Kerko: a
Xheladin Mjeku: Dalja përtej dhimbjes
E diele, 01.03.2020, 02:42 PM
DALJA PËRTEJ DHIMBJES
Timo Mërkuri: “ANATOMIA
E LOTIT”, poezi të zgjedhura- 2008
Nga
Xheladin Mjeku
Çdoherë kur lexojmë diçka
nga krijimtaria letrare e Timo Mërkurit (1955), nuk mund të ndalojmë pa e
“shterrur” gjithë lëndën tekstore që kemi para vetes, pavarësisht në cilin
zhanër të krijimtarisë letrare është ai shkrim. Por, e veçanta e kësaj që na
preokupon në masë është “Anatomia e lotit”, një paraqitje prezentative e
krijimtarisë së tij poetike, që e kemi në shqyrtim, meqë këtu e gjejmë të
veçantë, si një meteor që rrezaton në kohëra e situata të ndryshme me vargun
dhe peshën e fjalës, deri në plotninë e kuptimit dhe mesazhit, me frymën e
dashurisë për të bukurën, për vlerën e mirëpeshuar në gjetjen e rrugës së
drejtë dhe plot vrull jete. E them këtë mendim nga fakti se, pothuajse gjithë
opusin e tij poetik e përshkon fryma origjinale e shprehjes dhe trajtimit
tematiko-motivor të shkëputur nga perlat e atdheut, Saranda e tij plot diell,
kaltërsi dhe virgjëri natyrore, që portretizojnë jetën e njeriut autokton, duke
u përballur me të bukurën dhe të shëmtuarën, me krenarinë dhe urrejtjen, me vlerat
dhe antivlerat e sprovuara nëpër kohë, por gjithnjë në përftimin e suksesshëm
drejt dritës dhe shpresave të pandalshme.
Vëllimet poetike: “Bulevardi
i dhimbjes” (2001), “Loti i detit” (2003), “Klithma e pulëbardhës”
(2004), dhe “Hëna e fëmirisë sime” (2008), nga të cilat sajohet kjo
përzgjedhje antologjike personale me titull unifikues të materjes poetike të
plasuar aty, dhe me simbolikën e dëshmuar, “Anatomia e lotit”, në plotni
pasqyron rrugëtimin poetik, ku bashkëveprojnë dhimbja, shqetësimi, pastaj shpresa
e krenaria, duke mos i anashkaluar edhe mitet, legjendat, që në këto treva kanë
gjetur trajtim të vazhdueshëm në sfera të ndryshme të jetës, kulturës, riteve e
zakoneve, në fuqizimin e tyre në realizimin e krijimtarisë poetike sa më
origjinale dhe me figuracion metaforik, gjithnjë në funksion të trajtimit të
ngjarjeve dhe fakte pellazgo-ilirike në këto vise, që transformohen në plotni
me aktualitetet e njeriut të sotëm.
Loti si
lajtmotiv
Shpërfaqja e mendimeve dhe
ngjyrimi poetik me detaje të konsoliduara në akcilën prej përmbledhjeve të
mëparshme, këtu në Antologjinë poetike: “Anatomia e lotit”, vijnë më të
përzgjedhura, që mund të konsiderohen ndër perlat e krijimtarisë shumëvjeçare
të Timo Mërkurit. Pothuajse në shumicën e poezive që sjellin frymën e kohës së
këtyre ngjarjeve, takojmë peisazhin e pikës së prekur emotivisht, që në
përgjithësi karakterizohen me ndjeshmërinë e thellë për karaktere subjektive,
që i përkasin zhvillimit të ngjarjeve, pavarësisht në cilësinë e pozitivitetit,
apo si elemente negative, të portretizuar me mjeshtri. Sidoqoftë, materja
poetike e këtij libri antologjik insiston në mënyrën e përafrimit të një
bashkëjetese mes të bukurës dhe dashurisë, mes dhimbjeve dhe shqetësimeve që e
kishin pllakosur njeriun në një kohë të veçantë. Kështu, ndryshimet politike,
që tashmë po bëheshin gjithnjë e më fuqishëm katalizator i shpërthimit të
situatave të tilla, që siç e thotë edhe studiuesja e letërsisë Zejnepe
Alili-Rexhepi: “Timo Mërkuri, vepra e të cilit përshkruan zbarkimin e dhembjes
në tempullin e lotit”, sa vjen e merr konotacione të reja në trajtimin e
vazhdueshëm tematik të këtyre situatave tranzitore, që do ta çojnë vendin në
një shkallë të lartë të rrezikueshmërisë së zhbërjes së shtetit, përkundër
lëvizjeve të mëdha pozitive dhe synimeve të vendosjes së një sistemi të ri
politiko-shoqëror, me shpresa për të ardhmen e një prosperiteti demokratik.
