Kerko: a
Shefqet Dibrani: Hyrije Jusufi – Kthinave Të jetës
E merkure, 20.05.2020, 03:05 PM
LIRIKA SI ELEMENT EKZOTIK I METAFORËS POETIKE
Hyrije Jusufi,
"KTHINAVE TË JETËS", poezi,
përgatitur për shtyp nga Shoqata e Shkrimtarëve "Feniks", Preshevë,
shtypur në “LENA Graphic Design”, Prishtinë 2019. Libri ka 80 faqe. ISBN
978-9951-771-73-3
Shkruan: Shefqet DIBRANI
Në vjeshtën e vonë të vitit që iku, (mbase tashmë kohë
e harruar), sikur na bëhet se ajo ngjarje paska ndodhur shekuj më parë.
Ndoshta nga hallet e shumta, nga angazhimet, apo nga dinamika e jetës në
mërgim, harrohen gjërat?! Por e di se me të mbaruar një aktivitet kulturor i
mbajtur në Cyrih, nëntor 2019, një tubë krijuesish ishin ulur në kthinat e një
restoranti. Derisa ata rrufitnin kafet dhe qanin hallet për jetën e tyre në dhé
të huaj, e dikush e thoshte ndonjë fjalë edhe për letërsinë, përballë ishte
ulur një grua, që për simbolikë të “nëntorit e kafenesë”, shpërndante
librin e saj të parë: “Në këtë ditë nëntori lë gjethet nën këmbë/ Eci
kujdesshëm/ Deri te kafeneja e preferuar e pjesës së qytetit tjetër/ Mënjanë
rrahë kambana e kishës gri/ Në krahun e kundërt rrotullohen akrepat/ E premtja
është lutja ime e vjetër”, poezia “DITË NËNTORI”, faqe 27.
Mu bë se këto vargje përshkruanin atmosferën e atij
diskutimi për vlera kulturore, për poezinë dhe librat. Siç e thamë, autorja
dedikonte fjalë miradije për miqtë, (në mesin e tyre edhe për mua).
Ishte libri i saj i parë, mbase ishin ndjenja, diçka e pazakontë, po më shumë
dukej sikur ajo shpërndante dhembjen që bashkë me ato dedikime lirike e poetike
lexohej kureshtja dhe gëzimi i saj. Poeteshën e kisha takuar edhe më parë, por
nuk njiheshim mjaftueshëm, as nuk ia kisha përcjellë poezinë, megjithatë “Syri
i saj plot dashuri/ E njeh e ndien/ Zjarrin përvëlues në shpirt”, (f. 71),
bëri ta tërhiqte edhe vëmendjen e të pranishmëve të tjerë.
Çfarë përshtypje krijohej në ato çaste? Ç’ndjenjë
shfaqej, ç’përfytyrim kishte poetesha? Sigurisht “Do të jesh e bukur/ Nuk
kam dyshim fare/ Nga sprovat e jetës/ Bëhesh më e madhe”, (f. 63), janë
vargje që disi personifikonin madhështinë dhe karakterin e saj, e sikur të mos
i shihej fytyra dhe zbehtësia në mimikën, nuk do ta zbërthenim e as kuptonim
seriozitetin e përkushtimeve që bënte. “Kur mendova që u kompletuam/ Më
gjuajti koha me fatkeqësitë e veta/ U bë ajo e egër me mua/ E valët e saj
shpirtin tim turbulluan”, (f.56). Sikur t’i kisha lexuar më parë këto
vargje, ndoshta qëndrimi i saj nuk më
kishte bërë aq kureshtar, veçmas përkushtimi, pastaj ndjeshmëria ishte virtyte
tjetër dallues. Ky mendim përforcohet në vargjet: “E dhembshme/ pasqyrë që
trishtimi të mbytë/ Kur e din që më në të nuk sheh fytyrën tënde/ Nuk e njeh
vehten/ Edhe qielli ka ndërruar ngjyrën/ Gri është bërë gjithçka/ Ka marrë unin
tim me vete”, (f.43).
