Kerko: a
Labinot Berisha: ''Letërsia vetvetiu u bë jeta ime''
E enjte, 23.01.2020, 08:04 PM
Doli nga shtypi libri “Letërsia vetvetiu u bë jeta ime” të botuar nga shtëpia botuese “Beqir Musliu” e Gjilanit që përmban 32 biseda me Anton Nikë Berishën të bëra në vitet 1981 – 2019, zgjodhi dhe përgatiti Prof. ass. Dr. Labinot Berisha
BISEDA QË NDRIÇOJNË
RËNDËSINË DHE VEÇANTINË E LETËRSISË SI ART DHE KOMUNIKIM POETIK
–
Shënim hyrës –
NGA
LABINOT BERISHA
Në këtë vëllim kam
përfshirë 32 biseda me Anton Nikë Berishën të bëra nga autorë të ndryshmen në
periudhën kohore 1981 – 2019, të radhitura sipas kohës kur u botuan. Këtu nuk
është përfshirë biseda e gjatë e autorit me Hasan Hasanin dhe Shahbaze Vishajn.
Arsyet pse po dalin në dritë tekstet e këtyre bisedave janë të ndryshme, po
këtu përmend dy kryesoret:
1. Në to ndriçohen një varg çështjesh e dukurish thelbësore të letërsisë si
art i fjalës, i rëndësisë së saj për njeriun dhe jetën e tij si dhe të
mundësisë së ndikimit estetik në marrësin.
2. Shpaloset bota dhe dija e autorit jo vetëm përballë artit të fjalës, po
dhe të shtresave të tij: letërsisë gojore dhe letërsisë së shkruar, pastaj për
dukuritë e ndry-shme të veprimit, përkushtimin dhe flijimin e tij krijues për
letërsinë.
Lexuesi do ta krijojë vetë mendimin për rëndësinë e teksteve të këtyre
bisedave, por po sjell vetëm disa nga titujt e bisedave për të dëshmuar për
këtë: Të jetosh me artin dhe për artin e fjalës është një mrekulli; Arti i fjalës dhe domosdoja e lirisë së të
shprehurit; Vepra letrare si fenomen i vetë
realitetit; Për letërsinë e rëndësishme
është fjala, arti i saj; Studimi me paragjykim është vrasje e shkencës; Krijimi
në heshtje të bën të jesh vetvetja e mirëfilltë dhe i qenësishëm për atë që bën
dhe thua; Domosdoja e rivlerësimit dhe e studimit të seri-shëm të letërsisë së
arbëreshëve të Italisë; Veprat e letërsisë së arbëreshëve janë më të pasura
sesa dalin në studimet e deritashme; Për t’u bërë shkrimtar i mirë duhet dije e
thellë dhe flijim i përhershëm; E falënderoj Hyjin që më dha forcën, durimin
dhe mendjen të shkruaj ketë vepër për Nënën Tereze; Duhet të vetëdijesohemi që
t’i bëjmë punët në mënyrën më të mirë të mundshme; Rugova – i hapi shtigje të
reja studimit të mirëfilltë të letërsisë sonë; “Dashuria ndaj Hyjit dhe ndaj
njeriun është një: e pandarë”.
Autorët që i bënë
bisedat janë emra të shquar të kulturës dhe të letërsisë sonë: Lazër Stani,
Ibrahim Kadriu, Mehmet Emërllahu & Mehmet Kraja, Abdullah Konushevci,
Xhemail Mustafa, Shaip Beqiri, Ibrahim Berisha, Asllan Bisha, Sabedin Haliti, Ali
Olloni, Ragip Sylaj, Xhavit Beqiri, Anton Gojçaj, Atë Pashko Gjojçaj, Fatmir
Terziu, Ajete Zogaj, Shefqet Rexhepi, Fatmira Nikolli, Arjola
Hekurani, Naime
Beqiraj, Dijana Gj. Dukaj, Vera Pelaj, etj.
Tekstet e bisedave
botohen pa ndryshime; janë shmangur gabimet e shtypit dhe disa përsëritje.
Prishtinë,
dhjetor 2019