Kerko: a
Entela Binjaku: “Luleborë” udhëton drejt Rumanisë
E enjte, 16.04.2020, 05:29 PM
Arti nuk njeh kufij, “Luleborë” udhëton drejt Rumanisë
Nga
Entela Binjaku
Tingujt
dhe vargjet e "Luleborës" shqiptare hynë në mëngjesin e 14 prillit
edhe në shtëpitë e rumunëve.
"Dëshiroj të sjell pak pranverë, diell dhe dritë në shtëpitë tuaja.
Unë jam shqiptare dhe jam soprano", u drejtohej në rumanisht
telespektatorëve Arlinda Morava.
Si
pjesëmarrëse në fushatën: "Të flas me gjuhën time", ajo kishte
zgjedhur këtë formë për t´i drejtuar publikut rumun mesazhet e saj në këto ditë
të vështira. Këto ditë të tilla prej pandemisë, nën hashtagun "Jemi të
aftë" (#SuntemÎnStare) Morava është bërë pjesë e fushatës që synon të
ndihmojë qëndrimin në shtëpi të qytetarëve në Rumani.
Por
edhe pse kjo fushatë zhvillohet për
rumanishfolësit, sërish ajo zgjodhi t´u drejtohej me
"Luleborën", një nga këngët më të dashura shqiptare.
Po
atë ditë, disa orë më vonë sopranoja
shqiptare përcolli për ndjekësit e saj në median sociale një tjetër projekt
muzikor. Në kushtet e mbylljes prej pandemisë ajo këndonte "Ave Marinë" nën
shoqërimin pianistik të (Georgiana Diaconescu) Xheorxhiana Diakoneskut,
instrumentiste e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Operetës të qytetit të Galacit.
"
Në këtë Javë të Madhe për Ortodoksinë, ju ofrojmë këtë dhuratë të zemrës sonë:
"Ave Marinë" shprehej sopranoja e njohur.
Interpretimet
nga banesa e saj kanë qenë të shumta
sepse siç shprehet ajo vetë: "artistët nuk rrinë dot pa dhuruar art".
Bashkë me pianisten rumune si pjesë e fushatës "Kultura në shtëpi"
menduan të përgatisnin një pjesë muzikore.
Dita
kur edhe u punua ky bashkëpunim përkonte me të dielën e shenjtë të
Pashkëve, ndaj të dyja artistet menduan
këtë hymn për këtë festë të madhe të Krishtërimit.
Për aranxhimin muzikor të kësaj pjese është
kujdesur një muzikant shqiptar, i diplomuar në Universitetin e Arteve në
Tiranë, Jusiald Xhani.
Theksojmë
se me pianisten Diakonesku, Morava kishte bashkëpunuar vite më parë në
celje të një projekti që kishte në qendër vendin e saj të orgjinës, dhe
konkretisht për projektin me titull "Shqipëria tokë legjende".
Sorpranoja
Arlinda Morava e ka nisur rrugën e saj muzikore në Bukuresht në vitin 1997.
Fillimisht duke ndjekur studimet në shkollën e mesme të muzikës "Dinu
Lipatti" e më pas në Konservatorin e Muzikës. Ajo njihet për pjesëmarrjet
e saj në ngjarjet kulturore që mbahen jo vetëm në Bukuresht por edhe në mbarë
Rumaninë.
Kur
një pjesë e madhe e botës është mbyllur, shumë qytetarë janë duke qëndruar në
shtëpi.
"Ditët
e mia të karantinës nuk kanë qenë aspak të lehta, si për shumë prej nesh. Nga
një jetë aktive, me shumë koncerte, me shumë angazhime, nga një jetë e bukur, e
zhurmshme, më të mirat dhe vështirësitë e veta, u kthye në një jetë të mbyllur.
Në fillim më trembi, por natyra ime krijuese, më erdhi në ndihmë".
Nëse
ditët e para ja kushtoi punëve të shtëpisë dhe gatimeve, me kalimin e ditëve sopranoja ktheu vështrimin nga pasioni
më i madh i saj, muzika sepse siç edhe
vetë pohon "jeta e saj është arti, muzika dhe se nuk mund të rrijë dot pa
të".