Derisa ne flisnim shkujdesshëm, mëtanë tavolinës dora e
saj dridhej, pastaj një shikim zhbirues drejt syve të atij që ia dhuronte
librin, pa dyshim emocione të veçanta. Herë, herë fytyra e saj e mermertë
merrte pamje tjetër, sikur bëhej një ndriçim flakërues. Ndoshta ajo kishte
arsye, pasi dhuronte pozitë së bashku me
dhembjen artistike, për më shumë me dedikim, një përzierje, ku ta di... nuk po
them më shumë se sa shihej nga reaksioni i saj, e sikur, “Buzët ishin bërë
qershi/ Ylber ngjyrash/ Shpresë dhe dashuri/ Pse të vetëvriten ëndrrat/ Heshtje
qetësi”, (f.39), mbase turbulencë ndjenjash, po më shumë emocione që
shfaqeshin. Megjithatë me ata gishtat që shtypte lapsin, dukej sikur po i jepte
forcë mendimit, e pse jo për t’i dhënë edhe më shumë peshë atij përkushtimi, që
vendoste në faqet e secilit libër. Pastaj mu duk sikur debatoi me heshtjen që e
gërryente për brenda. Mu bë sikur dora e fortë që shkroi atë dedikim të
fuqishëm, ia shkarkoi energjitë që përjetonte, bashkë me ngrohtësinë që buronin
nga lirikat e futura thellë në libër. Pikërisht kjo gjendje përjetohet edhe në
këto dy vargje: “Ajo vapë përcëlluese ma thau edhe lotin/ Si vjeshtë e vonë
mbeta, dru pa asnjë frutë”, (f. 12). Vargjet duket të jenë metaforë e
përjetimit të mundshëm, por siç duket ajo vjeshtë e vonë, edhe aty nuk kaloi pa
vapë dhe pa lot shpresash të thyera. Vërtetë, fliste pak, e vështrimin e saj
zhbirues e treti diku Kthinave..., për të fshehur dhembjen e
futur edhe në fletët e librit ose për ta ruajtur të fresket në zemrën e saj.
Vargjet që i cituam, me kaq ndjenjë dhe të përjetuara nuk janë të vetmet,
ndonëse në unin e saj manifestohej një karakter i fortë qytetar, një stoicizëm
njerëzorë, një përkushtim femëror.
Karakteristikat që shpërfaqeshin në pamjen e Hyrije
Jusufit, ishin qëndrim i një gruaje poetesh, që i lexohej ngazëllimi dhe
suksesi kur shpërndante librin e parë. Tash kur po i lexojmë lirikat,
përjetimet, dhembjen e jetuar, qoftë edhe si fantazmë “KTHINAVE TË JETËS”,
poezia na bëhet më njerëzore, më e përjetuar. Qëndrimi mjaftë karakteristik i
fshihej diku nëpër “kthinat e jetës”, jo vetëm si metaforë, por më shumë
si realitet i përjetuar. Një grua mërgimtare, sfidat dhe risocializimi në
shoqërinë e re, e bëjnë motivin e poezisë edhe më karakteristik. Andaj dukej se
edhe atë ditë, nuk ishte pa dhembje, ndoshta shumë sish edhe të harruara?! Janë
këto motive pse themi se nuk ka njeri që nuk ka kujtime e përjetime, nuk ka
brenga, e ndodhi të përjetuara thellë?! E si të gjitha ngjarjet, me kalimin e
kohës edhe përjetimet tretën, veniten e fashiten bashkë me “Kthinat e
jetës?!”, të cilat do të qetësoheshin dhe do të harroheshin, po sikur
poetesha të mos bulëzohet e të mos lulëzonte me këto lirika, dhe bashkë me këtë
blerim, të mos i riaktualizonte kujtimet. Motiv ky, të cilin e ndeshim në
titulli e librit, që përveç simbolikës është një dedikim metaforik për puthje
nate për ndjenja dëshpërimi.
ILUZION
Aq fort më përqafoi vetmia
Kur të humba ty
Nga forca e saj e madhe
Njoha vetveten
Fillova ta dua
Ta çmoj
Njoha durimin
Dhe në këtë rrugë
Do të qëndroj
Dhe...
Më për asnjë njeri
Nuk do të trishtohem
(Faqe 19)
Gjithmonë poetët, përkatësisht gratë poetesha, kanë
dhuntinë për ta kthyer jetën në një pamje si të kristaltë, ta shndërrojnë në
përjetime poetike. Sigurisht për t’iu rikthyer nesër, se mbase vetëm e nesërmja
e shpreh realen e së tashmes, pasi e tashmja dhe e qasshmja janë mbytur nga
emocionet, nga ndodhitë dhe nga inatet e shumta, mbase krejt thjesht ndoshta
edhe nga zilia, prandaj edhe shprehja artistike, jo gjithmonë e kurdoherë, e
ruan baraspeshën e raportit real me atë që përfytyrohet e parafytyrohet në
pamjen e parë, përkatësisht në leximin e nxituar, të kësaj metafore mjaftë e
eksituar pasi “...dielli nga terri s’ka pjellur/ as koha nga habia
ndonjëherë s’ka vjellur”, (f.15).
