Kerko: a
Enver Bytyçi: Abdullah Hoti apo Hashim Thaçi? Kush do ta drejtojë dialogun me Serbinë?
E marte, 16.06.2020, 09:59 AM
Abdullah Hoti apo Hashim Thaçi? Kush do ta drejtojë dialogun me Serbinë?
Nga
Enver Bytyçi
Kryeministri
i Kosovës, Abdullah Hoti, pas një takimi të paradites së sotme me presidentin e
vendit deklaroi se dialogun me Serbinë e udhëheq kryeministri dhe kjo nuk mund
të ndrzshojë. Në fakt zoti Hoti ishte në takim me presidentin për të paraqitur
platformën e bisedimeve me Serbinë. Se kjo platformë i ka pëlqyer ose jo
presidentit Thaçi, kjo u provua nga një deklaratë e kreut të shtetit, kur tha
se ''Kushtetuta ngarkon presidentin me përfaqsimin e shtetit në marrëdhëniet
ndërkombëtare''! Ndërsa zoti Hoti sot rikonfirmoi se kushtetuta dhe gjykata
kushtetuese ia njeh kryeministrit atributin e udhëheqjes së dialogut me
Serbinë. Ndërsa Kushtetuta e ka përcaktuar Kosovën si Republikë
Parlamentare
dhe si e tillë ajo përfaqësohet në botë nga qeveria dhe jo nga presidenti!
Kësisoj presidenti kërkon të grabisë atribute, të cilat nuk ia njeh dokumenti
themeltar i shtetit!
Duket
se do të vazhdojë gara president-kryeministër në procesin e dialogut
Prishtinë-Beograd. Këtë garë Hashim Thaçi e fitoi lehtazi me Isa Mustafën, të
cilin e pati nën sqetull edhe kur ishte zevendës i tij. Fillimisht rolin e
Thaçit në dialog e pati konfirmuar edhe Ramush Haradinaj, kur thoshte se
"Presidenti i di më mirë marrëdhëniet dërkombëtare! Por pasi hetoi që
kryetari i Shttetit të Kosovës po punonte në bashkëpunim me Serbinë kundër
Kosovës dhe territorit të saj, Haradinaj iu drejtua Kushtetueses dhe mori si
përgjigje rolin primar të kryenministrit në këto bisedime. Bisedimet në dukje u
bllokuan, ndërsa dy presidentët e të dy vendeve, ai i Serbisë dhe ai i Kosovës,
vijuan të takohen fshehtas në kulisa për ta çuar përpara projektin serb të
ndarjes së Kosovës.
Albin
Kurti e përjashtoi kategorikisht kryesimin e grupit negociator nga Hashim
Thaçi. Të njëjtën gjë ka deklaruar edhe Abdullah Hoti, por në një formë të
moderuar. A do të thotë kjo se Hoti mund të tërhiqet nga projekti që paraqiti
në Akademinë e Shkencave dhe për pasojë edhe nga drejtimi i Grupit Negociator
me Serbinë?! Nëse ndodh kjo, atëherë vjen shumë shpejt fundi politik i kryeministrit
aktual. Prandaj zoti Hoti është i detyruar që të zbatojë të gjitha principet që
ai shpalosi javën e kaluar para akademikëve të Kosovës.
Në
procesin e zbatimit të këtyre principeve ai do të ketë përballë Hashim Thaçin.
Dhe përballja në fakt duket se ka filluar. Gara se kush do ta drejtojë dialogun
është sprova e parë dhe kryesore. Nga fakti se kush hedh firmën në marrëveshjen
përfundimtare me Serbinë varet edhe zbatimi ose jo i kritereve dhe modaliteteve
që ka shpalosur kryeministri aktual i Kosovës. Nëse do jetë Thaçi ai që do ta
përmbyllë dialogun dhe do ta firmosë atë marrëvesje, atëherë gjithçka që ka
thënë Hoti shumëzohet me zero. Sepse Hashim Thaçi nuk firmos asgjë tjetër
përveç opsioneve serbe të Beogradit për zgjidhjen e konfliktit midis shqiptarëve
dhe serbëve.
A
do të qëndrojë Hashim Thaçi sehirxhi?! Nuk e besoj. Ai ka marrë angazhime
konkrete për zbatimin e planeve serbo-ruse në Kosovë. Madje jo sot. Që në
qershorin e vitit 1999, kur Thaçi qëllimisht e la veriun e vendit nën ndikimin
dhe administrimin de facto të Beogradit. Ai erdhi në pushtet, qeverisi vendin
për më shumë se një dyzinë vitesh dhe asnjëherë nuk tentoi të vendosë
kontrollin e institucioneve të Prishtinës në veri, edhe pse pati përkrahjen e
drejtpërdrejtë të Angela Merkel. Gjithkujt i kujtohet urdhëri që Merkel dha në
vitin 2012 për shkrirjen e institucioneve paralele serbe në veri të vendit. Por
Thaçi asnjëherë nuk deshi që të realizohet kthimi i plotë i qeverisjes së
Prishtinës në veri. E donte veriun si plaçkë tregu me Beogradin për hesapin e
tij politik e personal. Ndonjë aventurë të ROSU-së në veri e realizoi thjesht
për të mbuluar të vërtetën e kundërt. Kjo është arsyeja kryesore pse pritet që
midis presidentit dhe kryeministrit të Kosovës të luhet një duel i radhës fillimisht
për atë se kush do ta drejtojë dialogun e më pas se kush e çfarë marrëveshje me
Serbinë do të firmoset. Nga e gjithë kjo lojë e turpshme e Hashim Thaçit Kosova
mund të njihet si shtet i pavarur. Por si vijë e mesme mund të jetë vënia e
veriut nën administrimin e OKB-së. D.m.th UNMIK 2 të vendoset me një rezolutë
të re të Këshillit të Sigurimit në veri. Më pas do të duhen një ose dy dekada
të tjera për t'i dhënë fund dilemës se kujt i përket kjo pjesë e
territorit të vendit, Kosovës apo Serbisë. Gjatë kësaj kohe forcat proserbe në
shtetet e territoret shqiptare do të tentojnë që Kosovën e pavarur ta bashkojnë
me Shqipërinë, me qëllim që t'i japin fund ndarjes së Kosovës dhe
veriun ta marrë përfundimisht Serbia.
Prandaj
është e domosdoshme që Abdullah Hoti t'ia presë drutë shkurt Hashim
Thaçit! Ai duhet të mendojë për Kosovën dhe ardhmërinë e saj dhe duke menduar
për këtë do të realizojë ardhmërinë e vet politike. E vetmja shpresë është se
zoti Hoti, ndryshe nga Isa Mustafa, nëse e humb këtë betejë me Serbinë, pra me
Thaçin, do të humbasë vetëveten.