Kerko: a
Qazim Shehu: Rradha e qumështit
E merkure, 18.03.2020, 07:56 PM
RADHA E QUMËSHTIT
TREGIM NGA QAZIM SHEHU
Në
atë kohë, që ju e njihni, qumështi ishte një problem, si çdo gjë që
mezi sigurohet. Njerëzit çoheshin që më dy të natës dhe zinin radhë, dikush
vinte në radhë një copë tullë, gur apo send tjetër, dhe ikte për të ardhë sërish;shishe jo, se kishte frikë se mos ia vidhnin. Njerëzit, të topitur,
ishin mësuar me këtë tmerr dhe askush nuk guxonte të thoshte gjysmë
fjale. Ndodhte që qumështi mbarohej shpejt dhe kishte, gjithmonë, nga gjysma e gjer në fund të
rreshtit, që mallkonin veten pse nuk
ishin zgjuar më herët.
Arjani,
shkrimtar i provincës, i njohur si poet, më së shumti prozator, dhe me një dramë të re, çohej si gjithmonë
herët, kur , në rrugë, nuk kishte njeri.
Por të tjerë ishin zgjuar para tij, veçse, sidoqoftë ai arrinte të zinte një
radhë aq sa për të llogaritur se mund ta merrte qumështin dhe gjithnjë shkonte
i gëzuar në shtëpi , duke mbajtur në duar ato dy shishe qumështi që më shumë i
donte për dy fëmijët dhe të shoqen sesa për vete. E linte gruan në gjumë dhe po
në gjumë e gjente. Në radhën e qumështit,
vinin burra kryesisht, po kishte edhe gra, të cilat për arsye të
ndryshme nuk i nxirrnin burrat në radhë, ose ishin me shërbim dhe larg , ose
ato preferonin vetë ta kryenin këtë. Qyteti flinte, diku dëgjohej ndonjë zhurmë
ose ndonjë hap i vetmuar prej patrullës së policisë që i binte kryq e tërthor
qytetit të vogël, duke ruajtur objektet
e rëndësisë së veçantë dhe dyqanet nga keqbërësit. Edhe ajo pasmesnatë, disi e
ftohtë, nuk ishte ndryshe nga të tjerat, kur,
në radhën që rrinte e heshtur për të pritur karrocën e furnizimit të
fermës, u duk një grua. Ajo vuri një
tullë pas radhës së Arjanit dhe i tha atij nëse mund t`ia merrte qumështin, kishte fëmijën e vogël dhe nuk
mund të rrinte gjatë aty. I zgjati lekët, duke i lënë shishen në dorë. Pa
pritur që Arjani t`i thoshte po ose jo, ajo iku, dhe ai mendoi se kishte rënë në një bela të
madhe, shitësja nuk jepte më shumë se dy shishe, ajo e dinte se ai merrte
gjithmonë kaq;i vinte zor të zgjaste fjalët ose të lutej për këtë;megjithatë do
ta provonte. Atë grua nuk e njihte. Vetëm se i tha se shtëpinë e kishte në
katin e dytë të pallatit, poshtë të cilit ishte dyqani i qumështit. -Mos u
mërzit, kështu e bën sa herë, -tha dikush pas tij dhe nënqeshi. Si t`ia
kuptonte vështirësinë në të cilin u ndodh Arjani , tjetri e përsëriti përsëri
fjalën mos u mërzit, por Arjani nuk i ktheu aspak përgjigje, pse duhej të
mërzitej?Nëse nuk arrinte t`i merrte qumësht, madje do të ishte mirë , se ajo
grua nuk do ta mërziste më. Kur erdhi karroca e qumështit u ndie një tentim për
t`u shtyrë, por njerëzit e kuptuan instiktivisht se nuk kishte pse, përderisa
secili kishte radhën e vet, kjo ishte e kotë. Kur i erdhi radha Arjanit, ai e
mori qumështin. Shitësja nuk i bëri fjalë për dy shishet shtesë, as tjetri që
ishte mbrapa , se kjo ishte më se logjike. Si mori qumështin e vet, dy shishet e saj i futi në një rrjetë dhe po
priste që tani të vinte ajo gruaja që e kishte shtëpinë në katin e dytë.
