Kerko: a
Gëzim Zilja: Figura e politikanit dhe luftëtarit Uan Filipi në librin e studiuesit Enver Memishaj
E diele, 19.01.2020, 01:06 PM
FIGURA E POLITIKANIT DHE LUFTËTARIT UAN FILIPI NË LIBRIN E STUDIUESIT ENVER MEMISHAJ
Nga
Gëzim Zilja
Enver
Memishaj (Lepenica) është nga studiuesit
dhe historianët më prodhimtarë të periudhës pas viteve 90’-të por pak i
publikuar në median e shkruar dhe atë vizive, indiferencë që vihet re në
përgjithësi për gjithë ata, që trajtojnë me vërtetësi e guxim historinë e luftës së shqiptarëve kundër
pushtuesve të huaj dhe atë gjatë sundimit të rregjimit komunist. Këto libra
bashkë me “Letërsinë e Burgut” bazohen thellësisht në dokumentat e kohës, në
kujtimet e të burgosurve politikë dhe paraqisin një të vërtetë ndryshe nga ajo
e mësuar në shkolla gjatë periudhës diktatoriale. Në atë kohë të drejtën për të
hyrë në arkivat e shtetit e kishte një grup i vogël historianësh që publikonin
e gjykonin sipas “porosive të Partisë”, duke shtrembëruar të vërtetën, fallsikuar
historinë e duke justifikuar (ky ishte krim) vrasjet e panumërta me dhe pa gjyq
të kundërshtrëve politikë nga drejtuesit komunistë para dhe pas luftës. Pas
demokracisë gjendja ndryshoi.
Enver
Memishaj i etur për të njohur e shkruar historinë u bë një frekuentues i
përhershëm në Bibliotekën Kombëtare dhe Arkivin
e Shtetit. Çdo ditë do të
armatosej me foto, libra e dokumenta që më vonë do të shndërroheshin në libra
si “Hysni Lepenica, Komandant i Përgjithshëm i fuqive të Ballit Kombëtar”,
“Emblema e një epopeje”, kushtuar Luftës së Vlorës më 1920, veçanërisht figurës
pak të njohur deri atëherë asaj të major Ahmet Lepenicës. Këto do të pasoheshin
nga studimet kushtuar figurave të Qazim
Kokoshit, Isuf Luzajt, disa figurave të
tjera të Ballit Kombëtar në rrethin e Vlorës, me librin voluminoz, “Eleminimi i
Grupit Komunist të “të Rinjve”, disa libra me karakter historik si ajo e
figurave të prefektëve e kryebashkiakëve të Vlorës etj, përfshirë qindra artikuj shkruar plot
vërtetësi e kurajo për ngjarjet e vitit 1997, ku ai është dëshmitar, përbëjnë
një vlerë të madhe për studiuesit e
historisë së Shqipërisë dhe lexuesin e thjeshtë, në zbardhjen e të vërtetave
për shumë ngjarje e figura para dhe pas vitit 1944.
Enver
Memishajt karakterizohet nga dëshira, këmbëngulja dhe puna e palodhur që ka
bërë e bën në arkivat e shtetit shqiptar por edhe në ato të huaja për zbulimin
e dokumentave, shumë nga të cilat botohen për herë të parë.
***
Libri
i tij, i botuar kohët e fundit i kushtohet një prej figurave pak të njohura deri tani dhe titullohet: “Uan
Filipi, politikan dhe luftëtar i çështjes kombëtare”. Në parathënien e tij
autori shkruan: “Në këtë libër jam munduar të paraqes jetën dhe veprimtarinë e Uan Filipit,
patriotit, që e lidhi jetën e tij me fatin e atdheut. Arsyet pse atdhetari dhe luftëtari Uan Filipi
është përmendur fare pak dihen. Ato janë politike pra s’kanë të bëjnë me të
vërtetën dhe historinë”. I mbështetur në
fakte dhe dokumentat e shumta autori është i bindur se ky libër jo vetëm nxjerr
në dritë figurën e atdhetarit Uan Filipi, por njëkohësisht shërben si një
dëshmi për krimet e komunizmit ndaj figurave të shquara të popullit shqiptar .
