Kerko: a
Meri Lalaj: Të shkruash për miken e dashur
E enjte, 12.03.2020, 08:36 PM
Të shkruash për miken e dashur
Nga
Meri Lalaj
Në
ditët pas ikjes së Dritëroit nga jeta, shkoja shpesh tek Sadija për të biseduar
e për të pirë kafe. Teksa po flisnim për librat e dorëshkrimet, Sadija më
rrëfeu se Dritëroi gjithçka e kishte sistemuar me duart e veta nëpër dosje të
veçanta: poezitë, publicistikën, përkthimet. “Madje në një dosje janë edhe
tregimet e mia”- më tha Sadija dhe bëri një gjest gjysmë mospërfillës me një
lëvizje të dorës dhe me një nënqeshje të lehtë në buzë. Dhe kurrë më nuk
biseduam për tregimet e saj. Mbaja mend se pata lexuar dikur tek revista
“Nëntori”, tregimin “Shkëmbi” të Sadijes. Papritur Sadija fluturoi nga kjo
jetë. Disa muaj pas kësaj gjëme, Elona, e bija e Sadijes, më thotë se kishte
ndërmend që të botonte tregimet e nënës së vet. “Shumë mirë!” i thashë, pa
pasur asnjë mendim në kokë sesi do të ishin këto tregime. A do t’ia vlenin për
një masë të gjerë lexuesish apo qenë vetëm për një rreth të ngushtë familjar.
Kur u mblodhëm në ditën e përvjetorit të parë të ikjes nga jeta të mikes sime
Sadije më dhuruan edhe librin e saj me tregime: “E dikurshmja në apartamentin
Nr. 13”. Duke lexuar librin me tregime më dukej sikur po bashkëbisedoja me
Sadijen për jetën tonë si konviktore, për vështirësitë e punëve që bënim kur
dolëm në jetë, për rritjen e fëmijëve tanë, madje u gëzova kur lexova se një
personazh mbante emrin tim. Më kryesorja është se ndonëse këto tregime janë
shkruar dyzetë e ca vite më parë, ata përveç që mbajnë frymën e asaj kohe
tingëllojnë të natyrshëm edhe në ditët tona. Arsyeja është sepse Sadija punoi
për një kohë shumë të gjatë gazetare dhe si të thuash pena e saj u mpreh në
përshkrimet e situatave nëpër të cilat jetonim, por në tregimet e saj ajo ka
edhe një sy të mprehtë duke vëzhguar dhe zhbiruar në anën psikologjike të
problemeve të kohës. Më kryesorja është se Sadija futet në shpirtin e femrave,
në hallet dhe brengat e tyre në dhimbjet sa fizike aq edhe shpirtërore.
Në
tregimin “Atë natë lindën dy djem” me dy fjalë ngjarja zhvillohet në një
maternitet ku një grua e re i hap zemrën shoqes që gjen aty.
Tregimi
“E dikurshmja në apartamentin 13”, më kujton jetën që kemi bërë dikur, miqësitë
e ngushta kur ishim studente dhe pastaj kur ndonjëra martohej me një burrë
gjoja intelektual, një snob, që dinte
vetëm të shtirej e të dukej përmbi të tjerët, i cili është i zoti t’i sigurojë
asaj Mirës të gjitha komoditetet, por e ndrydh shpirtërisht duke e trajtuar si
pronë si robinjë. Shoqet vijnë tek apartamenti i Mirës që ta kujtojnë për
takimin që kanë lënë me ish-shokët studentë…
Me
shumë vërtetësi, madje duket sikur të jetë shkruar sot është tregimi
“Pështirje”, shoqet studente në konvikt, që i dinë të fshehtat dashurore njëra
tjetrës shqetësohen për Mimozën, e cila njihet dhe takohet me një djalë
Alfonsin, për të cilin shoqet dyshojnë se nuk është i duhuri, së fundi edhe
Mimoza ndërgjegjësohet për të. Sipas rrjedhës së tregimit shkojnë vitet dhe ai
mbetet po i njëjti, ai shtiret dhe me sjelljen e tij duke pështirosur veten dhe
të tjerët.
