Kerko: a
Fran Gjoka: Martesa dhe problemet e saj në optikën e sociologut Gëzim Tushi
E shtune, 15.02.2020, 05:24 PM
MARTESA DHE PROBLEMET E SAJ NË OPTIKËN E SOCIOLOGUT GËZIM TUSHI
NGA
FRAN GJOKA
Libri
i sociologut të njohur, Gëzim Tushi (Mjeshtër i Madh), i kushtohet një trinomi
të bashkëngjitur, sikurse janë: martesa, familja dhe seksualiteti, të cilat
edhe pse pranohen se janë institucione fondamentale të jetës sociale, të
rëndësishëm dhe të pazëvendësueshëm për jetën njerëzore normale, përsëri
kujdesi i shoqërisë për përmirësimin e “shëndetit” të tyre, sikurse duket qartë
kohët e fundit, është i pakët. Autori, në një libër prej 500 faqesh, analizon
me shumë kujdes pasojat që po i vijnë shoqërisë nga “dobësimi” i familjes dhe
deformimi i tipologjisë së martesës. Ato, sipas mendimit të tij, aktualisht
janë tejet shqetësuese. Madje, ai mendon se në disa drejtime, ato janë shfaqur
në përmasa gati shkatërruese. Ato janë tregues të dobësimit të lidhjes
martesore, që në të vërtetë nuk janë krejt të reja dhe të panjohura më parë në
jetën dhe historinë e qytetërimit modern. Historia teorike dhe empirike e
martesës është e lashtë dhe e komplikuar, sepse martesa ka qenë dhe mbetet, me
sa duket, institucion kompleks që vazhdimisht është vlerësuar dhe anatemuar,
është goditur dhe mbivlerësuar, është konsoliduar, por dhe është deformuar,
pikërisht për shkak të problemeve endemike dhe komplikimeve pa mbarim që ka
dimensioni i kësaj lidhjeje intime, ky institucion specifik i botës dhe
qytetërimit modern. Por debati në shoqërinë shqiptare për “difektet” dhe
dobësitë e lidhjes martesore, u bë më intensiv dhe më gjithpërshirës pikërisht
në kohën e zhvillimit të jetës moderne. Autori mendon se tashmë në shoqërinë
tonë ka një sasi të konsiderueshme faktesh që tregojnë se martesa është bërë
një “institucion i lëkundur, i paqëndrueshëm, problematik”. Tradhëtia, mungesa
e besnikërisë bashkëshortore, shkelja e kurorës brenda martesës tani nuk janë
më raste të vecanta, lajthitje personale apo mungesë ekulibri moral individual.
Ato në shoqërinë shqiptare janë bërë dukuri e gjërë sociale, që ndeshet
gjithnjë e më shpesh.
Sociologu
Gëzim Tushi mendon se relacioni dhe institucioni më tradicional dhe më i vjetër, ka aq shumë
probleme ekzistenciale, sa që e ka vënë shoqërinë shqiptare në dilemë dhe
njëherësh edhe mendimin sociologjik në pozitën më liberale të imagjinuar, për
të pranuar të “dy alternativat” e përmirësimit të situatës dhe shëndetit të
martesës, i cili po ndikon negativisht në prishjen e “shëndetit të shoqërisë”.
Kjo ka bërë që në jetën e përditshme, të ndodhur para epidemisë së sëmundjes
sociale të martesës, sociologët, por më së pari vetë shoqëria shqiptare, është
e detyruar të mendojë ndryshe, larg paradigmave determinuese historike,
biologjike dhe sociale të tipologjisë së martesës klasike. Kjo po detyron
sociologjinë e martesës dhe shoqërinë, që është vërtetë shumë e shqetësuar për
degradimin moral të saj, që të merren gjerësisht gjetjen e shkaqeve të
sëmundjeve të martesës, për të përcaktuar më qartë se çfarë duhet bërë për ta
mbrojtur atë nga tendencat e thella të destruktimit institucional.
Këtu,
mendon me të drejtë autori, përplasen për “vdekje” mendimi moral, që mbështet
konceptin dhe tipologjinë tradicionale të martesës, që mendon se martesa në kohën tonë po “prishet”,
nga që ajo ka dalë nga “shinat e monogamisë” dhe është duke u larguar nga
tabani mbështetës i relacionit të çiftit seksualisht të mbyllur. Në sipërfaqen
e shoqërisë tonë po zgjerohen dhe gradualisht po pranohen argumentet që kanë
fundament të paqëndrueshëm dhe që ushqejnë idenë liberale, sipas së cilës
martesa e ka sëmundjen endemike në dimensionin e tepëruar social, në thelbin e
vet, në mënyrën e ndërtimit dhe funksionimit, në strukturën morale dhe parimet
ekzistenciale, të cilat sipas tyre duhen ndryshuar.
