Kerko: a
Ramiz Lushaj: Çka thoshte ''Balzaku shqiptar'' për Lulzim Bashën në Hollandë
E diele, 01.03.2020, 07:51 PM
ÇKA MË THOSHTE “BALZAKU SHQIPTAR” NGA KOSOVA PËR 20 VJEÇARIN LULZIM BASHA NË HOLLANDË
Nga
Ramiz LUSHAJ
“Balzaku
shqiptar”, shkrimtar i shquar nga Kosova, Sulejman Krasniqi, gjatë qëndrimit në
Afrikën e Jugut, veçanarisht në kthim në avionin e madh “Olympiç” nga Johanesburgu
në Athinë, teksa rrinim bashkë në dy sedilje kah dritarja në anë të majtë, më
fliste me një pasion të madh për Lulzim Bashën, djalin e madh të baxhanakut të
tij, Xhelalit, mjeshtër mekanik i njoftun dhe të kunatës së tij, Remzijes,
mësuese me emën të mirë.
Tek
ky djalë i ri shihte me mjaft shpresë një lider të së ardhmes. Aq besim të madh
kishte në personalitetin e dituritë e tij, aq shpesh fliste për të ardhmen e
tij saqë të shtynte me e njoft nga afër të riun Lulzim Basha, me krijue ide e
bindje të qartë rreth tij, për të ardhmen e tij.
-Qysh
i vogël, - më thotë shkrimtari 57 vjeçar Sulejman Krasniqi – nuk m’u ndajke me
pyetje nga ma të ndryshmet për Kosovën. I (ri)lexonte romanet e mia për Miç
Sokolin, Bajram Çurrin, Oso Kukën, Shote Galiçen, për dardanët, etj., vinte e
më tregonte çka kishte lexuar në libra dhe në gazeta e revista për Kosovën. Në
fund të qershorit 1989, kur Sllobodan Millosheviçi në 600 vjetorin e Betejës së
Fushë-Kosovës e rrënoi autonominë e Kosovës dhe startoi fushata e naçionalizmit
serb dhe shtypi i Tiranës botonte artikuj për këto ngjarje, ishte gjimnazist te
“Sami Frashëri”, nja 15 vjeç, dhe vinte e folnim gjatë për Kosovën. E ka edhe
një rrem të fortë gjaku nga Dreniça e Kosovës. Nana e tij, që është kunata ime,
motra e Mirës, është burrneshë Dreniçe…
-…Në
vitin e vështirë 1990, unë e Mira,- rrëfente ma tej shkrimtari Sulejman
Krasniqi - e kishim merak Lulin, sepse ishte gjimnazist e shkonte me shoqëri të
vet tek Lëvizja Studentore e Dhjetorit, në mitingje, protesta e demonstrate në
Tiranë. Gjuhët e huaja i ka me qejf të madh. Anglishten e flet mirë. Kie qejf
me e ndie. Din edhe hollandisht, se po e mëson atje në Hollandë. Është në vit
të dytë në Universitetin Utreçht. Ky universitet, ku mëson Luli, është i
themeluar në shek. XVII, rreth njëqind vjet pas librit të parë shqip “Meshari”
të Gjon Buzukut. Atje po studion shumë mirë dhe punon si koordinator në
fakultet të drejtësisë, si punonjës apo këshilltar në disa firma private për të
siguruar të ardhura për shkollimin e tij. Edhe kur ishte gjimnazist punonte
gjatë verës. Është menaxher i mirë i vetvetes… Ti thuaj çka të duash e merre si
të duash po ky djalë i zoti ka me dal në dritë, ka me eçë mirë…”
E
mbajti fjalën shkrimtari Sulejman Krasniqi, me të çilin ishim komshinj pasi
banoja aty afër tij në një tjetër pallat me qira. Atë vit, më 1994, kur erdhi
Lulzim Basha nga studimet universitare në Hollandë, na ftoi për një ndeje me
kafe në katin e parë të një pallati në Rrugën “Kongresi i Lushnjës”, në afri të
Rrugës së Madhe Kinostudio-Kombinat. Asokohe punoja me gazetën “Dardania”.
Folëm gjatë me 20 vjeçarin Lulzim Basha, por due me i ra shkurt: Sulejman
Krasniqi kishte të drejtë. Atë ditë e sot. Edhe mot.
Në
vitin 1996 ishim në shtëpinë e Sulejman Krasniqit - shkrimtarit legjendë të
mbijetuar në sfida të mëdha të kohës. Ishim në një drekë mikpritëse sëbashku me
ministrin e Oborrit Mbretëror Shqiptar, Abedin Mulosmanaj, me dr. Guri
Durollarin kryetarin e PLL, me Sul Lushaj i ardhur nga Australia, e të tjerë.
Aty i dveta për të ”adhuruarin” e “shkrimtarit të Pavarësisë së Kosovës për
Lulzim Bashën. Nana e tij u përflak nga një dritë hyjnore burimore teksa flitej
për djalin e saj, që e donte aq shumë… Ishte një bisedë që u ndez me fjalë të
mira… teksa flisnin për studentin e vitit të tretë të Universitetit Utreçht…
…Në
vite mendoja për “profeçinë” e kollosit Sulejman Krasniqi per Lulzim Bashën, si
një yll po dukej në horizontin shqiptar. E thanun ndryshe, sipas ambasadorit
amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, “një yll në ngjitje”.
Në
atë mars të vitit 1994 teksa qëndruam në një ndalesë të shkurtër në aeroportin
e Kenias po të më thonin se një emigrant me origjinë të vonshme nga ky vend i
Afrikës, qytetari i denjë amerikan, Barak Obama, do të bahej President i
Amerikës kjo do të ishte e pabesueshme. Po pikërisht tek këto fakte e vlerësime
qëndron një nga mrekullitë e jetës që e ban botën të ndryshojë kaq shpejt, kaq
shumë, kaq mirë…