Kerko: a
Klajd Kapinova: Dy kulturëdashësit e shquar Prof. Ernest Koliqi dhe mons. dr. Zef Oroshi në kujtime e studiuesit Tomë Mrijaj
E enjte, 23.01.2020, 09:18 PM
Dy kulturëdashësit e shquar Ministri i Kulturës Prof. Ernest Koliqi dhe mons. dr. Zef Oroshi në kujtime e studiuesit Tomë Mrijaj
(In memorian: Në 45–vjetorin e kalimit në
amshim të prof. Ernest Koliqit dhe 50-vjetorit të meshës së parë nga mons. dr.
Zef Oroshi në kishën e re katolike shqiptare Zoja e Këshillit të Mirë (sot Zoja
e Shkodrës) në New York)
Nga Klajd
Kapinova
“Nji ndër fatëkeqësitë gati të përgjithta âsht se nierzit
e mdhaj bahen aq të nevojshëm në rangun e tyne të përditshëm, saqë dalin vonë
në pushim, e nuk arrinë m’e shfrytësue plotësisht përvojën e tyne të gjatë më
krijime të reja, ose edhe për t’u dhanë dorën e fundit prodhimeve, që ata i
dhanë nierzimit.
Shum herë ndigjova nga shqiptarët e Bostonit se Imzot Fan
Noli nuk mendonte me vdekë!… pse donte me vijue punën e tij intelektuale, për
t’u lanë sa mâ shum breznivet t’ardhëshme. Këtë të vërtetë e shprehë ma së mirit
edhe proverbi popullor: “Nuk më lanë punët me vdekë!” Nji gjerman më
thonte për kancelarin Adenauer: Sa të largohet nga Kançellaria, ai vdes.
Këta ngjanë, sidomos me nierzit krijimtarë, si në shkencë e n’arte të bukura.
Ata e përfillin rangun e tyne, jo vetëm si nji detyrë për t’u krye, por mâ
tepër si nji vokacjon, për t’i kushtue jetën. Për ta nuk ka matëshmeni, as
shmangie flijimesh, çfarëdo qofshin. Poeti lirik romak thonte për
materialistat: Parja siellë punë pares. Anasjellëtas ásht për shkencëtarët
e artistat: puna u shton unë e punës, përherë e ma tepër. Të kallun në
psyhen e tyne, për të gjinikue ata çka në menden e tyne âsht sajue, sendergjue
e shestue, per të mirën e nierzimit, naltësohen n’atmosferat e universalevet të
pamatëshmenisë së kohës e hapsinës, tue harrue deri ligështinë e natyrës
nierzore, së cilës Krijuesi, në setcilin individ, i ka vû nji cak.
Nder këso rrethanash e gjet vdekja papritmas profesor
Ernest Koliqin, Ordinar i Universitetit të Romës për Letersinë Shqipe, për ma
se tridhetë e pesë vjet…
Prof. Koliqi qe i pari, që hapi periudhën e prozës
artistike të letërsisë shqipe, në të cilën zen vend mbi nominativat, adjektivi
me fuqinë kromatike të piktorit, gërshetue me jehonat e ambla të muzikantit.
Gjuha e tij âsht zhurmuese si prrojet e lumejt shkallmuesa; asht si currili i
kronit të kaltert e të pameshëm, që në verën rreshkuese me puhinë freskuese,
grishë shtektarin me u flladitë dhe, dashtë e padashtë, me pi në te.
Per Mikun e katerdhetë vjetëvet dhe viganin e Letravet Shqipe mund të thomi çka la shkrue per vedi poeti latin, Horaci: Non omnis moriar.” - Msgr. dr. Joseph J Oroshi
Prof. Koliqi babai i shkollës shqipe në Kosovë
Ernest Koliqi (1903-1975) ishte mësues, poet, romancier,
eseist, përkthyes, gazetar, dramaturg, ministër arsimi në qeverinë Vërlaci, botues dhe
pedagog. Ai ishte bashkëthemelues i tregimit modern shqiptar sa i përket
krijimtarisë, ndërsa në punët politike e arsimore ka meritë për dërgimin e
400 arsimtarëve në trojet e Shqipërisë Etnike.
Prof. Ernest Koliqi
lindi në qytetin e lashtë Shkodër në vitin 1903. Ai ishte i biri i
Shan Koliqit dhe i Ages së Cuk Simonit, familje reshpere shkodrane me gjendje
shumë të mirë ekonomike. Ishte i dyti ndër fëmijët, mbas Shëklqësisë së
Tij imzot Mikel Koliqit, që do të bëhej i pari kardinal shqiptar, dhe mbas tij
vinin Leci, Guljelmi, Margerita, Antonjeta, Viktori dhe
Terezina.
Ministri i Kulturës (1939-1941) shkodrani patriot
Profesor Ernest Koliqi, kishte një karrierë kulturore dhe patriotike më shumë
se 40-vjeçare. Ai ishte njohur e i larmishem në disa lëme, si: në letërsi,
publicistikë, poezi e përkthime, etj. Profesor Koliqi, ka luajtur një rol tepër
të rëndësishëm në historinë e kombit shqiptar, një rol ky që as sot nuk i
njihet atij edhe sot në historiografinë neokomuniste shqiptare. Kështu asnjë
universitet në trojet shqiptare, qoftë edhe në Kosovë apo vendlindjen e tij në
Shkodër, nuk ka emrin e tij. Kush më shumë se ai punoj për shkollën dhe gjuhën
shqipe!?
Në Shkodër ende sot ka emrin e shkollës së mesme të Gjuhëve
të Huaja partizanja me bindje antinacionaliste Shejnaze Juka një partizane, që
nuk dinte asnjë gjuhë të huaj, ndërsa poligloti dhe Ministri i Kulturës prof.
Ernest Koliqi nuk vlerësohet sepse ai ishte antikomunist, patriot, atdhedashës
i shquar, kontribues i palodhur për hapjen e qindra shkollave shqipe dhe
dërgimin e mësuesëve në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare.
Profesor Koliqi gjatë viteve 1941-1944 dërgon në Kosovë
mbi 200 mësues e mësuese. Këto shkolla, shkruante prof. Rexhep Krasniqi, në një
artikull botuar në revistën zemadhe Shëjzat, u bënë baza me rëndësi për
zhvillimin dhe përparimin e gjërë dhe të shumëanshëm të arsimit dhe kulturës
shqiptare në ish Jugosllavi.
Profesor Koliqi, me vullnetin dhe shpirtin idealist, nuk
kurseu energjitë e tij për ta pajisur sa më mirë aparatin arsimor në viset e
çliruara, me elementë të shëndoshë që i dhanë hov e gjallëri shkollës shqipe.
Kështu vetëm për 2 vjet nga 1941-1942, u hapën 173
shkolla fillore, 3 të mesme dhe disa gjimnaze, ku shprehën menjëherë vullnetin
e tyre të lirë për të shkuar në Kosovë mbi 80 mësues dhe në fund të vitit 1944
ky numër, u shumëfishua në mbi 400 mësues nga Shqipëria, të cilët krijuan vatra
të dijës dhe atdhedashurisë kudo ku shërbyen si misionar të dritës dhe kulturës
shqiptare.
Ngjarjet para një takimi të paharruar me prof.
Ernest Koliqin
Fillimi shek. XX dhe fundi i tij, në analet e historisë
së popullit tonë, kanë mbetur si ngjarje të rëndësishme të zgjimit të
ndërgjegjës kombëtare, plot luftra e përpjekje të pareshtura për liri dhe
pavarësi.
Ishte viti 1911, kur më 6 Prill, nacionalistët shqiptarë,
të udhëhequr nga trimi i maleve kreshnike të Hotit e Grudës Dedë Gjon Luli, në
majë të Bratilës së Deçiqit, ngritën flamurin e Gjergj Kastriotit, pas një
robërie të gjatë 5 shekullore të kolonizatorëve osmanë.
