Kerko: a
Albert Habazaj: Koncepti i lirisë dhe patriotizmit në këndvështrimin e autorit Mihal Kalia
E enjte, 09.01.2020, 08:46 PM
Koncepti i lirisë dhe patriotizmit në këndvështrimin e autorit Mihal Kalia në studimin monografik “Përqasje e çoroditur”
Nga MSc.
Albert HABAZAJ/ përgjegjës i Bibliotekës Shkencore “Nermin Vlora Falaschi”,
Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë
Për ju, miq të Librit, të Bibliotekës dhe të Autorit jemi
falënderues, sepse këtë ditë, që natyrshëm
e keni aq të çmuar, po na e falni mirësisht për të marrë dhe dhënë
mesazhe qytetare të kulturës letrare, këtu, në tempullin e dijes të Qytetit të
Flamurit, Shqipërisë Jugperëndimore e më gjerë, në Universitetin “Ismail
Qemali”, Vlorë, i kësaj Vlore me histori e kulturë, që është qyteti i dytë me universitetin më të madh në
Shqipëri.
Pikërisht këtu, në
Sallën e Madhe “Rilindja” të Universitetit tonë po
realizojmë përurimin e librit “Përqasje e çoroditur”, dhuratë nga
mendimi i kualifikuar dhe shpirti bujar i autorit Mihal Kalia. Sa nisëm kështu një punë të mirë,
të bukur e të dobishme në funksion të edukimit, në shërbim të plotësimit me
kulturë letrare, artistike dhe estetike, për një Vlorë, Shqipëri dhe shoqëri më
qytetare, jo vetëm në fushën e letrave.
Studimi monografik i “Përqasje e çoroditur” i
kritikut Mihal Kalia është një punim shkencor i thellë, për të cilin
autori është marrë gjatë dhe në mënyrë krahasuese, sidomos për autorët më në zë
të Letërsisë shqipe, duke vënë në peshore të mendimit të tij këndvështrimet e
emrave të njohur apo artikujshkruesve tentues për të shprehur diçka në fushën e
gjuhës, gjuhësisë/ filologjisë dhe letërsisë. Në një libër voluminoz prej 560
faqesh, me 28 shkrime (pa hyrjen në krye të veprës) vërejmë unitetin formë -
përmbajtje, për çfarë autori trajton si zotim parësor intelektual nga veprat e
letërsisë artistike si dhe teoria, mjeshtëria e të shkruarit, kritikat letrare,
pa e nënvleftësuar, pa patur synim parësor historinë e letërsisë, biografinë e
shkrimtarëve, por vlerat kulurore artistike në dobi të kombit, veçmas nëpërmjet
kritikës letrare me standardet që ka kjo displinë shkencore, pa vegjetuar në
akuarium si peshqit, monotonisht…
Autori Mihal Kalia, pasi notoi e notoi, qysh nga viti
1993 në Detin e Kritikës letrare, sot po hedh spirancën e anijes së tij të
bardhë studimore në limanin e Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, mbushur
autorë, miq, pegagogë, studentë, dashamirës të letrave shqipe, edhe pse shqota
ende rreh keq brigjet e Shkrimit e Leximit…
Kemi fatin e mirë, se nga profili i autorit Mihal Kalia
shohim personalitetin e një mësuesi veteran, shembullor në mësimdhënie për gati
një gjysëm shekulli, të kompletuar në arsim dhe kulturë; shohim kritikun e
plotësuar, të talentuar në interpretim, të cilët Vlorës historikisht i janë
numëruar me gishta dhe sot, ose nuk janë më fizikisht, ose kanë kaluar në jetë
pasive përsa i përket kritikës dhe interpretimit të letërsisë shqipe dhe
autorëve shqiptarë; shohim veprimtarin e duhur dhe në fushën e shkrimeve
nëpërmjet korespodencës me shtypin, duke qenë aktiv me artikujt teorikë,
origjinal dhe i prerë në opinionet e komentet e tij apo polemikat në gazetat
qendrore etj. Pohojmë fatkeqësisht, se nga fundi i viteve ’90 të shekullit të
kaluar e deri më sot letërsia shqiptare ka shfaqur edhe problemet e saj. Kush
ka guximin t’i shohë dhe t’i artikulojë, si autori Mihal Kalia, e pranon me
dhimbje këtë fakt dhe falë mundësive intelektule që zotëron, po e jep
konkretisht ndihmesën e tij. Është pranuar dhe nga kritika, që kjo letërsi, të
paktën brenda kufijve të Republikës së Shqipërisë, në shumë pak raste e
tejkaloi vetveten dhe shpesh letërsia e mirë hëngri nga dhjami i vjetër. Edhe
pse ndonjë autor shkruan më i shpenguar, në këto vite ndodhi ajo që ndoshta si
fenomen ka ngjarë rreth viteve ’30-’40. Dikush shkruan drithirambe dhe nuk do
të pranojë realitetin e përditshëm; dikush sikur zhytet në të përditshmen pa
vizion. Ka edhe disa autorë të rinj që sollën apo eksperimetojnë të sjellin
forma e trajtime të reja.
