Kerko: a
Haxhi Mehmetaj: Kultura dardane e Bërnicës
E premte, 05.06.2020, 07:58 PM
Kultura dardane e Bërnicës
Nga
Haxhi MEHMETAJ
Kultura
e Bërnicës është kulturë dardane e periudhës së bronzit të vonë ( 1300 – 1100
para Krishtit). Ka marrë emrin sipas vend zbulimit të parë, nekropolit në
fshatin Bërnicë e Poshtme, 5 km në veri të Prishtinës. Përfaqësohet në
nekropole dhe vendbanime. Shtrihej në Kosovë, Maqedoninë veriperëndimore,
Sanxhak e Serbi juglindore . Nekropolet me reprezentative të kësaj kulture
përveç atij të Bërnicës janë edhe nekropolet e Grashticës , Keqekollës,
Ulpianës në afërsi të Prishtinës,
Kluçkës – Hipodromit të Shkupit, Donja Topionicës, Gornja Strazhava afër
Prokuplës, Gllogovikut e Dojeviqit në Peshterë.
Ndërsa
gjurmët e vendbanimeve për të cilat ka pak të dhëna janë zbuluar në Bardh të
Madh e Graboc të Ulët të Fushë – Kosovës, Keqekollë e Badoc të Prishtinës, Ticë
e Tushilë të Skenderajt, Rashkoc të Gjakovës, Lubozhdë të Istogut dhe G.
Strazhavë. Tiparet e kësaj kulture dalin në pah nga varrimi më djegie dhe
vendosja mbetjeve mortore në enë të qeramikës – urna. Varret janë individuale
apo të përqendrua në grupe. Ato shënjohen e mbrohen më rrasa të pa punuara
gurësh, rrasa të gdhendura gurësh dhe konstruksione “toloide” të bëra nga gurët
e bardhë lumor. Në disa varre të Grashticës dhe të Keqekollës njihet kulti i
thyerjes së enëve të poçarisë.
Në
kulturën e Bërnicës ndeshen edhe varre më vënie të trupit si vazhdim i
traditave të fazës pararendëse të bronzit të mesëm. Qeramika e kësaj kulture
përbehet nga urnat, pjatat, tasat, filxhanët, enët dyshe .Prinë urnat dy konike
më qafë cilindrike, buzë të gjera të pajisura më nga dy apo katër vegje, pjatat
e thella cilindrike pa vegje apo me nga dy e katër vegje të larta mbi buzë,
maja e të cilave zbukurohet më nga një shtesë në formë të thimthit të gjirit të
femrës. Janë gjetur edhe fragmente e enë të zbukuruara më motive gjeometrike,
zbukurime të një stili të artit tipik vetëm për ketë kulturë. Nga stolitë
veçohen gjilpërat zbukuruese nga bronzi e ashti, rruazat nga qelibari, bronzi e
pasta e qelqit, pullat dhe tëmthorët nga pafta e bronzit.