Siç e theksuam, poetesha Hyrije Jusufi, foli pak,
e vështroi më shumë, andaj po parafrazojë se na tha: “Nuk janë poezi, janë
dhembjet e mia, është jeta ime, janë sfidat dhe përpjekjet, janë emocionet të
derdhura në poezi”. Me një fjalë, një galaktikë e pa hulumtuar, por siç
shprehej e sigurt, janë lirika përtej imagjinatës së ëndërrt. Andaj sikur
përkëdhelë me lutje: “Kur të më takosh herën tjetër/ Të lutem/ Më përshëndet
njerëzishëm”, (f.30), është një ftesë e drejtpërdrejt, një lutje njerëzore,
për të mos ia vrarë ditën njëri-tjetrit, pastaj brenda vet poezive ka
pasthirrma të shumta me “ah, oh, uh”, etj., që i bëjnë klithmat edhe më
të trishtuara?
Nga kjo mund të lind ideja, nëse gjërat që imagjinohen,
mund të sistemohen në sfondin e gënjeshtrave?! Në këtë rast aktivizohet muza e
poetes për t’i shkruar, për t’i regjistruar, për t’i sistemuar, e për t’i
përkthyer artistikisht ëndrrat e përjetuara, me një fjalë për të mos i lënë të
shpërndara në etër. Sipas kësaj duket një lloj stoicizmi kundruall ndonjë çasti
të zymtë në momente të liga?! Lirikat e këtij libri mund të kategorizohen edhe
si frymëzime mbi ëndrrat e përjetuara që rrëfejnë se “janë përjetime për
veten dhe jetën që (se) ka jetuar dhe pikë”?!
Si duket, Hyrije Jusufi, paska bërë jetën kthinave
të mërgimit, për t’i përmbledhur ato ndjenja nëpër “KTHINA TË JETËS”,
në këtë ditar poetik, mirë i realizuar. D.m.th. metaforë e ngjizur me
melankolinë e shprehjes artistike. Por për t’iu qasur atyre “kthinave”,
ku shprehin mënyrën ekzotike të të shkruarit, duhet të futemi në laboratorin e
saj krijues, aty ku poetesha me butësi trishtuese ka prekur ndjenjën
emocionale, sidomos kur shkruan se, “Ninulla të pakënduara, thjesht emocione
e puthje mbi barkun e saj të bardh”, bëjnë që poezitë të mos harrohen
kollaj.
Në anën tjetër, të jesh në mërgim e të mos kesh mall e
mallëngjim nuk ka mundësi?! Kjo ndjenjë ngjizet në shpirt, si grua ka falë
dashuri që na rrëfehet si ngjarje e përjetuar “Kthinave të jetës”, që
shprehimisht duken të jenë gjenetike për shkrimtaren, mbase “Ëndrrat e mia
fluturojnë drejtimesh/ Udhët (a) bashkohen diku/ Që malli të merr një pikë në
fund”, (f.36). Zakonisht në librin e parë, poeteshat, (edhe poetët),
janë më të sinqertë dhe më origjinal, prandaj e kemi të lehtë për t’i përjetuar
e fiksuar ato ndijime estetike me këtë varg të thjeshtë, që përfaqësojnë tipin
e poezisë meditative.
DITËS DHE NATËS
Ditës po i rri në shpinë
Dhe ia kam ngushtuar rrugën përpushjes
Me natën flasim e qeshim deri vonë
(Se) ma ka vjedhur mendimin
E prehja ne shpirt
(Faqe 55).
Për ta lexuar këtë libër që priste, rastisi kjo “distancë
sociale” e cila mbuloi globin, dhe detyrimisht e detyrueshëm u dashtë të
qëndrojmë në shtëpi, ndoshta për t’iu kthyer lirikës, e cila ishte fshehur “kthinave
të harresës”, mbase ishte ky shkas për t’i kuptuar më mirë metaforat e
frikës që lidhen me efektin pozitiv të këtij ngujimi social.
GJUMI PO MË PRET
Sot punë nesër po ashtu
E madje edhe të dielën
Gjumi po më pret
Nëpërcjellje të ëndrrave
...
E gjumi po
më pret
Kësaj nate vetmitare
(Faqe 35).
Poezitë në përmbledhjen “KTHINAVE TË JETËS”, të Hyrije
Jusufit, janë lirika të përjetuar thellë, madje më thellë se sa jeta nëpër kthinat
ekzotike, të papashme, por të imagjinueshme përmes metaforave subtile, të cilat
shprehin një revoltë të kthyer në poezi, dhe të fanitur nga malli i pashuar.
