Kerko: a
Andi Bushati: Roli i fundit i një artisti barbar
E marte, 26.05.2020, 10:46 AM
Roli i fundit i një artisti barbar
Nga
Andi Bushati
Një
ditë maskat bien, ato nuk janë të përjetshme. Bashkë me shembjen e përdhunshme
të Teatrit Kombëtar Edi Rama ka rrënuar edhe imazhin që ndërkombëtarisht, me aq
shumë kosto dhe dredhi pati kultivuar në vite: atë të një politikani që
frymëzohet nga artisti që ka brenda vetes. Nëse kjo klishe ka dalë boje prej
kohësh në Shqipëri, asaj me sa duket po i vjen fundi edhe në Europë.
Nata
e 16 majit, kur si një diktator tipik, në fundjavë dhe në kushtet e gjendjes së
jashtëzakonshme ai vendosi të fusë fadromat mbi një godinë historike ka shënuar
kthesën e madhe.
Gazeta
e referëncës në francë, Le Monde, sot i ka kushtuar një artikull të gjatë
antitezës midis klishesë të artistit të dikurshëm që leu plot ngjyra Tiranën
dhe kryeministrit që sot shkatërron trashigiminë. Le Monde del edhe përtej
etikës së saj gazetareske duke vënë që në titull togfjalëshin: “Akt barbar”.
Po
ti hedhësh një sy pasqyrës së shtypit të mediave më prestigjoze në botë,
shumicën e të cilave Lapsi.al i ka botuar (shiko poshtë), epitetet për
kryeministrin shqiptar janë të frikshme. Askund nuk gjen më jehonën e njeriut
të kavaletit, ngjyrave dhe penelave. Ato janë zëvendësuar me togfjalshat
‘grusht shteti”, “truall për ndërtim”, “autokrat si Vuçiçi”, “aferë
korruprive”.
“Puç
në kohë pandemie” e quan shembjen e teatrit austriakia Der Standart. Artisti që
ka zhgënjyer shpresat e të rinjve që sot po braktisin vendin, vazhdon
francezja, Liberation. Sloganet kundër rikthimit të diktaturës nuk përdoren
rastësisht, vë re “Il Fatto Quotidiano”. Ndërsa “Frankfurter Allgemeine
Zeitung” i ka tërhequr vëmendjen shurdhëria ndaj thirrjes së BE për dialog.
Pra,
si kurrë më pare, ka një konsensus për ta vizatuar ndërkombëtarisht Edi Ramën
ashtu sikurse e njohin edhe shumica e shqipëtarëve.
Me
shembjen e teatrit duket se maska e tij e fundit është grisur. Propaganda të
cilës i frynin gratë që ai ka katapultuar në politikë, duke e quajtur si
“brand-i i Shqipërisë në botë”, apo “artisi me famë ndërkombëtare” tashmë është
rrëzuar. Bashkë me të ka rënë edhe teknologjia 20 vjeçare e mashtrimit të të
huajve (me fabulën e artistit revolucionar) për ta përdoruar atë më pas si mjet
për të sunduar shqiptarët.
Natyrisht,
çmimi për të nxjerrë në pah këtë të vërtetë ishte i madh. Tirana nuk do të ketë
më një nga stolitë e saj, qytetarët ndihen më të pafuqishëm dhe më të
ligshtuar, dhuna shtetërore ka marë përmasa të papara…Por gjithësesi, në fund
të kësaj errësire duhet parë pak dritë në fund të tunelit. Miti i politikanit
artist, i sponsorizuar ndërkombëtarisht me këmbëngulje për 20 vjet, është
rrëzuar bashkë me projektin e Giulio Bertesë. Çfarë do që të ndodhë ai nuk
është më i rikuperueshëm.
©Lapsi.al