Ngjarjet vijnë njëra mbas tjetrës. Kështu dy vjet më
vonë, më 1913, Dardania e lashtë (sot Kosova), shkëputet nga trungu amë dhe
trojet etnike shqiptare, do të copëtohen padrejtësisht.
Atdhedashuria, që u munduan prindërit e Tomë Mrijaj të
kultivojnë me pasion tek i biri u ngulit thellë, që nga fëmijëria e hershme dhe
deri në çlirimin e Kosovës në vitin 1999, nga nata e gjatë e sketerrës së
pushtuesve serbosllavë.
Ditët do të kalojnë, duke ia lënë vendin muajve dhe
vitëve, që në kohë të ndryshme të kalendarit, kanë të gdhendur me gërma të arta
emërat e shumë figurave të shquara të Lugut të Drinit, një pjesë e të cilëve i
përkasin me dinjitet edhe familjes Mrijaj, gjatë rrjedhave të historisë, mbasi
aty është derdhur gjaku i fatosave të lirisë, ku, është shkruar me pushkë në
dorë lavdia dhe qendresa e pamposhtur heroike e shqiptarëve.
Klika e egër e Beogradit, gjithnjë kërkonte
ç’kombëtarizimin e Kosovës, kthimin e saj në një shtëpi të dytë për kolonët
ardhacakë serbë.
Studiesi Tomë Mrijaj, kujton: “Kështu babai im
Nikolla, i kishte dhuruar mbas shumë dekadave, në vitin 1997 (përafërsisht mbas
90 vjetëve), Bibliotekës së kishës së shën Gjon Pagëzuesit në Zllakuqan, një
relike shumë të çmuar, të cilin e kishte ruajtur me përkujdesje. Është fjala
për një libër, që ai kishte mësuar asokohe, i cili, mban titullin: “Historija
shejte” (Për Shkolla të Para të Shqypnis, Shkalla e Parë, Botimi i Tretë).”
Procesi i gjatë e i gjërë i kolonizimit të trojeve
shqiptare, mbas mbarimit të Luftës së Parë Botërore (1918), kur nisi të
formohet shteti jugosllav, filloi sërisht faza e kolonizmit me hapa të
përshpejtuara agresive, nën maskën e të ashtëquajturës Reforma Agrare. (Jusuf
Osmani, “Lënda arkivore për kolonizmin dhe reformën agrare në Kosovë”, 1996).
Sikurse dihet asokohe, qëllimi kryesor ishte të bëhet
ndryshimi i strukturës etnike të popullsisë së pastër të Kosovës.
Dihet se qysh nga viti 1912 në Kosovë, filloi zbatimi i
projekteve raciste kundërshqipatare apo planeve sllavizuese hap pas hapi, për
të bërë kësisoj realitet ëndrrën e Serbisë së Madhe, të projektuar nga Vaso
Çubralloviç, Ilia Garashanin, e shumë shovinistë ekstremist të tjerë serb, që
janë disa nga autorët e platformës së politikës serbe, për shfarosjen dhe
fshirjen nga harta e Ballkanit të trojeve shqiptare dardane...
Patriotët Nikollë Mrijaj e Adem Dushi takohen në
Tiranë me Ministrin e Arsimit Prof. Ernest Koliqin
Nga fundi i vitit 1940, një delegacion nga Lugu i Drinit,
i kryesuar nga Nikollë Mrijaj, me mikun e tij të pandashëm në idealet kombëtare
(aktivisti patriot ish kryetar i Komunës në Zllakuqan) Adem Dushi, me disa
bashkëvendas të tjerë, si: Llesh Gjon Lleshi, Mark Duhani, Zef Cub Përnoka,
Mark Përgjoka, Mark Lasken etj., u gjenden në Tiranë, në zyrën e Ministrit të
Arsimit shkrimtarit Prof. Ernest Koliqit, ku, kërkuan gjatë bashkëbisedimit, që
t’u dërgojnë sa më shpejt, që të jetë e mundur në Kosovë arsimtarë, për të
mësuar shkrim e këndim, mbasi politika sllavizuese e Beogradit, për
ç’kombëtarizimin e vendasve autokton ishte shumë e madhe.
Atdheu ynë, kishte shumë nevoj, që bijtë të vijonin të
flisnin gjuhën shqipe, e cila gjendej gjithnjë përballë presionit dhe
asimilimit të egër të gjuhës cirilike sllave.
Pas takimit shumë të rëndësishëm, menjëherë Prof. Ernest
Koliqi, me cilësinë e Ministrit të Kulturës dhe Arsimit, dërgoi Akademik Prof.
Rexhep Krasniqin, Mati Logoreci, Prof. Ahmet Gashi, sëbashku me shumë profesorë
dhe arsimtarë të tjerë nga qyteti i Shkodrës dhe disa qytete të tjera të
Shqipërisë, që iu përgjigjen njëzëri thirrjes kombëtare të Ministrit.
Mendohet, se të kësaj periudhe janë edhe hapja e mbi 200
shkollave në gjuhën shqipe në Kosovë, ku, dominon shumë kontributi i
intelektualëve nga qyteti i Shkodrës.
Sot, mbas shumë dekadave, duke rikujtuar ngjarje dhe data
nga mesi i shek. XX, natyrshëm lind pyetja e drejtë:
Cili ishte shkaku i udhëtimit të delegacionit nga Lugu i
Drinit për në kryeqytetin e shtetit amë në vjeshtën e vitit 1940!?
Para disa viteve zbardha dhe botova në organet e shtypit
në vendlindje dhe diasporë një tregim të studiuesit Tome Mrijaj mbi Prof. Dr.
Rexhep Krasniqin, rrëfyer në zyrën e Komitetit “Shqipnia e Lirë” në Manhattan
New York.
Kështu në vitin 1982, pas përfundimit me sukses të
Kogresit III të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1982), ku, u zgjodh kryesia e
re, dhe studiuesi dhe publiçisti veteran shqiptaro amerikan Tomë Mrijaj u
zgjodh Sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes III të Prizrenit në mërgim, me zyrat e
saj qendrore në New York, SHBA.
Edhe para Kongresit në fjalë dhe më pas, ai sëbashku me
Kryetarin e Lidhjes III të Prizrenit, aktivistin e palodhur të çështjes
kombëtare, pinjollin e familjes së Ukë Sadik Ramë Gjurgjevikut të famshëm,
Ismet Berisha, rregullisht dy herë në javë janë këshilluar me Profesor Rexhep
Krasniqin, në zyrën e mirënjohur të Komitetit “Shqipnia e Lirë”, për mirëvatjen
e punës së organizatës patriotike gjithëkombëtare.
Një ditë gjatë, takimeve të shpeshta të Tomës dhe Ismetit
me personalitetin e shquar Prof. Krasniqin shkuan në zyrën e tij, ku ai i
mirëpriti me gëzim.
Profesori, u ngrit në këmbë dhe me shumë ngrohtësi i uroj
aktivistit të ri Tomë Mrijaj detyrën e re, mbasi ishte më i riu emigrant nga
Kosova, që kishte arritur të nderohet në këtë mision fisnik, në shërbim të
kombit dhe Atdheut të tij të dashur.
Mbas shumë viteve stiudiuesi Tomë Mrijaj, kujton me
nostalgji bisedën e ngrohtë dhe miqësore që kishte zhvilluar atë ditë me prof.
Krasniqin:
“Mbiemëri Mrijaj, më kujton një kohë kujtimesh të
kaluara plot nostalgji. Si sot e kam parasysh, ardhjen e një delegacioni nga
Kosova në Tiranë.