Njerëzit merrnin qumështin dhe largoheshin të heshtur. Ai priti gjersa mori
qumësht edhe i fundit, pa sesi mbetën pa të tre katër të tjerë , të cilët ikën
duke murmuritur nëpër dhëmbë, si të shanin dikë ose veten e tyre që ishin
treguar gjumashë, shitësja e mbylli
kanatën e sportelit të ngushtë dhe u bë qetësi. Por gruaja nuk po dukej. Ç`të
bënte?Të ngjitej lart, nuk kishte rrugë tjetër. Por ajo i kishte thënë se
banonte vetëm në katin e dytë, pa i shpjeguar se cila hyrje ishte shtëpi e saj.
Dhe ai nuk mund të trokiste kot, ishte natë dhe nëse trokiste gabim do ta
merrnin për të krisur, pastaj qyteti ishte aq i vogël sa një pëshpërimë e
merrte era e thashethemeve dhe e çonte në çdo vesh. Megjithatë do të provonte.
Ai u ngjit në katin e dytë duke ecur ngadalë si të shkonte para një prove të
rëndësishme. Në sheshin e katit, aty ku tri hyrjet heshtin me dyert e
mbyllura, qëndroi dhe po mendonte se
cila mund të ishte dera e shtëpisë së saj. Duke shikuar me kujdes , vuri re se
njëra nga dyert ishte e paputhitur mirë. ”Kjo duhet të jetë”, mendoi dhe
trokiti lehtas gjithnjë me kujdesin për të mos bërë zhurmë se , një lëvizje
sado e vogël në atë qetësi , ndihej e çohej larg prej heshtjes së thellë.
Trokiti sërish, dhe, pas të trokiturës
së tretë, si zbatonte një kod, u duk
gruaja. Ajo e hapi derën ngadalë. Ai u befasua, kjo grua nuk kishte kujdesin
minimal të veshjes, trupin e saj e fshihte një fustan i hollë nate, rripat e të
çilit mbulonin gjinjtë e mëdhenj,
pothuajse lakuriq. -E solla qumështin, -tha Arjani, dhe i zgjati lekët
si kusur. -Falemnderit, -tha gruaja dhe mori shishet, i vuri përdhe, diku në cep të derës nga Brenda, dhe iu drejtua atij:-Hyni brenda, sa të gjej
paratë për të kthyer një pjesë të tyre se më ke dhënë shumë. Arjani po rrinte
si hu, por ajo ia kapi dorën dhe e tërhoqi miqësisht në sallonin e vogël, dhe ,
që të mos i krijonte atij ndonjë keqkuptim,
derën e la gjysmë hapur. Shkoi diku në dhomën tjetër dhe u kthye me një
sasi të hollash të cilat i takonin Arjanit. -T`ju bëj një kafe?Po afron
mëngjesi, -tha gruaja. -Jo, tha ai, më duhet të iki, -Pa pirë diçka nuk
ikën, -tha gruaja. Ajo hyri në dhomën
tjetër sërish , dhe solli një tabaka me një gotë raki. Arjani e mori gotën dhe e uroi.
-Falemnderit,
-tha gruaja e bërë lulëkuq. Shkrimtari po habitej, edhe se u fut brenda , ajo
nuk kishte tentuar të hidhte rrobe tjetër supeve, ishte aq e paturpshme dhe e
shpenguar. Ç`donte kjo grua nga ai?Mos po përgatiste ndonjë kurth, dhe kërkonte
ta vononte pakëz kohën, gjersa të
puqeshin rrethanat për realizimin e tij?A nuk ishte dënuar gjashtë muaj në
prodhim për një poezi të errët dashurie dhe libri i radhës i ishte bërë
karton?I shkuan të rrëqethura, sa, i ndodhur para asaj bukurie hutuese , nuk
mendonte tjetër veçse të ikte, por me një farë takti. Nuk i shkonte të ikte
brutalisht, ishte poet…Edhe mund të ndodhte kjo, po fundja çfarë arsye kishte
për ta bërë këtë, a nuk i shërbeu duke i kursyer kohën dhe i solli qumështin,
ndërsa ajo flinte. Edhe mund të mos
ishte kurth, por thjesht një idil i ndezur pranë këtij mëngjesi të freskët, por
si mund ta besonte këtë, para një gruaje të panjohur që burrin mund ta kishte
me shërbim. E dinte se po tregohej guak, por kur kujtontre galeritë e thella të
minierës së kromit, vështronte duart e
tij të buta prej shkrimtari, tani ende me kallo, dhe nuk i hynte në sy asgjë. Pas dënimit , në
poezinë e tij, tani zinin vend kromi,
furrënaltat, vajzat kooperativiste, rendimentet e larta, minatori hero, oxhaqet
e fabrikave dhe porositë e
partisë…Gruaja vej e vinte sa nga dhoma në kuzhinë. Në hapin e saj sikur
fëshfërinte një ankth i lehtë. Ajo mbase nuk po kuptonte pse ai nuk po i hidhte
ndonjë fjalë afrimi dhe Arjani nuk kishte ndërmend, nëse do të binte në grackën
e saj dhe, nëse do të merrej vesh
kjo, atëherë çfarë fjalësh do të gjente
për të justifikuar emrin e tij të mirë si familjar i rregullt? Dhe do ta
akuzonin për imoralitet;pas kryerjes së dënimit të parë, nuk mund të kishte dënim tjetër veçse burgu.
