e klasave dhe, kur u largua për në botën e përtejme, i la
të varfëruar deri në përmasa mitike.
Të
vjen keq dhe të pikon në zemër që shqiptarët dikur kanë pasë qenë etnia më e
madhe e Gadishullit Ilirik dhe sot janë katandisur në këtë gjendje. Në një
material të publicistit dhe studiuesit të njohur Nuri Dragoj, të botuar para do
kohësh në internet, thuhej se në mesin e shek. XIX Greqia numëronte një milion
e dyqind mijë banorë, Serbia - gjashtëqind mijë, Shqipëria - një milion e
gjashtëqind mijë.Po sot, pas njëqind e shtatëdhjetë vjetësh, ku janë serbët e
grekët e ku jemi ne?!
Në
Esenë e vet, akademiku Hakif Bajrami ngre shqetësimin e vet intelektual për
takimin e 27 qershorit në Shtëpinë e Bardhë. Ai nuk u beson politikanëve
kurrizshtruar në shërbim të Beogradit, të cilët do të shkojnë në atë takim. Dhe
prandaj shkruan:
“E
kur po dihet se me çfarë politikanësh jemi rreshtuar ta zgjidhim çështjen e
Kosovës, atëherë na duhet mësuar mirë e ngjeshur historinë tragjike”.
Mercenarizmi
dhe tradhtia e politikanëve shqiptarë është arsyeja kryesore që, sot,
dymbëdhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, të njohur
ndërkombëtarisht nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës, si shtet sovran dhe i pavarur, në tërësinë e vet territoriale, të
diskutohet ende për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Ky është një turp kaq i
madh, saqë nuk e ngre as dheu as qielli. Dyshoj shumë se Kosovës po i
përgatitet gjëma e madhe. Nuk e di se si do të rreshtohen Albin Kurti dhe Vjosa
Osmani. Nëse populli shqiptar i Kosovës i do, i respekton dhe u beson këtyre dy
intelektualëve të ndershëm, të panjollosur me damkën e hajnisë dhe të korrupsionit,
të kultivuar nga Hashim Thaçi, Isa Mustafa etj., duhet të
ngrihet peshë më këmbë dhe t’i përkrahë fuqimisht. T’i përkrahë fuqimisht, se
duhet të bëhet i vetëdijshëm për vlerat e lirisë.Populli shqiptar kurrë nuk ka
qenë i lirë, prandaj edhe e ka të vështirë t’i kuptojë vlerat e lirisë në
kushtet e demokracisë së munguar. Kisha dhe vazhdoj të kem shumë shpresë te
Albini dhe te Vjosa, të cilët po përgatiteshin të kryenin përmbysjen e madhe,
të hapnin një faqe të re në historinë e kombit shqiptar, duke ushtruar edhe
ndikimin e tyre të fuqishëm mbi atdheun amë, i cili ka gati shtatë vjet që po
vuan në varfëri nga arroganca e kryenistrit Rama.
Indianapolis,
Indiana
22
qershor 2020