Kerko: a
Shyqyri Fejzo: Numëruesi i votave
E shtune, 06.06.2020, 11:21 AM
Numuruesi i votave
(tregim
humoristik)
Nga
Shyqyri Fejzo
Ditën
e pare që erdha në fshat, pyeta për ish bariun e dhive, Tanushin si është. “Në
shtëpi rri. Ka hyë në pleqeri të thellë, po mendjen e ka halë akoma” më thanë
ata që pyeta. Mendjen e shtegëtova tutje, kur Tanushi ishte bariu i dhive.
Muaji gusht ishte, kur blegtorët bëjnë e mbledhin gjethin për ushqim në dimër
për dhitë. Tanushi kishte ngarkuar gomarin me gjeth dushku e kishte marrë
rrugën për në fshat. Pa pritur dëgjoi biseda njerzish me zë të lartë e të
qeshura. Përballë vinin katër pesë burra. Sekretarin e parë të rrethit e
shoqëronin “ paria “ e fshatit. Po bënin me gisht nga Tanushi dhe i këputin një
të qeshur gurgulluese, sa oshëtinte pylli për rreth. Tanushi krojti kokën, kapi
për kapistalli gomarin dhe iu drejtua njerëzve.
-Ush,
ush o i flamosur. O shoku sekretar, aman hiqi ato syze se më trembet gomari dhe
kam frikë se më kthen samarin…” Shoqëruesit e partiakut mbetën të shtangur.
Sekretari i patë “fryu pendët” dhe i u turr.
-Hë!
Bari gangster! Kujt i flet kështu ti? Paske lënë dhe një pëllëmbë mustaqe, pa
le!- I foli sekretari pa u përshëndetur fare me të.
-Unë
këto mustaqe kam. Se mos kam kostume si ti! Dhe këtyre ju bëre sevda?.-gërrici
ku nuk mbante bariu i dhive.
Këto
po kujtoja nga mjergulla e kohës së hershme, ku më shfaqej dhe Tanushi. Pas dy
orësh që ndejta dhe u shlodha me njerzit e mi, mora rrugën për te shtëpia e
Tanushit. Më priti e bija që kishte ardhur ato ditë dhe nusja e djalit. E gjeta
mbështetur. Kishte hapur televizorin. Pranë në një tavolinë të vogël qëndronte
bucela, që shpesh i thërresin kçnaçe dhe
gota e ujit, një shportë me fruta dhe çibuku me take-tuken e duhanit. U
përqafuam me mall.
-Si
je? Si e ke kaluar o kockë e fortë?- I them duke i shtërngaur duart e
përqafuar. “Aha! Isha dru thane, po tani jam bërë dru prej shtogu. Po shkel në
fusha të minuara dhe minat nuk dihet kur pëlcasin të flamosurat- u përgjigj
duke qeshur.
-Po
nuk more leje në Bashki nuk mund të shkosh as gjëkundi. Biletat për në parajsë
tani i shpërndan vetëm Bashkia- i a ktheva..-pastaj soji juaj rronte mbi 100
vite- i them më tepër për ti bërë qejfin.
U krekos,uli pak zërin e televizorit, dhe sytë nuk i ndante nga ekrani.
Ishte e Enjte dhe podiumin e Kuvendit e
kishin zaptuar sherrxhinjë e parlamentit.
-E
dëgjove çfarë thanë sot?- e pyeta.
-Thumbin
dhe njëqind herë ta rrahësh, majë nxjerr. Ashtu është dhe puna e tyre. Më vjen
inat se Kuvendi nga të dy palët ka dhe njerëz të zot. Po heshtja e të mençurit
në këto vende, i thonë një fjale, bën më shumë dëm se shpifjet..“ Fjala solli
fjalën e ne të dy mbasi trokitëm gotat me raki thane, tani po gjerbnim kafenë.
Pa pritur, vura re se qeshi nën mustaqe, mori
frymë thellë, më vuri dorën në gju dhe e zbrazi me të dy tytat.- Ai i
flamosur parlamenti është bërë si ajo që tregojnë. Po kënduan shumë qyqe i del
lezeti beharit…
-Si
të duken problemet e sotme, me që i ndjek lajmet dhe nuk i u ndake
televizorit?- lëshova pyetjen tjetër. U detyrova ta përsërit pyetjen se i kisha
folur me zë të ulët. Krojti pak kokën u mbush me fryme.Rrufiti filxhanin e
kafesë, puliti sytë dhe tha.
…-Të dyja janë njëlloj në rrezik. Si dhënia
budallait sopatën dhe të pandershmit pushtetin.. Se, more xhan syri beson më
tepër se veshi. Ç’ po na shikojnë loçkat e syve, pak mbetet për llapat e
veshëve… Muhabeti ynë shkonte qoshe më qoshe e majë më majë. “Po më thuaj,
andej nga qyteti a u përçitën shalqinjtë?” E dija prej kohësh se Tanush i vinte
jastek fjalës sa herë që fliste. Me mendjen halë ai përgjigjej
ezber, si atëhere kur ishte i ri. Si me kujdes e pyeta për djemtë e
vajzat, nipat e mbesat. U kënaqa përsa dëgjova.