Poaq indikative është përballja e shumë elementeve që e karakterizojnë këtë
lëndë poetike, ku takohen shqetësimet e autorit, dhimbja dhe loti, që herë
vijnë si çlirim nga dhimbjet shpirtërore, herë si shenjë identifikuese në
përmasën e hidhërimit, të materializuar përmes pikave që rrjedhin nga zemra.
Loti, si lajtmotiv tek këto poezi shpërfaq më mirë se çdo formë tjetër
identifikimin e dashurisë me synimin që situata të tilla të mos ndodhin
asnjëherë, duke aluduar në vet çiltërinë si loti të një populli që e do jetën
të pacënuar nga askush, meqë jeton me forcat e veta dhe në truallin
stërgjyshor, ku gjithçka ia begaton ardhmërinë.
Loti, si klithmë
paralajmëruese e një dhimbjeje të përmasave shqetësuese, në realitet në këto
poezi vjen si shenjë unifikuese e dhimbjes dhe dashurisë. Pasqyrime të shumta
të këtyre pamjeve që e përshkruajnë një ngjarje a një motiv, poaq të dhimbshëm,
që veç lotit, asgjë nuk e shpërfaq më bindshëm kthjelltësinë e vrojtimit, me
mesazhin e plotë të rikthimit të jetës, që e gjejmë në shumë nga poezitë, si: “Shelgjet
lotues”, pastaj “Bulevardi i dhimbjes”, ku, veç tjerash: “dhe
neonet ndrijnë mbi qepallat e mbrëmjes/ si lotët në sytë e nënës së Hysen
Açakos”.
Këtu, edhe kurbeti gjen
ngushëllim te një pikë loti, përkundër pritjes së gjatë të kthimit të bijve që
kahmot i ka tretur rruga larg vendlindjes së tyre, larg qytetit të bukur buzë
Jonit:
“As sot
s’erdhën djemtë nga kurbeti.As nesër s’vijnë.
Nga lotët
e derdhur është hidhëruar deti.”
(“Lypësat
në Sarandë”)
Mjeshtër i përshkrimit të
situatave të tilla, Timo Mërkuri, lotin e kthen në shpresë, në dashuri dhe
dhimbje, varësisht trajtesës që i bën, por gjithmonë mbetet po ai loti i çiltër
që shëron shpirtin e të përvuajturit, edhe atëherë kur takon edhe “Lotin e
detit”, ku, në përmbyllje të poezisë sikur mbetet peng i kësaj dhimbjeje,
shpreh shqetësimin e tij me pyetjen, se: “Një dert e kam./ E një dhimbje që
s'e mbaj dot./ Dhimbjen time e vajton dhe deti./ Me lot stërkalash e suferinat
ligje,/ moj botë e vogël, pse ke kaq shumë dhimbje?” (po aty). Poeti nuk
mjaftohet me kaq. Ai ngarend në gjetjen identifikuese të “Emrit të lotit të
tij” që nuk rresht së ngacmuari unin krijues, ngado që takon dhimbjen.
Gjithësesi, ia del ta gjej emërtimin, meqë si duket duhet ta ketë kërkuar në
një kohë specifike: “Kosovë është emri i lotit tim.” E përkufizon
emërtimin e tij për lotin, si bashkëudhëtar nëpër vargjet e tij, për ta dëshmuar
fuqinë krijuese me të gjitha atributet e një mjeshtri të pamposhtur përball
ngjarjeve e situatave që e preokupojnë.