Në libër mësojmë se Uan Filipi u lind në fshatin Mbrostar të Fierit më 1901 dhe
mbaroi studimet në kolegjin e famshëm arbëresh të asaj kohe, Shën Demetrio
Korona. Veprimtaria e tij patriotike nis qysh në Itali, në moshë fare të re në
organizat revolucionare të ngritura atje dhe më vonë në Shqipëri. Ai do të
ishte një nga bashkëpuntorët e ngushtë të Hysni Lepenicës me të cilin e lidhte
jo vetëm ideali por edhe një miqësi e sinqertë. Më 1935 e gjejmë si pjesëmarrës
në kryengritjen antizogiste, arsye për të cilën dhe u burgos. Fillimisht ai militoi në grupin komunist
“Zjarri”, më pas kaloi në organizatën e
“Ballit Kombëtar” dhe mori pjesë active në luftën kundër pushtuesve. Ishte
njëkohësisht nga organizatorët kryesorë të themelimit të Partisë
Socialdemokrate .
Këto
do të ishin dhe “mëkatet” e tij kryesore që më vonë do të arrestohej e dënohej
me vdekje. U akuzua se:“…ka qenë iniciator i formimit të Komitetit Qendror të
Ballit Kombëtar, që kishte si qëllim rrëzimin e pushtetit popullor dhe
kishte lidhje me të arratisurit brenda e
jashtë Shqipërisë.” Gjykata e Lartë Ushtarake me vendim nr. 25 datë 21.01.1948
e dënoi me vdekje me pushkatim vendim, i cili u zbatua menjëherë. Në libër dhe
kjo përbën një nga vlerat më të mëdha të tij, botohen dokumenta të nxjerra nga
arkivi i shtetit, ku jepet procesi i dënimit të Uan Filipit dhe grupit të dytë
të deputetëve. Në dokumente jepen hollësi sesi prokurorët komunistë vetëm me
një urdhër të shefit të tyre Enver Hoxha, montonin gjyqe të turpshme, duke
sajuar fakte për të vrarë e burgosur (
shpesh edhe pa gjyq) elitën e
inetektualëve shqiptarë, që punuan e luftuan për një Shqipëri të lidhur me
perëndimin demokratik e jo me lindjen komuniste. Në libër jepet dokumenti, një
faqe A4, që shpreh pretencën e
prokurorit. Midis të tjerash aty thuhet: “… Populli i vendit tonë është duke
pritur një verdikt të drejtë dhe ky verdikt mund të jetë VETËM ÇDUKJA FIZIKE E
UDHËHEQËSVE TË ORGANIZATAVE TË TYRE… Datë 13.01.1948. Prokurori i Ushtrisë
Kombëtare Shqiptare, Kap i I , Nevzat Haznedari”. Para këtyre pohimeve se
kundërshtari mundet vetëm duke u asgjësuar fizikisht, kupton rrugën e gjatë 45
vjeçare të sundimit komunist që është
një vazhdë e pambarimtë gjaku, e torturave dhe vrasjeve të njerëzve ( një pjesë
ende pa varr) në emër të doktrinës çnjerëzore komuniste. Shkrimtari i madh
Petro Marko, në një intervistë, qershor 1991, në gazetën “Republika” do të
shprehej për Uan Filipin dhe atë brez të mrekullueshëm intelektualësh
atdhetarë, që diktatura i çoi drejt vdekjes: “Unë shoh se së shpejti dielli i
lirisë do t’u ndrij në ballë atyre, mbi të cilët në këtë gjysëm shekulli u hodh
vetëm baltë, siç u hodh baltë mbi të gjith popullin shqiptar. Hasan Reçi,
vëlla, dhe tërë ju shokë pa varre! Ti Galip, Uan( Filipi), Sinan, Spiro, Kolë e
ju të tërë me radhë , më besoni, shpirti m’u lehtësua sot, që erdhi dita të
mund të shkruaj për ju këto radhë, falë demokracisë dhe lirisë së vërtetë që po
agon! Brezi i ri do të shkruaj historinë e vërtetë”.
