Kerko: a
Albert Zholi: Mustafa Ismaili - Rruga pa adresë
E diele, 15.03.2020, 09:46 AM
Romani “RRUGA PA ADRESË” i autorit Mustafa Ismaili dhe brenga Kosovare e pavarësisë
Nga
Albert Z. ZHOLI
(Shkrimtar-publicist)
Ky
roman është një rrëfim drithërues i dramës kosovare të vitit 1999, kohë që
përkon me shpërbërjen e ish-Jugosllavisë. Në fakt drama e Kosovës është edhe më
e hershme, qyshkur territori dhe populli i saj u ndanë prej Fuqive Evropiane
dhe iu dhuruan Jugosllavisë. Por, viti 1999, solli një kthesë historike dhe një
rritje të konfliktit serbo-kosovar, sepse kish ardhur momenti për ndarjen
njëherë e mirë të Kosovës shqiptare nga kthetrat e sllavo-serbëve. Po
sigurisht, kjo ndarje nuk do të ishte e lehtë, ajo kërkonte një kosto të madhe
që do ta paguante në radhë të parë vetë populli martir e liridashës i Kosovës,
bijtë dhe bijat e tij, që do të dinin si të mbijetonin, si të luftonin dhe të
fitonin lirinë e ëndërruar nëpër breza. Autori nëpërmjet rrëfimeve shpalos
historinë e kësaj Kosove dhe të viseve shqiptare nën Jugosllavi, trajtimin
shpesh mizor e genocidist të autoriteteve shtetërore jugosllave ndaj popullsive
të fshatit e qytetit, politikën kriminale të shpopullimit të trojeve shqiptare,
të spastrimit etnik të kosovarëve nga vatrat e lashta stërgjyshore. Nëpërmjet
personazhit kryesor, Tafës, që bëhet mjaft i dashur për lexuesin, shpaloset e
djeshmja dhe e sotmja e një populli me identitet të pastër e të kulluar
shqiptar. Djaloshi shkollar, me emrin Tafë, e mëson dhe e kupton më qartë
historinë e popullit të tij nga një rrëfim mjaft prekës e mbresëlënës të një
bariu plak. Ai rrëfim ishte jo thjesht rrëfim bariu, por ishte rrëfim dhe
dëshmi që kishte rrjedhur nga stërgjyshi te djali, te nipi e stërnipi. Ishte vetë
historia që fliste nga zemra dhe buza e zhuritur për liri dhe pavarësi.
Nëpërmjet atij rrëfimi, djaloshi përjetoi kalvarin e dhimbjeve, padrejtësive
dhe shkeljeve që u ishte bërë nëpër dekada shqiptarëve nën shtetin e
Jugosllavisë, ndjeu shijen e urrejtjes ndaj shtypësve të popullit të tij,por
dhe shijen e atdhedashurisë, krijoi krenarinë dhe vetëdijen për racën e tij shqiptare, u brumos e u ndërgjegjësua
që të rritej e jetonte si bir i denjë i popullit të tij, si dhe të mbante lart
amanetin e të parëve për t’i nxjerrë në dritë ato troje.
Por
nuk vonoi, dhe djaloshi Tafë, duke u rritur, do të bëhej edhe vetë dëshmitar i
rrëfimeve dhe historive që kishte mësuar në jetë, do të kishte fatin e keq të
bëhej edhe viktimë e terrorit dhe politikës shfarosëse serbe ndaj shqiptarëve.
Dhe në roman përshkruhen bukur, me nota realiste e mjaft origjinale momentet e
ndezura të vitit 1999, kur edhe bota më së fundi filloi të reagojë ndaj
mizorive serbe. Kalvari i atyre ditëve është odiseja e një populli, që, prej
100 vjetësh martirizohej dhe viktimizohej. Dhe paradoksi është se, në odisenë
që na vjen nga lashtësia, protagonisti lufton e kalon rreziqe për të mbërritur
më së fundi gjallë në atdhe, në Itakën e ëndërruar... Kurse në odisenë e
kosovarëve të vitit 1999, turmat dhe karvanët me njerëz, nuk drejtohen për në
atdhe, por për ta lënë atë, për të shpëtuar gjallë nga plumbat, nga torturat
çnjerëzore që ngjethën edhe vetë botën! Në roman ndërthuren bukur me shumë
ndjenjë dhe me mjaft meditacion skena të ndryshme si individuale, e sidomos
familjare, apo kolektive. Të gjitha këto jepen përmes një optike: luftës për të
mbijetuar, luftës për ekzistencë! Mbas shumë peripecive, dhimbjeve, vdekjeve,
humbjeve, iluzioneve, protagonisti i Romanit, Tafa, arrin të shpëtojë gjallë bashkë
me familjen e tij, nga masakrat serbe. Ai përfundon në shtetin Kanadez, ku gjen
në fakt qetësi e humanizëm, për të marrë frymë e për të shëruar plagët që i
kullonin dhimbje, lot edhe gjak. Por, megjithatë, Kanadaja, nuk është
destinacion i përjetshëm për të. Në shpirtin e tij është e do të jetë deri në
fund të jetës Kosova, toka e saj, varret e të parëve dhe amaneti i tyre...
Prandaj ai kthehet në Kosovë, vetëkuptohet, në një kohë e realitet tjetër, kur
nga lufta e UÇK-së dhe ndërhyrja amerikane, tashmë Kosova ishte e lirë nga
pushtuesi serb. Kjo klimë e re e kënaq Tafën, por gjithsesi ai ndien se “lufta”
ende nuk ka mbaruar: është lufta për organizimin e shtetit të ri kosovar, lufta
për qeverisje të drejtë e të ndershme të popullit, larg interesave përfituese,
karrierizmit dhe etjes për pushtet e para...Autori gjithsesi e lë të hapur këtë
luftë, si një sfidë tjetër me të cilën brezat e rinj të popullit trim kosovar,
duhet të përballen për ta fituar orë pas ore, ditë pas dite...