Kerko: a
Dea Halimi: Jehona e lumturisë së fëmijëve
E hene, 01.06.2020, 12:31 AM
Në vigjilje të 1 Qershorit
Jehona e lumturisë së
fëmijëve
Nga Dea Halimi
Ecja rrugës për në
bibliotekë, në mendime për 1 Qershoret e
kaluar. Ç`do vit në këtë ditë sheshi i kryeqytetit gjëmonte nga zërat e
hareshëm të fëmijëve. Këtë vit ishte ndryshe… është kohë pandemie – tash e sa
kohë jemi mbyllur brenda në shtëpitë tona, mësimi zhvillohet nëpërmjet TV dhe
internetit në platforma të ndryshme. Kjo kohë në të cilën jemi na bëri
pothuajse të pamundur të ndjekim aktivitetet e përvitshme të cilat shfaqeshin
në qendër të kryeqytetit, në sheshin e mbushur nga mija fëmijë të buzëqeshur,
të lumtur e të gëzuar, e gjithë kjo për nder të ditës së fëmijëve, 1 Qershorit.
Këtë datë e bënin
të veçantë momentet, çastet, rrugët e pafundme të jetës dhe të lumturisë të cilat i mban në zemër
secili fëmijë. Arrita te shkallët e Bibliotekës “Hasan Prishtina” doja të
arrija te Këndi Amerikan. Shtyva derën e bibliotekës dhe menjëherë u nisa për
te raftet me libra ku pëlqeja të kaloja shumicën e kohës. Po kërkoja diçka që
të më ndihmonte të shkruaja ndonjë shkrim për këtë ditë të cilën e pritja me
padurim. Kam shumë kujtime, për herë të parë kur morra pjesë në manifestimin të
cilin e organizonte Komuna e Prishtinës, isha vetëm katër vjeç, atëherë dhe
recitova një poezi, më të dashurën për mua, një poezi për nënën:
Peri i zemrës
E ndiej zemrën
tënde nga troket
Thellë në zemrën
time, kaq vjet...
Mami, ti je peri i
zemrës sime
Që më mban në jetë
11.08.2011
Këto ishin ndër
vargjet e para të ndërthurura me dashurinë e një fëmije e cila vetëm sa ishte
nisur në rrugën e krijimit të qëllimit
të saj artistik. Dhe sot ende më jehon zëri
i udhëheqëses e cila pasi m`i lavdëroi vargjet më tha:
- Ke ndonjë poezi
dhe për babin?
-Po, - i thash,
ajo ma ofroi prapë mikrofonin dhe unë
fillova ta deklamoj poezinë për babin.
Dea dhe babi
Babi ia zgjat
dorën Deas
Dea ia zgjat dorën babit
Shëtisin buzë
liqenit në përralla.
Dea e puth babin
Babi e puth Dean
Dashuria buron nga
zemra
Udha e jetës ik
mes ylberi
10.01.2011
Fëmijët në këndin
e kuq i përcollën me interesim vargjet e mia dhe më shpërblyen me duartrokitje
të gjata. Gjithë këto mendime më bënë të pyesja veten se çfarë në vërtetë është
1 Qershori?
Sigurisht përveç
që fëmijët e të gjitha moshave
kërkojnë që në këtë ditë të jenë të lumtur dhe ta festojnë së bashku me prindër
me dashurin që i ndërlidh mes veti. Kjo ditë është kthyer jo vetëm në një ditë
festive, por edhe në një ditë sensibilizimi, për t`i thënë jo dhunës dhe
abuzimit ndaj fëmijëve. Është dita kur vetë fëmijët hapin mushkëritë për të
thëne të drejtat e tyre, por në ndryshim nga të rriturit, protesta e tyre të
bëhet me lojëra dhe festa. Kush do të kishte menduar të thoshte se kjo ishte një histori e fshehur pas kësaj
date. Në fakt kjo histori e 1 qershorit e ka origjinën nga Shtetet e Bashkuara të
Amerikës dhe nga Kina. Dita e fëmijëve u vendos me datën 1 qershor, sepse në këtë datë është
mbajtur Konferenca Botërore e Mirëqenies së Fëmijëve në Gjenevë, në vitin 1925.
Në të njëjtën ditë, rastisi që konsulli i përgjithshëm kinez në San Francisko mblodhi
së bashku një numër të konsiderueshëm fëmijësh jetim kinezë të celebronin në
festivalin e “Anijes së Dragoit”. Dy vjet më pas Festa e 1 Qershorit filloi të
festohet në të gjithë botën, pra edhe në mjedisin tonë.
Eci sheshit të ndritur të kryeqytetit me
gjithë këtë histori me vete. Kthehem në shtëpi. Këtë herë sheshi është i
zbrazët, mungojnë fëmijët, mungojnë
këndet me ngjyra ylberi ku zhvilloheshin aktivitetet të ndryshme kulturore dhe
artistike. Sot ishte kështu kjo gjendje në kryeqytet, por shpresoj se nesër do
të jetë ndryshe, të jetë gjallëri pa të cilën fëmijët kurrsesi nuk rritën.