Kerko: a
Fatmir Halimi: Murat Gashi - Lulet e Latit
E merkure, 22.01.2020, 07:54 PM
VESHTRIM PËR POEMËN “LULET E LATIT” TË POETIT MURAT GASHI
Nga Ma.
Sc. Fatmir HALIMI
Poeti e shkrimtari i talentuar Murat Gashi, pas shtatë
librave në gjini dhe zhanre të ndryshme të letërsisë, me këtë fillim vit para
lexuesve tanë po paraqitet me veprën tjetër, poemën “Lulet e Latit”.
Poema”Lulet e Latit”, si vepër poetike në vete
ngërthen motive e ndjesi të ndryshme, me një larushi të ideve dhe ngjarjeve që
trajton, përmes së cilave është paraqit gjendja sociale e mjerueshme e njeriut
në e këto hapësira. Pra tematikë e saj është jeta aktuale e popullit tonë pas
pavarësisë së vendit, pra pas lirisë së fituar. Marrë në tërësi si temë, kjo
është e mbështjell me ngjarje të ndryshme, të cilat e rrethojnë individin e në
veçanti të riun e pasluftës, mllefin e tij për dukuritë negative, për ngecjen e
zhvillimit të jetës, për oportunizmin, e për shume e shumë dukuri të tjera.
Përshkrimi konkret dhe fiksional i
luleve
Poeti Gashi në poemën e tij të gjatë me mbi 3600 vargje “Lulet
e Latit”, me figuracion konkret demaskon pushtetarët e vendit dhe
shfrytëzuesit e popullit të tij, të cilët i quan kameleonë, kurse veprimet e
tyre që po e shfrytëzojnë popullin deri në palcë dhe të cilin e kanë varfëruar
deri në skajshmëri ekstreme i demaskon me vargjet: “përtej pasqyrës do ta
shohin fytyrën e vet të tradhtisë“. Murati në poemën “Lulet e Latit“
shpëtimin dhe ngushëllimin e vetëm të jetës e gjen te lulet. Lulet për të, së
pari janë mbretëresha e natyrës, sepse pa lule nuk ka kuptim pranvera, nuk ka
kuptim as gjelbërimi i krejt natyrës tokësore, pra lulja gjithsesi dhe
domosdoshmërisht duhet të jetë prezente dhe është prezent në çdo hapësirë të
planetit tonë të quajtur Tokë.
Prandaj mund të them se lulet e Muratit figurativisht në
poemën e tij marrin konotacione jo vetëm faktike e konkrete, por edhe
figurative stilistike, e me vlera letrare artistike. Ai përmes lules ndërton
figurën më të fuqishme stilistike, metaforën, e cila në letërsi konsiderohet si
mbretëreshë e të gjitha figurave dhe tropeve stilistike. Lulja ( lulet ) te
poema janë fëmijët e tij, janë rinia jonë e cila nganjëherë po vyshket ende pa
u plakur nga kushtet e vështira, për të cilat përgjegjës janë kameleonët
(pushtetarët), lule është edhe gruaja, e dashura, përgjithësisht femra
shqiptare. Pra kur ka diell (d.m.th, kur kushtet e jetës janë të mira edhe
vendi shkon përpara), ato shkëlqejnë, janë plot gëzim, janë plot hare. Por kur
moti është me dragonj në qiell e me re të zeza, kur është vjeshtë e zymtë, ato mbyllen
veniten dhe nuk shkëlqejnë më.
Prandaj, poeti Gashi, sikur ka bërë një pakt me lulet, se
vetëm me to flet, se vetëm atyre u gëzohet, e figurativisht sikur u ka shpallë
luftë politikanëve, pushtetarëve, të cilët vendin nuk po e zhvillojnë, nuk po u
japin hapësirë luleve të tij, për kualitet dhe për një shkëlqim, sepse këta
kameleon (pushtetarë) të gjitha të mirat e vendit i shfrytëzojnë vetëm për
vete, e popullin po e dërgojnë drejtë humnerës.
Stili dhe përdorimi i figurave dhe
tropeve stilistike
Sa i përket figuracionit poetik poema “Lulet e
Latttit”, përgjithësisht ka një figuracion të mjaftueshëm që ajo të
trajtohet si poemë me vlera letrare artistike. Me ketë rast dua të them se poeti Gashi ka edhe tendencë të
krijimit të figurave dhe tropeve stilistike të reja, për të cilat ndoshta edhe
nuk i kemi hasur deri më sot te poetët tanë që po e zhvillojnë poezinë
bashkëkohore, e veçmas shumë më pak te ata që e zhvillojnë poemën, si zhanër të
veçantë, ku do të përmendi këto trope stilistike si: Lule (lulet), varr, livadh, ballkon, qytet,
hënë, qiell, të cilat varësisht nga përdorimin marrin fuqi dhe vlera te
caktuara artistike. Kurse sa i përket fjalëve të ndërtuara si figura stilistike
do të veçoj këto si: natë, errësirë, mjegull, famë, parajsë, kameleonë,
pushtetarë, si dhe kompozitat si; mendjemjerë, shpirtzinj, shpirtlig e shumë të
tjera.
Poeti Gashi për nga stili i ndërtimit të vargjeve dhe për
nga përdorimi i figurave stilistike është shumë modern dhe bashkëkohor, por në
qasje dhe trajtim na e krijon përshtypjen se është një Lasgush i ri i fillim
shekullit tonë, sepse vargjet, por edhe e tërë poema është e mbuluar me
metaforë, ku përveç saj vijnë në shprehje edhe metonimia, simboli, alegoria,
epiteti, e shumë e shumë figura të tjera. Por kur shohim edhe aspektet e tjera, pra vepra është
e ndërtuar në vargje dhe është një poemë e gjatë me mbi 3600 vargje, që për nga
forma dhe strukturaliteti krijohet përshtypja se këtu kemi të bëjmë edhe me një
Fishtë të ri, ose më një ep të gjatë si “Lahuta e Malëcis”, por që me motive,
me ndjesi dhe tema krejtësisht të reja, ndoshta të reja edhe për vetë letërsinë
tonë sot.
M. Gashi, përveç shprehjeve më të bukura që i gjen për
rininë popullin dhe për lulet e tij në ballkon, ai përmes poemës së tij, mjaft
bukur dhe me një stil të veçantë kritikon dhe satirizon pushtetarët tanë, siç
janë vargjet:
“ por sërish ngriti kokën hardhucë e
hardhisë
Dhe na sillet nëpër dhomë i uritur
Do edhe një mandat për karrigen e
tradhtisë
Na paraqitet si mendje ndritur
Pluhur syve neve po na hedhë
djalli vet ai është përtej pasqyrave
me fjalë të bukura na vodhi e po na
vjedh
e ne rrimë duarkryq para tyre ”
Pra me këto vargje satirizon politikanët e tashëm, të cilët vetëm gjatë elektoratit
bëhen mendjendritur, flasin si bilbil dhe duken të padjallëzuar, plotë dashuri,
por populli (autori) e di se këta janë kameleonë, që ndërrojnë në çdo stinë,
janë si dhelprat plotë tradhti, pra janë djalli vetë. Autorit Gashi i uroj të
mos ndalet së shkruari, që edhe në të ardhme të na sjellë vargje të veçanta, me
kaq ndjesi e frymëzim të ri.