Kerko: a
Florim Zeqa: Nuk digjet shteti për pushtet!
E merkure, 27.05.2020, 08:37 PM
Nuk digjet shteti për pushtet!
Shkruan:
Florim Zeqa
Shkrimin
e sotëm do e filloj me një rrëfim interesant, se si dy fëmijë të moshës 3-4
vjeçare duke lozur në shtëpi, me të dëgjuar në radio këngën "Qysh e don
shoqnija, flakë le të kallet shpija", për pak i kishin vënë flakën
shtëpisë! Në momentin kur fëmijët grumbullit me letra filluan t'i vënë flakën,
hyn brenda e zonja shtëpisë, çfarë ini duke bërë ashtu!? Të dytë njëzëri
përgjigjen; "Po ai në radio na tha mi kallë shpinë"!
Fëmijët
arsyetohen edhe në raste të tilla, por të rriturit dhe të moshuarit që dëgjojnë
"këngë" të tilla nga politikanët e papërgjegjshëm nuk duhet t'i vënë
flakën shtëpisë, por duhet ta mbrojnë shtëpinë nga flakëvënja.
Paralajmërimi
i protestave nga Lëvizja Vetëvendosje për ditën e Enjtë 28 Maj 2020, është një
ogurë i keq për Kosovën.
Sikurse
vënja e masave të ndalimit të levizjes shkaku i pandemisë, ashtu edhe heqja e
tyre në të gjitha vendet e rajonit dhe më gjërë, janë aplikuar në fillim të
javës, ndërsa tek ne në mes të javës!
Ky
është tregues i mjaftueshëm se diçka këtu nuk është në rregull! Ne, ose jemi me
të mençurit ose më krisurit e rruzullit tokësorë.
Nga
këtu shihet qartë se heqja e masave kufizuese për qytetarët e vendit tonë në
mes të javës nuk ka të bëjë fare me virusin "Corona", por me virusin
politik.
Edhe
protestat duhet të kenë kuptimin e vet e jo të protestohet për gjithçka dhe për
asgjë.
Protesta
një ditë para vendimit të organit më të lartë gjyqësor të vendit, do të thotë
presion i pastër politik para gjyqësorit, kurse protesta pas vendimit të
Gjykatës Kushtetuese do të thotë mosrespektim dhe mospërfillje e vendimit të
organit të pavarur juridik dhe gardianit më besnik të kushtetutës së vendit.
Parashtruesi
i kërkesës në kushtetuese, LVV duke ngulë këmbë në të drejtën e saj për ta çuar
vendin në zgjedhje në kundërshtim me aktet juridike, me protestën e saj para
verdiktit final të Gjykatës Kushtetuese, paraprakisht po e mohon kushtetuesen
dhe ekzistencën e shtetit në përgjithësi.
Meqë
e kemi një kushtetutë, duhet ta kemi vetëm një zgjidhje ligjore, e jo dy e tri
zgjidhje si produkt i presioneve apo ndikimeve partiake.
Mosrespektimi
i vendimeve të organeve shtetërore përveqse abuzim, paraqet mohim të shtetit në
veten e parë. Veprimet e pamatura dhe anarkiste mund të çojnë në rrënim dhe
flakëvënje të shtetit.
Shteti
i Kosovës nuk është pronë e politikanëve dhe as e partive politike, por është
pronë e të gjithë qytetarëve të vendit. Meqë është kështu, nuk duhet rrezikuar
shtetin për egot e sëmura të liderëve partiak, por duhet mbrojtur me të gjitha
mjetet demokratike dhe juridike.
Sikurse
vendimin e Kuvendit të Kosovës së 25 Marsit 2020, si organ më i lartë ligjvënës
në vend, ashtu edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese si organ më i lartë juridik
dhe gardian i Kushtetutës duhet të respektohet nga të gjithë.
Përderisa
e njëjta gjykatë, që ka rrëzuar dy president dhe është respektuar nga të
njëjtit në mënyrë të civilizuar (Fatmir Sejdiu dhe Behxhet Pacolli), pse të mos
respektohet vendimi i saj nga një kryeministër i shkarkuar ligjërisht dhe me
shumicë të votave në parlament!?
Pse
u dashka të mbrohet me aq ngulm vullneti i 26 % të votave të qytetarëve
kundrejt vullnetit të 84 përfaqësuesve të popullit në Kuvend!?
Në
momentin që i është drejtuar kushtetueses, LVV-ja dhe lideri i saj, Albin Kurti
duhet të tregohen të përgjgjshëm në respektimin e vendimit të saj, ashtu siq i
rekomandoj Komisioni i Venedikut, në të kundërtën mbajnë përgjegjësi historike
për rrezikim të shtetit.
Kontestimi
i Gjykatës Kushtetuese për jo profesionalizëm dhe anshmëri si dhe kërkesa
drejtuar Komisionit të Venedikut (Commissione di Venezia) lidhur me kompetencat
e Presidentit të Kosovës sa i përket mandatarit dhe shpërndarjes së Kuvendit
pas mocionit të suksesshëm të mos-besimit, ishin shprehje e mosbesimit të Albin
Kurtit ndaj Gjykatës Kushtetuese institucioneve të shtetit në përgjithësi!
Përderisa
Komisioni i Venedikut e shprehu besimin dhe mbështetjen e plotë për Gjykatën
Kushtetuese dhe profesionalizmin e saj, mos respektimi i vendimeve të
kushtetueses nga cilido subjekt apo lider i yni partiak paraqet paradoks, shqetësim dhe rrezik të madh për të ardhmen e
shtetit.
Nuk
duhet lejuar të digjet shtëpija për mosmarrëvshje mes anëtarëve të familjes dhe
as të digjet shteti për inate personale dhe ego për pushtet të liderëve
partiak.
Janë
1001 arsye për të protestuar në Kosovë, por jo për kauza pushteti të liderëve
partiak.