Mendime
Mero Baze: Disa gënjeshtra që duhen çmontuar nga propaganda e Vetëvendosjes
E diele, 31.05.2020, 03:36 PM
Disa gënjeshtra që duhen çmontuar nga propaganda e Vetëvendosjes
Nga
Mero Baze
Gënjeshtra
e parë e kthyer në mit prej Kurtit dhe gjithë udhëheqësve të Vetëvendosjes,
është se “me këtë vendim është nëpërkëmbur vullneti politik i popullit të
Kosovës”, apo se “kështu nuk ka rëndësi kush fiton” etj broçkulla
propagandistike.
E
kundërta është e vërtetë. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese respekton parimin bazë
mbi të cilën ndërtohet një Republikë parlamentare, që është parimi se vendin e
Qeverisë, shumica parlamentare. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës është
i vetmi që respekton vullnetin e popullit të Kosovës dhe i jep mandatin për të
qeverisur asaj partie që ka aftësinë të formojë shumicën kur nuk del vetë me
mbi 50 për qind të votave.
Nuk
kam parë të shkruar në Kushtetutën e Kosovës dhe në asnjë fis primitiv në botë,
që Qeveria i takon atij që fiton 25 për qind, aq sa ka fituar Vetëvendosja.
Qeveria i takon atij që fiton mbi 50 për qind, ose që ka aftësinë të formojë
një shumicë mbi 50 për qind.
Albin
Kurtit ju dha ky shans dhe e shpërdoroi me arrogancë dhe ligësi, në funksion të
një axhende revanshiste, për të përdorur krizën politike në Kosovë, në funksion
të rritjes së mbështetjes së tij.
Po
aq gënjeshtër është dhe sllogani se me këtë vendim nuk ka rëndësi kush fiton
zgjedhjet, pasi Qeverinë e bëjnë të tjerët. Ky vendim ka pikërisht rëndësi për
t’i ngulitur në kokë të gjithëve, se Republika respekton atë që fiton
zgjedhjet, dhe jo atë që ka dalë i pari i zgjedhjeve. Siç ka thënë dhe Albin
Kurti më 2014, Republika nuk i ngjan një gare automobilistike që duhet t’i
japim atij që del i pari, por atij që ka shumicën. Tani ka ndryshuar qëndrim se
është pakicë, por kjo nuk ndryshon parimet e Republikës, ndryshon vetëm parimet
e tij.
Një
tjetër gënjeshtër është miti se Albin Kurti filloi të çmontojë korrupsionin në
Kosovë, ndaj e rrëzuan. Për aq sa qeverisi Albin Kurti, veç sa ndërroi disa
borde të kompanive publike duke hequr militantë, që po besoj se janë të
korruptuar, duke i zëvendësuar me militantë të Vetëvendosjes, që nuk di pse
duhet të besoj që janë të kulluar.
Në
më shumë se 100 ditë, përveç disa gjesteve populiste, ai nuk ndërmori asnjë
iniciativë ligjore, që të besojmë se kishte ne fokus betejën kundër
korrupsionit. I vetmi favor që pati, është se vetërrëzoi shpejt Qeverinë dhe
nuk u turpërua si hajdut i radhës. Por këmbëngulja me të cilën po kundërshton
vendimin e Gjykatës Kushtetutese, tregon se i ka shijuar pushteti.
Një
tjetër gënjeshtër është miti i rrezikshëm që po përpiqet të krijojë, duke e
paraqitur veten si viktimë të një konspiracioni ndërkombëtar, udhëhequr nga
SHBA. Albin Kurtin nuk e rrëzoi SHBA. Nuk i tha SHBA të prishë marrëveshjen me
LDK, duke tentuar ta poshtërojë atë. Nuk e shkarkoi SHBA, Agim Veliun dhe më
pas Abdullah Hotin.
SHBA
ka axhendën e vet për Kosovën, që është dhe axhenda e Kosovës. Të
vet-paraqitesh si viktimë e SHBA në Kosovë, është përpjekje e ndyrë për të
përdorur mbështetjen politike kundër aleatit më të madh dhe vendimtar të
Kosovës, si shtet i ri. Kjo është më shumë se çdo tradhti e përfolur ndaj
Kosovës, dhe e bërë kjo në emër të një partie “patriotike”, është edhe më
hipokrite.
Albin
Kurti u vetërrëzua se nuk donte të përballej me problemet reale të Kosovës, por
do të vazhdojë të gënjejë shqiptarët në Kosovë, se ka një ëndërr të madhe për
ta, por se lë SHBA dhe ca të korruptuar.
Ajo
ëndërr që fsheh Albini është mirë të mbetet ëndërr e keqe. Ai thjesht do ta
mbajë Kosovën në krizë permanente për ta gjunjëzuar, deri sa të bëjë ëndrrën
realitet që ta sundojë Kosovën.
Ai
është një lider që Kosova nuk i ka asnjë borxh. E bëri kryeministër dhe ai e
keqpërdori besimin duke tentuar t’i poshtëronte dy tretat e votuesve të
Kosovës, qe nuk e kanë votuar atë.
Dhe
në fund, duhet çmitizuar përpjekja për të krahasuar vendimin e Gjykatës
Kushtetuese më 2014 për rolin e partisë së parë në formimin e Qeverisë, me
rastin Kurti. Vendimi i 2014 pengon konstituimin e Kuvendit dhe Qeverisë, nëse
nuk i jepet mandati partisë së parë. Pasi konstituohet Kuvendi dhe krijohet
Qeveria, ai interpretim nuk vlen më. Por dhe ai duhet rishikuar. Mbi atë parim
të debatueshëm, Kosova mund të mbetet peng pas çdo palë zgjedhjesh të tekave të
partisë së pare, që s’ka shumicën. Por kjo s’ka lidhje fare me rastin e Kurtit
Përpjekja
e Kurtit që të shfaqet si viktimë e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës është
hipokrizi dhe përpjekje për të delegjitimuar një institucion bazë të shtetit të
Kosovës. Në fakt, Kosova po viktimizohet prej tij dhe kjo do t’i mbahet shënim,
si njeriut që donte të ndryshonte Kosovën duke e sunduar atë.
Ndaj
në këtë pike, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka mbrojtur Republikën që Albin
Kurti e njeh vetëm kur është kryeministër dhe i vë flakën sa del nga zyra.
Madje edhe pa dalë ende.
Gazeta
Tema