Malli që ka mërgimtarja, duket të jetë një karakteristikë tjetër e këtyre
poezive që shndërrohen në melankoli të frikshme e cila shndërrohet në vlerë
emocionale e këtij krijimi artistik. Me një fjalë, një dimension tjetër i
jetës, kthyer në vargje lirike si vlerë estetike. Pa dyshim poetesha Hyrije
Jusufi, ka triumfuar, si rezultat i triumfit letrar është kjo përmbledhje
me poezi. Kaq! E thjeshtë e bukur dhe artistike! E këtë mendim, më së miri e
plotëson “NË POEZINË TIME”.
NË
POEZINË TIME
Në poezinë time qeshen rreshtat
Fjalët shtyhen me njëra – tjetrën
Dhe ironia shpesh flet
Provoj ti miratoj ato
Kushtëzoj veten
Kur radhis me kujdes
Nuk dua të (marrë) jap një kuptim tjetër
Fjalë e rreshta
Sarkazmë pak ironi
Secila poezi me vete
Është një pjesë biografi
Ca të tjera rrinë mbyllur në dry
Që shkëlqejnë varrosin trishtim
Kam pasur fat të kem një dashuri të tillë
Lidhur prangash të thyera
(Faqe 58).
Poezia me titull “NË POEZINË TIME”, është lirika
më e mirë e librit, pasi dhembja reale është sofistikuar me shprehjen
artistike, do të doja që autorja me pas parasysh këtë sugjerim, këtë këshillë,
këtë kritikë profesionale. Jo gjithmonë britmat e kukamat, dhembja dhe dëshpërimi
mund të ngjiten në nivel poezie, e le më të shkruhet vargu artistik. Mendoj se
në librat letrar, qoftë edhe në shënimet biografike, duken të panevojshme detajet jashtë letrare,
sidomos ato elemente që kanë të bëjnë me fatin e dështuar jetësor, pasi poezia
dhe metafora e saj shprehin artistikisht dramën e përjetuar. Pra, vet poezia e
shpjegon fatin e trazuar, mërmërimat e netëve pa gjumë dhe për ecjet e
pasigurta “Kthinave të jetës”. Gjithsesi poezitë, duhet të kenë kriter
estetik, nëse duam ta qesim në pah metamorfozën e dhembjes si formë artistike,
thjesht jo vetëm si proces fiziologjik por si nuancë artistike e cila duhet të
shëmbëllej mbi jetën e secilit. Së këndejmi edhe poezitë me përkushtime, për “Nënën”,
“Kujtim për babain”, “Aromë kohësh, kushtuar hallës...”
etj., janë realizime më të zbehta, pasi insistimi për t’i mbetur besnik
karakteristikës njerëzore e kanë venitur nivelin artistik. Pa dyshim, përpjekja
për të saktësuar virtytin, e ka anashkaluar vlerën estetike, ndërsa përjetimi
real dhe vlera artistike janë dy pole të kundërta të një magneti.
Në përgjithësi, poezitë kanë motiv, për rrugët e
kryqëzuara udhëve të tërthorta, po më mirë është shprehur poetesha “Kthinave
të jetës”. Sidomos vargu “Të qenit grua në tonin vatan”, është
mynxyrë, është sakrificë. Në anën tjetër kemi të sforcuar poezinë e revoltës
deri në fiksim të idesë, të vargut, dhembjes, gjëmës a dënesës. Ose siç
shprehte në mënyrë metaforike: “Netëve pa gjumë, ëndrrave të pa realizuara,
e ditëve të gëzuara, diellit që nxehë, e pranverës që do të vjen, shpresës së
venitur në dritën që ka ikur” etj. etj., si lajmësi i mirë për kafen e
nxirë, vjeshtave të bruzta e puseve të qullëta etj. etj. Këto nuanca janë një
metaforë e rënduar nga përmbytjet e mëdha nëpër dëshpërimet e thella, që
domosdoshmërish e tretin metamorfozën e dhembjes deri në pafundësi. Madje këto
ndijime poetike e katandisin shpirtin deri në lektisje, siç thotë vet poetesha
“Kthinave të jetës”, të cilat ishin të shumta, të përhershme, mjaftë të
ngatërruara, aspak të gëzuara. Por gjithmonë kthinat që sfidohen i
gëzohen fatit dhe suksesit?! Pra, vet kjo poezi dhe ky libër, shpjegojnë
triumfin dhe suksesin e autores, pavarësish gjëmave dhe rënkimeve, jo të pakta,
madje herë artistike, e herë më pak të realizuara.