Edhe
pse në kushte të pazakonta, ajo vazhdon të mbajë lidhjet me publikun e saj tashmë televiziv. Si e ftuar e programeve të
ndryshme në televizionet rumune ajo ka kënduar dhe përcjellë mesazhe
mbështetëse ndaj çasteve të vështira që njerëzimi po kalon.
"Me zemër jam pranë të gjithëve që i dua, por
fizikisht jam larg tyre. Nëpërmjet muzikës arrij të përcjell të gjithë
dashurinë që kam për ta", shprehet ajo.
Në
videon që po qarkullon në këtë javë të Pashkëve shihet edhe logoja e
"Rotary Club" të Bukureshtit. Arlinda Morava është anëtare e kësaj
organizate që ka ekzistuar që në kohën e Mbretërisë dhe gëzon një reputacion të
gjerë në shtetin rumun. Në këtë organizëm bamirës bëjnë pjesë njerëz të rëndësishëm dhe me ndikim në shoqëri si nga pikëpamja e
statusit ekonomik ashtu edhe nga pikëpamja e nivelit kulturor. Në kohën e
regjimit komunist kjo organizatë u ndalua të veprojë por e rinisi aktivitetin
në vitin 1990. Gratë janë bërë pjesë e këtij klubi në vitin 2000. Si
anëtare e këtij organizmi Morava shprehet me krenari se ndjehet e
privilegjuar si e para shqiptare pjesë e këtij klubi botëror që ka në themel
humanizmin dhe bujarinë.
Duke
ju rikthyer aktivitetit të saj artistik një ndër aktivitetet ku është edhe
firma e saj është edhe Festivali
"Muzeikorum" (Museicorum) një aktivitet që ka ngjallur mjaft
jetën muzeale të kryeqytetit rumun.
Festivali i Muzikës së Dhomës "Muzeikorum"organizohet nga
Bashkia e Bukureshtit. Në dy edicionet e fundit Arlinda Morava ishte Drejtore
Artistike e tij duke e zgjeruar larminë e muzikantëve pjesëmarrës edhe me
instrumeniste nga Tajvani, Koreja, Serbia etj. Kjo ishte një arritje për një
artiste të huaj që për herë të parë
arrinte të merrte drejtimin artistik të këtij aktiviteti të rëndësishëm.
Vitin e kaluar ky aktivitet, ju
bashkëngjit Festivalit Ndërkombëtar "Xhorxhe Enesku", tashmë një
emblemë e jetës kulturore rumune. Kjo ishte sërish një risi dhe do të mbetet në
historinë e Festivalit "Muzeikorum"
si hera e parë që ky organizim ju bashkua një
aktiviteti prestigjoz siç është edhe Festivali "Xhorxhe Enesku".
Arlinda
shprehet se prej vitesh bashkëpunon me muzikantë shqiptarë, nga më të njohurit
që edhe gjatë këtyre ditëve kanë përcjellë mesazhe të forta për publikun shqiptar.
Duke përmendur emra të spikatur si violinistin e njohur Lorenc Radovani,
pianisten e talentuar Klejda Tare apo edhe kuintetin e pagëzuar me emrin
"Albania", ajo shpreh vlerësimin për bashkëpunimet me ta.
"Disa
nga këta artistë i kam pasur të ftuar në Rumani dhe kemi dhënë koncerte të
shumta. Jam ndjerë shumë krenare që i kam pasur pjesë të Festivalit
"Muzeikorum", Drejtore Artistike e të cilit kam qenë dy vitet e
fundit. Nata e instrumentistëve shqiptarë
ishte një sukses i madh".
Por
nëse të gjitha këto aktivitete zhvillohen në shtetin rumun, i drejtohen
publikut vendas, identiteti i shprehur shqiptar i sopranos nuk ka lënë mënjanë
edhe publikun në Shqipëri. Në fillimet e këtij muaji të vështirë, nga shtëpia e
saj në Bukuresht sopranoja Morava interpretonte disa nga pjesët më të njohura
të repertorit lirik.
“Pas
furtunës do të lindë dielli” ishte edhe një nga shprehjet më frymëzuese të
sopranos që dy javë të shkuara i drejtohej
publikut në vendin e saj, ndërsa
fliste për një nga televizionet shqiptare.
Sopranoja
Arlinda Morava, është njëherazi edhe Atasheu Kulturor i vendit tonë në shtetin
rumun.