Kerko: a
Albert Zholi: Flet regjisori, ish-aktori i estradës dhe i teatrit, Bajram Dosti
E shtune, 14.03.2020, 09:34 AM
Regjisori Bajram Dosti rrëfehet për dramën” Hënat e fundme”. Kariera artistike, poezia e Dritëro Agollit, ikonat e teatrit dhe si e ndryshuan emrin e personazhit kur u vra Mehmet Shehu
Flet regjisori, ish-aktori i estradës dhe i teatrit, Bajram Dosti:
Drama “Hënat e fundme” është roli i jetës sime
– Kur konkurrova në juri kanë qenë burra të
shquar si Esat Oktrova (Shef Katedre), Vangjush Furxhi dhe Viktor Zhusti.
-Në këtë konkurrim unë interpretova poezi të
Dritëro Agollit s “Partizani Meke”, dhe monologun e “Rrapo Tabanit”.
-Kur u vra Mehmet Shehu personazhit tim ia
ndryshuan emrin nga Xhafo Mehmeti në Xhafo Idrizi
-Roli i rojës së shalqinjve më bëri popullor
Nga Albert
Z. ZHOLI
Me origjinë nga Tepelena por jetën artistike
e ka bërë në Fier. Mbaroi për regjisor por dashuria e madhe ishte skena,
aktrimi, lëvizjet në skenë dhe sheshet e xhirimit. Një njeri i thjeshtë, i
dashur, korrekt që gjithmonë ka një buzëqeshje mirësie. Nuk e kupton dot jetën
pa skenën pasi dhe tani që është në pension. Së fundmi ka luajtur dramën “Hënat e
fundme” një vepër italiane të cilën e ka dhënë 3-4 herë në Tiranë por
edhe në Lushnje,Sarandë,Tepelenë, etj. Kjo është një vepër me tre role ku
personazhi kryesor është babai, një plak intelektual 80 vjeçar i cili pranon të
shkojë në azil. Kjo
është vepra më e mirë që kam bërë unë,-thekson aktori..
-Kohë e gjatë pa bashkëbiseduar, gjatë kësaj
periudhe 5-vjeçare cilat janë aktivitetet e Bajramit?
Duke qenë aktor dhe duke pasur atë dëshirën
për të qenë në skenë gjithmonë jam munduar të mos ndaloj. Në këtë periudhë kam
qenë përgjegjës i skenës në teatrin Eksperimental ku më është dhënë mundësia që
të bëja role. Por dua të theksoj se këtë kohë që nuk jemi takuar unë kam
bërë një nga veprat më të bukura dhe më të mira të jetës sime….
-Dmth veprat e intervistës së parë bien, ka
dalë rol më i bukur tani?!
Po! Së fundmi kam luajtur dramën “Hënat
e fundme” një vepër italiane të cilën e kam dhënë 3-4 herë në Tiranë por
edhe në Lushnje,Sarandë,Tepelenë, etj. Kjo është një vepër me tre role ku
personazhi kryesor është babai, një plak intelektual 80 vjeçar i cili pranon të
shkojë në azil. Madje e lejojnë të shkojë në azil edhe fëmijët e
tij. Pra kjo është kjo drama e kohës sonë. Një burrë fisnik që nuk do të jetë
barrë e fëmijëve kërkon vetë që të shkojë në azil. Djali i madh e pranon se
edhe gruaja ika vdekur. Më e veçanta e rolit është se ky
intelektual serioz bën një monolog të madh edhe me gruan e vdekur dhe në
fund bën një rezyme të madhe se çfarë është Azili. Kjo shfaqje është luajtur në
Itali dhe ka marrë disa çmime. Mendoj që është një nga veprat më të
arrira. Kjo është vepra më e mirë që kam bërë unë, aq sa peshë ngre. E theksoj
se “Hënat e Fundme” mbetet një nga dramat më në zë, të dramaturgut
Italian, të mirënjohur tashmë botërisht, Furio Bordon,e përkthyer në më shumë
se 29 gjuhë, Regjia: Milto Kutali. Në role: Barjam Dosti, Mariana Kondi, Klajdi
Zeqaj. As/regjisor: Aldi Hysotoci. Kostumografe: Zajmira Qeraxhiu.
Producent:Artur Selmani, Dua të falënderoj shumë aktoren e mirënjohur Mariana
Kondi për mbështetjen. Pa dyshim dhe regjisorin Kutali i cili ma besoi rolin.
-Kush nga artistët e njohur e ka vlerësuar
veprën? Janë disa….
Reshat Arbana e ka vlerësuar shumë, Luftar
Paja, Ilir Bezhani ka folur me superlativa. Ky ka qenë roli i jetës sime. Kjo
dramë është filmuar nga TVSH dhe akoma nuk ka dalë në ekranin e saj. Kam
punuar 6 muaj me atë vepër. Ishte frika e madhe, o e bëje ose nuk e bëje.
Mendoj se e kam bërë mirë. Kjo ishte pika kulmore e jetës sime artistike.
-Po ndonjë peng ke për rolet?