Poezitë, janë lirika të mira, janë vargje që përshkruajnë
jetën e një gruaje, që fati e deshi të jetë poetesh. Përndryshe këto gjëma
lirike, këto përjetime artistike do të kishin përfunduar bashkë me dhembjen kthinave,
përkatësisht kurtheve të jetës, varg ky i vënë në një titull libri, me
një ndjenjë mjaftë meditative ku bartë esencën e të gjitha ndrydhjeve
artistike. Pasi ajo e ka përvojën e dhembjes, duket se dhembjen sociale e
kupton më drejt, siç është shprehur në poezinë: “LYPSARËT NË PRISHTINË”,
të cilët “Sillen vërdallë/ Në çdo anë lypsarët// Rrotull gjithandej/ E të
lënë kafen në fyt// Ne bënim llafe/ Ata.../ Shtrirë dorën rrinë mbi kafe”, (f.38).
Një metaforë më ndryshe, përjetohet te poezia “KOSOVA IME E KUQE”, në të
cilën shfaqen vlera të tjera ideoemocionale.
Pavarësisht sorollatjeve, shihet një lloj ngujimi brenda
egos dhe ndikimeve të etikës shqiptare. Prandaj elementet e besës dhe thyerjet
e saj, mentaliteti për t’u ndërtuar e
bukura mbi shkatërrimet, qofshin shpirtërore, po sidomos nisja e dashurisë duke tharë buzët dhe shpirtin e
tjetrit, janë kode etike që i përkasin traditës shqiptare. Ndërsa e ardhmja e
një letërsie, varet sa gërshetohen përvojat e letërsive të avancuara, nëse
dëshirojmë të jemi trendë e letërsisë moderne. Pavarësisht këtij rreziku,
potencialisht ajo mirë i ka artikuluar idetë e saj, duke nxjerrë në pah këtë
vlerë, libri tashmë iu dedikohet lexuesve, prandaj vetëm kështu siç është,
duhet të pranohet dhe të interpretohet.
Pa dyshim poezia e
këtij libri është lajtmotiv i dhembjes, që vë në spikamë verbin e fatit të
përmbytur, jetën e njeriut të mërguar rrugëve dhe honeve. Sfidë kjo e
përhershme, tamam si kreshpërim i fatit jetësor, në të cilën pipëzohen e
degëzohen hallet, natyrisht edhe bulëzohen e blerohen edhe fatet njerëzore. Një
metamorfozë e frikshme, për vjeshtën që vjen, e bashkë me të edhe bryma që
venit e i përmbyt bukuritë e verës, që i shkund për tokë frutat vjeshtor, për
t’i lënë vend dimrit, i cili mbulon të gjitha ëndrrat e zjarrta, natyrisht edhe
premtimet e gënjeshtra që shpeshherë njollosin borën e bardhë. Por... pas të
gjithave, vjen edhe pranvera që sjell gjelbërim dhe ndjell fatin e mirë!...
Këso shtresëzime metaforike e figurative, këso ndjenjash e përjetimesh kemi me
bollëk, madje nga poezia në poezi, nga vargu në varg, e bashkë me sfidat shihet
edhe flatërimi i jetës e mbijetesës, sukseseve dhe i shpresës së vrarë.
Për derisa zogjtë
shtegtojnë drejt hapësirave të pafundme, drejt tokave të paprekura, drejt
ëndrrave të tyre, njësoj edhe poezia e Hyrije Jusufit, ka nisë
shtegtimin drejt hapësirave të reja “kthinave të jetës”, për të cilat
kësaj radhe urojmë të ketë fat dhe mbarësi!...
St. Gallen, 16.05.2020.
SHËNIME PËR AUTOREN:
Hyrije Jusufi,
(05.10.1967), lindi në fshatin Rahovicë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje,
ndërsa gjimnazin në Preshevë. Ka diplomuar në degën Bankë dhe Financa në
Fakultetin “ILIRIA” në Prishtinë. Është pjesëmarrëse nëpër aktivitete
kulturore, fillet e së cilës nisin në shkollë fillore, pastaj në qytetin e
Preshevës, për të vazhduar me pjesëmarrje aktive nëpër aktivitetet kulturë të
Shkrimtarëve Shqiptarë në Evropën Perëndimore. Është anëtare e Korit “Lyra”,
në Cyrih dhe është prezantuar në libra të përbashkët me autorë të tjerë.
“KTHINAVE TË JETËS”, është libri i parë i saj. Hyrije Jusufi, jeton
në Cyrih / Zvicër.