Kerko: a
Jahja Drançolli: Si u “Shpikë” koncepti "Metohija” për të zëvendësuar Rrafshin e Dukagjinit?!
E shtune, 16.05.2020, 01:49 PM
Si u “Shpikë” koncepti "Metohija” për të zëvendësuar Rrafshin e Dukagjinit?!
Nga
Jahja Drançolli
Kriza
Lindore e shoqëruar me një sërë ndryshime politike, të cilat kishin sjellur në
jetë përveç tjerash edhe shtete moderne të Ballkanit, si, Greqia, Bullgaria,
Serbia e ndonjë tjetër, shtete këto të cilat aspironin edhe territore të reja.
Ndërkaq, territoret e Shqipërisë Etnike, të cilat gjatë kësaj kohe kishin
mbetur ende nën osmanët ishin bërë temë më e preferuar e penave intelektuale të
shteteve të përmendura. Në këtë kontekst, sipas ngjarjeve, të cilat pasuan,
sidomos në Kongresin e Berlinit dhe Konferencën e Londrës (1878, 1912-1913),
bëhet e qartë se ndryshimet e reja të shoqëruara me copëzimin e territoreve
shqiptare ishin në funksion të homogjenitetit të shteteve të përmendura dhe
lehtësimit të tyre me rastin e ndryshimeve politike eventuale në rrjedhat
historike ballkanike ose europiane.
Brenda
këtij kuadri, që zhurmshëm ishte imponuar nga qarqet politike e shkencore
beogradase ishte “shpikja” e konceptit “Metohija” për pjesën jugperëndimore të
Kosovës së sotme, përkatësisht të Rrafshit të Dukagjinit. Në dritën e ngjarjeve
të sotme na bëhet e qartë se riaktualizimi i emërtimit “Metohi” edhe sot e
gjithë ditën është në funksion të politikës së ditës. Është interesante të
theksohet se ky kuptim i imponuar ose artificial pa ndonjë mbështetje
historike, në karta që shtypën edhe sot me qëllime propagandistike, merr kuptim
edhe më të gjerë sesa ishte fiksuar nga përfaqësuesit e shkollës garashaniane
dhe cvijiqiane. Konkretisht kur është fjala për emërtimin “Metohija”, që tash e
sa kohë është duke zënë vend edhe në jetën zyrtare të qarqeve beogradase si një
kuptim gjeografik që i destinohet një pjese të territorit të sotëm të Kosovës,
përkatësisht territorit midis Pejës dhe Prizrenit, duke i përfshirë edhe
qytetin e Pejës, e në ndonjë rast të çasteve politike edhe qytetin e Prizrenit.
Në të vërtetë, në terminologjinë e leksikut mesjetar të burimit të Kishës
Ortodokse, termi ”Metohi“, “Meteh“, e ndonjë tjetër, sipas dokumenteve
mesjetare latine, greke dhe sllave, nuk përmban atributin e një kuptimi
gjeografik, por në dokumente të kohës del si një term që ka kuptimin e një
prone kishtare (metohion ose terra monasterio) a pronë fshati, shtëpie,
vreshti, pemishte, etj. Gjithashtu, edhe në dokumente osmane prej vitit 1431
kur ndeshim në regjistrimin e parë të Arbërisë, dhe deri në vitin 1912, vit ky
kur Perandoria Osmane iku nga Shqipëria, nuk ndeshet asnjë e dhënë për kuptimin
gjeografik të termit “Metohija“. Është me interes të theksohet këtu se çfarë
onomastike është gjetur në Kosovë nga kapërcyelli i shek. XII deri në fund të
shek. XIII, para se të vendosej këtu administrata nemanjide. Për këto të dhëna
të dorës së parë, veç tjerash ndeshim edhe në biografitë e Shën Savës dhe të
Stefanit të Kurorëzuar kushtuar babait Stefan Nemanja. Në biografinë e të parit
hasim këtë të dhënë: “Mori nga bregdeti vendin Zeta me qytete, nga Rabani
(Arbëria) të dy Pultet, nga toka greke, ndërkaq mori Patkovën (territori i
Gjakovës së sotme), Kostrecin dhe Dreshkovën (fshatra në territorin e Pejës e
të Drenicës), Podrimën (treva e Rahovecit), Sitnicën, Llapin dhe Lipjanin
[...]“. Ndërkaq në biografinë e të dytit ndeshim në njoftimin: “Mori [...]
territorin e Prizrenit dhe të dy Pologët në tërësi [...]“. Siç shihet nga
dokumentet në fjalë, edhe pse në to përmendën gati të gjitha pjesët e rajonit
të Pejës, të Gjakovës dhe të Prizrenit të sotëm, atëbotë fare nuk ka ekzistuar
emërtimi a koncepti gjeografik “Metohija“. Koncepti në fjalë nuk përmendet as
në Kartën e Hilandarit (1200-1202), si dhe në krisobula, hagjiografi,
prosopografi, biografi nemanjide e bizantine të kohës së nemanjidve.