Asokohe, unë gjendesha në zyrën e Ministritit të
Arsimit dhe Kulturës Prof. Ernest Koliqit. Ministri, pjesën e madhe të kohës
qëndronte në këmbë. Ai ecte i qetë dhe bisedonte me miqtë, që i kishte në zyrë.
Profesori, kishte shumë dëshirë të sodiste natyrën
e bukur në dritare, në kohën me diell apo kur fillonte rënia e flokëve të para
të dëborës…, duke medituar dhe marrë përherë frymëzim, për shkrimet, veprat e
tij letrare dhe kritike. Ishte shumë i ndjeshëm, ndaj nënës natyre...
Ai, po vështronte me endje një grup njërëzish të
panjohur malësorë, të veshur me kostume shumëngjyrëshe kombëtare, që gjendeshin
në oborrin e Ministrisë. Disi papritur, Ministri, kthehet nga unë dhe më thotë:
“I shikon ato njerëz atje në oborr, të lutem shumë, shko takohu përzemërsisht
dhe pyeti nga janë dhe për çfarë po presin!?”
Menjëherë u gjenda para tyre, ku në bisedë e sipër
më treguan, se ishte një delegacion i ardhur nga Kosova dhe presin të takohen
me Ministrin e Brendshëm Kolë Bibë Mirakaj. Mbasi u ktheva në zyrë, e njoftova
Ministrin Prof. Koliqin, të cilit i thashë, se ata ishin një delagacion i
përzgjdhur burrash të mirënjohur nga Lugu i Drinit, Kosovë.
Pasi më dëgjoi me vëmendje, sërisht me tha: “Të lutëm
shumë Rexhep, thuaju të porsardhurve, nëse kanë mundësi, që të vijnë të gjithë
për një vizitë në zyrën time, se kam shumë dëshirë t’i takoi dhe të zhvilloi
bisedë me ato burra fisnik nga Kosova. Unë e kam dashur dhe e dua shumë
Kosovën, sepse ka nxjerrë trima të njohur të pushkës dhe pendës.
Delegacioni i Lugut të Drinit, pranoi me shumë
kënaqësi të takohet me Ministrin e Kulturës. Ai, pasi u uroi mirëseardhjen në
zyrën e tij, i ftoi të uleshin. Profesori, njihte shumë mirë traditat shqiptare
dhe zakonet e trevave të ndryshme të Kosovës, ç’ka la një përshtypje shumë të
mirë tek delegacioni.”
Shkrimtari i shquar, i pyeti një nga një për emërin e çdo
përfaqsuesi nga Kosova dhe më pas u zhvillua një bisedë e ngrohtë dhe
mbrësëlënëse, e cila u ruajt thellë në kujtesën e çdo anëtari të delegacionit.
Në bisedë e sipër, Ministri ishte i interesuar të dinte,
si ishte gjendja e arsimit dhe shkollave shqipe në Kosovë dhe në krahinën nga
ata kishin ardhur.
Delegacioni i bëri Ministrit të Kulturës një panoramë,
mbi gjendjen e mjeruar të arsimit në Kosovë, mungesën totale të shkollave dhe
mësimdhënesve në gjuhën shqipe…
Tek flisnin, duke përshkruar gjendjen e shkollave dhe
arsimit, Prof. Koliqi (i cili, po i dëgjonte me shumë vemendje dhe dhimbje),
filloi të skuqej, për situatën e rëndë, ku, serbët e kishin lënë arsimin dhe
shkollën shqipe në Dardani…
“Këtë përshtypje shumë të mirë, ato ma pohuan mua, kur
i përcolla deri tek hoteli i qytetit. Para se të largohen nga zyra, Ministri
Prof. Koliqi, u tha, që të qëndrojnë si mysafirë të nderuar në Tiranë. Ai i
sqaroj të pranishmit, se Ministri i Brendshëm Kolë Bibë Mirakaj, nuk është sot
këtu, sepse ka udhëtuar për një punë me shumë rëndësi në qytetin e Shkodrës. Ju
sado që të rrini në Shqipëri, i keni të gjithë shpenzimet e paguara nga
Ministria.”, tregon Prof. Krasniqi.
Mbasi i përcolli të gjithë pjesëtarët e delegacionit nga
Kosova, Akademiku Prof. Rexhep Krasniqi (1906-1998), u kthye në zyre tek Prof.
Koliqi, ku, menjëherë u zhvillua kjo bisedë interesante:
“I nderuari Krasniqi, i dëgjuat me kujdes si ishte
gjendja e arsimit në Kosovë?! Unë pohova, se gjendja e shkollave është në një
nivel të lartë analfabetizmi, mbasi Serbia, asnjëherë nuk ka qenë e interesuar
për të shkolluar fëmijët dhe rininë tonë.
Që nga ky moment z. Krasniqi, ju jeni i ngarkuar me
një detyrë të re apo mision fisnik shumë të rëndësishme, si Komisar i Lartë i
Shkollave Shqipe në Kosovë (Ministër)…
Ishte një gëzim i madh për mua. Gjatë asaj vjeshte
e dimëri, udhëtuam në Kosovë disa herë, për t’u njohur për sëafërmi me gjendjen
e arsimit dhe përgatitur në të ardhmen për vitin shkollor…”
I zhytur thellë në kujtime të shkuara Drejtori i Arsimit
të Mesëm, pranë Ministrisë së Arsimit në Shqipëri Prof. Krasniqi, ktheu
vështrimin sërisht nga Toma dhe tha:
“Më kujtohet shumë mirë ky mbiemër Mrijaj. Si tani e
kam parasysh atë burrë, në krye të delegacionit nga Kosova Nikollë Mrijajn, një
kosovar i pashëm dhe fisnik në shpirt, i cili, sikurse mësova nga antarët e
delegacionit, ai ishte i nderuar dhe respektuar nga të gjithë dhe gëzonte
autoritet, si: në Kosovë, Mirditë, Shkodër etj...”
Mbasi Profesori foli për fliste për disa çaste, me
modesti i Toma I tha, se burri që ju përshkruat me shumë respekt është babai
im.
Ish n/Kryetar i Lidhjes II të Prizrenit (në Prizren
Kosovë), Profesor Krasniqi, i cili, e dëgjoi Tomë Mrijajn me shumë vemendje dhe
habi, u ngrit menjëherë në këmbë nga vendi, ku, ishte ulur u afrua dhe me një
buzëqeshje çiltërsie, e përqafoi Tomen ngrohtësisht, duke i uruar në të njëjtën
kohë për detyrën e re, si Sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes së III të Prizrenit
(1962), mbas përfundimit të punimeve të Kongresi III (New York, 1982), që u
mbajt në diasporë…
Para se të largohet nga zyra e Akademikut të parë
shqiptar (që ka marrë gradën Akademik, për çështjen e Kosovës dhe posaçërisht për
Lidhjen Shqiptare të Prizrenit në Universitetin e Vjenës (Austri), shënimi im
K.K.) Prof. Rexhep Krasniqit, Toma i tha, se babai i tij Nikollë Mrijaj këto
ditë vjen nga Kosova, për vizitë dhe do t’a sjell patjetër, që të takohet me
ju.
Personalitetit të shquar të diasporës shqiptare Profesor
Krasniqit, i qeshën sytë e ishte shumë i gëzuar nga lajmi që i dha Toma. Ai i
tha, se ka shumë dëshirë të takohet me atdhetarin Nikollë Mrijaj, sepse ruan
kujtime për kohë të shkuara dhe për gjendjen në të cilën ndodhet Kosova, nën
pushtimin mizor të kolonizatorëve serb.
Ritakimi emocional i Nikollë Mrijaj me prof. Rexhep
Krasniqin në New York
Mbas pak ditësh mbërriti babai i Tomës, Nikollë Mrijaj në
New York. Ditën e tretë babë e bir shkuan në zyrën e ish Ministrit të Arsimit
në Kosovë Profesor Rexhep Krasniqit.
