Kerko: a
Elvi Sidheri: Intervistë ekskluzive me gazetaren dhe shkrimtaren Vera Pelaj
E diele, 10.05.2020, 05:20 PM
Intervistë ekskluzive me gazetaren dhe shkrimtaren Vera Pelaj
Nga
Elvi Sidheri
Vera
Pelaj është gazetare me përvojë jetëgjatë në Radio Kosova, njeri i apasionuar
pas letërsisë dhe artit, autore e dhjetra intervistave me njerëz të shquar të
letrave shqipe dhe shkrimtare e zonja njëkohësisht. Në këtë intervistë, ajo na
tregon përvojën e saj gjatë pandemisë:
Po jetojmë në një kohë
mjaft të veçantë të pandemisë Covid-19. Cilat janë përshtypjet tuaja?
Në
histori kemi mësuar për dy luftërat botërore. Luftën e Kosovës e përjetuam dhe
vetë. Në të treja rastet dihet mirëfilli se paktet dhe armiqësitë janë bërë nga
njerëzit apo fuqitë mes njëra tjetrës. Mirëpo në këtë rast, çudia është se po
ndodh një luftë botërore, por pa faktorin njeri. Tani bota po lufton një virus
të padukshëm që thirret Coronavirus, Covid-19 etj. Në këtë kontekst, mund të
them se pavarësisht të gjithave që solli kjo pandemi, na la të kuptojmë se jo
çdo herë faktori njeri mund ta dirigjojë planetin. Prandaj, sa i takon
përshtypjeve të mia, them se janë përshtypje të çuditshme, të cilat mbase i
kemi përjetuar vetëm në filma, pa menduar asnjëherë që mund t'i jetonim një
ditëedhenë realitet si të tilla.
Si e përballoni punën
tuaj si gazetare kur janë shtuar vështirësitë në këto kushte?
Edhe
përkundër shtimit të masave të sigurisë kundër pandemisë së koronavirusit, ne gazetarët
duhet patjetër ta kryejmë punën tonë të zakonshme në informim të publikut.
Vështirësitë sigurisht se janë më të mëdha sikur për të gjithë qytetarët,
mirëpo kur një punë e bën me vullnet, nuk është e vështirë asgjë.
Ju informoni njerëzit çdo ditë, ndonjëherë
edhe me lajme të dhimbshme. Sa ndikojnë këto në veprimtarinë tuaj si gazetare?
Puna
e gazetarit, sidomos në keto kohë pandemie ka edhe sfidat e veta. Pavarësisht
asaj që ne si gazetarë kemi për detyrë të komunikojmë lajmin, në radhë të parë
jemi qenie njerëzore. Prandaj, duke qenë të tillë, sigurisht që komunikimi i
rasteve të ndjeshme na prek edhe neve ndjenjën shpirtërore e emocionale. Kam
komunikuar shumë lajme të dhimbshme gjatë kësaj periudhe. Disa artistë të cilën
dhanë kontribut të madh për kulturën tonë ikën nga kjo botë, pastaj të tjerë
nga fatkeqësia, e të tjerë nga Covid19. Mirëpo, në fund të ditës mundohesh që
të bësh edhe një bilanc mes ndodhive të mira dhe jo të mira që ke ndarë me
masën, dhe të vazhdosh tutje për ditën tjetër.
A mund të na tregoni
diçka nga përvoja juaj gjatë këtyre ditëve të kufizimeve?
Po!
Edhe pse kam reaguar shumë herë përmes rrjetit tim social Facebook për rrezikun
nga qentë endacakë, edhe në këtë pyetje do ndërlidhesha pikërisht me çështjen e
tyre. Meqenëse rrugën time për në punë e bëj me këmbë, tani kur i gjithë
populli qëndron brenda përshkak të masave të izolimit, qentë endacakë sikur po
e shijojnë më së shumti lirinë, dhe po bëhen vërtet kërcënim për ne pak
qytetarë, që na bie të lëvizim shpesh edhe në orë të vona të natës me këmbë nga
puna për në shtëpi. Personalisht, nuk jam aspak kundër të drejtave të kafshëve.
Por, a nuk do ishte më e drejtë që këto kafshë të sistemoheshin nëpër qendra të
kujdesit mjekësor e ushqimor, dhe kështu të mos na rrezikonim as ne, por që
edhe ato të ishin më të sigurt për veten?! Ndaj, edhe njëherë u bëj thirrje
organeve përgjegjëse por edhe organizatave për të drejtat e kafshëve, që t'i
ndërmarrin sa më parë masat e duhura për këtë problematikë.
E ndjeni veten se jeni
më shumë grua, gazetare, person shoqëror, apo...?
Mendoj
se të gjitha janë të ndërlidhura bashkë. Të gjitha këto elemente kompletojnë
figurën e një gruaje, gazetareje, personi shoqëror etj.
Keni shkruar dhe botuar
katër libra. A do të jetë e përfshirë kjo kohë në librin tuaj të pestë?
Unë
në fakt sapo kam botuar librin tim të katërt dhe akoma nuk e kam shijuar sa
duhet, sepse menjëherë pas botimit, ndodhi izolimi. Libri titullohet “Jehu i
përjetësisë”, dhe flet për jetën dhe veprën e At Zef Pllumit “Rrno vetëm për me
tregue”. Edhe Zef Pllumi ka përjetuar izolim, jo nga pandemia që po e
përjetojmë ne sot, por burgun dhe torturat e komunizmit në Shqipëri. Kështu që
edhe për këtëpërvojë tësotme pandemike personale dhe shoqërore, sigurisht se do
të shkruaj diçka, por se për çfarë, është ende herët të flas me saktësi.
Kur të qetësohet gjendja
dhe të gjithë do t’i kthehemi jetës normale, me kë do të pini kafe së pari?
Kufizimet
janë të tmerrshme për gjithçka e secilin. Fakti që e di njeriu qëi ka
kufizimet, mendja të rri te planet, të punët, etj. Sigurisht se të gjithëve na
ka marrë malli të dalim dhe ta shijojmë një kafe të lirë dhe në kushte normale
sikur para pandemisë. Kafenë e parë me padurim pres ta pijë me bashkëshortin
dhe familjen sepse gjatë gjithë kësaj kohe bashkëshorti ka qenë në Shqipëri e
unë në Prishtinë, ndërsa familja jeton në Pejë, si dhe me miqtë e mi të
ngushtë, me të cilët kafeja e përditshme na është ndërprerë nga virusi që nga
marsi. Uroj që kjo ditë të vijë sa më shpejtë.