Dhimbja,
apo “Pranvera e plagosur” në vargun e Mërkurit
Dhimbja dhe krenaria, si
dybashkudhëtarë të mirëharmonizuar në vargun e Timo Mërkurit shpërthejnë në çdo
kohë, stinë, orë, përballen me ngjarje e personazhe që krijojnë një dyzinë
temash me tematikë që e preokupojnë autorin. E rëndësisë së veçantë është të
thuhet, se këtu takojmë tema të ndryshme, nga jeta, kurbeti, pastaj dashuria,
që si një kollazh i mirëfiksuar nga syri i poetit, pasqyrojnë përditshmërinë e
një kohe, tashmë të mbijetuar. Intelekti krijues i një shpirti të trazuar i
derdhur prej vitesh në disa vëllime poetike, këtu vjen i përzgjedhur në formë
antologjike, për ta plasuar mesazhin e tij tek recepienti përmes vargut që
reflekton vlerat e një poezie përfaqësuese të opusit krijues të Timo Mërkurit,
që shquhet për thellësinë e mendimit, për koloritin dhe reflektimin e vlerave
bashkëkohore, duke i shkrirë në një harmonizim edhe mitin, legjendën dhe gjithë
thesarin e trashëgimisë kulturore, për t’ia dhënë vlerat këtyre realizimeve
letrare dhe shpirtërore.
Ndërtimi i kësaj poezie mbi
kontekstin e një kohe të nderë sjell edhe frymën aktuale të saj. Kështu, edhe
autori vihet në një sprovë të rëndë për t’i fiksuar ato ngjarje në mënyrën sa
më bindëse dhe reale të mundshme. Atëbotë, po ndodhte Golgota e “Vitit ’97”
në Shqipëri, që nuk po e shkaktonte lufta e armatosur, as ekspeditat ndëshkuese
masive të popullatës nga ndonjë agresor i jashtëm që kishte pretendime okupimi.
Atë po e sillte në sprovë shkaktari i brendshëm, duke i shkaktuar pasiguri
jete, sa nga vrasjet, sa nga varfëria e skajshme që e kishte katandisur vendin,
ende pa i bërë mirë hapat e parë të daljes nga kthetrat e një diktature
shumëvjecare, ku apotheoza e bukës ishte fillimi dhe mbarimi i gjithçkaje në
atë kohë. Ishte “Pranvera e plagosur” që po përpëlitej ta zbërthente
rrethin e hekurt të një kohe të trishtë gjysmëshekullore për të vazhduar pastaj
me shërimin e atyre plagëve aq të pakuptimta, po shumë të thella, që ia kishte
shkaktuar një sistem totalitar që po ikte.
E qëlluan
me një plumb e po zvarritet nëpër luginë
duke
pikuar lulëkuqet nga plaga e ngrohtë.
O, po, e
qëlluan, more, mu në prag të prillit
e luleshqerrat
kanë ulur kokën, në pritje, si vajtore.
(“Pranverë
e kryqëzuar”)
Poashtu, edhe poezia “Dhimbja”
ndonëse e realizuar në pak vargje, shpërfaq fuqishëm pikëvështrimin e poetit, i
cili me ngulfatjen e ndjenjës shpirtërore nuk përmbahet dot, duke shpërthyer
përmes vargut: “Dhimbja është banore e qytetit tim/ në lagjen time e ka
shtëpinë” që në nismë shpalos gjithë realitetin e një kohe, për të vazhduar
pastaj me pyetjet e dëshiruara: “Po kur do të ikë prapë në punë të saj/
e trëndafili të bjerë era dashuri.” Poaq e dhimbshme është jeta që
përjetohet edhe në qytetin e poetit, që personifikon pothuajse edhe të gjitha
qytetet tjera të Shqipërisë, ku kishte rënë mortja e kësaj pranvere, me gjithë
tmerrin dhe vdekjet që kishin mbuluar çdo skaj të vendit. Një përmbyllje e
dhimbshme, por realitet që djeg në shpirt më tmerrueshëm se askund tjetër
paraqitet në poezinë “Zgjerimi i varrezave të qytetit”, siç do të
shprehej autori: “Pse mos t'i bëjmë varrezat/ në mes të qytetit,/ ç'ndryshim
kanë të vdekurit prej nesh?/ Të vrarë ata, të vdekur ne.” (po aty).