Ndër mend i erdhën fëmijët e vëgjël dhe gruaja e re, edhe ajo, kur të shkonte
ai në burg, do porosiste dikë për shishe
qumështi…Habitej sesi po mendonte kaq gjatë në këto çaste, kur duhej të ikte , qoftë edhe pa një farë
takti.
Më
mirë të iki, tha , dhe u bë gati, kur u
dëgjua një e qarë e fortë fëmije. Gruaja kishte shkuar dhe kishte pickuar
fëmijën. Të paktën kështu mendoi Arjani. Por, s`duhej të mendonte kaq keq,
mbase fëmija qau vetë, ngaqë kishte uri.
Pastaj ajo u kthye me fëmijën në krah. Nxori gjirin e saj të madh dhe ia afroi
te goja , por fëmija nuk e qaste. Siç duket,
e kishte pickuar fort dhe dhimbja ishte më e madhe sesa dëshira për të
pirë. Gruaja orvatej ta kandiste, ndërsa fëmija ende qante…-Pije, shpirt,
-murmuriste ajo, -kape, se ta kap ky xhaxhi…Fëmija ende bënte naze.
-Sa
fëmijë i prapë, kape se ta kap xhaxhi, -murmuriste ajo…-Rri pak, -iu drejtua
ajo Arjanit, kur gruaja, me bishtin e
syrit, vuri re Arjanin që po bëhej gati
të lëvizte(o zot, çfarë syri, iu fanepas atij një përndezje fantaziste, nuk ka
metaforë që mund ta arrijë, dridhen metaforat para këtij syri)- se mbase të ka
hatër ty…Gruaja sikur lutej, për hir të fëmijës, jo për hir të vetes, dhe ai
ndjeu një pështirosje për ligësinë e saj që vinte gruan para nënës. Ishte e
para pështirosje që provonte si nuancë gri në ndjesinë e vet për gratë.
Përherë, ato zinin një vend të merituar me shkëndijime mahnitjesh në poezinë e
tij. Dhe Arjanit po i pëlqente kjo lojë,
ndonëse i dukej jo e mirë. Ai po priste gjersa fëmija ta kapte thithkën
e së ëmës, pastaj të dilte, por fëmija,
si për inat të tij, ende nuk po
donte ta bënte këtë. Dikur ai e kapi thithkën e gjirit të së ëmës.
-E
kapi!-tha Arjani gjithë gëzim. Në të vërtetë ai nuk ishte i gëzuar, por duhej
të shprehte këtë. -Po, -tha gruaja gjithë trishtim, -e kapi…. -Tani, po dal…Ajo
nuk lëvizi nga vendi, as u ngrit në këmbë,
të paktën për respekt, vetëm u përkul edhe më mbi fëmijën i cili
pushoi, sapo poeti doli, gati si me
magji. Gruaja mbështolli me duar gjinjtë e saj si dy sfera të buta dhe i ujdisi
poshtë rripit të fustanit. Nga thithkat, ende kullonte qumështi që fëmija s`e
kishte pirë.
-Thefsh
qafën, -murmuriti ajo-, dhe, … përshkruan gjithë atë dashuri në romanin tënd…
Shkrrau…sikur
dëgjoi Ajrani, dhe brenda këtë fjalë si onomatope a si sajim i saj, ai më vonë do ta konspektonte në shënimet e
veta të fshehta kritike, sikur të ishte
thyer një degë e njomë nga një pemë e lulëzuar me aromë të këndshme. Dhe këtë
degë e kishte thyer ai. Por, ç`të bënte?. . . Pothuajse kishte gdhirë.