Porsa hynë brenda, Profesori i buzëqeshur, u ngrit në
këmbë dhe përqafoi mikun e vjetër Nikollën, ku, i tha se: “Të vetmin
ndryshim në ju e shoh nga ajo ditë e largët vetëm në zbardhjen e flokëve…”
Në bisedë e sipër, ish drejtori i Gjimnazit të Parë të
Shkollës në Gjuhën Shqipe në Prishtinë, gjakovari Profesor Krasniqi, shtoi: “Ardhja
e juaj ishte dita më e madhe e gëzimit dhe karrierës time. Tashmë vdes me
gëzimin, se i shërbeva Kosovës time nga e cila kam ardhur edhe unë…”
Ai, ishte një kundërkomunist e kundërserb i vendosur.
Kështu, më sa më ka treguar studiuresit Tome Mrijaj edhe ai vetë, se në vitin
1956, thirret nga Ministria e Jashtme Amerikane, për të marrë pjesë në
riorganizimin e Komitetit “Shqipnia e Lirë”.
Për më shumë, për herë të pare, atë ditë, Toma mësoi se
Prof. Krasniqi vjen nga familja e famshme e patriotit të madh Bajram Currit.
Mbas bisedës së ngrohtë, Profesori, i dha adresën e restorantit në Flashing
(Queens, NY), ku, i ftoi at e bir në darkë…
Një darkë e paharruar
Rreth orës 7:00 të darkës, Toma me babain e tij dhe
Kryetarin e Lidhjes së Prizrenit Ismet Ukë Berishën, u gjendëm në vendin e
caktuar. Porsa hynë brenda, panë se ata kishin ardhur para tyre dhe gjendeshin
në restorant, burrat e mëdhenj: Kapidani i Mirditës Ndue Gjomarku dhe Prof.
Rexhep Krasniqi, ndërsa pak kohë më vonë erdhi mes tyre edhe meshtari i dashur
i komunitetit tonë, patrioti dhe lideri shpirtëror, themeluesi i Kishës së Parë
Katolike Shqiptare në Amerikë, shkrimtari mirditor mons. dr. Zef Oroshi.
Bisedat e shpeshta mes personaliteteve të botës shqiptare
në diasporë, ishin shumë interesante, sidomos për Tomën, sepse ishte më i riu
në këtë kuvend burrash të shquar, të komunitetit shqiptaro amerikanë.
Babai i tij, ndjehej si në shtëpinë e vet, mes miqve të
tij të dashur. Kanë qenë momentet më të bukura të jetës së tij, të cilat, i
përmendte me nostalgji, sa herë që binte biseda, për çdo njerin prej tyre.
Pyetje të ndryshme për Kosovën, iu drejtuan mikut nga Kosova Nikollë Mrijaj atë
natë të paharruar...
Mons. Oroshi, ishte shumë i përqendruar në përgjigjet e
babait dhe përshkrimet e tij. Ai i tha, se i dukej si fytyrë e njohur, që e
kishte parë dikund në Kosovë, duke sjellë detaje.
“Më kujtohet, vijoi Mons. Oroshi, se kur u arratisa
nga Shqipëria dhe dola në Kosovë, më quan në Spitalin e Mitrovicës, mbasi kisha
marrë një plagë në fyt, në përpjekje për t’i shpëtuar forcave komuniste të
ndjekjes së Sigurimit. Mbas dy ditësh, pashë pranë krevatit tim, një frat dhe
dy burra të veshur me veshje tradicionale popullore vendase. Njëri nga ata dy
burrat, më duket keni qenë ju Nikollë!?”
Patrioti Nikollë Mrijaj, u mundua të risjellë në kujtesë
këtë episode dhe mbas disa minutash i tha, se i kujtohet shumë mirë ky rast.
Kishim dëgjuar asokohe, se një meshtar katolik ishte arratisur nga Mirdita, i
cili, gjatë udhëtimit kishte marrë një plagë dhe na thanë se gjendet në
Spitalin e Mitrovicës.
Nikolla shtoi, se sëbashku me Pader Tomën dhe Mark
Përgjokën, u nisëm për t’a vizituar meshtarin e plagosur në spital.
Babai i Tomës, u gëzua shumë, që ai prifti, që kishin
vizituar dikur në qendrën shëndetsore të Mitrovicës, kishte shpëtuar dhe sot
është mik e kumbarë i nderuar dhe respektuar i familjes tonë.
Kur e pyetën Nikollën, për delegacionin nga Kosova në
Tiranë, ai tregoi në detaje qëllimin e vizitës me Ministrinë e Brendshëm Kolë
Bibë Mirakaj.
“Ardhja dhe koha e qëndrimit të Italisë fashiste, për
Kosovën dhe trojet e tjera etnike shqiptare, ishte shpëtim nga kthetrat kolonizuese
të sllavizmit serb.
Tashmë, kufiri shqiptaro-shqiptarë ishte i hapur dhe
shqiptarët, për herë të parë, që nga koha e ardhjes së pushtuesve serbë ishin
të bashkuar në një shtet të vetëm etnik.
Por nga ana e tjetër, në Kosovë, me partinë fashiste, filluan
të rekrutohen shumë personalitete shqiptare.
Njeriu, që i rekrutonte ishte Pashuk Bibë Mirakaj, i
vëllai i Kolë Bibës. Më vonë, Pashuku, mori edhe hapa të tjerë, ku, filluan
menjëherë ankesat e popullatës së vendit.
Në zyrën time, vinin çdo ditë shumë ankesa pakënaqësie.
Unë duke e ditur, se Pashuku kishte marrëdhënie shumë të mira me Gjokë
Domgjonin, një mbrëmje sëbashku me Llesh Gjolleshin dhe Adem Dushin, shkuam në
shtëpinë e Gjokës, ku, i treguam për ankesat e vendasve, ndaj Pashukut. Gjoka,
mu drejtua mua si një mik i shtëpisë.
Nikollë mirë se keni ardhur! Ju e njihni shumë mirë
Pashukun. E vetmja rrugë, për t’i ndalur hovin atij, është që ju të shkoni në
Tiranë, tek i vëllai Kola. Gjatë rrugës e diskutuam me Ademin, i cili, ra
dakord, që të organizohemi me disa burra të zgjedhur të vendit për atë udhëtim.
Ademi, ishte një njeri bujar. Ai ishte shumë i pasur dhe
e donte shumë vendin dhe banorët, për hir të së cilëve u rikthye nga
emigracioni i largët (Siria) në vendlindje. Si humanist, patriot dhe një njeri
shumë i njohur në odat e burrave, i mori përsipër shpenzimet e udhëtimit.
Nga ana e tjetër, atij i interesonte të dinte më shumë
për shtetin amë, kryeqytetin e vendit, politikën, ekonominë, kulturën, traditat
e njërëzve dhe zonave, që ai nuk i kishte shkelur më parë.
U bashkuam në ditën e caktuar 8 vetë dhe dy shoferët, që
i kishte caktuar Ademi, për të drejtuar makinat ushtarake, të përshtatshme për
zonat malore, me të cilat, do të bëhej udhëtimi deri në Tiranë.
Sa mbërritëm në kryeqytet, ndodhi ajo që tha sot Akademik
Profesor Dr. Rexhep Krasniqi, në zyrën e tij. Ne po prisnim në oborr, kur erdhi
Prof. Krasniqi, na takoi dhe na ftoi të takohemi me Ministrin e Kulturës
Koliqin, i cili, kishte shprehur dëshirën të takohej me delegacionin tonë. Në fund
të takimin të ngrohtë dhe tepër miqsorë, ai na premtoi, se viti i ardhshëm do
të jetë një vit i mbarë, për arsimin në Kosovë. Dhe ashtu ndodhi. Profesor
Koliqi e mbajti fjalën…
Të nesermen, në hotel na njoftuan, se Ministri i
Mbrendshëm ishte kthyer nga Shkodra dhe na pret. Kështu në mirëkuptim me të
tjerët u vendos, që unë, Adem Dushi dhe Llesh Gjon Lleshi të shkojmë në zyrën e
tij.