Në shkencën e bibliotekonomisë flitet për klasifikim
hierarkik dhe me hierarki numerike reflektohet hierarkia e koncepteve. Autori
Mihal Kalia pasqyron çështje të rëndësishme në gjuhën dhe letërsinë shqipe
nëpërmjet shkrimeve të përzgjedhur që, siç shprehet ai, edhe pse në kohë të
ndryshme, përfshirë edhe atë të regjimit socialist, kanë të përbashkët frymën
polemizuese me autorë dhe institucione
kulturore-edukative, lidhur me qëndrimin dhe vlerësimin e figurave të spikatura
të letërsisë shqiptare, drejtimeve letrare, raporteve me historinë dhe gjuhën
shqipe, me traditën letrare dhe, çka
është më e rëndësishmja, me Njeriun, bërthamën e shoqërisë që, nëse sot kemi
arritur këtë shkallë emancipimi dhe ndërveprimi, kjo, falë luftës dhe
përpjekjeve të vazhdueshme të Tij për t’u evidentuar si faktor dhe aktor
substancial i ekzistencës, besimplotë në
ngadhënjimin e pritshmërive.
Në hierarkinë vertikale
dhe horizontale të vlerave, të dhjetë fushat e dijes janë në funksion të
një jetese më të mirë të njeriut, familjes, atdheut konkret, të vërtetë;
kuptueshmërisht në dobi të shoqërisë. Ato zhvillohen e pasurohen që ne të
përparojmë duke u përmirësuar, që të kemi të mira materiale në jetën qytetare,
të pasurojmë shpirtin me kulturën materiale dhe jomateriale, këtë shpirtërore,
ku letërsia ka peshën e saj specifike. Kritiku Mihal Kalia, ndërkohë një
qytetar korrekt dhe punëtor i mirë i fjalës së bekuar është serioz,
këmbëngulës, i drejtë e dinjitoz në shkrimtarinë e tij, në këtë kohë të të
turbullt, të shushatur, të çoroditur, me përqasjet e tij të karakterit debatues
në funksion të së vërtetës së botës letrare thotë guximshëm në ballaqim shumë
kurajoz: “Unë jam këtu. I tëri dhe i bëri. Ky jam unë! Ju ku jeni? Kush jeni?
Cilën fytyrë letrare tuajën të besojmë, xhanëm? Dua t’ju shikoj fytyrën letrare
dhe shkencore të fushës, more penëxhinj, sepse unë jam një ndër ata penëtarë,
që nuk e turpëroj profesionin dhe dhuntinë e virtytshme që më ka falur natyra.