Enver
Memishaj është një studiues i vëmendshëm, shumë pasionant dhe dashuron ose
urren me të njejtën forcë figurat me të cilat merret dhe hera-herës ( me shumw
elegancw) megjithë dokumentat e shumta që ai na paraqit, mban anën e të
“tijëve,” dmth figurave që simpatizon e mundohet t’i nxjerrë idealist, të
qëruar e pa “mëkate.” Kjo dukuri jo e shpeshtë, nuk ia ul aspak vlerat librave
të tij, të shkruara plot dëshirë e që na japin e informojnë për ngjarje e
individë, që kohë më parë janë trajtur jo me vërtetësi e plot urrejtje nga
historianët marksiste-leninistw.
Sasia
e dokumentave që autori paraqet është aq e plotë, e larmishme dhe e renditur
kronologjikisht sa studjuesi ose lexuesi i vëmendshëm mund të nxjerrë
përfundimet e tij, e të mos jetë dakord me përfundimet e autorit.E kjo është
një vlerë tjetër e librit. Një vrejtje tjerër mund t’i bëhet autorit (
gjithmonë mendimi im) e që bie në sy edhe te historianë e studiues të tjerë të
djathtë, përfshirë dhe “Letërsinë e
Burgut” ku përshkruhen masakrat
çnjerëzore dhe vrasjet e panumërta të sigurimit të shtetit dhe të udhëheqjes
komuniste, është të përdorurit rëndom fjalët: “ Bishat komuniste” “Kanibalët
komunistë” “ “komunistët këto krijesa vëllavrasëse” etj. etj. Këto etiketime
përgjithësuese nuk janë plotësisht të vërteta sepse jo të gjithë komunistët ishin kriminelë dhe vrasës. Kam
njohur plot komunistë të ndershëm, që nuk kanë ngopur barkun me bukë, që kanë
jetuar me djersën e ballit e janw përcjellë në banesën e fundit me rrobat e
punws. Sigurisht kanë qenë të indoktrinuar por nuk duhen ngatëruar me
drejtuesit, prokurorët, spiunët, gjykatësit dhe ekzekutorët që shpallën
vendimet dhe tërhoqën këmbëzën e armës duke vrarë njerëz të pafajshëm. Në një
tregim me titull “Kush e vrau Balilin” të shkrimtarit dhe përkthyesit të njohur
të letërsisë hispanike Bajram Karabolli lexojmë këtë fragment: Balili i foli
prapë Kasëmit (para se ta vriste) :Pse ma bën këtë, o njeriu i mirë?
-
Kështu do t’ua bëjmë të gjithëve atyre që s’i duan komunistët, - i ktheu
përgjigje me mospërfillje Kasëmi.
-
Po unë nuk dua komunizmin, jo komunistët. Ti je vëllai im, le të jesh komunist.
Ashtu të pëlqen.”
Në
këto studime, monografi apo romane mjafton dokumenti, kujtimet e besueshme dhe
emrat e prokurorëve e kriminelëve ( Enver Memishaj nuk i kursen aspak në libër
dhe i jep me emër e mbiemër ) që nuk ishin të pakët. Në vepër gjejmë ndonjëherë
dhe përsëritje të ngjarjeve ose përshkrime të personazheve. Një redaktim e
korrektim më i vëmendshëm do ta bënte librin edhe më me vlerë nga ana
gramatikore por kjo nuk është punë e historianit apo shkrimtarit.
Me
daljen në dritë të këtij libri do të njihemi plotësisht me një nga patriotët e
Ballit Kombëtar, që luftoi pa kompromis për çlirimin, vendosjen e demokracisë
në Shqipëri dhe u vra pabesisht nga shokët e tij, dikur të një ideali.