Sa hymë brenda, Ministri, na priti me shumë përzemërsi.
Unë fillova për t’i treguar, për qëllimin e udhëtimit dhe vizitës, por Kola, më
ndaloi pa e kryer bisedën.
Ai, na tha: “Delegacioni i juaj, ka marrë emër të
mirë. Në faqet e gazetave, sot shkruhet, se një delegacion nga Lugu i Drinit
(Kosovë), u takua me Ministrin e Kulturës dhe Arsimit Prof. Ernest Koliqin, ku,
kërkonin hapjen e shkollave në gjuhën shqipe…”
Shqetësimet, që më thatë mua për Pashukun, mos i
diskutoni më, se kjo punë është e kryer. Unë, do të flas menjëherë me Pashukun,
për ankesat mëse të drejta tuajat… Por, unë e di, se ju keni dëshirë me vizitu
Kapidanin e Mirditës Gjon Markagjonin, në kullën e tij në Shkodër. Unë u jap
përcjellësin dhe e lajmëroi Kapidanin, që t’u pret ju si delegacion. Kështu u
plotësua edhe një dëshirë e madhe e jona…”
Nxënësi i fundit i Kolegjës Saveriane mons. dr. Zef
Oroshi dhe Prof. Ernest Koliqi
“… Presim si zogla verës ndoi shkrim T’uejin…”
Janë këto fjalë nderimi dhe respekti, me të cilat i
mbyllte shpesh letërkëmbimet e veta, shkrimtari modern në gjininë e prozës,
Ministri i Arsimit Profesor Ernest Koliqi (1903-1975) me klerikun erudit
mirditor Monsinjor Dr. Zef Oroshin (1912-1989).
Prof. Koliqi dhe dr. Oroshi, janë dy personalitetet e
shquara të botës shqiptare në diasporë dhe pak njohur edhe sot në vendlindje
për shkak të rregjimit komunist. Ata kishin studiuar për disa vite në Kolegjen
Saveriane në Shkodër, një ndër më të famshmet në të gjithë trojet shqiptare...
Të gjithë miqtë e ngushtë të mons. Oroshit e dinë faktin,
se kleriku ynë e kishte mik të ngushtë Profesor Koliqin dhe bashkëpunonte me
ide e punime shkrimore me revistën serioze autoritative kulturore shkencore
“Shejzat”, që asokohe dilte në Itali.
Me kalimin në amshim të personalitetit të madh shkodran
prof. Koliqit, atdhetari e meshtari i përvujtur, përkthyesi, shkrimtari,
studiuesi, teologu dhe filozofi i mprehtë mons. Oroshi, në faqet e revistës
prestigjioze “Shejzat”, në numërin special të vitit 1975, përkushtuar tërësisht
prof. Ernest Koliqit, shkruan 12 faqe të mbushura me fakte dhe argumente të
veçantëa në punimin me titull: “Fiket Ernest Koliqi, një pishtar i letërsisë
e i kulturës shqiptare”, duke e analizuar personalitetin e shquar të kombit
në shumë rrafshe.
Ky studim esencial shkruar afërsisht 35 vjet më parë,
zgjoi interesim në shtypin e kohës në diasporë. Ky është ribotuar në shumë
gazeta dhe revista mbas vitit 1991 në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Zvicër,
Suedi, Paris, Romë, Amerikë etj.,
Duke u kthyer pak mbrapa në kohë, duhet thënë, se në
Shqipëri brezi i intelektualëve të shquar largpamës, ajka e zgjedhur e
profesorëve dhe enciklopedistëve, që ishin dhe mbetën fryma dhe shpresa e vetme
e lirisë dhe demokracisë së mirëfilltë Perëndimore në Atdheun tonë, si klerikë
katolikë dhe laikë, nga propaganda dritëshkurtër ateisto komuniste bërbaltej e
anatemohej pamëshirë…
Për të kuptuar më mirë rrethin e ngushtë të miqve dhe
shokëve me të cilët kleriku shpirtbujar mons. dr. Oroshi, jetoi dhe punoi deri
sa kaloi në lumnin e pasosun, mjafton të lexohet më kujdes libri i ri
jetëshkrimor, që për 20–vjetorin e amshimit na dhuroi një ndër miqtë e tij të
ngushtë studiuesi i palodhur Tomë Mrijaj.
Jetëshkrimi i Monsinjorit, i pasur me burime origjinale
historike. Ai është i shkrirë në mënyrë organike dhe në harmoni të plotë me
bashkëpunëtorët e tij (një pjesë e mirë të së cilës ende jetojnë dhe dëshmojnë
sot), dhe që me kujdesin e një hulumtuesi të vëmendshëm dhe pasionant Tomë
Mrijaj, na e ka dhënë të gjallë klerikun dhe bashkëatdhetarin tonë.
Dom Zefi, sikurse e thërrisnin të gjithë në Atdhe dhe
diasporë, është sot sërisht në këtë auditor miqësh klerikë të nderuar katolikë
e dashamirë të tij dje dhe sot, besimtarë dhe bashkëatdhetarë, duke buzëqeshur
me gjithë zemër mes nesh, me çibukun e burrit të urtë e të matur, sikurse malet
e burrave të përmendur ndër shekuj të Mirditës, fjalë pak e punëshumë, fisnik
në shpirt e i dhembshur me të gjithë, bari i palodhur i grigjës dhe një pjese
të popullit të vet, të endur udhëve të botës për liri dhe jetë më të mirë.
Dr. Oroshi, deri sa kaloi në amshimin e jetës së pasosun,
ishte krenar se çoi në vend amanetin vazhdimin e traditës së mësuesve të tij të
mëdhënj, që i mësuan shkrim këndim, si: Mjedja, Fishta, Harapi, Shllaku,
Zadeja, Kurti, Sirdani, Palaj, Prennushi, dhe Kapidanëve të Mirditës etj.
FIKET ERNEST KOLIQI, NJI PISHTAR I LETËRSISË E I
KULTURËS SHQIPTARE[1]
Nga Msgr. dr. Joseph J Oroshi
Nji ndër fatëkeqësitë gati të përgjithta âsht se nierzit
e mdhaj bahen aq të nevojshëm në rangun e tyne të përditshëm, saqë dalin vonë
në pushim, e nuk arrinë m’e shfrytësue plotësisht përvojën e tyne të gjatë më
krijime të reja, ose edhe për t’u dhanë dorën e fundit prodhimeve, që ata i
dhanë nierzimit.
Shum herë ndigjova nga shqiptarët e Bostonit se Imzot Fan
Noli nuk mendonte me vdekë!… pse donte me vijue punën e tij intelektuale, për
t’u lanë sa mâ shum breznivet t’ardhëshme. Këtë të vërtetë e shprehë ma së
mirit edhe proverbi popullor: “Nuk më lanë punët me vdekë!” Nji gjerman
më thonte për kancelarin Adenauer: Sa të largohet nga Kançellaria, ai vdes.
Këta ngjanë, sidomos me nierzit krijimtarë, si në shkencë e n’arte të bukura.
Ata e përfillin rangun e tyne, jo vetëm si nji detyrë për t’u krye, por mâ
tepër si nji vokacjon, për t’i kushtue jetën. Për ta nuk ka matëshmeni, as
shmangie flijimesh, çfarëdo qofshin. Poeti lirik romak thonte për
materialistat: Parja siellë punë pares. Anasjellëtas ásht për
shkencëtarët e artistat: puna u shton unë e punës, përherë e ma tepër.