-Ata
kanë zënë për brirësh punën, more lako. Puna nuk poshtron njeri. Fatkeqësisht
ka njerëz të tillë që sot e poshtrojnë…
Ja. Tani plasi ajo hanko korona.Fshatarët e mi, që një pjesë ikën deri
në bregdet, këto muaj u kthyen.Po ndërrojnë çatitë e shtëpive që të mos pikojnë, po meremetojnë dhe i bëjnë të
banueshme.E keqja është se për ne fshatarët leku sot është bërë i madh sa një
gur mulliri. Fshatari nuk e kap dot gjëkundi. Dëgjoja aty njëditzaj kur
diskutohej për atë reformën e drejtësisë. Thuhej se një gjykatës do marrë aq
para në muaj sa unë nuk i marr me pensionin për 10 vjet…”Këmbyem mendime për të
gjitha këto zhvillime. Kur i kerkova se çfarë mendonte për refrmën zgjedhore e vetingun, perëndoi sytë, krojti
kokën dhe tha. “Unë e mendoj se kush është prej kashte, larg nga zjarri. Po
hajde e gjeje sot kush është prej kashte”. Fjala solli fjalën dhe ne të dy atje
në fshatin e thellë malor, në shtëpinë në cep të fshatit, afër pyllit, me
Tanushin po flisnim për politikën e madhe.
Me
që më erdhe dhe ardhësh e të ardhshim në gëzime, kam një mendim për ty. Me që
je ca i lëçitur dhe ke të bësh me ato gazetat, qeveritarët e televizionet, do
ta them një fjalë. Kam dëgjuar për atë zgjedhoren që ata të parët e partive po
hahen shumë dhe nuk po e gjejnë shtegun. Kanë dyshime tek numurimi i votave.
Unë mendoj se lepuri fshihet te pjesëmarrja e njerëzve në votime, jo te
numërimi. Ne sa herë kemi votuar nuk e njohim njeriun për të cilin hedhim
votën. E pse të shkojmë në votime.Ata atje i kanë fletët a si u thonë, atje
kanë dhe kutitë.Mos na lodhin ne. “Derr në thes” nuk shkon më. Ja, ky numërimi
i votave.Për këtë hahen e grihen, po ky do jetë vetëm sebep. Ju thuaj ore më
qafsh të shikojnë ndonjë bari që nuk di shkrim e këndim e ta vënë të numurojë
votat. Të jenë të sigurtë se nuk ka miqësi me asnjë parti. Ti e di. Ashtu kam
qënë une. I numuroja kokët e bagëtive pa lajthitur sikur një.Pastaj i bëja
shkallët me thikë në një shkop të bukur
thane. Në një anë të shkopit shënoja krerët e ndërzyera, në anën tjetër
shterpat, në një anë të tretë enjat (dhitë që u kishin ngordhur kedhat e mileshin).Pastaj
cjepët e karçinat. Këtë shkop që ne barinjtë i thoshim rabush, dhe thikën e
bërë tek kovaçi i fshatit me mëruth bushi, e mbaja gjithnjë me vete. “Shkop
bio”, si u thonë sot. Ore lako, të numurosh nuk është gjë e lehtë. Ata me
shkollë shumë lajthitin në numurim.E di unë nga koha e barillëkut. Kur më
kontrollonin për lindjet e kedhave, veç “rabushit”, unë u thosha “një polli,
një shtiu, një mbet shterpë vetvetiu”. E besonin. E shkruanin çfarë u thosha,
po jo në “rabush”, në disa fletë të bardha.Ndaj ju thuaj, të marrin në numurim
një bari që nuk di shkrim e këndim. Ai ua nxjerr të paqmë të vërtetën. Kam
dëgjuar se ministri i brendëshëm i atij Stalinit, barinjtë i vlerësonte shumë
si zbuluesa. Ai i baravitëte barinjtë me gjahtarët dhe shoferat dhe u besonte
shumë. Kështu u thuaj. Mos angarisen kot. Tani ka barinj pa shkollë se shumë
shkolla mbetën me 2-3 nxënës dhe ato i mbyllën fare. Mësues nuk ka. Kështu që
çunat krisën në Greqi 0se me bagëti. Nobare, si barinj të mirë, ti marrin për
numërim të votave.Ata të nxjerrin në selamet për disa orë, jo me ditë të tëra,
si ka ndodhur më parë.
Kjo
puna e numërimit të votave e paska ilacin. Po flitet për një top që valla e
paska hedhur ajo zonja e madhe e Amerikës në një krah dhe topi paska mbetur
atje.Do të ketë qënë top prej lecke ai, si ata topat që luajnë fëmijët. A,a,a!
Për atë top nuk të jap dot mendim. S’ka bari të merret me atë. Se ja unë them
mund të ketë qënë top pe lecke. Po të jetë top pe hekuri apo pe plumbi? E
kishim këtu ne një bari që ngrinte gomarin me gjitë dru në hava. Ai po. Por iku
nga fshati firauni e banon në Itali tani.Atë top tani se luan dot njeri se larg qoftë, mbetet pa
hallate fare pastaj. Ndaj ai top mbeti në atë anë.” Duke më përcjellë Banushi
vazhdonte të fliste.Kush e di se sa sa do kishte zgjatur biseda jonë më këmbë,
por atëhere e thirri e bija se i kishte vajtur e kaluar ora e pirjes së
ilaçeve. U ndamë me të mallshëm duke u kënaqur për shëndetin e mendjen halë që
gëzonte.