Ne,
thotë autori, jetojmë në kohën kur mendimi liberal për martesën në këtë shekull
përgjithësisht ka filluar të ketë “erën në favor”, sepse vetë shoqëria dhe
veçanërisht të rinjtë që sjellin ndryshime tipologjike, kanë filluar të mos e
pëlqejnë martesën me dimension të vjetër të seksualitetit. Kjo ka bërë, thotë
sociologu Tushi, që momentalisht në shoqërinë shqiptare të ketë një kaos
konceptual dhe tipologjik për martesën, që shfaqet në përplasjen e ideve të një
pjese të njerëzve që parapëlqejnë modelin tradicional të “martesës së shenjtë”,
jetëgjatë, seksualisht e mbyllur dhe të
të tjerëve, që lidhen me parapëlqimet e partizanëve të liberalizmit, që mendojnë
se martesa për shkak të labilitetit të seksualitetit që zhvillohet brenda saj,
do të jetë një relacion problematik, në se ajo do të mbesë e pandryshuar.
Sipas
shumë të rinjve, është koha që duhen marrë në konsideratë dhe duhen pranuar
realiteti se shoqëria në këtë shekull nuk mund të qëndrojë mbi “parimet e
vjetra”, që konsiderojnë martesën një relacion social-biologjik me dimension
seksualisht të mbyllur. Në të vërtetë, sipas mendimit të sociologut Gëzim
Tushi, në këtë fazë të zhvillimit të shoqërisë shqiptare është duke u shtuar
presioni, janë në zgjerim tentativat këmbëngulëse për të ndryshuar disa tabu
ekzistenciale dhe themelore të martesës. Në pamje të parë, presioni për
ndryshimin e dimensioneve konstante të trashëguara nga martesa klasike
tradicionale të duket se ka të bëjë me gjetjen e moduleve të reja stabilizuese
të saj, të cilat me sa mund të kuptohet, synojnë për ta bërë relacionin e
martesës më të “hapur”, më pak të “kontrolluar”, me më shumë alternativa të
mbijetesës si bashkëjetesë në kompromis e çiftit martesor. Por ndërkaq, autori
i librit “Familja, martesa, seksualiteti”, është i mendimit se për të qenë
realist, duket se tek përhapja e nxituar e këtij “mentaliteti modern” të
importuar për modë dhe të transplatuar disi mekanikisht në shoqërinë tonë, ka
bërë që martesa në shoqërinë shqiptare të çoroditet ontologjikisht nga
alambikimet konceptuale të tautologjisë ambiguide që zhvillohet dhe që po e
rrethojnë atë. Kjo ka bërë që divorcet të shtohen në përmasa alarmante, që
çiftet që bashkëjetojnë me të gjitha modalitetet bio-seksuale të martesës, por
pa “kurorë”, po shtohen dhe njerëzit që i shmangen “martesës klasike”, për
shkak të problemeve dhe shqetësimeve të shumta që ajo ka brenda vetes,
gjithashtu po rriten numerikisht. Në këto kushte, kur kaosi ontologjik dhe
ekzistencial i martesës është evident, kur parimet tradicionale të saj po
sfidohen nga koha dhe dëshirat subjektive të njeriut, ka shumë fakte dhe shkaqe
që po ndikojnë fuqishëm që martesa në shoqërinë shqiptare të jetë duke dalë nga
parametrat e standarteve historikë, duke shfaqur kështu patologji të reja, të
shumta, madje në forma të larmishme, që tregojnë mungesën e stabilitetit të
saj, shkruan sociologu në librin e tij. Megjithë ndryshimet që kanë ndodhur,
ende në shoqërinë tonë ka martesa, të cilat, të para në optikën sociologjike të
shoqërisë moderne, duket që ende kanë një thelb të fshehur të prostitucionit,
sepse ende ka martesa në të cilat bashkëshortët i “shiten njëri-tjetrit” me
ndërhyrje, mblesëri apo me format e sofistikuara të ndërmjetësimit shoqëror.
Këto shpesh e detyrojnë burrin dhe gruan të jenë pjesë e një “martese pa fat”.
Por nuk janë këto martesa që kanë bërë që divorci të shfaqet si një tendencë
sociale e qëndrueshme, si alternativë që sfidon martesën. Ka shumë shkaqe,
thotë sociologu Tushi, që e kanë bërë
divorcin tendencë të qëndrueshme deri në përmasa kritike. Në se në të kaluarën
ai ka qenë një akt social, i vështirë
për t’u realizuar pa shkaqe të vërteta, esenciale, sot divorci ka marrë formën
e “lojës së çiftit”, që realizohet me shumë kollajllëk, me fare pak përgjegjësi
personale, madje pa vlerësim serioz për pasojat sociale që sjell, jo vetëm për
çiftin, por dhe për shoqërinë tonë. Divorci është burimi kryesor, shkaku
themelor për zgjerimin e plagëve sociale të martesave të destruktuara, siç janë
shtimi fëmijëve jetimë, braktisja e shkollës, neglizhimi i kujdesit për të
moshuarit, zvetënimi i vlerës morale të familjes, etj. Këto dhe ide të tjera
për martesën familjen dhe seksualitetin janë trajtuar gjerësisht në librin
voluminoz të sociologut Gëzim Tushi, i cili është i shkruar me kulturë dhe
lehtësisht i asimilushëm për të gjithë lexuesit që janë të interesuar për
shqetësimet e sotme të këtij “trekëndëshi” social dhe individual…