Të kallun në psyhen e tyne, për të gjinikue ata çka në menden e tyne âsht
sajue, sendergjue e shestue, per të mirën e nierzimit, naltësohen n’atmosferat
e universalevet të pamatëshmenisë së kohës e hapsinës, tue harrue deri
ligështinë e natyrës nierzore, së cilës Krijuesi, në setcilin individ, i ka vû
nji cak.
Nder këso rrethanash e gjet vdekja papritmas profesor
Ernest Koliqin, Ordinar i Universitetit të Romës për Letersinë Shqipe, për ma
se tridhetë e pesë vjet.
Shêji i sëmundjes hajneshë të zemrës i pat trakllue te
dera tash do vjet mâ para. Megjithatë, teksa pat dalë në pushim, ai i qe përveshë
punës prodhimtare edhe ma me zell e shpejtësi se para. Si kemi marrë vesht nga
miqët, ai punoi atë ditë ç’nga ora shtatë të mëngjesit e deri n’ora pesë të
mbramjes, që do t’ishte e mbramja per tê.
E ndiente vetin të kënaqun se tash, i shkëputun nga punët
e Universitetit, mund t’ia kushtonte krejtë kohën prodhimit letrar. Dihet, se
ishte tue pregatitë Antologjinë e Letërsisë Shqipe (me shkrimtarë të mdhaj e të
vogjël), dhe “Memoirs” e veta. Në mes të kësaj nisme sa të dobishme, aq të
nevojshme, vdekja e pamëshirshme ia ngrini dorën, tue shterngue penden puntore.
Keso çasesh mirë ma kujtojnë elegjitë vajtimore të malcorevet tona vdekjen e
rapsodit të vendit:
Lahuta të pret me i ra
Por gishtat t’u kanë tha.
Nuk besohet se gjindet sot gjallë nji si ai, me përvojë e
njoftuni aq të thellë e të gjithanëshme të shkrimtarëvet shqiptarë, që të
ndërmarrë nji nisme sa të guximshme, aq edhe të vështirë, përpilimin e librit “Antologjisë
Letrare Shqiptare”, me art e paanësi, sidomos në konditat e sotshme, si do
të delte nga penda e tij.
Nga vjeti 1955, deri në 1961 paçë fatin të studjoshe
n’Universitetin Shtetnor të Romës. Këtu paçë rasën ta njifshem ma s’afermi të
ndiemin profesor. E paçë jo vetëm profesorin e Letërsisë Shqipe, por edhe
drejtor të studimevet. Njoftunija, dashtnija e depërtimi me zotësi i
shkrimtarëvet të ndryshëm, edhe i dytunorëvet e sidomos depërtimi i filozofisë
së kangëvet epike shqiptare, në të cilat ai shquente nji “ethos”
autokthon, të njij çivilizimit jetik Iliro-Shqiptar, e mbante audjencën e
dendun shtang dhe u jepte të huejvet me kuptue se edhe populli shqiptar e ka
dhanë nimesën e vet në brumbosjen e çivilizimevet të ndryshme Mesdhetare.
E njimend edhe specializimi i tij në doktorimin e
Letërsisë ka qenë mbi Kangët Epike Shqiptare. Pat mbajtë miq
personal rapsodët ma të njoftunit e malevet, si Gjergj Pllumbin e Shalës,
Prendush Gegen e Pukës etj., e nder meshtarë ma së forti Patër Bernardin Palaj,
françeskan, përmbledhës e hulumtues i madh i “Visaret e Kombit”.
Klasa e tij n’Universitet gjindej gjithmonë e dendun, jo
vetëm me studenta të rregullt, por edhe me intelektual të tjerë, sidomos
arbreshë, që dishrojshin të kishin njoftuni mbi letërsinë shqipe. Përsa u
perket arbreshëvet mandej, u bâ udhëheqës për dashtninë e ringjalljen e gjuhës
shqipe nder të gjitha ato koloni. Me anën e studentavet arbreshë, sikurse me
hulumtimet e veta direkte, mblodh krejtë folklorin e traditat popullore jetike
nder fshatet arbreshe.
Landa mâ e zgjedhuna e ketyne materjalevet qe përpunue
shkencëtarisht nen drejtimin e tij, nder theza laurimit në letrësinë shqipe,
n’Universitetin e Romës. Imzot Fan Noli i pat dhanë miratimin ma të madhin
kësaj pune, pse thonte: Kurr nuk është bër një punë e tillë ndër Arbreshë.
Pjesë mâ të zgjedhuna të këtyne punimevet universitare
qenë botue gjatë 18 vjetëvet në revistën zâmadhe të letrësisë dhe të kulturës
shqiptare, “Shêjzat”, themelue e drejtue me zotësi e mbajtë gjithmonë në livel
epror gjuhësijet, sikurse me flijime të mdhaja si ekonomike, ashtû të punës së
panderpreme intelektuale të profesor Ernest Koliqit.
Kjo revistë, jo vetëm që gëzoi miratimin e pjesës ma të
njoftun t’intelektualëvet shqiptarë në diasporë e të minoriteteve shqiptare,
sidomos në Kosovë, por edhe nga jashtë Vûllajt e Shêjzavet, u përhapën si në
Gjermani, Amerikë, Angli e shum universitete botnore. Per ma tepër, rreth saj u
mblodhen penda nder ma të mirat e diasporës shqiptare, sikurse penda auktorësh
të huej me jehonë nderkombtare, sidomos albanologë e historjanë gjermanë.
Me nji fjalë revista “Shêjzat”, qe ba epiqendra e
letërsisë e kulturës shqiptare e në të njëjtën kohë shkollë e letrësisë
shqiptare të stilit të naltë për rininë në diasporë dhe me kufizimet e
njoftuna, nder minoritarë.
Vetëm breznitë e ardhëshme kanë per ta gjykue pa anësi e
kanë për t’i dhanë çmimin e meritueshëm kësaj reviste zâmadhe. Kurdo, në kohën
e ardhëshme, ata kanë për të bâ kërkesa e hulumtime letrare e kulturore, kanë
per të gjetë se, në krahasim me botimet e tjera, në krejtë periudhën ç’nga
vjeti 1939 e deri në mbylljen e saj, me vdekjen e krijuesit të saj më 15
kallnduer 1975, nuk kanë për të gjetë mbrenda kësaj periudhe botime tjera me
përmbajtje letrare shqipe vijueshmenisht artistike të stilit të naltë, si “Shêjzat”,
as botim tjetër çfaredo të papërziem, si kjo revistë, në demagogjinë e
merzitëshme politike të këtyne tridhjetë vjetevet të fundit. E para, siç dihet,
krijuesi dhe drejtuesi i saj, nuk ka qenë apolitik. Por këtu, ai dijti të
përmbahej i tillë. Lirija në krijueshmeni dhe universaliteti i artit per të
mirën e gjinisë nierzore janë ligjë të pakapërcyeshme për artistin e vërtetë.
Me vend e pat zgjedhë Prof. Karl Gurakuqi, dritë pastë,
titullin e librit komentues me rasën e dhetë vjetorit të parë të revistës “Nepër
vullajt e Shêjzavet”, të cilin e botoi në Romë, më 1969. Titulli vetë e
përshkruen përmbajtjen e kopshtit (landës) së Shêjzavet. Jo kopsht ferrash,
pasjonesh nierzore, por vullaj të njoma e të freskëta që, tue u rritë,
lulëzojnë dhe në verën e lirisë japin frytet e bukura e të shishëme per të
mirën e nierzimit.