Pengje kam shumë. Pengu im është Sanço Panço.
E kam bërë monolog kur kam qenë student me Karafil Shenën ku ai ka pasur
rolin e Don Kishotit ku interpretimi shkoi 40 minuta. Ajo është një figurë që i
thotë shumë këtij vendi.
-Çfarë rolesh ke realizuar të tjera në
këtë kohë?
Me Ilir Bezhanin kam realizuar disa herë një
tip varieteje me 6 skeçe shumë të bukura, kam luajtur disa filma si
tek “Epsh dhe lakmi” etj…
-Po filma?
Gjatë kësaj kohe kam luajtur 8-9 filma
artistik. Krijimtari e bollshme se të luash 8-9 filma për 5 vjet është
shumë. Unë e kam gjetur veten në filma në role episodik.
Dhe të vinit deri këtu si aktor i
Teatrit Kombëtar të Komedisë s’ishte e rastësishme….
Unë e kam dashur aktrimin që në vegjëli. Por
më shumë doja këngën labçe. Sa herë shikoja filma mendoja dhe mundohesha të
interpretoja artistë të mëdhenj. Ishte ëndërr që dhe më pengonte në shumë
drejtime pasi thoja do të ngelet gjithmonë në sirtar.
U rritët në një ambient mes këngës labe?
Po. Ndërsa arsimin e mesëm e kreva në
shkollën e mesme bujqësore të Libohovës. Tjetër kërkoja tjetër më çuan. Por
Libohova e Avni Rustemit ishte më e bukur se Kalivaçi im i Tepelenës megjithëse
fshati im ka të veçantat e tij. Pas përfundimit të shkollës së mesme më doli
arsimi i lartë për ekonomi agrare, të cilën nuk e kisha qejf dhe nuk shkova.
Për këtë arsye më detyruan të shkoja tre vjet ushtar. Edhe në ushtri mendjen e
kisha tek aktrimi. Për atë refuzova dhe shkollën e lartë ekonomi agrare.
Kur konkurruat për aktrim, cilat pjesë
interpretuat dhe kush ishte në juri kur konkurruat?
Unë për aktrim kam konkurruar pas ushtrisë.
Për mua ka qenë fat (sepse kam lindur me fat në ditën e Bajramit), që në juri
kanë qenë burra të shquar si Esat Oktrova (Shef Katedre), Vangjush Furxhi dhe
Viktor Zhusti. Ishte një ditë plot emocion. Në këtë konkurrim unë interpretova
poezi të Dritëro Agollit si “Partizani Meke”, dhe monologun e “Rrapo Tabanit”.
Nga pjesët e huaja kisha Oleg Koshevoi. Por pjesët e Dritëroit më
pëlqyen shumë dhe unë u mundova të jepja maksimumin. Këta
tre pedagogë më kanë ndjekur gjatë gjithë kohës sime në Institutin e Arteve
(atëhere).
Gjatë periudhës së studimeve çfarë
roli keni luajtur|?
Kam luajtur tek filmi “Këneta” rolin e
mësuesit kam luajtur dhe një rol tek “Donkishoti”, me teatrin e Institutit të
lartë të Arteve.
Pas përfundimit të shkollës, ku ju emëruan?
Më emëruan në Tepelenë regjisor të Shtëpisë
së Kulturës. Nuk e prita me kënaqësi këtë vend pune pasi jeta artistike në
qytetin e origjinës ishe e vakët. Unë më shumë doja të isha aktor se regjisor.
Doja të luaja. Lëviza çdo levë sa më në fund më çuan aktor në Estradën e
Fierit. Sikur u çlirova. Aty mund të kisha hapësira më të mëdha, pasi në atë
periudhë Estrada e Fierit ishte ndër më të mirat në vend. Njëkohësisht, aty
ishte dhe teatri, pra aktorët e estradës luanin dhe në teatër.
Sa vjet keni punuar në këtë institucion të
artit skenik?
Plot 20 vjet. Dy dekada. Nuk janë pak. Aty
dhashë dhe mora gjithçka. Aty luajta rolet më të mirë dhe aty u përmirësova si
aktor. Ato vite pune ishin vite universiteti special për mua. Kjo trupë estrade
dhe teatri ishte shumë e mirë
Për ne që shkonim si aktorë të rinj, sepse
aty nuk kishte një plejadë aktorësh shumë të vjetër që të na
mbulonin fare ne të rinjve. Estrada dhe teatri i Fierit u formua më vonë se të
tjerët ndaj dhe për mua u krijuan shumë hapësira.
A gjete atmosferë të mirë në këtë trup?
Sigurisht. Gjeta ngrohtësi. Aty kishte dhe
aktorë të shquar si: Luftar Paja, Fuat Boçi, të cilët jo vetëm më mirëpritën,
por dhe më ndihmuan shumë në ecjen time përpara.
Si i keni pasur marrëdhëniet me regjisorin
Pëllumb Kulla?
