Kerko: a
Brunilda Zllami: Mos i pranoni lulet e dhunuesit
E diele, 08.03.2020, 10:59 PM
MOS I PRANONI LULET E DHUNUESIT
-RREFLEKTIM
... NË 8 MARS-
Nga
Brunilda Zllami, Tiranë
Nëse
dikush sot ju dhuron lule, mos i pranoni. Mos i pranoni nëse ajo dorë që ju
ofron diçka aq të pastër të ka goditur pa mëshirë!
Mos
prano një fjalë të bukur të cunguar, nëse në të gjitha ditët e vitit ke dëgjuar
sharje dhe ofendime!
Mos
prano të dalësh shëtitje duke shtrënguar krahun e atij që nuk të quan të
barabartë dhe të trajton si skllave!
Ti
ke të drejtë të kërkosh lumturinë! Ti ke të drejtë të kërkosh dashurinë,
puthjen, përqafimin! Ke të drejtë të rrisësh fëmijët e tu pa pasur frikë se një
ditë do kthehen kopja e shëmtuar e burrit tënd! Ke të drejtë të kujdesesh për
veten, të ndihesh e bukur, të buzëqeshës. Ke të drejtë të ndihesh e vlerësuar e
të kesh ambicie. Të jesh dikushi në jetë e të shkëlqesh!
Ke
të drejtë të mos pranosh të vazhdosh jetën me dikë që të dhunon çdo ditë e të
gjesh sërisht dritën! Nuk duhet të kesh frikë të shkëputësh vargonjtë që të
mbajnë lidhur e të fluturosh aty ku të çojnë vetëm ëndrrat!
Mos
i pranoni lulet nëse ato duar që ua dhurojnë janë lyer me gjakun tuaj! Nëse ato
duar nuk ju kanë përkëdhelur kur keni dhënë dashuri, as u kanë fshirë lotët kur
keni rënë në dëshpërim!
Mos
përdorni pudrën për të mbuluar plagët e për t’u zbukuruar për dikë që nuk di të
vlerësojë bukurinë tuaj!
Mos
lini dikë që nuk do t’ju njohë të përcaktojë kush jeni dhe sa vleni!
Është
koha që femrat të mos kenë frikë se do vriten barbarisht nga dhunuesit e tyre!
Është koha për të luftuar për vete dhe për fëmijët e tyre! Një burrë që dhunon
nuk është burrë! Një burrë që vret, nuk është njeri!
Ndaj
mos i pranoni ato lule të blera nxitimthi nga ajo dorë që ju godet, sepse lulet
tjera mund të vendosen mbi varrin tuaj!
Ju
keni të drejtë të kërkoni lumturinë, të ëndërroni dhe të fluturoni bashkë me
ëndrrat tuaja! Një zgjedhje nuk duhet t’ju përcaktojë gjithë jetën, një unazë
nuk duhet të jetë pjesa e parë e një zinxhiri që do ju lidhë me vuajtjen.
Ndaj
mos i pranoni lulet e dhunuesit!
Ju
vleni më shumë!
-Vetem për ZSh-në, nga
Tirana, 8 mars 2020-