Pregatitja dhe prodhimet letrare
Prof. Ernest Koliqi lindi në
Shkodër, me 20 maj 1903, nga nji familje e njoftun tregtare e këtij qyteti
historik ilir-shqiptar. Si mbaroi filloret në Kolegjën Saverjane të Jezuitëvet
në Shkodrë, i ati, Shan Koliqi, e dergoi n’Italinë e Veriut për shkollat e
mesme. Prodhimet e veta poetike në gjuhen italishte i filloi ç’nga rinija. Me
1919, këthen në Shqipni, në Shkodrë, ku Imzot Luigj Bumçi e Luigj Gurakuqi, tue
njoftë në prirje letrare artistike, e nxisin të jepej mbas studjimevet të
gjuhës e të veprimtarisë letrare shqipe.
Me 1923, së bashkut me miqt e tij shkodranë, Nush
Topallin e Pater Anton Harapin, themeloi fletoren “Ora e Maleve”, organ
politik i grupit liberal-demokrat, që drejtohej nga Luigj Gurakuqi. Si Gurakuqi,
si, ma vonë, At Gjergj Fishta e Dom Ndre Mjedja, u banë udhëheqësat ma të
ngushtit të tij, për t’i dhanë hove të reja e përvojë në letërsinë shqipe.
Megjithate, Koliqi qe i pari shkrimtar shkodranë i kohës
së vet, që dashtas u largue nga shkodranishtja pak e tepër e theksueme nder
shkrimtarët e tjerë të deri atëhershëm. Gjuha e tij ishte ma e pergjithtë,
prandej mâ e pasun, stili aristokrat, periudhat të skalituna me adjektiva
ngjyrëdhanës i jepshin gjallnim e valavitje gjuhës e stilit të tij artistik.
Në 1924, “Ora e Maleve” i besoi kryeredaksinë e
asaj fletorje. Po në këtë vjetë e thrret Gurakuqi në Tiranë si sekretar privat
dhe pak ma vonë bahet sekretar i Ministrisë së Mbrendshme, nen Kolonel Rexhep
Shalën.
Ngjarjet e vjetit 1925 e shtyejnë të kërkojë strehim në
Jugosllavi, ku pat rast të thellohej në poezinë e pasun popullore jugosllave.
Me 1928, Koliqin e gjejmë në Bari t’Italisë, në mes të
grupit të mërguemvet shqiptarë Sotir Peci, Bahri Omari, Kost Paftali, Sheh
Karbunara e, mâ vonë, në bashkëpunim për veprimtari të shqipes, me Mustafa
Krujën në Zara.
Të parën vepër botoi Koliqi në Tiranë në vjetin 1924. Me
pseudonymin Borizani, botoi shum poezina në “Lirija Kombëtare” të
Gjenevës, drejtue nga dr. Omer Nishani.
Por vepra, që e paraqiti shkrimtar të dorës së parë të
shqipes, qe vëllimi i novelavet “Hija e Maleve”, botue me 1929 në Zara.
Shkruesit të këtyne rreshtavet i kujtohet mirë leximi i parë i këtij librit. Në
të shihej qartë se jo vetem nji pendë mjeshtrore e re kishte lindë në Shkodrë,
por me te dhe nji stil i ri, e bânte gjuhen mâ të lehtë, mâ t’ambël, mâ
lakuese, të pasun e tërhjekëse, n’afërsi me gjuhët e mdhaja botnore, zhvillue
me shekuj para sonës, për shprehjen e artit.
Po në këtë vjetë ai këthehet në Shqipni, ku mëson
letërsinë shqipe, mâ para në shkollën Tregtare të Vlonës e mâ vonë në Liceun
Shtetnor të Shkodrës. Shum nga nxanësit e tij u bânë shkrimtarë të vlefshëm të
shqipes e t’arsimit shqiptar si në Shqipni, si edhe per nji kohë të shkurtë por
të vlefshme, në Kosovë.
Me 1933, dha dorëheqje nga arsimi, për të shkue
n’Universitetin e Padovës, n’Itali, për të vazhdue studimet.
Me 1936, u emnue Lektor i Shqipes pranë atij
Universiteti, per Kathedrën e Albanologjisë, që drejtohej nga glotologu i
famshëm Carlo Tagliavini.
Me 1937, u dokturue tue mprojtë thezën: “Epika
Popullore Shqipe”. Po në këtë kohë u themelue në Romë, n’Universitetin
Shtetnor, Selija e Albanologjisë. Me 1939, qe emnue Ordinar i kësaj Selije, ku
qendroi deri sa doli në pensjon, me përjashtim të njij periudhet të shkurtë. E
njimend, nga vjeti 1939, deri në fund të vjetit 1942, ai drejtoi Ministrinë e
Arsimit në Shqipni. Megjithse koha dhe rrethanat ishin ato që njifen, nen nji
okupim, asgjamangut Prof. Koliqi dijti t’i shfrytësonte të dyja. Nen Ministrinë
e Arsimit t’atëherëshme, u botuen tekste shkollor shqipe e libra, ma tepër se
ç’nga vjeti 1912 e deri n’atë kohë.
Por merita ma e madhja e këtij dikasterit t’Arsimit ka
qenë hapja e shkollavet shqipe për të parën herë ndër krahinat e ndryshme
kosovare. Kosovarët vetë e pohojnë se kjo nisme e fillimit të shkollës
shqipe në Kosovë, nuk mund të quhet as nji rilindje, pse çka nuk ka eksistue
kurr, nuk rilindë, por nji lindje e vertete historike per nji popullësi prej mâ
se nji milion frymësh, përba prej analfabetësh, mâ se 90 %. “Nuk kishte nji
mësues, profesor, gjygjtar, avokat, doktor medicije, me nji fjalë nuk kishte
asnji person prej kombësisë shqiptare në profesjonin intelektual”, na thotë
Dr. Rexhep Krasniqi, në nji artikull në nr e fundit të revistës “Shêjzavet”, ku
përshkruenë mjerimin e terrësinavet të Mesjetës, ku i kishin lanë regjimet
monarkike jugosllave t’atyne kohëvet. Ky qe vetë dishmitar i asaj gjendje,
derisa qe ngarkue nga vetë Ministri, prof. Koliqi, Komisar i Ministrisë për
Internatin e Prishtinës, që do bahej çerdhja e arsimtarëvet e arsimtarevet të
ma vonëshme.
Prap po i lamë fjalën dr. Krasniqit, nga i njajti
artikull: “Para se të nisej në krye të detyrës (per Kosovë) Z. Krasniqi pat
nji bashkfjalim të gjatë me Prof. Koliqin, i cili, nder të tjera udhëzime,
shquejti tri pika me ranësi të posaçme:
1)Ministrija e Arsimi, ven bujarisht në dispozicjon
mjete financjare dhe material të ndryshëm për ekuipazhimin e shkollës dhe
t’Internatit, si dhe per ushqim e veshëmathje të studentavet bursista;
2)Mësimi i gjuhës shqip, do të kishte prioritet mbi
të gjitha landët e tjera, mundësisht me nga dy orë të përditshme per të gjitha
klasat dhe, po per këte qëllim, ai i porositi që:
3)Studentat e kësaj shkolle nuk do të kishin nevojë
të marrin pjesë n’organizimin e rinisë fashiste, siç ishte gjendja në Shqipninë
e vjetër” (Shêjzat, XVIII, 1974, Nr. 1-10, f.10).
Bursistat e Internatit ishin 200, të gjith me bursa
qeveritare dhe drejtohej nga prof. Vasil Andoni.
Në dritën e sotshme besoj se gjithkush e kupton randësinë
e kësaj nisme historike. Per ma tepër, po gjatë asaj kohe, themeloi,
bashkë me Mustafa Krujën dhe prof. At Zef Valentinin (1900-1979) Institutin e
Studjimevet Shqiptare në Tiranë, i cili përmblodh në gjinin e vet shkrimtarët e
poetët ma të njoftunit në botën shqiptare.