Shumë të mira. Pëllumbi më ka dhënë 4 role në
dramat që i ka pasur krijuar vetë. Mi dha me besim dhe unë e justifikova. Unë
kam punuar dhe me regjisorin Roland Çarka, i cili ishte i heshtur, por shumë
punëtor. Njëkohësisht ka qenë regjisor edhe Fatos Sela, i cili ishte dhe një
aktor i talentuar. Të dy profesionet i ushtronte me shumë seriozitet dhe
pasion.
Të kalojmë tek filmi. Sikur s’jeni i dhënë aq
shumë sa je dhënë ndaj teatrit?
E vërtetë pasi jeta në teatër në Fier nuk
kishte shumë lidhje me filmin. Me ardhjen në Tiranë po. Kohët e fundit kam qenë
pjesë e më shumë se 9 filmave në role karakteri. Filmat e parë i kam realizuar
ë bashkëpunim me kinostudion “Shqipëria Sot”. Një ndër ta është
filmi “Koha e Kometës” e Fatmir Koçit, tek filmi “Sekretet”, një rol të një
çmenduri, ku partner kam pasur Enver Petrovcin,
Megjithatë qoftë në estradë, teatër apo film
ju keni një rol të spikatur që ju identifikon si çdo aktor. Cili është ky?
Roli më i bukur për mua është roli që kam
pasur tek drama “Dy krisma në Paris”. Unë kam pasur rolin e
fshatarit Xhafo Mehmeti, që më vonë u quajt Xhafo Idrizi. Ai ishte një rol që
zbërthente tamam në detaje burrin lab, të sertë, të mendueshëm plot mendim.
Patriot. Me këtë rol kujtoja babanë tim dhe pleqtë e fshatit me të njëjtat
karakteristika dhe veshje. Atë figurë e njihja në çdo hap që hidhja sikur të qe
enkas për mua.
Ju thatë që personazhi quhej Xhafo Mehmeti
pastaj ja ndryshuan Xhafo Idrizi. Pse ky ndryshim emri në teatër?
(qesh). Sot duket paksa e çuditshëm, por
s’ishte e tillë dje. Kur u dhanë shfaqjet e para dolën pikërisht me këtë emër,
por më vonë kur vrau veten (u vra) Mehmet Shehu, u dha urdhër që të ndryshohej
mbiemri i personazhit. Edhe regjistrimi pra filmimi u bë me këtë emër me emrin
Xhafo Idrizi. Paradokse shqiptare mos të të vijë çudi. Unë këtë rol e kam
luajtur në 45 shfaqje. Dihet tashmë se kjo dramë ka qenë ndër më të realizuarat
në teatrin e Fierit. Ka qenë një dramë që ka bërë bujë për kohën.
Po në estradë, cilin rol do të veçonit?
Roja i bostanit (qesh). Dihet atëherë se si
vidheshin shalqinjtë e fermave apo kooperativave nga të rinjtë. Ishte një rol
që fliste për këtë problem të kohës.
Ku jeni ndjerë më mirë në dramë apo komedi?
Me thënë të drejtën s’mund t’i ndaj. Ndoshta
emërimi im si aktor në Teatrin e Komedisë ta legjitimon pyetjen, por unë i dua
njëlloj. Por role më shumë kam luajtur në estradë. Sidomos kohët e fundit kam
realizuar disa kinokomedi.
Keni ndonjë peng në jetën tuaj artistike?
Jo. S’kam peng. Mendoj se, kërkesat dhe
objektivat e mia deri tani i kam realizuar. Por sërish nuk jam larg skenës
kohën e kam para. Edhe ndonjë rol që e kam dëshirë ndoshta do të realizoj.
Sa role keni realizuar gjithsej?
Kur flitet për rolet gjithmonë kujtesa nuk të
mban me hatër. Aktori asnjëherë si numëron rolet për vetë faktin se e ndjen se
të gjithë rolet janë brenda tij dhe se sa lë një rol mendon të fillojë një
tjetër. Por mund të them se kam 26 role në teatër mbi 30 role në estradë dhe 12
role në kinema.
Kë do të veçoni nga shokët që ke pas në
bankat e Institutit të Arteve?
Arben Imamin. Ishte një djalë kurajoz, i
zgjuar, i talentuar. Kam shkuar shumë mirë me të dhe angazhimi i tij që në
shkollë ishte shumë premtues. Por jeta bën të vetën, preferencat ndryshojnë.
Ç’do të thotë të jesh aktor?
Të jesh i mbushur me përgjegjësi. Artisti
n.q.s nuk shkon tek zemra e popullit ka dështuar. Aktori është gjithmonë në
përballje me popullin dhe ai ta jep notën dhe nota duket në rrugë që ose të
flet ose kthen kokën anash.
Mendimi juaj për shkollën shqiptare të
aktrimit?
Për mendimin tim, në kohën që e kam bërë ka
qenë një shkollë shumë e mirë, me pedagogë shumë të talentuar, me kërkesë të
lartë. Shkolla e Stanislavskit mbetet edhe sot me emër. Nuk e di si është sot
kërkesa e llogarisë. Besoj të jetë në ato nivele.