Pena e Mihal Kalisë nuk ka si qëllim analizën e veprave
letrare, as të autorëve të tyre, edhe pse atë e kryen lartësisht sipas
standardeve dhe vlerave të shfaqura në tekstin përkatës; synim ka përballjen me
disa gjykime cungale, gjymtake për autorët më në zë të letërsisë sonë. Autori
trajton 12 ndër autorët më të njohur të letrave shqipe, që nga Naim Frashëri,
Pashko Vasa, Ndre Mjeda, Millosh Gjergj Nikolla-Migjeni, Faik Konica, Lasgush
Poradeci, Ali Asllani, Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Kryeakademiku i Kosovës -
Rexhep Qose, Daut Gumeni- rrezëllitës lirie, diamantini i fjalës Ylli Polovina,
gjuhëtarë të lartë si Gjovalin Shkurtaj, Rami Memushaj, Ali Dhrimo etj. Duke
marrë në shqyrtim dhe katër autorë vlonjatë, pikërisht poetët Hiqmet Mehmetaj,
Albert Habazaj, Luto Lamçe dhe romancierin Leka Skëndaj, ky tekst i autorit
Mihal Kalia ka vlera të veçanta njohëse dhe emancipuese për letërsinë në
qytetin e Vlorës, pasi veçse dëshmon provën identitare dhe natyrshëm imponuese
të penës së tyre dhe frymëmarrjen letrare pastërtisht origjinale, deri më sot
nuk është trajtuar nga asnjë kritik i nivelit lokal apo i rangut kombëtar. Në
emër të të katërve, si dhe në emër të poetëve dhe shkrimtarëve dhe artistëve të
qytetit: MIHAL KALIA FALEMINDERIT! MIRËNJOHJE! Autori ëshët qytetar, njeri i
lirë, jo rob i natyrës. Si çdo njeri flet, por më tutje, falë dëshirës,
vullnetit, guximit dhe diturisë që zotëron, shkruan edhe për filozofinë,
politikën, sportin etj., por unë nuk mund të flas dot për mendimin filozofik të
Mihal Kalisë. Të mos harrojmë se autori i këtij libri radhitet në krahun e
optimistëve dhe shkruan me dritë shprese e besimi, edhe pse është një luftëtar
i pamëshirshëm i ditirambeve lajkatare nga do që vijnë e për këdo emër të
përveçëm të letrave shqipe pa veçuar as Kadarenë, Konicën etj. Ky libër nuk
është një studim për studim, por një punim shkencor i mirëfilltë, që kërkon
kohë e përqëndrim vëmendjeje për ta lexuar, kuptuar e reflektuar jo vetëm
letrarisht, pse jo për të formuar reflekse letrare letrarët e tij, sidomos
nxënësit e shkollave të mesme dhe studentët e departamenteve të Gjuhës Shqipe
dhe Letërsisë. Koha nuk më lejon të bëj panoramën e librit, por kam bindjen që,
të paktën për të shumëpërfolurën poezi “Pashallarët e kuq”, që është
gati e papërfillshme në Opusin e të madhit Kadare, studiuesi Mihal Kalia ka
bërë një vështrim mbushmendës, gati shterues të pakundërshtueshëm. Në një shkrim tjetër, Kalia na thotë se
Pashko Vasa vetëm me 72 vargjet e të famshmes poezi “O moj Shqypni” jo
vetëm që ka siguruar një vend të merituar
në historinë e letërsisë shqiptare, por është sipër, në apogjeun e
letërsisë shqiptare, sepse kjo poezi kushtrim është një aureolë e kurorës me
vlerat më të spikatura të kësaj poezie. Dhe ne, logjikisht, njëmendjesohemi me
deduksionin shkencor të autorit.
Ndërkohë shqetësimet e autorit janë se çfarë po ndodh me
interpretimet “e reja” të veprave letrare të traditës? Shkrimet lënë gjurmë,
sidomos tek brezi i ri, po çfarë gjurmësh se ky brez mund të jetë dhe ndoshta i
paformuar, ndoshta i painformuar si duhet. Ndaj autori thekson: “Ka një
çoroditje në përqasjen e re të asaj prodhimtarie letrare të periudhës së
socializmit, ndaj së cilës nuk
funksionon dot mekanizmi i bjerrjes së vlerave artistike, duke ua citosur ato parimeve të një tjetërsoji
realiteti, që do të mbartte në vetvete sa tragjedi dhe dhimbje, siç mund të
shkaktojë rrjepja, shqitja e lëkurës prej trupit të shëndetshëm, aq edhe komedi, kur mbështjell një trup të skeletosur
për shndërrimin e shëmbëlltyrës” (f. 6). Vërtet liria e fjalës, e
shkrimit, e shprehjes, janë
themel i demokracisë, çelës i
gëzimit të shumë të drejtave të tjera të njeriut, se liria është jetë dhe jeta