Në
tregimin “Shkëmbi” ngjarjet, përshkrimet hera herës duken si të fotografuara
dhe hera herës si të pikturuara nga dora e një artisti: deti dallgët e tij,
qielli i kaltër, tre personazhe gra dhe shkëmbi në formën e trupit të njeriut,
paralel me shkëmbin qëndron një grua që kërkon të jetë e lirë së paku për disa
ditë larg telasheve familjare e tjera.
“Sirtari
i komodinës mbeti i pandrequr” është një tregim me anë të të cilit autorja
futet në kujtimet e së kaluarës teksa hap një sirtar komodine për ta rregulluar
dhe aty i shfaqen kujtimet e dikurshme, dashuria e saj, ajo dënon me forcë
ndërhyrjet e fisit për të bërë mblesërira, mbron dashurinë e pastër dhe të
sinqertë.
Një
tregim shumë interesant është “Vajza e maturës “C”, në të ndihet menjëherë se
Sadija e ka shkruar këtë tregim nga përvoja e saj si mësuese, por analiza
psikologjike, vëzhgimi deri në hollësira të personazheve bën që ky të jetë një
ndër më tregimet më të bukura të librit. Ermira është një vajzë jetime pasi
babai i ka vdekur ndërsa nëna është martuar me një burrë tjetër. Vajza rritet
nga gjyshërit dhe halla e saj, e cila është një grua llafazane, e pamartuar,
egoiste që flet keq për të tjerët, ndërsa përkundrazi Ermira është një vajzë
shpirtbukur e lidhur fort me mësuesen e vet, një ndjenjë që dikur në kohën tonë
ishte e natyrshme lidhja shpirtërore midis nxënësve dhe mësuesve diçka që tani
ka ndryshuar ka marrë thjesht drejtimin material.
Tregimi
i fundit titullohet “Kur lëshon helmin e padukshëm”. Teksa lexoja këtë tregim
para syve më përvijohej Dritëroi, i cili dikur shoqërohej me këdo dhe i hapte
derën e shtëpisë kujtdoje. Është një tregim i bukur realizuar me vërtetësi me
dialogë që thonë përtej mendimeve. Personazhi negativ, Tahiri, i cili kërkon
vetëm të përfitojë nga të tjerët, madje të bëhet edhe shkrimtar është sjellë në
tregim me ngjyra të myrrëtyera në mënyrë shumë realiste. Ky personazh i zi
është gati edhe të prishë harmoninë e familjes mjafton që uji në mullirin e tij
të shkojë drejt.
Tanimë,
pasi autorja e këtij libri me tregime nuk është më në jetë, pengu i shkrueses
së këtyre radhëve është ky: Si munda t’i lexoja këto tregime pa biseduar me
Sadijen, e cila më buzëqesh nga Parajsa!?
Vlera
e këtij libri është e madhe dhe sidomos tani që Sadija nuk është më në jetë.
Tregimet janë shumë të arrira dhe përmes tyre ne arrijmë që të njohim anën e
panjohur të bashkëshortes së Dritëro Agollit, frymën e saj krijuese, vlerat e
saj, jo vetëm si redaktore dhe lexuese e kryeveprave të Dritëro Agollit,
bashkëshortit të saj, por edhe peshën e penës së saj si krijuese.
Brezi
i shkrimtareve femra, në vitet 70-80 të shekullit të kaluar, me emrat e njohur
të: Helena Kadare, Shpresa Vreto, Diana Çuli, Dhurata Bozdo, Feride Papleka,
Elsa Ballauri e të tjera.
Edhe
Sadije Agolli në historinë e letërsisë shqipe meritonte të zinte vendin e vet
me tregimet e saj.