Gjithashtu, edhe në përmbledhjet më përfaqësuese të dokumenteve
rasiane-nemanjide, emërtimi “Metohija“ ndeshët shumë shpesh por gjithëherë në
kuptimin e një prone kishtare dhe asnjëherë si kuptim gjeografik, që do të
kishte kuptimin e territorit të Pejës, Gjakovës ose të Prizrenit. Gjatë tërë
kohës së sundimit nemanjid (mesi i shek. XIII- mesi i shek. XIV) dhe më pas,
krahas territoreve të Prizrenit, Fosnës dhe të Patkovës, të cilat u përmendën
më sipër, përmendet edhe në territorin Altini, trevë kjo që përfshinte rajonin
midis Deçanit dhe Gjakovës.
Në
anën tjetër, pas zhbërjes së formacionit politik nemanjid (1371), në këtë pjesë
të Kosovës i ndeshim zotërimet e formacioneve politike arbërore: Balshaj,
Dukagjini e Kastrioti. Me pushtimin e territorit të sotëm të Kosovës nga
osmanët (1455-1462) dhe me vendosjen e administratës osmane në këtë rajon,
territoret e Pejës dhe të Gjakovës zunë të quheshin Dukagjin, përkatësisht hynë
në kuadrin e Sanxhakut të Dukagjinit, i cili ishte shtrirë midis Adriatikut dhe
sanxhaqeve të Hercegovinës, Vushtrrisë, Prizrenit dhe më vonë Shkodrës. Së
këtejmi, E. Çelebi, udhëpërshkrues i njohur osman, në shek. XVII në kuadër të
Sanxhakut të Dukagjinit, kishte përfshirë Pejën, Plavën, Gjakovën, Shkodrën,
Lezhën dhe Zadrimën. Ndërkaq, ipeshkvi i Kotorrit, M. Bolica në një relacion
nga viti 1614 brenda konceptit Dukagjini, përveç Shkodrës, Zadrimës përfshinte
edhe rajonin e Pejës. Territoret e Pejës dhe të Gjakovës ishin pjesë të kësaj
njësie administrative osmane deri në vitin 1783, kur Sanxhaku i Dukagjinit
pushoi së ekzistuari. Atëherë kuptimi gjeografik u ngushtua vetëm në nahijen e
Pejës, trevë kjo që hyri në kuadrin e Sanxhakut të Shkodrës. Me përfshirjen e njësive
të reja administrative osmane, përkatësisht të vilajeteve, Peja si qendër e
kadiut hyri në kuadër të Sanxhakut të Prizrenit. në vitin 1874, qyteti në fjalë
hyri në kuadrin e vilajetit të Kosovës. Është për të vënë re se, apelativi
Dukagjin në gjuhën serbe prej shek. XIX ka pasur kuptim të dyfishtë. Në radhë
të parë si emër personi dhe principate, pastaj si kuptim gjeografik. Këtu është
më rëndësi të përmendet fakti se themeluesi i linguistikës serbe, Vuk Karaxhiq,
në fjalorin e vetë bën dallimin ndërmjet emrit personal Dukagjin dhe territorit
Dukagjin. Ky studiues për herë të parë në fjalorin e vet krahas apelativit
Dukagjin “shpiku” edhe konceptin gjeografik “Metohija“, koncept ky që sipas tij
përfshinte Prizrenin, Pejën, Gjakovën dhe manastirin e Deçanit. Ajo që tërheqë
vëmendjen këtë është se, edhe më tej rajoni i Dukagjinit përmendet bukur shpesh
edhe në dokumentet serbe edhe pas “shpikjes” së këtij koncepti gjeografik. Në
shek. XIX janë të shpeshta njoftimet për rajonin ose krahinën e Dukagjinit edhe
në historiografinë europiane. Përafërsisht janë shprehur me rastin e vizitës së
tyre Kosovës edhe studiuesit rusë. Në fillim të shek. XX, antropologu e
gjeografi Cvijiq e disa përkrahës të mëvonshëm të studimeve të tyre, duke mos u
mbështetur fare në burimet historike, ngritën tezën për ekzistimin e konceptit
gjeografik “Metohija”, që kishte kuptim rajoni midis Prizrenit e Pejës. Këtë
tezë e mbështesnin në faktin që apelativi, “Metohion“, përkatësisht “Metohija“
në gjuhën greke ka kuptimin e pronës së manastireve dhe në këtë aspekt, shumë
fshatra të territorit në fjalë kanë qenë pronë manastiresh. Është e ditur se
kisha ortodokse gjatë mesjetës zotëronte manastire jo vetëm në këtë pjesë të
territorit të sotëm të Kosovës, por edhe në pjesë të tjera të Ballkanit. Sipas
kësaj logjike, studiuesit e lartpërmendur dhe përshkruesit e tyre, që të gjitha
territoret e mbretërisë mesjetare nemanjide, ku kishte “Metohion“ apo
“Metohija“ të kishës ortodokse, është dashur t’i quanin me një emër të
përbashkët “Metohija”. Në fund, duke marrë parasysh të gjitha burimet historike
të njohura, mund të themi me plot gojën se territori i Pejës, i Gjakovës dhe i
Prizreni i sotëm, deri në vitin 1945, nuk ka pasur asnjëherë kuptimin
gjeografik Metohija. Përkundrazi, prej shek. XV e deri në vitin 1945 (vit ky
kur shteti komunist i Jugosllavisë Kosovës ia qepi edhe Metohinë deri në vitin
1968) ruante konceptin gjeografik Rrafshi i Dukagjinit ose shkurt Dukagjin.