liri, por jo liri pa kufi, sepse pa kufi ligjorë e moralë, shoqëria
dëmtohet, shpërfytyrohet, shëmtohet,
prishet, sepse liria pa kufi e fjalës, shkrimit e shprehjes na sjell imazhin e demonit të së keqes, që mirësinë e bën keqësi. Jo thjesht si studiues me merakun e
mësimdhënësit, por shqetësimi kryesor i intelektualit qytetar Mihal Kalia është
edukimi i brezit të ri, shkolla jonë, shëndeti fisnik i saj, prandaj i bie
kambanës së fjalës së shkruar të lëshojë kushtrimin sepse tejduket më e keqja,
qoftë larg e mos ndodhtë, pasi artikujgatuesit e paplotësuar: “Të shenduar prej
rrethanave trallisëse, ushqejnë ngasjen për t’u shtrirë edhe më gjerë, të
gërvishtin e ciflosin historinë, gjuhën, kulturën, traditat e shkëlqyera në çdo
kohë e në çdo fushë të jetës, të krijuara këto me shumë mund, gjak e sakrifica,
si emblemë e identitetit tonë kombëtar” (f. 6). Dhe na kujton kryerilindasin
tonë, mësuesin e ndritur, bilbilin e gjuhës shqipe, Poetin Kombëtar Naim
Frashërin, që thoshte “Një komb, ç’vleftë t’i vërë vetes, atë i vënë dhe të
tjerët”. Kalia është i kthjellët në argumentet bindëse, që sjell, kur shtjellon
sesi Naimi u bë simbol i gjallë i atdheut dhe lirisë, sepse “përdori metodën
krijuese në funksion të qëllimit dhe ai ishte i karakterit kombëtar” (f. 156).
Autori është trim i fjalës dhe nuk ua përton shkronjëzinjve të llojit [shih në
tekst] M. Aleksi, K. Ujkaj, B. Cengu, A. Stefani, S. H. apo dhe të tipit [shih
në tekst] P. Kulla e B. Beci, paçka se i pari është figurë e njohur e humorit
shqiptar apo tjetri akademik, profesor i Gramatikës së
Gjuhës Shqipe. Ai nuk “kursen” as emra të tjerë të dëgjuar dhe shumë të
respektuar të penës shqiptare si [shih në tekst] M. Zeqo, apo N. Jorgaqi, kur
ata gabojnë, shkasin në mendimin kritik që bëjnë si qoka për njëri-tjetrin apo
të preferuarit e interesit të vockël. I vlerëson për vlerat universale në të shumtën e rasteve në fushën e studimeve
letrare, të estetikës, kulturologjisë, për vargun apo prozën elegante, por nuk
i ngre dot, siç mendon ai, të pavërtetët e tyre. Autori nderon fytyrën, nderon
fjalën. E ka të shenjtë fjalën. Nderi i fjalës është thesar. Me këtë shqetësim,
kërkon të dijë sa fytyra ka x zotni i nderuar që ka uzurpuar mediat,
shtëpitë botuese, televizionet? Cilin Moikom apo Nasho të besojmë? Nderimi dhe
çnderimi, fjala dhe llafet janë fushëbeteja e studiuesit.
Ai nuk i duron dot dhe nuk i fal gjithologët jo
profesionistë, servilët, konformistët, magazinierët e llafeve pa inventar,
sahanlëpirësit për një dekoratë të pamerituar varake. Atë e shqetëson shumë
fakti që vargjet e Nolit të madh “Ti, Halim, që s’di këndim/ shko ministër
në arsim janë ende realitet i hidhur e dëshpërues në organigramën e
strukturës sonë vertikale dhe horizontale.
Falë ushtrimit të profesionit të bukur e të vështirë të
mësuesit, metodistit, përvojës së gjatë në arsim dhe inspektimin e shkollave në
fushën ku u arsimua e dha mësim, nëpërmjet këtij teksti autori synon të
ndihmojë nxënësit e studentët në formimin e tyre, sepse libri ka vlera
pedagogjike-arsimore dhe përbën një model edukimi për t’u ndjekur, sepse
mendimet e autorit janë të rëndësishme për fushën që trajton, sepse është e
dukshme ndihmesa që ai jep për shkollën, mësuesit dhe nxënësit. Kuptohet që
gjuha e autorit në tekst është gjuha e specialistit të fushës, gjuhë e nivelit
akademik dhe mund të jetë literaturë e duhur për edukimin shkollor dhe
universitar të nxënësve të shkollave të mesme dhe studentëve të Departamentit
të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë në Fakultetin e Shkencave Humane të paktën në
Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë.
Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë,
Albania, 08.01.2020