Shiheshin njerëzit që po dilnin nga apartamentet e mpira. Ai po mendonte se
çfarë do t`i thoshte gruas, fundja asgjë, nëse ajo nuk kërkonte shpjegim. Nëse
po, do ta gënjente…Por halli nuk ishte këtu…Ç`do të bënte të nesërmen, kur të shkonte në të njëjtin orar te dyqani i
qumështit?Gruaja sërish do të vinte aty…Vështrimet e tyre do të kryqëzoheshin
plot mëni, ajo e fyer nga refuzimi që , kush nuk e beson, dhe ai i bezdisur nga vetvetja, që, i ndodhur
në një pozicion të tillë, nuk kishte treguar as shenjën minimale joshëse ndaj
një bukurie të rrallë, të cilën mundohej ta arrinte në vargjet e tij plot nerv
dhe intesitet ndjesish…Sa i dobët ishte treguar…Dhe iu kujtuan pleqtë trojanë
që u ngritën në këmbë para Helenës, duke
murmuritur se duheshin justifikuar dhjetë vjet luftë për hir të bukurisë së saj. . Gjithë atë ditë, ai , pasi piu kafe me një poet tjetër që
vinte nga fshati dhe kërkonte ndihmën e tij në redaktimin e poezive të veta,
pasi shkoi në një mbledhje të Degës së Lidhjes të Shkrimtarëve , ku do të
diskutohej mbi disa aspekte të krijimtarisë së krijuesve të rrethit dhe sesi
ata i kishin reflektuar në krijimtari vendimet e Pleniumit të Partisë për
pasyrimin e luftës së klasave në letërsi, ai, mbasdite, u kujtua sërish se çfarë do të bënte të
nesërmen te radha e qumështit…Dhe nuk i jepte zgjidhje, kishte një nxitim në
vetvete, sikur donte ta shtynte kohën me zor që të vinte mëngjesi i thellë për
ta provuar këtë dilemë…Ishte si i trullosur, këtë e vuri re edhe e shoqja, por
nuk i tha gjë, ajo e dinte, kishte ndodhur edhe herë të tjera kështu, kur në
zemrën e tij, hynte limfa e frymëzimit, ai mbyllej në vetvete, hutohej, s`donte të
afronte njeri, futej e rrinte në dhomë veçan dhe shkruante. Mallkim, të martohesh me një poet, mendonte shpesh
ajo, ndërsa merrej me
fëmijët…Ndërsa, çuditërisht atë
mbasdite, ndryshe nga herët e tjera , ai nuk po vetëmbyllej që të shkruante…Por
ajo s`kishte kohë të mendonte aq gjatë…Si praktike që ishte, e kuptonte se, sado të mundohesh, në botën e poetëve nuk hyn dot. . . ndaj,
është kot të sfilitesh për këtë…”Arjan D. , poet i realizmit socialist, poet i
ritmeve të hekurta, që këndon pareshtur për ditët e lumtura të komunizmit, ti
trembesh nga një flirt i zakonshëm. Pika që s`të bie!”Por nuk ishte
kështu…”Arjan D, poet që u këndove dashurisë dhe dashuriçkave, me aludime dhe
dykuptimësi, a e harrove si vajte gjashtë muaj në minierë?…Arjan D. ti po na
prish moralin socialist, shkrimtari duhet të ketë moral të pastër, ai është
ndihmës i partisë”…Me këto pyetje dhe kundërpyetje që i bënte ndërgjegjes së
vet të ngulftatur , ai nuk e kuptoi si iku koha , se nuk ishte marrë kurrë me
nocionin e saj atë ditë, vetëm kur pa orën,
ajo ishte tre e natës…U ngrit nga shtrati, mori çantën me dy shishe të
zbrazëta dhe u nis për te radha e qumështit…Para tij ishin tre –katër vetë…Zuri
radhë…Nuk vonoi shumë dhe ajo u shfaq…Arjani bëri sikur nuk e pa, ndërsa ajo i
hodhi një vështrim të qetë, po ku ndihej trazimi. Nuk ishte vështirë ta
kuptoje…I binte që të qëndronte pas tij…Ajo sërish vuri një tullë aty dhe i
zgjati shishet…Në veprimin e saj nuk shfaqej asnjë hezitim se ai do t`i merrte.
Dhe ai i mori…Ditët më vonë, do të
gjykonte se kishte vepruar drejt…Kot ishte shqetësuar. Partia , si zemërgjerë
që ishte, pas një tëndosje drejt hovit revolucionar, e bënte një sy qorr dhe
një vesh shurdh, kur kërkohej të mendohej se njerëzit duheshin lejuar në një
argëtim intim, por me kusht, që ai të mos dilte në sipërfaqe, ndryshe, kurrë s`mund të mbuloheshe me rroben e grisur
të pastërtisë morale….