Ma vonë ai e la Ministrinë e Arsimit e kohën e punën ia
kushtoi krejtësisht këtij Institutit.
Mbarimi i Luftës së Dytë Botnore rishtas e gjenë prof.
Koliqin tue dhanë mësime në Romë, si titullar i Kathedrës s’Albanologjisë
n’Universitetin Shtetnor të këtij kryeqytetit.
Me 1957, me dekret të Kryetarit të Republikës Italjane,
Kathedra e Shqipes pranë këtij Universitetit, per njohje prestizhit, u naltue
n’Institut Studjimesh Shqiptare.
Botimet ma të njoftuna të Koliqit në Letërsi, janë: nji
vëllim vjerrshash me titull “Gjurmat e Stinvet” (1934); nji vëllim
novelash “Tregtar Flamujsh” (1935).
Porse aktiviteti i tij letrar gjindet sidomos nder të
përkohshme të ndryshme, si në: “Hylli i Dritës”, “L.E.K.A.”, “Minerva”,
“Illyrija” -që drejtohej nga Asim Jakova, -“Gazeta Shqiptare”, “Ora e Malevet”,
etj.; “Studimev Letrare mbi dy Kolegjat shkodranë, të Jezuitëvet e të
Françeskajvet”; “Mbi poetët Simbolista të Flandrës”, “Mbi Reflekset Lindore në
Letërsinë Shqipe”; “Mbi Artin Krijimtar të Rapsodvet të Malevet të Veriut të
Shqipnisë”.
Nder këto vjetët e fundit botoi romanxin “Shija e bukës
së mbrume”, sikurse vëllimet me nji varg poemthash në prozë: “Pasqyra e
Narçizit” e “Kangjelat e Rilindjes” në poezi; “Symfonija e Shqipevet”, perkthye
anglisht nga Dr. Anesti Andrea.
Koliqi shkroi shum edhe në gjuhën italishte, tue përdorë
edhe në këtë gjuhë gjithnji thematikë shqiptare, për t’u ba të njoftun të
huejvet shpirtin e karakteristikat e shqiptarit.
Nder këto vepra, spikasin: “Epica Popolare albanese” (1937):
“Poesia popolare Albanese” (1957); “Antologia della Lirica Albanese” (1963).
Menjiherë mbas botimit, autori ia dhuroi të nenshkruemit
kopjen me këto fjalë: “Të Përndertit ... kët perpjekje me ua paraqitë
bukurisht të huejvet anat ma njerzore të fisit arbnuer, me dashuni, vëllaznim e
nderim i a dërgon. E.K.”
Ky vëllim 320 faqesh qe komentue në stil e terma eprorë,
si nimesë Civilizimit Mesdhetar, në nji artikull dy shtyllash, në: “Giornale
d’Italia” (shkurt, #4-5, 1964), shkrue nga nji nder klasicistat ma të
mdhajt e Evropës, Ettore Paratore, autor e Ordinar i Letërsisë Latine
n’Universitetin Shtetnor të Romës.
Ky pat zgjedhë e botue n’atë artikull pjesën e njij
poezie origjinale të ndiemit autor, nji nder ma të bukurat e tija, me titull:
“Estrema Visione” (Vegim i mbram). Në këtë poezi lirike, autori përshndet per
të mbramen herë vorret e të parëvet e Atdheun, i sigurtë se nuk do ta shifte mâ
per së gjallit, si ngjau:
Quando con un frullar di trepide ali
queste palpebre, stanche
di luce sempre effusa sul dolore,
mi chiuderai con un materno gesto:
mi sembrerà di risentir sul volto
il delicato tocco
d'una rama dei boschi, delle dita
vegetali dei boschi d'Albania,
dita di fresche foglie
asperse di rugiada,
le lacrime del nostro cielo, aulenti,
sudor segreto della nostra terra,
unico refrigerio
al divorante ardore
che mi consuma questa argilla umana,
dove rivive e soffre
la cenere degli avi:
ti seguirò spedito,
tacita condottiera,
sopra il sentiero aereo che conduce
al limitare cerulo
della Gran Luce che tu ci riveli:
pago se, prima di varcar le astrali
alte frontieri e sciogliermi
da questa umana argilla
che m'inceppa
mi mostrerai lontano
nei cieli, fra la bruma
dei miei terrestri di'
volti al tramonto,
le montagne natali
alfine circonfuse da un fiammante
vel di libere aurore.
Përkthime
Prof. Koliqi zen mandej nji vend kryesisht me randësi si
përkthyesi ma kompetent që patëm nga italishtja e frengjishtja në shqip,
sikurse nga shqipja n’italishtën. Qe i pari, që përballoi përkthimin e poetëvet
të mdhaj, si: Dante Aligheri, Petrarca, Aristo Tasso, Foscolo, Carducci,
Pascoli, D’Annuzio, Baudlaire, Maeterlinck, Verhaeren etj.
Per çdo shkrimtar krijimtar si Koliqi, âsht mâ vështirë
me sjellë në nji shqipe të kulluet e artistike të këtillë poet, se me
krijue nji vepër origjinal.
Ndoshta fort pak shkrimtarëvet shqiptarë u heci fati si
prof. Koliqit, që të kishte si karrierrë jetësore, ma tepër në diasporë,
arsimin e naltë të Letravet Shqipe.
Kjo ka qenë nji fatlumsi per ate, sikurse për Letersinë
Shqipe. Në dritën e sotshme, e, nëse sot e kurr, veprat e shkrimet e tija do të
mblidhen e të botohen në tanësi, prof. Koliqi padyshim mbetet shkrimtari
origjinal ma i madhi i periudhës së tij, mbrenda e jashtë Shqipnijet.
Me qinda nxânsa Arbreshë, shqiptarë e italjanë kanë
ndjekë mësimet e tija, n’Univeristetin e Romës, dhe, si u tha ma nalt, shum
prej sish janë doktorue, tue rrahë thematike Albanologjijet. Mâ se katerdhetë
theza laurimit pasunojnë me landë letrare, historike e gjuhësore arkivat e
Institutit të Studjimevet Shqiptare, që ai themeloi dhe drejtoi me aq zotësi,
pranë Universitetit të Romës. Në këtë mënyrë prof. Koliqi i ka pregatitë nji
brezni të re, jashta Atdheut, Letërsisë Shqipe.
Besojmë se, sot per sot, kurrkuj nuk i bjen barra ma e
randë se Institutit të Albanologjisë n’Universitetin e Romës dhe Qendres
Nderkombëtare të Studimevet Shqiptare të Palermos, per botimin në tanësi të
vepravet e të dorëshkrimvet letrare të prof. Koliqit. Do t’i bajshin sherbimin
ma të madhin letërsisë e kulturës shqiptare në diasporë dhe do t’ishte nderimi
e monumenti ma i madhi, që do t’i bajshin përkujtimit të Tij.
Prof. Koliqi qe i pari, që hapi periudhën e prozës
artistike të letërsisë shqipe, në të cilën zen vend mbi nominativat, adjektivi
me fuqinë kromatike të piktorit, gërshetue me jehonat e ambla të muzikantit.
Gjuha e tij âsht zhurmuese si prrojet e lumejt shkallmuesa; asht si currili i
kronit të kaltert e të pameshëm, që në verën rreshkuese me puhinë freskuese,
grishë shtektarin me u flladitë dhe, dashtë e padashtë, me pi në te.
Per Mikun e katerdhetë vjetëvet dhe viganin e
Letravet Shqipe mund të thomi çka la shkrue per vedi poeti latin, Horaci: Non
omnis moriar.
Shenim: Msgr.
dr. Joseph J Oroshi (Botuar në fillim në revistën
Shejzat, Numëri Special, 1975 dhe ribotuar në revistën kulturore Jeta Katolike
New York.)