Të këtyre çasteve janë edhe
poezitë: “Viti ‘97”, “Zanafilla”, “Skafi”, “Njoftim i
zakonshëm”, “Pranvera që nuk erdhi”, “Fshati që vdes”, “Ode
për këtë liri”, “Ndoshta vjen të hënën”, “Në fshatin e
refugjatëve”, “Pragmbrëmje në bregdet”, “Mëmë Kania dhe
trëndafilat”, “Kur vjen prilli”,“Bulevardi i dhimbjes”, “Përkujtimore”,
etj. që të gjitha s’bashku pasqyrojnë tmerrin e asaj kohe.
Vërtetë, këtu në vazhdimësi
vajton vetë koha; vajton gjithçka përreth kur sheh se po shkatërrohet edhe
ëndrra e jetës në atdheun e të parëve, duke bërë përpjekjet e fundit të daljes
nga ferri gjysmëshekullor, i quajtur – mbijetesë. Vrasja dhe plumbi vijnë
përmes vargut si dy veprime që përshkojnë nëpër gjithë atë situatë të trishtë,
për të personifikuar jetën me rrezikun, si dy kahe që nuk duhet të takohen
asnjëherë. Madje as në poezi, do të dëshiroja!
Edhe motivi i mërgimit është
trajtuar i pandashëm me pjesën tjetër të dhimbjes që e kishte prekur çdo cep të
atdheut. Këtë fenomen të shoqërisë e hasim në poezinë “Vajzat kanë mërguar”,
ku me pak vargje sjell realitetin e hidhur të mërgimtarit, që e kishte
katandisur jeta: “... e te pragu i shtëpisë sime/ një trëndafil i bardhë
nusëron./ Mëngjeseve kur nisem për rrugë/ më përcjell me dënesa e lot./ E diç
më thotë mes psherëtimave./ Por unë s'mund ta këpus/ se s'kam kujt
t'ia dhuroj.” (po aty). E solla këtu të plotë poezinë, për t’ua mundësuar
ta vlerësojnë më lehtë lexuesit se cila ishte plaga që i dhemb në shpirt
poetit, i cili shpeshherë bëhet një me dhimbjen, si pretekst trajtimi. Ky motiv
vjen i trajtuar edhe në poezitë: “Shtëpia e refugjatit të humbur”,
“Kostandini”, “Plakat e Vurgut”, “Deti i hidhëruar”, etj.
Po me “Sofrën” si do
t’ia bëj poeti, meqë ajo është “E varfër sofra jonë, një fetë bukë/ lyer me
dritë hëne/ dhe rreth saj/ një trumbë fëmijësh që çukisin përralla”, që
sjell në kujtesë kohën kur vendi po zbrazej nga rinia, pikërisht për këto
arsye. “Eh, Shqipëria ime/ atdheu i refugjatëve.”, do të shpjegonte përmes
klithmash këtë fakt të përjetuar deri në palcë.
Mbi të gjitha këto, Timo
Mërkuri do të gjej forcë për ta ndërtuar jetën e re, pavarësisht përjetimit të
kësaj “Pranvere të hidhur...”, i pathyeshëm, ngushëllohet për të rinisur
nga “Zanafilla“ me plot kurajo “të shkruaj ungjillin e dashurisë”.
Dashuria – kjo ëndërr që nuk mbaron kurrë
Timo Mërkuri i këndon
dashurisë në stilin e tij, herë mbushur me ëndrra, herë stolisur me lule; një
herë tjetër e gjen ngushëllimin me një përftim të bukur nëpër një ëndërr, pa
mos arritur asnjëherë ta prek, as edhe si frymë. Poeti nuk do të ndalon edhe në
kohë të nderë t’i këndoj dashurisë. E fillon me poezinë “Trëndafili i
ëndrrës”, duke bredhur ëndrrave të jetës, pa një pikëtakim të caktuar, për
të kaluar nëpër mote e stinë, në fluturim si flutur, lule më lule, por
asnjëherë ta gjej lumturinë e kërkuar. Megjithatë “Janë të bukur
trëndafilat/ dhe kur çelin në ëndërr”, do të pajtohet poeti, pavarësisht se
e ka të njohur se trëndafilat shpejt do t’i ikën bashkë me ëndrrën.
Poeti edhe kështu i “këndon”
dashurisë: “Sa shumë vajza,/ o, sa shumë vajza të bukura/ ka në qytetin
tim,/ që në heshtje kuvendojnë me vetminë!/ Kush vallë ua ka vrarë
dashurinë?” (“Vajzat e qytetit tim”) për ta ndërtur të plotë këtë
motiv, që bashkërenditet me të gjitha motivet tjera, duke iu përshtatur kohës
dhe rrethanave në të cilat ndodhet.
Kjo paraqitje e dashurisë
vjen në vazhdimësi me poezitë: “Triptik”, “Ëndërr e pafat”, “Hëna
e gushtit”, “Çast”, “Fjalë dashurie” “Vajzat e shtëpive tona”, “Prill”,
“Hëna e fëminisë sime”, “Një tutor prostitutash fërshëllen melodi...”,
“Në Butrint”, e ndonjë tjetër, që mund të ketë lënë më pak gjurmë në
kujtesën tonë, por gjithësesi duke u vlerësuar si pjesë e kësaj tërësie
poetike.
Por jo vetëm dhimbja,
shqetësimet, kurbeti, e preokupojnë penën e Timo Mërkurit. Ai e ka ndërtuar
edhe pjesën tjetër të ngrehinës së tij artistike që i bën ballë kohërave, atë
të krenarisë për të parët e tij, për heroizmat e tyre nëpër shekuj, për nënën,
motrën, për të afërmit dhe farefisin, me të cilët çmallet, pret kthimin e tyre,
apo bashkudhëton shtigjeve të kujtesës me ta. Përmes një numri të konsidereshëm
të poezive autori na takon me njerëzit e tij, me kujtesën dhe dashurinë që
ushqen ndaj tyre, pa mos i anashkaluar asnjëherë. Ai në raste të caktuara e
portretizon edhe poetin, që në të vërtetë, ushqen konsideratë ndaj krijuesit,
përballjes së tij me situata e personazhe nga më të ndryshmet, jo gjithmonë më
të njëjtin ritëm të pozitivitetit prej krijuesi. Kjo paraqitje e sjell më të
kompletuar pasqyrën krijuese që reflekton vullnet, dashuri dhe gatishmëri për
t’u përballur çdoherë me njeriun e kohës. Disa nga poezitë e tilla i veçuam si
tituj më provokues për shijen e lexuesit, për të lënë mundësinë e përballjes
edhe me tituj të tjerë në brendinë e kësaj vepre letrare: “Pilur”, “Im
at”, “, “Kthimi”, “Vija e gjelbër”, “Diptik për një emër”,
“Skicë-portret i hallë Sofisë”, “Poetët”, “Ylli që po fle”,
“Tim biri”, etj.
Dy fjalë
në mbyllje
Në mbyllje të këtij vështrimi
kujtoj se ka mbetur edhe shumë për tu zbërthyer në këtë vëllim poetik, që si
tërësi përbën botën poetike të Timo Mërkurit. Asnjëherë nuk mund të zbërthehet
e tëra që është sistemuar në një vepër, aq më pak kur kjo materje poetike është
e nivelit antologjik. Por, si gjithmonë, edhe këtu krijimtaria letrare e Timo
Mërkurit vjen e feskët, që përveç vargut, si qëllim parësor, ai për asnjë çast
nuk anashkalon edhe përdorimin e elementeve stilistike, të metaforave, me një
leksik të pasur e komunikues, që e pasurojnë gjithnjë e më shumë fondin e
vlerave të kësaj krijimtarie letrare-poetike.
Mbase, këto janë vlerat që e
kurorëzojnë gjithë krijimtarinë e Timo Mërkurit, për ta bërë pastaj edhe
lexuesin që ta ndiej nevojën e shijimit të kënaqësinë e saj.